E Lumja Marie Tuci, një shesh me emrin e Martires mirditase të Kishës Katolike.

Nga Pirusti News

-Nga Aleksandër Ndoja-

Prej ditës së sotme njëri prej shesheve të sapo rikonstruktuar të Rrëshenit, i është dhënë emri i Të Lumes Marie Tuci. Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i Mirditës, datë 05 tetor 2020, me nr. 67 të protokollit. Më herët Akademia e Artit Kulturës dhe Letrave “Mirdita” me shkresën nr 67. të protokollit, datë 07.03.2019 i kishte kërkuar Komisionit përkatës për vlerësimin e kërkesës që emri i së Lumes Marie Tuci të përjetësohej në një nga rrugët apo sheshet kryesore, mundësisht afër Katedrales.

Pikërisht sot me 24 tetor 2020, plot 70 vite nga kalimi në amshim i kësaj martireje me histori persekucioni të pa precedentë, Bashkia Mirditë e përjetëson në sheshin-lulishte, në hyrje të Katedrales në qytetin e Rrëshenit. Një vendim disi i vonuar, i anashkaluar nga shumë pushtete të mëhershme post-diktaturë, por natyrisht edhe pse vonë, vendimi është i merituar. Vendimi për përjetësimin e martires Marie Tuci në hapësirat e qytetit kryeqendër e Mirditës, vjen pas dhënies së emrit “Preng Bib Doda” më 25 mars 2019 të rrugës hyrëse të sapo rikonstruktuar të qytetit Rrëshen, ndërkohë më herët, pikërisht më 16 shkurt 2017 një rrugë tjetër e sapo rikonstruktuar në parametra bashkohorë merr emrin “Rruga Musine Kokalari”. Të gjitha këto vendime të Bashkisë Mirditë janë mirëprituar nga opinioni si vendime që çojnë në pjedestalin e munguar këto figura kombëtare që rrezatojnë dritë të pashuar për Mirditën e më gjerë.

Të flasësh se kush ishte E Lumja Marie Tuci nuk ka të ndalur. Po flitet e shkruhet tash 30 vite hapur ndërsa para viteve 90-ta edhe fshehurazi. Për Të Lumen Marie Tuci flasin e qajnë lisat e malit, pasi mbi qenien e Saj u provua çmenduria më ekstreme e një rregjimi i cili nuk dihej ku e merrte atë lloj frymëzimi shtazarak ndaj njeriut. Për të Lumen Mari kanë shkruajtur e folur pafund, por askush akoma nuk ka marrë mundimin të vejë “gishtin në plagë” që seitët, gjatët e çelët, këta krijesa pa zemër, pa gjak e pa shpirt ta marrin ndëshkimin e merituar.

Dosja “Marie Tuci” ka emra, ka data, ka fakte, i ka dhe sot por i kishte edhe para 30 viteve e në vijim…Por kjo dosje shëmbëlltyrë e krimit të një grupi individësh, inspiruar nga një rregjim despotik duket se mësëshumti ka shërbyer për ta “privatizuar” për përfitime politike afatgjatë e afatshkurtër.

Dy fjalë për Lumen Marie Tuci.

Në disa publikime thuhet se Marie Tuci lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tucit dhe e Dilë Fushës. Ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër. Më pas ajo zgjodhi rrugën fetare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës. Marie Tuçi u arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste. Vdiq në spitalin e Shkodrës pas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950.

E ndërsa fundin tragjik të së Lumes Marie Tuci e përcjellin më qartësisht vargjet e poetit Meti Fidani, nën interpretimin brilant të aktores Artemis Prifti: 

-C E R E M O N I A- 

Ka nisur në ora 1600 sipas orës së paralamëruar. Fillimisht nipi i së Lumet Marie Tuci, avokati i njohur Zef Tuci ka zbuluar pllakatën me emrin e së Lumes Marie TUCI. Emocionet janë të pafundme, ndërsa ceremonia ka vijuar me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj i cili në fund të fjalës së Tij i ka dorëzuar Imzot Gjergj Metës vendimin e Këshillit të Bashkisë Mirditë për vendimin përkatës të emërimit të sheshit të sapo rikonstruktuar me emrin e prelates së shquar Marie Tuci, krenari e përvujatur e Mirditës dhe mbarë kombit shqiptar.

Për më shumë ju ftoj të ndiqni koronikën e plotë të kësaj ngjarje të rrallë në Mirditë, ku kanë përshëndetur kryetari Ndrec Dedaj dhe Imzot Gjergj Meta.

Pas ceremonisë u vijua me Meshën e Shenjtë e udhëhequr nga Arqipeshkëvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendo O.P. Në përfundim të meshës dirigjenti Harlen Nikolli udhëhoqi një koncert me numra të zgjedhur nga Francisco Palazón – Adagio, Gjon Shllaku – Lumja ti Mari dhe Maria Martire për fe, Giulio Caccini – Ave Maria, W.A.Mozart – Laudate Dominum, Marco Frisina – Kush do t’na ndajë, Luigi Aluisi – Pjesë nga Oratori “Rroftë Krishti Mbret”

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Shperndarje