Mr. Sc. Majlinda Shaqiri, Medvegja dhe “Mësuesi i Popullit” Bafti Krasniqi

Nga Pirusti News

Nëpër faqet e “Gjurmë Shqiptare”, botim i Lidhjes së Historianëve Shqiptarë më seli në Zvicër

Zonja ime Medvegjë!…

Tokë Ilire, tokë e cila lindi gra dhe burra trima, heronjtë e pavdekshëm si Veli Dedi, Zenel Hajdini, së fundi Florim Rushiti e shumë të tjerë i njeh historia vet,  intelektual të shquar me të cilët mburret i gjithë kombi shqiptar siç ishte Akademik Idriz Ajeti dhe shumëçka tjetër, me shumë të drejtë të takon epiteti “Heroinë”.

-Vështrim i shkurtër rreth historikut të Medvegjës-

Kur flasim për trojet shqiptare duhet kujtuar Mollën e Kuqe, trungun Iliro Dardan, sot të lënë pas dore padrejtësisht jashtë djepit të saj.

Sipas këndvështrimit historik në lashtësinë e saj  Medvegja ka qenë e banuar nga fisi Ilir i Dardanëve.

Etimologjia e saj  daton nga lashtësia, ka kaluar nëpër disa epoka nga IDIMUM, MEDOKA  e sot Medvegjë.

Ekzistojnë gjurmë  arkitektonike për rreth qytetit  të cilat datojnë nga shekulli 4 i epokës së re në kohën kur ishte pjesë e Perandorisë Romake, Mevegja njihej me emrin Idimum.

Në kohen e Perandorisë Osmane deri në vitin  1878 mendohet se  osmanët Medvegjën e quanin  Medoka .

Me 1878 regjioni i Medvegjës iu dorëzua Serbisë, si pasojë e luftës Serbo-Osmane dhe Luftës Ruso-Osmane ku osmanët pësuan disfatë dhe dorëzuan shumë territore në Ballkan dhe Europë Lindore.

Gjatë viteve 1877-1878, kur u dëbuan shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit, shumica e popullsisë serbe  zuri pjesën më të madhe të Medvegjës. Historia na mëson se partizanët Jugosllav pasi okupuan  qytetin në vitin 1944 vranë rreth 200 banorë.

Medvegja  e sotme gjendet në Lindje të Kosovës,  sipas Sëbisë  në sërbinë jugore e cila administrohet nga Sërbia. Në Jug-perëndim kufizohet me komunën e Prishtinës; në Jug me komunën e Dardanës; në Veri-perëndim kufizohet me komunën e Bojnikut,në Veri e Lindje me komunën e Lebanës dhe në Perëndim kufizohet me komunën e Kurshumlisë dhe komunën e Besianës

Komuna e Medvegjës me fshatra e veta dikur ishin  të banuara  100% me shqiptar, sot Medvegja numëron më pak se 500 banorë shqiptar.

Medvegja e vogël me figura të mëdha kombëtare.

“…Kush hesht s’ka nder, e unë s’mund të hesht, dua të flas shqip, të jetoj shqip, të vdes shqip…Bafti Krasniqi”

Këto fjalë madhështore nga i madhi i pavdekshmi mësuesi i popullit Bafti Krasniqi, flasin gjuhën  e shpirtit të vuajtur me shekuj, flasin shumë për atdhedashurinë, etjen për dije, guximin e pashtershëm për tu ballafaquar me sfidën  dhe sakrificën në realizimin e misionit të shenjtë prej mësuesi.

Vërtet janë të pakta fjalë të cilat mund të përkufizojnë veprimtarinë e figurës të ndritur të mësuesit tonë medvegjas Bafti Krasniqi.

Dashuria për atdheun, gjuhën dhe kulturën shqipe ishin hija në formimi e personalitetit të tij prej një intelektuali dhe atdhetari të shquare të komunës së Medvegjës.

Puna dhe angazhimi i tij në arsimin shqip në Medvegjë la gjurmë të pashtershme. Një njeri i me pamje qet por me shpirt luani, u ballafaqua me peripecitë e kohës në të cilën jetoi, pavarësisht çdo gjëje ai arriti të realizoj synimin e tij dhe misionin e mësuesit në edukimin dhe arsimin e brezave në gjuhën shqipe.  As rrethanat e asaj kohe të diktuara nga regjimi serb nuk ia ndalën rrugën në  realizimin e synimit shqip. Ishte mësuesi  i pari që zhvilloi mësimin në gjuhën shqipe në këtë trevë, pa pyetur autoritetet. Plan programin e siguronte nga Hogoshti fshat në Kosovë, të cilin vetëm vija kufitare e ndan me Medvegjën.

Ky ishte Bekimi, i bekuar nga vet Perëndia, urtësia, guximi dhe  intelekti, elemente kyçe aq mirë të gërshetuara njëra me tjetrën në formimin e personalitetit të figurës së tij të ndritur.

Është  i pari mësues i cili  hapi mësimin në gjuhën shqipe për  klasën e pestë në Banjë të Sijarinës, fshatë në Medvegjë, pastaj  hapi mësimin shqip  për klasën e parë  dhe të pestë në  në Medvegjë.

E gjithë jeta e tij është përkushtimi i tij në arsimimin shqip të popullatës së Medvegjës, prandaj populli e quajti me epitetin “mësuesi i popullit” në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë deri në vdekje.

  BAFTI KRASNIQI, MËSUES I POPULLIT 1937 – 1983  

Bafti Krasniqi u lind në lagjen Vllasë të  fshatit Gërbac të Medvegjës  në një familje të varfër por atdhetare. Shkollën fillore katërvjeçare përfundoi  në gjuhën serbe në fshatin Ramabajë,  më pas mësimet i vazhdoi në gjuhën shqipe në Hogosht.  Në shtator të vitit 1954 në fshatin Gërbac, Baftiu  fillon të punoj  si mësues i parë me mësim në gjuhën shqipe në tërë trevën e komunës së Medvegjës. Në Lisockë të Kamenicës punoi si mësues gjatë viteve 1956-1957. Në vitin 1963 regjistrohet  në Shkollën dyvjeçare të Normales së Gjilanit, të cilën e përfundoi me sukses.

Në fshatin Gërbac, punoi  si mësues deri në vitin 1971. Nga posti i mësuesit më vonë kaloi në Medvegjë, ku punoi si përkthyes, referent për çështjen e arsimit në Medvegjë.   U angazhua për hapjen e mësimit në gjuhën shqipe, për herë të parë në komunën e Medvegjës, gjë që e arriti në vitin 1976, me hapjen  katërvjeçares së plotë. Bafti Krasniqi ishte edhe nënkryetar i Komunës së Medvegjës. Pas shumë peripecive dhe me gjithë refuzimin e organeve komunale që të ketë shkollim të mëtutjeshëm në gjuhën shqipe, megjithatë ia doli që ta hapë për herë të parë edhe klasën e pestë me mësim në gjuhën shqipe. Pas këtij angazhimi kombëtar për dituri e përparim të shqiptarëve të kësaj treve, atë e përjashtuan nga ish-Lidhja Komuniste, në shenjë pakënaqësie nga pushteti për angazhimin e tij kombëtar.

Bafti Krasniqi vdiq i ri në moshë, por pas vete la  veprimtarinë e tij  të pavdekshme e cila rron dhe do të rroj dhe do të kujtohet përherë  me shumë respekt nga të gjithë ata që e njohën dhe brezat e ri të cilët mësojnë dhe do të mësojnë  për kontributin e tij fisnik dedikuar arsimit shqip në Medvegjë.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Shperndarje