-Të njohim artistët tanë, Luljeta Përbasha-

Nga Pirusti News

Nga Pierre-Pandeli Simsia.

Në mesin e viteve 70-të dhe pikërisht në vjeshtën e vitit 1975, në skenën e muzikës së lehtë shqiptare do dilte një emër këngëtare e padëgjuar nga dëgjuesit e shumtë të radios dhe televizionit.

Në anketën muzikore të vjeshtës së vitit 1975, një ndër katër këngët e reja të muajit që prezantoheshin në atë kohë, ishte edhe kënga: “Erdhën djem e vajza” e kompozuar nga i mirënjohuri, muzikanti i talentuar beratas Asqeri Kadëna dhe kënduar nga Luljeta Përbasha: “Erdhën bijtë nga qyteti, gazi ndezi bukurinë, doli fshati si në festë, që të presë sot rininë…”

Sa bukur! Një muzikant i mirënjohur beratas ia beson këngën e tij për ta kënduar një këngëtare të talentuar nga Rrësheni, Luljeta Përbasha. Këngëtare e talentuar, me një zë të kthjellët, të ëmbël melodioz, që, me votat e publikut nëpërmjet letrave që dërgoheshin në redaksinë e radios në atë kohë, u shpall edhe kënga fituese e muajit. Një ndër katër këngëtarët e tjerë konkurues në atë muaj, ishte edhe Naile Hoxha, me këngën: “Erdhi nusja nga qyteti”: “Ejani dasmorë, flakë ta ndezim këngën, djali nga qyteti na solli fëllëzën, E paç këmbën e mbarë, ardhshin të tjera kështu si ti, krahhapur i pret fshati i ri. Si s’u ça taksia që e prun’ tek porta, si s’u derdh rakia hedhur nëpër gota…”

Pas disa muajve, po në atë vit, në Dhjetor të vitit 1975, u zhvillua festivali i radhës, Festivali i 14-të i Këngës në Radiotelevizion.

Për herë të parë, teleshikuesit e shumtë (por jo mirditorët) do shikonin nëpërmjet ekranit të televizorit, këngëtaren fituese të anketës të para pak muajve, Luljeta Përbasha, e cila në atë festival këndoi dy këngë: “Kënga e metalit” kompozuar nga Reshat Osmani me tekst të dy autorëve, Flamur Laro dhe Demokrat Anastasi, dubluar ajo këngë nga Fatma Zyberi: “… Hej, hej, këngët po ushtojnë, kudo anembanë, çdo ditë oxhaçet më lart do t’i çojmë, tek ti Elbasan…”
Ishte pikërisht, fjala oxhaqet, por që Luljeta e këndoi në dialektin e saj mirditor, oxhaçet.
Si edhe këngën tjetër: “Stafeta e aksionit” kompozuar nga Sulejman Dragoshi, me tekst të Pandeli Koçit dhe dubluar nga këngëtarja krutane Shpresa Hyka: “… Seç e lidhën miqësinë, vajzat djemtë vullnetarë, si kujtim nëpër ditë të tyre, thell në zemër ata e mbajnë…”

Edhe pse e re në moshë, këngëtarja Luljeta Përbasha, i këndoi bukur ato dy këngë, madje me profesionalizëm.

Pas disa muajve, Luljeta Përbasha do këndonte një tjetër këngë në anketën muzikore të muajit: “Sa bukur në fshat”, që për koincidencë edhe ajo këngë u shpall edhe kënga fituese e muajit: “E ku ka më bukur se në fshat, ku grurin edhe barin vesa i spërkat, uji rrjedh në çesmat si kristal… Eja bashkë të shkojmë, fshatin tonë ta zbukurojmë, eja të punojmë, kënga të ushtojë…”
Në festivalin e radhës pas një viti, pra Festivali i 15-të i Këngës në Radiotelevizion
, Dhjetor, 1976, Luljeta nuk mori pjesë dhe, arësyet tashmë janë bërë të njohura nëpërmjet shkrimeve të ndryshme: seleksionime këngësh, seleksionime këngëtarësh, madje edhe deri një natë para se të fillonte festivali.
Pavarësisht se Luljeta nuk këndoi në Festivalin e 15-të, teleshikuesit e shumtë e shikonin atë nëpërmjet ekranit të televizorit, të këndonte këngët e bukura popullore, aktivizuar me Ansamblin Muzikor të Mirditës, si edhe me estradën dhe festivalet e këngës që zhvilloheshin në Rrëshen.

Në Festivalin e 16-të të Këngës në Radiotelevizion, Luljeta Përbasha këndoi këngën: “Qendrojmë si malet” kompozuar nga Spartak Tili me tekst të poetit Foto Malo, fituese e çmimit të tretë; dubluar nga Irena Kuko, të cilën, atë këngëtare e shoqëroi në këngë orkestrina e Kukësit dhe e Gjirokastrës që ishin të ftuara në atë festival përkrah orkestrës simfonike të radiotelevizionit shqiptar.
Pas suksesit që pati në Festivalin e 16-të,
një vit më vonë, kompozitori Shpëtim Kushta, do t’i besonte Luljeta Përbashës këngën e tij për ta kënduar: “Nënat tona luftëtare” dubluar nga Arta Babaramo: “Sa j’u qeshin syt, kur shihni lirinë, ju kësaj lirie, i dhat’ moj rininë, çerdhe me shqiponja, vatrat ju i bëtë, krah për krah me bijt’ e saj, qendroi çdo nënë…”

Në anketën muzikore të muajit prill, 1977, Luljeta Përbasha këndoi këngën: “Shqipëri ballkrenare, kompozuar nga Enver Shëngjergji dhe, që, atë këngë, pas një muaji do ta këndonte Ema Qazimi me orkestrën simfonike të radiotelevizionit shqiptar në koncertet e majit, por me titull tjetër: “Majave të historisë”:
Edhe në atë anketë, Luljeta Përbasha u shpall fituese e katër këngëve të muajit.
Pra, këngëtarja Luljeta Përbasha është tre herë fituese e anketave muzikore dhe fituese e çmimit të tretë në festivalet e këngës në radiotelevizion.
Festivali i 19-të i Këngës në Radiotelevizion, do ishte edhe festivali i fundit, me të cilin Luljeta Përbasha do e mbyllte pjesëmarrjen e saj në festivalet e këngës së muzikës së lehtë shqiptare.

Në atë festival, Luljeta këndoi këngën: “Do të vij patjetër” kompozuar nga Josif Minga me tekst nga Laura Siliqi: “Më thonë shoqet eja, eja më thot’ fusha, se pranvera erdhi, gjelbëroi gëmusha, eja më thonë zogjtë, bashkë të këndojmë, cicërima e tyre, është dhe kënga jonë…” dubluar ajo këngë nga Rakipe Karaj.
Këngëtarja Luljeta Përbasha, që përveç zërit të bukur,
kishte edhe bukurinë e saj natyrale. Atë bukuri, asaj ia shtonin edhe më tepër kostumet e bukura popullore mirditore që ajo vishte kur dilte në skenat e ndryshme shqiptare për të kënduar këngët e bukura, dhe të pavdekshme popullore mirditore.

Luljeta Përbasha ka qenë e suksesshme edhe në festivalet folklorike të këngës në Gjirokastër; herë herë si soliste, herë herë në duet, dhe herë herë shoqëruese me grupin e vajzave.

Përmend këngët: “Të marrshojmë me partizanë” e kënduar në duet me këngëtarin e talentuar mirditor, Anton Gjoka: “O, lermi plagët, nëno le t’më therrin, o, më gjej fishekë, e m’a jep mauzerin, o ti jep nana, o pushkë e gjerdanë, o zenia pritën, o hasmit gjermanë, o t’ia marr’ hakun e motrës, që na i vranë, o tek pragu i portës…”

Luljeta Përbasha, këngëtare e mirënjohur e muzikës popullore dhe asaj të lehtë, me një karrierë të pasur artistike gjatë gjithë jetës së saj, për shumë vite me radhë këngëtare e Estradës Profesioniste të qytetit Rrëshen, mbetet vlerë e artit dhe kulturës.

Ju mund të lexoni edhe...

1 Komente

Hysni Osmanaj 19 Tetor, 2020 - 3:24 am

Te tilla shkrime per njerzit qe kan bere histori ne artin e atyre viteve i duhrn sot publikut, dhe sidomos brezit te ri.. qe i seviret vetem mohimi dhe denigrimi i asaj epoke te lavdishme… Ne ket shkrim dinjitoz do shtoja, qe Luljeta Perbasha edhte solistja e Ansamblit Mirdita, qe solli ne festivalin folklorik te Gjirokastres kryevepren folkut shqiptar “Xhamadani i Trimerise” me autor teksti te madhin Gjok Beci, kushtuar aktit heroik te Mic Sokolit dhe qendreses shekullore te popullit tone nder shekuj… Interpretim brilant, qe i solli vlersimin ketij ansambli me vendin e pare te festivalit kombetar.. Vargjet dhe melodia e kesaj kenge.. Gjithe shqipetaret jem Mic Sokola… u bene hymen per shqiptarine!!!

Reply

Lini nje koment