Sociale: Akoma nuk keni tapi për tokën, ja skema për 22 mijë familje që akoma nuk e posedojnë dokumentin e pronës.

Nga Pirusti News

-Publikuar në gazetën “Panorama” 17 shtator 2020-

Kërkesa sipas ligjit, nuk konsiderohet e mirëqenë nëse nuk bëhet nga përdoruesi faktik, ç’ka do të thotë se nuk mund të pretendosh pronësinë për një pronë, të cilën nuk e përdor. Sipas Agjensisë së Kadastrës janë jo pak, por mbi 22 mijë famile, të cilat janë pajisur pjesërisht ose nuk janë pajisur asnjëherë me tokë bujqësore. Mbi 80% e tyre janë përgjatë bregderit të jugut, ku edhe ka nisur prej muajsh procesi.

“Ligji i ri parashikon që brenda 6 muajve të gjitha këto familje mund të aplikojnë pranë bashkive përkatëse, duke kërkuar pajisjen me tokën bujqësore që ju takon. Pra, në këtë afat 6 mujor duhet që thjeshtë të zënë rradhën pranë bashkive për hallkën tjetër, që është pajisja me AMTP”, tha kreu i Kadastrës, Lame, pak ditë më parë.

-PROCESI-
Në përfundim të fazës së parë, pra, të dorëzimit të kërkesës në bashki do të jenë këto të fundit, të cilët dosjet do ti dërgojnë pranë agjensive vendore të Kadastrës, nga ku do të nisin më pas procedurat e rregjistrimit dhe pajisjes së qytetarëve me dokument pronësie. “Kalimi në pronësi i tokës bujqësore bëhet nga ASHK-ja, sipas listës së përdoruesve të tokës, miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 7 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcjellin pranë ASHK-së kërkesat për kalimin në pronësi të tokës bujqësore”, thuhet në nenin 14 të ligjit të ri.

Në përfundim të shqyrtimit të çdo dosje, agjensia do të bëjë afishimin e të dhënave që është edhe faza e dytë. Sipas ligjit, qytetarët do të kenë në dispozicion 45 ditë pas afishimit të dhënave që të bëjnë plotësimet e nevojshme apo të shprehin ankesat nëse do të kenë. Me rregullat e reja që kanë nisur të aplikohen, pas zyrtarizimit të ligjit të ri, duhet që për të marrë tapinë toka të mos jetë pronë private, të mos jetë objekt i investimeve strategjike, të mos jetë dhënë me qira të tretëve dhe të mos jetë e zënë nga ndërtime të paligjshme.

-RREGJISTRIMI I AMTP-ve-

Paralelisht me këtë proçes do të vijohet me rregjistrimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi nga Kadastra. Është fakt tashmë që janë mbi 250 mijë tituj të dhënë, të cilët nuk janë regjistruar nga hipoteka e dikurshme. Në ligjin e ndryshuar, regjistrimi i tyre do të bëhet vetëm nëse përmbushen kriteret e përcaktuara.

Referuar ndryshimeve të bëra, pasuria do të regjistrohet nga Agjensia e Kadastrës nëse: Përfituesi i AMTP ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të kooperativës apo ndërmarrjes bujqësore.

Sëdyti, përfituesi i AMTP ka marrë tokë në territorin e vetëm një kooperative bujqësore dhe së fundmi toka, për të cilën është lëshuar AMTP-ja, nuk ka qenë “truall”, përveç rastit të truallit të banesës të ndërtuar para datës 10.08.1991, në pronësi të përfituesit të AMTP-së, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh”, ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit. Praktikat e iventarizimit dhe përditësimit në terren që do të shoqërojnë këtë proces, do të nxjerrin në pah edhe përfitimet e bëra në mënyrë abuzive.

Kështu, të gjithë ata fermerë që kanë përfituar abuzivisht tokën me 7501-n, do të detyrohen ta kthejnë atë. Kjo sipërfaqe do të përdoret më tej për kompensimin e pronarëve. Në rastet kur prona është shitur, përcaktohet kthimi i shumës.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment