Reportazhi, nga Pjetër Domgjoni “NË FERTHIN E T’PARËVE”. Rikthim në trollin e të parëve, larguar prej vitit 1916

Nga Pirusti News

Ditë e ejte, 24 dhjetor, 2020. Mbasi kalova gurin e zi në të cilin shkruenë: Mirë se vini në Domgjon, parkova makinën për bri, kalova rrugën, çela derën dhe hyna n’lokal. Aty takova disa djemë t’ Domgjonit. U ula në nji tavolinë dhe pyeta djalin e ri që ma solli birrën e porositun. A asht lokali Nikollës ky? Po, tha djali. Po ti kush je? Unë jam djali Martinit, e Martini asht djali Nikollës. Po gjyshi, si asht me shnet? -e pyeta n’vazhdim. Edhe asht plak, edhe asht lodhë shumë mu përgjigj djali.

N’tavolinën përballë ishte ulë nji burrë pak si i moshuar që m’shikonte herë mbas here e s’i zihei vendi vend. Mbas nji kohe u çue, doli përjashta e kur u kthye, erdhi drejtë te tavolina ime, shtriu dorën, u çova n’kambë, i shtrina dorën edhe unë e ai m’pyeti: Ae ke emnin Pjetër ti? Po, i thash, po ti? Unë jam Leka. O Zot i Madhi, ti je Lekë Quni, i thash unë. Po, ma ktheu përgjigjen ai. Atëherë, u morëm n’grykë si dy vllazën t’dashtun që kishimë ma shumë se tetë vite pa u pa.

Leka kishte ndryshue, kisha ndryshue edhe unë.

Çfar e mirë t’solli n’këto anë, o Pjetër? Mua n’kët vend m’solli dashnia për Domgjonin kurse ty, përpara meje t’ka sjellë vetëm i lumi Zot që mi realizon t’gjitha planet, mi plotson t’gjitha dëshiratë e mi zgjidhë t’gjitha problemet, megjithate, m’duhet me ta thanë, se, jam ardhë këtu për me u ngjitë deri n’Ferth. T’shoqnoj unë deri atje, m’tha Leka menjiherë.

Unë kam shumë dëshirë që ti, t’vish me mua deri n’Ferth, por. Be po t’lshoj, mos hajde se je i zanun me punë n’kët ditë feste. Unë mundem me ardhë prap t’shtundën me vllain tonë Lleshin, i thash.

Çfar pune mor, djali bashkë me nusen m’kanë ardhë prej Belgjike e vajza m’ka ardhë prej Tirane kështu që, shtëpia m’asht mbushë plot gëzim e zemra plot dashni. Ta them me çiltërsinë ma t’madhe se, n’shtëpi s’la kurgja mangut e n’Ferth vij me t’ba shoqni, krejtsisht, vetëm për knaçsinë time. T’çohemi pra menjiherë, i thash unë. Thirra at djalin me i pague pijet e ai m’tha. Pijet i ka pague djali Lekës, Simoni. N’dalje prej lokalit, ju falnderova shumë, Lekës e Simonit dhe u nisëm për Ferth.

Me kët makinë që ke, pa problem, mundemi me u ngjitë deri n’Ferth, m’tha Leka. Kaluamë kishën, shtëpinë e Lekës, kaluamë edhe dy-tri shtëpi tjera dhe makina nuk eci ma. Ma jep mua makinën se kam ma shumë përvojë, tha Leka. Leka me forcë e çoi edhe nja 100 metra, por me shkue ma largë s’kishte kurrfar mundsie.

E kishimë lanë makinën këtu, por m’dhimbesh ti Lekë me u lodhë deri atje, i thash unë. Mos e diskuto at punë fare o Pjetër sepse. Unë si i ri jam marrë me atletikë dhe kam pas fitue edhe çmime e medalje, tha Leka. Shkojmë atëherë, i thash unë.

Leka ecte shpejt e ngjitei bjeshkës përpjetë, pa ndi kurrfar t’lodhun, sikur me qenë nëpër ndoi rrafsh salloni të ndejës, kurse unë kisha mbetë mbrapa. Mbushehsha frymë dhe bana nji copë rrugë derisa ajri pastër i Munellës mi pastroj mushnitë prej llomitë t’qyteteve. Për krah nesh, na vinte Ara Gjatë e në mbarim të Arës fillonte Ferthi që t’dukei se rrinte ndër kambët e Munellës.

Ajo shtëpi, villë e bukur n’kodër t’Ferthit duhet t’jetë e Pashk Margjegjës? Pooo, po, ku e dite ti m’tha Leka. M’ka tregue Lleshi kur isha n’Lezhë, i thash unë.

Si i thoni ksaj peme? Kaçë tha Leka. Po ksaj? Dëllinjë, këto janë t’kuqe, por ka edhe t’zeza dhe prej tyne bahet raki shumë e mirë. Edhe shirupe për ilaçë vazhdova unë sepse. Dëllinjën e njifsha shumë mirë. Po ktij druni, bung, po ktij, çarr, ktij tjetrit shpardh. Për bung e çarr i disha se isha rritë me ta, por, shpardhin s’e kisha pa e ndi kurrë.

Po këtij druni t’hollë halorë, si i thoni? Pishë. Po atij drunit tjetër halorë t’naltë e me degë t’shpeshta. Edhe ai asht pishë. Po atyne drunjve halorë, n’bjeshkën për ballë. Ata janë bredhë, m’tha Leka. Leka dinte edhe emnat e t’gjitha bimëve që e pyetsha e që shumica prej tyne nuk rriteshin n’malet e Marmullit, katundit ku kisha lindë unë e kalue nji pjesë t’fëminisë time.

Njitash mbrrimë n’Ferth, m’tha Leka. Shiko mirë, në anën e djathtë prej këtij vendi janë shtëpitë (rrënojat) e „lalëve“ prej këtu fillojnë tri shtëpitë tuaja e në mbarimin e tyne fillojnë shtëpitë (rrënojatë) e „kazajve.“ Lirisht mundesh me fotografue sepse, jam 100% i sigurtë.

O Zot, çfar emocione, çfar gëzimi m’kaploj. At ditë, përpara meje kishte vetëm grumbuj gurësh, por. Para 100 e sa vitësh, aty kishte qenë vendi, shtëpia ku kishte lindë e kalue dhjetë vitet e fëminisë babai ynë, dhe disa herë në heshtje, e urova dhe e bekova at vend të shejtë.

Për me shkue te shtëpia (rrënoja) dytë, na duhej me u përkulë e me hy përfundi disa degëve t’holla e t’gjata, t’lidhuna njena me tjerën sikur ndoi pjergull rrushi. Çova kryetë ei thash Lekës. Po kta drunjë t’hollë e t’gjatë, si e kanë emnin. THANA, tha Leka. O Zot, sa bukur! Oi madhi Zot, po, këto qenkan ato thanatë famëmdha t’Ferthit për t’cilat m’kishte pregaditë vllai Lleshi ende pa u nisë prej Splitit.

U bana nga nji foto edhe atyne dy rrënojave tjera dhe bashkë me Lekën, u ngjitëm sipri, nja 50-60 metra larg.

Ah, sa shtëpi e bukur do t’ketë qenë kjo, i thash Lekës. Jo, jo, tha Leka. Kjo s’ka qenë kurrfar shtëpie. Po, këto mure? Ky ka qenë bunar. BUNAR … ????…!!! Po pra, bunar, nji tip rezevuari i ujit.

E shef, në këto tri anë, janë muretë kurse. Ajo pjesa kah bjeshka asht e hapun për me mbledhë krejtë ujin që rridhte prej ksaj pjese t’Munellës e me ruajtë këtu. Këtu, me rendë kanë ardhë gratë për me marrë uji për pije e për nevoja tjera shtëpiake.

T’kjofsha falë, o i Madhi Zot, po. Sa afër e paskanë pas bunarin t’partë tonë, për dallim t’katundit Marmull që e kemi pas shumë larg, thash me vedi.

Bane nji fotografi këtu m’tha Leka. Urdhno e merrëm, i thash unë. Jo, jo, zbrit poshtë se del ma mirë. Ate e disha edhe unë, por m’vinte dhimtë, me shkelë përmbi at tokë t’bekueme ku dikur, t’partë e mij kishinë marrë uji për pije. Megjithate, zbrita e bana fotografinë tue m’përcjellë emocionet e pa përshkrueme për çdo centimetër kah m’shkilte kamba.

I ramë Ferrthit rreth e rrotull dhe mandej mu kujtuenë edhe fjalët e nji vllait tjetër, Gjekë Ndojit që tri vite ma parë, m’kishte shkrue.

Kur isha i vogël, para 20 vitesh e kur shkonim n’Ferth, m’beso vlla i dashtun, se. Mallëngjeheshimë shumë kur kalonim përskaj shtëpiave tuaja e thonim. O Zot, ku do t’jenë këta vllazën tonë domgjonasë që ma shumë se 60 vjetë, i kishim humbë lidhjetë e s’dinim asgja për ta.

Tue lexue librin DOMGJONI të autorit Llesh Ndojit ndesha edhe n’kët informatë:

N’vitin 1916, Ferthi kishte pas TRI SHTËPI me njizetë banorë, shkruante autori.

Sa interesantë, se. Pikrisht nat vit, n’vitin 1916, baba ynë, vet i pesti antar i familjes tonë e lshojnë Ferthin e dalin n’Kosovë tui lanë nat vend vetëm 14 banorë.

Po mos të ishte mjegull, prej Ferthit, pamja Domgjonit, do t’dukei madhështore.

Tue zbritë teposhtë, tha Leka, më tregonte NANA ime…. dhe e filloi rrëfimin.

Ka qenë dimni vitit 1959, n’Ferth, kishte ra mbi katër metra borë dhe. Banorët e atij vendi, me ditë, netë e javë kishinë mbetë krejtsishtë të izoluemë nga bota, e na. Me ditë, netë e javë rrinim në ankth se. Çka ka ndodhë me ta. A thue do t’jenë gjallë ata banorë dhe a thue do t’shpëtojnë, pa u ndodhë ndoi e ligë, atyne motrave e vllazënve tonë.

N’të parën ditë, kur u çel rruga. Me t’madh e me t’vogël, prej Domgjonit, jemi nisë e ngjitë n’Ferth e t’gjithë banorët e Ferthit i kemi gjetë shndosh e mirë e si nji verë që del.

Po, si keni mbetë gjallë mor, i pyetëm na. Çdo ditë, prenim nga nji edh e për uji e shkrinim borën, ishte përgjigja. Atëherë, i kemi marrë të gjithë me vedi, kemi zbritë n’qendër t’Domgjonit dhe deri n’mjesnatë kemi festue gëzimin që kishinë shpëtue gjallë, motratë dhe vllaznit tonë prej atij kjameti.

Ka pas njerzillëk e dashni t’madhe atëherë, o Pjetër, m’thonte nana ime. E përfundoi tregimin Leka.

Sa i lumtun isha e sa shpejt mbërrimë te makina, dhe. Me gjithë kundërshtimin tim, s’kishte kurrfar mundsie me shkue n’Rrëshen pa hy edhe n’shpi e me ngranë edhe bukë te Leka. Lamë makinën n’oborr dhe mbas sa vitesh, takova përseri Margjelën, at bij të Gjugjës, bashkëshorten e Lekës që mu duk si nji antare e familjes time të ngushtë.

Tryeza u mbush me ushqime t’lloj-llojshme, por mua m’ra n’sy djathi, sidomos, ngjyra verdhë e tij. Mora e kërkova at djath dhe ishte shumë i shishëm, por, ma i shishëm se ai, ishte vetëm djathi që dikurë e zinin duartë e arta e t’vrazhda t’nanës tonë.

Mbasi u krye dreka, u përshëndeta me t’gjithë antarët e familjes Lekës e rash deri n’qendër t’Fanit, me i ba nji fotografi edhe kishës Shmarkut që asht nji katedrale shpirtnore dhe simbol i qëndresës dhe patriotizmit shqiptarë. Vendi ku dikur, për t’gjithë bajrakun e Fanit, asht ngritë flamuri pavarsisë kombëtare shqiptare,

Sa dola n’autostradë, m’bani telefoni. Ishte Aleksandër Ndoja. Hë, Pjetër, si kalon?

-M’asht mbush zemra plot me gëzim sepse, rreth e rrotull, i kam ra t’gjithë Ferthit, i thash Aleksandrit. Atëherë, veç me t’ba me die edhe nji herë, se. Nesër je te unë n’drekë. Tash po e mbyll menjiherë telefonin për me t’lanë n’gëzimin që t’paska kaplue.

Lidhja u këput e unë bana kryq ei thash pesë Ati Ynë e pesë t’Falem o Mari për shpirtnat e t’parëve tonë dhe deri n’Rrëshen shkova me gëzimin e asaj dite tue thanë vet me vedi.

Oh sa e bukur e sa madhështore asht Mirdita dhe. Sa t’mirë e sa madhështorë janë mirditorët.

Pjeter Domgjoni, Domgjon…dhjetor 2020

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share