Nga Gjok Pepa, Fol drejt, “mshilu” për gjak

Nga Pirusti News

Ndoshta për të ilustruar në formë më intelektuale pasojat që ka mbartur dhe vazhdon të mbartë në kohë thënia e së vërtetës apo fjalës së drejtë në shoqërinë njerzore mund të përzgjidhja Oruellin me thënien; “Në kohën e mashtrimit të madh, të thuash të vërtetën është akt heroik” apo dhe një nga aktorët e famshëm italianë që ishte shprehur se; “Që të bësh armiq nuk ka nevojë të shpallësh luftë, mjafton të thuash të vërtetën”. Ndaj mendova të përzgjedh me vetëdije këtë shprehje të filozofisë mirditore pasi dua të flas vetëm për Mirditën e sotme e kësisojë nuk kam nevojë të hiqem si i ditur, mjafton të flas drejt e troç.

 Prej kohësh jam etiketuar si komunist pavarësisht se teserën e partisë asokohe nuk e pata jo vetëm unë, por askush në familjen time e për pasojë as dhe përkrahjen e saj, por vetëm se kam mbrojtur të vërtetat e pamohueshme të së djeshmes dhe të sotmes e njëkohësisht bindjet e mia. Nuk i jam shmangur kurrë mbrojtjes së tyre  pavarësisht se s’më njeh ndokush për trimëri. Pasojat jam munduar gjithnjë ti përballoj me dinjitet, por për të kësaj rradhe mund të etiketohem ndoshta ashtu siç nuk kam qënë kurrë në jetën time prandaj më duhet të “trimërohem” si asnjëherë.

Do trimërohem sepse në këtë kohë mashtrimesh të mëdha në emër të lirisë pa limit dhe të luftës politike pa princip, mjaft qytetarë mirditorë të rrjeshtuar si opozitarë paturpshëm po mundohen të nxijnë dhe baltosin medoemos transformimet e ndodhura në Mirditë tonë gjatë qeverisje së sotme lokale.

Legjendat urbane thonë se x deputet apo filan bashkiak solli apo mundësoi dikur kaq e aq fonde për Mirditën por në asnjërën ndër to nuk thuhet ; Shihni, ja ku i keni, të përkthyera në investime komode e bashkëkohore. Ndodh kjo për pasojë se atyre tashmë nuk u dëgjohet më as nami e nuk u gjendet as nishani. E vetmja gjë me të cilën këta paturpësisht vazhdojnë të krenohen është rruga e kombit që jo vetëm nuk ka lidhje me një investim e menaxhim lokal, por akoma ka mbetur dhe sot si gjithë udhët e tyre të lëna udhëve e që medoemos duhet ta standartizojë kjo qeveri sipas rradhës dhe mundësisë.

Sot duhet të jesh i verbër ose i sëmurë keq nga trutë që të mos vëresh apo për më keq të heshtësh për ndryshimet e mrekullueshme që kanë ndodhur në Mirditë gjatë këtyre dy mandateve të fundit të qeverisjes. Ato janë kaq bashkëkohore, si nga pamja ashtu dhe shërbimi i ofruar, sa shpesh më bëhet të them me dhimbje, medet kush i ka përftuar. Them kështu pasi në veprimtarinë e jetës së përditëshme shumica prej nesh jemi kaq të pa civilizuar sa nuk i meritojmë ato. Një shesh i bukur dhe i konstruktuar për jetgjatësi që kthehet çdo mbrëmje në kënd lojrash për fëmijë. Një shkollë e mesme dhe një konvikt model që akoma vazhdojnë të rrisin dhe analfabetë funksionalë.

Nuk dua të merrem me përftuesit e këtyre investimeve pasi nuk është ky objekti i këtij shkrimi por thjeshtë afishimi i tyre me krenari si vlerë e shtuar dhe përftuar prej nesh si mirditorë. Bashkia e sotme mund të ketë njerëz që duhet apo dhe “leçisin” punët e saj por ato nuk munden kurrë të arrijnë nivelet që i mundësohen Lali Erit apo kryeministrit tonë, pasi këtu tek ne mungojnë totalisht aksesorët e mediave të përditëshme. Kësisojë duhet që qytetarët e përgjegjshëm e që shqetësohen natyrshëm për fatet e kësaj treve të reagojnë kundrejt borisë së “Nezir Borisë” së dikurshëm që gjendet tani në gojën e këtyre llapaqenëve politikë pasi për fat të mirë kanë me vete dhe realitetin që i mbështet.

Nuk mund, dhe as nuk duhet të bëhen a të mbeten “nashgja,” shkollat 9-vjeçare të rikostruktuara sipas standarteve bashkëkohore, çerdhja e re e fëmijëve përfunduar sëfundmi, godina e re e Bashkisë, Pallati i sportit “Ariana Arapi”një standart tjetër i arrirë si shpërblim për kampionet tona mirditore. Nuk mund të mbyllim sytë as kur kalojmë çdo ditë mbi udhën që lidh qytetin me Urën e Fanit dhe as në unazën e madhe që mundësoi largimin përfundimtar të mjeteve të rënda nga kryqëzimi i qytetit. S’duhet të harrojnë investimin në rritjen e kapacitetin të prurjes së ujit të pijshëm për qytetin e më gjërë. Nuk kanë pse heshtin as banorët e fshatrave që tani me çdo llojë mjeti mund të sosin më komodë dhe për një kohë më të shkurtër nëpër shtëpitë e tyre, pasi rrugët u janë hapur dhe mirëmbahen si asnjëherë tjetër në këto troje. Përse duhet të heshtin ata kur për herë të parë pas kaq vitesh të ndryshimit të sistemit u vihet në funksion kapaciteti vaditës i rezervuarit të Malajt.

Realizimi i këtyre investimeve nuk është vepër hyjnore por djersë e punës së një stafi dhe drejtuesi të përkushtuar. Shumë prej nesh do donim ta shihnim atë çdo ditë në qytet e zyrë vetëm e vetëm për të qarë secilit hallet, kaq. Mentaliteti ynë përfshin vetëm oborrin personal ndaj dhe atë e konsiderojmë gjithnjë si veten tonë por ja që duhet të zhgënjehemi sadopak. Aty e kemi dërguar me votën tonë për ti shërbyer Mirditës dhe ai, si askush më parë, po i shërben vetëm asaj. Ndaj nuk kapet kaq lehtë as në zyrë siç dëshiron shumica prej nesh sepse atë e kemi deleguar të na qajë hallet tona atje, zyrave e koridoreve të shtetit e gjithsesi dhe drejt mundësive që të ofron për to dhe një kafe e kryeqytetit. E ka bërë këtë më mirë se shumë të tjerë ndaj dhe kemi sot të realizuara gjithshka përmenda unë dhe më tepër e që nuk do mbyllen me kaq. Një sërë projektesh të fituara priten të realizohen me të njëjtin standart e po kaq mund të marrin drejtim në të ardhmen. Lus zotin të fillojë sa më shpejt rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës dhe projekti i banesave të financuara nga Ambasada Austriake.

Nuk munda të hesht siç kam bërë prej kohësh për tu mbrojtur nga një etiketim i rëndomtë, pasi tani jam i bindur se atë nuk e beson më dhe i zoti i punës.

Suksese o merditas.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Shperndarje