Nga Rudolf Marku, “NË GJURMË TË POEZISË MË TË MIRË FEMËRORE”

Nga Pirusti News

Alma Jaku ka qenë, derisa para disa ditësh, një Poete pothuajse e panjohur për mua. Dija se banon në Lezhë dhe është një poete e rrethit të talentuar të krijuesve të atij qyteti. Kisha lexuar dy-tre poezi të saj në Fb dhe vetëm kaq, sa për të më krijuar përshtypjen e një vajze të talentuar, rebele, që synon të shkruajë një poezi lirike thellësisht femërore, të sinqert dhe me një naivitet tashmë të humbur, që i shkon poezisë, dhe, ndonjëherë, gjykuar nga mendësitë seksiste që janë në modën e trushplarëve modern të political correctness , një poezi skandaloze….Këtë përshtypje ma përforcuan poezitë që po ia paraqes, me lejen e autores, lexuesve të poezisë.

Poezia e Alma Jakut në fakt më bëri për vete me thjeshtësinë e vargut, për freskinë dhe natyrshmerinë, si dhe me drejtpërdrejtshmërinë e saj, me guximin e Poetes për të thënë atë që ndjen, ndonjëherë përmes një humori të lehtë triumfues, pa u fshehur në guacka te panevojshme metaforike a në ca pseudo eksperimente gjuhësore spekullative dhe pretencioze..Poezia e Alma Jakut më kujtuan dy poetë anglezë të shekullit të XX- W.H. Davies dhe Anna Wickham, të cilët mendonin se një pellg uji në mesin e rrugës, me pesë centimetra thellësi, që nuk mund t’ia shohësh fundin, ngase uji është i turbullt, nuk mund të jetë më i thellë se Liqeni i Ohrit, të cilit mund t’ia shohësh fundin dhe në njëzet metra thellësi. Poezia e Alma Jakut ecën natyrshëm në gjurmët e traditës më të mirë të poezisë femërore. Dhe vetë gjurmët e të gjitha poezive të mira femërore të kësaj bote të çojnë në shtigjet e primordialitetit të Poezisë së Safos, kryepoetes së botës.

-ALMA  JAKU- 10 POEZI-

SI LUMI DRIN NË VJESHTË

Të dua tani mbi trupin tim,
Të më peshosh në çdo dihamë;
Flokut të dredhur djersa të pik,
Siç peshon vesa, mëngjesit mbi bar.

Me sy t’më pyesish, më do a s’më do?
Dhe unë do të qesh përplot me naze,
T’i vë në dyshim gjithë nervat e tua
Kurrë mos ta kuptosh sa fort më plase.

Jam përplot me ty nëpër damarë,
Fryrë si lumi Drin në vjeshtë.
Mbi varkën time hyn gjaku yt,
Dhe vete të mbytem kudo me shpresë!

S’duhen prova për dashurinë,
Mjafton drita e syve kur më sheh!
Si hëna përthyhet mbi Drin,
Kthehet e me shkëlqim më deh!

Jam deti, hëna, jam lumi,
Përballë atij shikimi me jetë ;
Vallen hedh si drita mbi ujë,
Toka e qielli im ti mbet!

TË LUAJ ME ZJARRIN

E ndjej dëshirën të të përpijë,
Siç rrëmben vorbulla një anije,
Shtrëngatës hidhesh pa ditë se si,
Kur vjen drejt meje pa vetëdije.

Gjithë erërat fryjnë në një drejtim,
Dielli ndriçon veç nga një anë,
Unë eci ku s’ka as rrugë, as shteg,
Pa ditur kurr se ia dal mban!

Pa ç’ka i shkoj vdekjes kaq pranë,
Dhe luaj me rrezikun si e marrë,
Në mes të lumit përplot me ujë,
A mundem unë të ndez një zjarr?

Po s’di të ndalem, porsi fëmija,
Që ndjek xixëllonjën nëpër pyll,
Kur shoh si këmba shkel rrëpirën,
Sepse ti vetë më je bërë yll.

LARG

Pa më pyete, ti erdhe gjatë natës
I ndjeva buzët e tua në qafë,
Një zjarr më përfshiu gjithë trupin.
Mijra kilometra si nuk e shuan këtë flakë?

U përpoqa të të shkas duarve,
Mes shtratit, mes murit, mes teje
Si gazela e brishtë që pret tigri në qafë,

..dhe unë, sa fort që e dua këtë dhëmbje!…

TË KAM HARRUAR

Të kisha harruar

Po si të mos vish ?
Si petal kumbulle,
I hijshëm,
Si qershi në degë,
I bardhë !
Dhe tani pyes veten,
Pranverës

Si mund t’i bëj ballë ?…

 

SONTE ME DUART E MIA

Sonte do të të gatuaj me duar e mia,
Ne avullin e trupit ta zbut ashtin e vjeter,
Ta ndjej sigurinë e rreme ,frymës,syve
Se si në xhep me thonj e grric xhaketen!

Mund dhe të lidhesh mbi një direk anije,
Nyjet e litarit mund t’i kepus me dhëmbë!
Kushedi sa i pafuqishem je ti, o i mjeri,
Përpara një maceje që do peshkun tënd!

I PAMUNDUR

Je më i pamundur se e pamundura,
Edhe pse jam gati të hidhem në zjarr,
I them jo zërave të vegjël në kokë,
Dhe po ta dija se kokën vë në litar!

Dhe nuk më dhëmb asnjë gjykim ,
Gjithë toka digjet muskujve shkrum,
Te puth mbushur deshirë e zemërim,
Përplasem mes gurëve valë në shkumë!

E dija se ty do të binte inati!
Më thua :Të dua! Me sy të përvlalë.
Ku ta marrim ta bekojë këtë Paqe Frati?
Se nesër përsëri do të vemi në djall!

RRËFIM

U rrefeva unë, At,
Po nuk ndjehem penduar!
Mëkatin të shenjtë e kam,
Vetë Hyu më tha : Të duash!

Perëndi ! Desha si e çmendur,
Pa pritur asgjë nga ai,
Shtizë e Pilatit më dhembi,
Stigma më preu në gji.

Veç Krishti përtej në kryq,
M’i kuptoftë mua dhëmbjet!
Kupidi i marrë le të gjykohet në Had,
Me kusht që veç emri mos t’i tretet!

MARRËVESHJE

Ti përballë meje bëhesh djalë,
Në sytë e tu unë ndjehem valë!
Motet humbin tutje, marrin erën!
Të duhemi- si thua?- çka lypet tjetër?

GLOBI MBI GISHTËRINJ

Kur t’shoh, bota m’terret tis,
S’jam e tokës e s’jam e qiellit,
Yjtë gjerdan në fill i qëndis,
Me një sitë i vë dry diellit!

Do t’bëj kryq mbi tëndin ballë,
Poshtë gushës të t’marr frymë,
Shtatit tënd kur prek ngadalë,
Të t’ gris ëndrrat n’përcëllimë !

Ta kafshosh shtrojen me dhëmbë,
Trupit zjarrshëm kur të kall qirinj,
Gjer në palcë t’më ndjesh dihamë,
Ta mbash globin mbi gishtërinj !

EVË

Lindi mëngjesi këtu tek unë,
Atje tek ti e kaltërt bie mbrëmja
Si dielli e hëna dashuria jonë qarkon,
Dhe vetë rruzullin e mbushim me brenga.

Nëse bota do të ishte e pafundm,
Të mos ishin detet, këta male ëndrre,
Ti do ishe Maratonomaku im,
Lajme dashurie të sillje çdo mbrëmje !

Si një Charter, një Tren ekspres,
Globit i sillem rrotull , dhe mendjes,
Kur avionët, raketa shpallen si sukses,
Më mjafton të dua si në kohën e Evës !

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share