Gjet Dod Lekgegaj, ushtar i vrarë në kufi në vitin 1945, asnjë vlerësim prej 75 vitesh

Nga Pirusti News

Ka qenë vetëm 11 muajsh kur ka mbetur jetim, ndërsa sot kur i ka kalur të 76-tat vijon të mbetet në kërkim të fatit të babait të tij, ndonëse e ka një varr kur ai prehet. Vlash Lekgegaj nga fshati Përlat i Epër në Mirditë endet zyrave me një dosje me dokumenta që sipas tij provojnë aktin heroik të babait Gjet Dod Lekgegaj, në atë acar të vitit 1945 në kufirin mes dy shteteve, por që në fakt ishte kufiri shqiptar-shqiptar, në Peshkopi.

Vlashi thotë se kur babai i tij ishte vrarë në një përpjekje në kufi me forca çetnike të Serbisë ishte shumë i vogël dhe nuk mund të perceptontë asgjë, por disa vite më vonë kur u bë 5-6 vjeç kishte kërkuar babain, siç dëgjonte tek fëmijët e tjerë. Në fakt atë po e rriste gjyshi dhe pikërisht këtij i kishte ra barra jo e lehtë që Vlashit askohe fëmijë me kufzime perceptimi për shkak të moshës së vogël, t’i sqaronte rrethanat e faktit se pse nuk kishtë një baba që ta mbante në prehër apo të kujdesej për të, siç e kishin fëmijet e tjerë. Ndoshta për të mos i mbetur peng, Vlash Lekgegaj si i vetmi pasardhës i Gjet D. Lekgegaj kërkon që historinë e babait të tij ta ndajë me një opinion më të gjerë, ndërkohë që kërkon që ai, pra babai i vrarë në zgjatim të  një luftë të përfunduar, të marrë vlerësimin që i takon.

Në një intervistë Vlash Lekgegaj tregon mbi fatin e babait të tij dhe faktin e mosvlerësimit që i përket, dikur për arsye biografike, ndërsa më vonë, për mos vëmendje të organeve kompetente.

Çfar mund të thoni mbi rrethanat e vrasjes së babait tuaj Gjet D. Lekgegaj?

-Di që ka lindur në vitin 1924 dhe është ndarë nga jeta në vitin 1945. Pra ai është thirrur nën armë në përfundim të luftës, sapo kishte mbushur 20 vjeç dhe është inkuadruar në forcat e sapo krijuara ushtarake që mori emrin ushtria shqiptare. Siç më kanë treguar më vonë, atë e morën në ushtri kur sapo kisha lindur unë si fëmijë e parë, pra ishte i martuar.

Me sa ju kanë thënë, cilat ishin rrethanat e vdekjes?

-Në fakt pak më është thënë dhe dokumentacioni nuk është i plotë. Di që është inkuadruar në brigadën e 17S e cila pas përfundimit të luftës menjëherë mori nën kontroll kufirin sëbashkua me forca të tjera, që më vonë krijuan ushtrinë shqiptare. Diku nga mesi i marsit 1945 është plagosur rëndë në kokë në përpjekje me forca të ndryshme të përtej kufirit, që mësynin herë pas herë kufirin tonë në Peshkopi. Pasi është plagosur e kanë çuar në spitalin e Peshkopisë, ku pas dy javësh pikërisht më 31 mars 1945 ka ndërruar jetë.

Familja e tij, kur u njoftua dhe si u veprua?

-Duke qënë mot i ashpër dhe kohë të turbullta spitali apo pushteti i kohës e ka varrosur në varrezat publike në Peshkopi. Vetëm pas dy muajsh ka mbërritur lajmi në Përlat Epër, pranë familjes.

Me tu mësuar ky lajm, tetë burra të fisit Lekgegaj me në krye gjyshin tim, pra babain e tij Dod Lekgegaj kanë udhëtuar në këmbë për tre ditë me rradhë përmes borës nga Përlati në Kurbnesh, duke marrë rrugën e Lurës e për të përfunduar në Peshkopi. E kanë gjetur në varreza ku ata që e kishin varrosuar kishin ngulur një dërrasë të varri, në të cilën ishte gdhendur emri “Gjet Dod Lekgegaj”. Nuk kanë hezituar por e kanë zhvarrosur dhe pasi e kanë ngarkuar në “vigj”, kanë udhëtuar nga Peshkopia në drejtim të Përlatit, ku e kanë varrosur në varrezat pranë të afërmëve të tij.

Ju si u trajuat, a patët mbështetje si i biri i një ushtari që ishte vrarë në përpjekje për mbrojtjen e kufirit shtetëror?

-Çuditërisht nuk jam trajtuar aspak si i tillë. Ndoshta ka ndikuar fakti se fisi jonë është parë si fis kundërshtar i rregjimit, rregjim i cili ka përsekutuar shumë nga familjet e fisit tonë Lekgegaj. Unë përfundova një shkollë bujqësore në Peshkopi me mbështetjen e fortë të xhahxhait tim Preng Dod Lekgegaj. Pas kësaj kam kryer punë të ndryshme si në minierë për 15 vite, por edhe në kooperativë si agronom i mesëm dhe brigadier. Kjo vetëm falë aftësive të mija, pa asnjë ndihmë prej faktit se isha jettim me baba të vrarë në krye të detyrës, në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Tani çfar kërkoni, ndërsa trokisni nëpër zyra me dosje dokumentash në dorë?

-Kërkoj të drejtën e mohuar prej 75 vitesh. Babai im është vrarë në përpjekje i thirrur nën armë, kur kishte dalë shërbimi i detyrueshëm ushtrarak. Është vrarë në përpjekje, në zbatim të misionit të caktuar nga eprorët dhe ligjet e kohës. Është vrarë në shkëmbim zjarri të dyanshëm, teksa forca ushtrake të një shteti tjetër sulmonin kufinjtë. Pra statusi i “Dëshmorit të Atdheut” është një e drejtë që i takon, mohuar padrejtësisht me sorollatje që më janë bërë ndër vite, duke më thënë se i takon, por të presim ose justifikime të tjera.

Shpresoj shumë se në një të ardhme të afërme të shqyrtohet ky rast që edhe unë të iki pa të vetmin peng që e kam në jetë, vendosjen e dinjitetit dhe të drejtës së babait tim në vendin e merituar.

a.ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share