“NJI PALË URATË”, Sot në ditën e Fishtës me një grimcë humori: Marrë nga Pjetër Logoreci

Nga Pirusti News

*Nga Stefan Shundi

Nji ditë u paraqit te porta e Kuvendit nji malsuer mustakgjatë dhe, kafazit Sheldija qi i duel përpara, i kërkoi me u takue me Poetin:

– Mos don ndonji copë të “Lahutes”? – pyeti Kafazi.

– Jo, qe besa, por due me fole me At Gjergj Fishten gojë me gojë, se kshtu kam nji punë me te.

Mbasi i muer emnin malsorit, Kafazi shkon te Poeti për t´a pyetun a e njihte njeriun qi donte me folun me te dhe ne donte t´a shihte. At Gjergj Fishta, me gjithë se s´i kishte ndigjue kurrë zanin lypsit t´audiencës, dha urdhën qi ai të sillej para tij.

Kur malsori u gjind përballë Poetit, ky e priti me nji buzqeshje t´ambel qi i dha zemër tjetrit:

– Ty të ngjatet Zoti jeten, At Gjergj, fillon tjetri, – un kam ardhë me të lypun nji palë uratë. – — –

– Uratë?, i a pret Poeti i shkandulluem, – po a e din ti se me ke po flet? A s´e din ti se mue m´ thonë At Gjergj Fishta qi i thotë uratët me gjishta?

 – Jo, qe besa, – murmuroi malsori i pezmatuem tue u matun me dalë. Poeti nxierr prej syzes së tryezës se tij nji palë uratë të bukura dhe e tuj ia dhanë lypsit me buzë në gaz:

 – Merri e mos i thuej kuj n´vend t´and se t´i kam falë vetë; përndryshej për uratët e jueja do të më lypet me qitë n´tellall zhgunin, shkopin, sandalet në mos edhe kmishen e shtatit…

-FUND-

*Stefan Shundi lindi më 1906, në Tiranë dhe më pas studioi në Austri dhe në Itali, ku u diplomua në fushën e drejtësisë në Universitetin e Milanos. Më 1929, si student, u zgjodh nga qeveria e Zogut që, së bashku me studentë të tjerë, të merrte pjesë në Hollandë në një ceremoni përkujtimore e nderuese dedikuar Lodeëijk Thomsonit, ushtarakut holandez i cili ra ne Shqiperi në krye të detyres, si pjesë e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që mbronte Shqiperinë e posakrijuar.

Pas përfundimit të studimeve në Itali, u kthye në Tiranë dhe ushtroi atje profesionin e avokatit deri sa vdiq. Gjithashtu ishte edhe një nga themeluesit e Shoqërisë Sportive SK Tirana, si drejtues i të cilës mbajti më 10 korrik 1930 edhe fjalimin si fitues i kampionatit të parë të futbollit në Shqipëri.

Si shkrimtar e publicist botoi (edhe me pseudonimet Gjergj Kuka, Nichts) artikuj në organe të ndryshme të viteve ’30 –Si kritik letrar Stefan Shundi iu qas, me theks jo rrallë polemik, kryesisht poezisë bashkëkohore shqiptare të autorëve si Gjergj FishtaVinçens Prenushi, e Lasgush Poradeci. Veç dramës së botuar me lëndë folklorike “Kalorësi i vdekjes ose Kostandini e Geruntina” (1937), ka lënë në dorëshkrim tre vepra (“Dy titanët – Skënderbeu e Moisi Golemi”, “Votra e gjyshit – shënime historike” dhe romani “Nanë moj”), asnjë nga të cilat nuk janë botuar deri më sot.[7] Bënte pjesë, së bashku me të tjerë të rinj të asaj kohe si Nebil ÇikaErnest KoliqiAsim Jakova, e Tahir Gjinali në korrentin “reaksionar” të të rinjve, çka s’ish gjë tjetër veçse një variant i neoshqiptarizmës së Branko Merxhanit. Vdiq më 1947 në rrethana misterioze.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share