Mbi regjistrin kishtar të Kishës së Shalës 1763-1863. Zbulimi i një dokumenti me rëndësi shkencore dhe detajet e përdorimit të shqipes brenda tij

Nga Pirusti News

Nga Mark Palnikaj

Në vitin 1911, Atë Lovro Mihaçeviç ka botuar në Zagreb një libër me titull “Po Albaniji – dojmovis puta”. Në faqet 80 dhe 81 të librit të tij, duke folur për gjendjen në Ipeshkvinë e Pultit, ai ka shkruar se regjistri i kishës së Duzhmanit mbahet nga viti 1745, regjistri i kishës së Shalës nga viti 1763, regjistri i kishës së Plandit daton nga viti 1839.

Për kishën e Nikajve ai thotë se u dogj komplet në vitin 1867 dhe nuk shpëtoi asgjë. Për këtë kishë ai nuk bën fjalë për regjistrin kishtar të pagëzimeve.

Gjatë kërkimeve arkivore kemi gjetur se në vitin 1867, një besimtar i quajtur Arif Hasa, ka arritur të shpëtojë nga zjarri rregjistrin e pagëzimeve, lindjeve dhe vdekjeve për kishën e Nikajve nga viti1828 dhe në vazhdim.

Ky regjistër është përdorur nga ana jonë për të dhënat shumë të vlefshme që përmban për zonën por edhe për shkrimet në gjuhën shqipe të cilat janë publikuar nga ana jonë në librat, mediat e shkruara dhe ato televizive.

Regjistrat e kishave të Duzhmanit dhe të Plandit, megjithw përpjekjet tona, nuk ka qënë e mundur të gjënden. Ne nuk e dimë a janë zhdukur apo ndodhen në ndonjë arkiv ku ne nuk kemi mundur të hulumtojmë.

Mbas tre vjet kërkimesh intensive, kemi arritur të kemi të plotë, regjistrin e kishës së Shalës nga viti 1763 deri në vitin 1863, pra gjithsej 100 vjet të veprimtarisë së kësaj kishe.

Ai ka 213 fletë ose 426 faqe, të shkruara pothuajse të gjitha. Është i ruajtur mirë dhe dëmtimet janë të vogla dhe të parëndësishme.

2

Shkruesit e këtij regjistri, gjatë 100 viteve, në pjesën më të madhe të tyre, ja kanë dorëzuar njëri tjetrit me një deklaratë të shkruar. Gjatë kohës, ka shënime edhe për kontrollet nga organet eprore për vërejtjet dhe porositë për përmirësimin e mbajtjes së këtij regjistri.

Ai është i ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë fillon me datën 2 janar 1763 dhe vazhdon deri më 27 mars 1849 dhe mbaron në faqen 156v. Në këtë pjesë të tij bëhet fjalë për pagëzimet e fëmijëve të lindur në fshatrat e ndryshme të famullisë së Shalës. Nga faqja 157r deri në faqen 197r ka informacion për lidhjen në martesë të çifteve duke filluar nga data 13 janar 1763.

Nga faqja 198r deri në fund ka informacione për konvertime të femrave të besimit muhamedan në të krishtera kur ato ishin të martuara me burra të besimit të krishterë. Ka gjithashtu edhe regjistrime të rasteve të ndarjes së martesave të paligjëshme siç është rasti martesave me dy gra, martesa me kunatën etj.

Në pjesën fundore ka të dhëna për dorzanët për ruajtjen e kishës ku janë të shënuar personat nga çdo fshat dhe funksioni i tyre në hierarkinë fisnore si bajraktar, vojvodë etj.

Në faqen 206v ka një shënim një faqe të plotë, shkruar nga Fra Pasquale nga Monte Alba me datën 12 gusht 1863.

Nga arkivistët, në kapakun e këtij regjistri ka të shkruar: “Regjistër lindjesh martesash e vdekjesh krahina e Dukagjinit 1763 – 1849. Ka rëndësi studimi për onomastikën.” Më vonë viti 1849 është shënuar si i pavlefshëm me një vizë të kuqe dhe si vit i përfundimit të shkruarjes së regjistrit është shënuar me laps të kuq viti 1859. Ky shënim rezulton të mos jetë i saktë sepse data e fundit e shënuar në faqen 206v konfirmon vitin 1863 si viti i shkrimit përfundimtar të këtij regjistri.

Ky regjistër ka rëndësi gjuhësore sepse na jep mundësi të dimë përdorimin e emrave nga banorët, emrat e fshatrave dhe lagjeve që sot nuk ekzistojnë dhe një numër të dhënash të tjera me rëndësi. Rëndësi shumë të madhe ka ky regjistër sepse ka një periudhë kohore prej gjashtë muajsh ku regjistrimet e pagëzimit të fëmijëve janë shkruar në gjuhën shqipe.

Në faqen 24v dhe 25r të këtij regjistri gjënden të regjistruar në gjuhën shqipe pagëzimet për tetë persona të regjistruar nga data 30 nëntor 1778 dheri me 5 maj 1779. Të dhëna më të hollësishme për këtë regjistrim do të gjeni në një artikull të zgjeruar i cili do të botohet më vonë nga ana jonë.

3

Regjistrimi i mëparshëm është kryer me 13 tetor 1778 dhe është i shkruar në gjuhën italjane dhe regjistrimi pasardhës i datës 10 maj 1779 është bërë gjithashtu në gjuhën italjane.

Në ato vite frat i Shalës ishte Mikel Angelo nga Akuta kurse në Kiri shërbente Frat Onofrio nga Bernarda e Basilikatës, edhe ky nga Italia. Regjistrimet në gjuhën shqipe janë bërë nga ky i fundit, i cili me sa duket për shkaqe të pa njohura nga ne, e ka zëvëndësuar kolegun e tij për periudhën nëntor 1778 deri me 5 maj 1779.

Motivet që e kanë shtyrë Frat Onofrion për të bërë në gjuhën shqipe regjistrimet në regjistrin e lindjeve të kishës ne nuk i dime por ai me siguri njifte edhe gjuhën italjane. Aktivitetin e këtyre fretërve e njofim për arsye të dokumentacionit të hollësishëm që kemi përpunuar kur kemi shkruar historikun e Dioqezës së Pultit. Do të riprodhojmë më poshtë shkrimin e dorës që gjendet në regjistër për dy regjistrimet e para.

Lopsc, Die 30 9mbre 1778 (Lopçi 30 nëntor 1778)

Une F. Onof.o Pagheeova Palin Pietren, te bin t’Pjeter Peps’, e Len Boghes. Me Cunor.

Un Frat Onofrio, pagezova Palin Pjetren, të bijën e Pjetër Pepës dhe Lenës nga Boga. Me kunorë.

Ab.i ,  Die 10 januarij 1778 (Abat, ditën e 10 janarit 1778, mendoj se viti 1778 duhet të jetë një gabim i shkruesit, duhet të ishte shkruar 1779 – M. P.)

Pagheeova Vat Prellin, te birin t’Prell Pepes’, e Len’ Boghess. Me Cunor.

Pagëzova Vat Prelën, të birin e Prel Pepës dhe Lenës nga Boga. Me kunorë.

Nuk është e vështirë që të vihet re që shkruesi gjuhën shqipe nuk e kishte gjuhë amtare dhe e ka të vështirë të shkruaj korrekt edhe në gjuhën shqipe, dialektin e Dukagjinit të vitit 1778.

Datat e pagëzimit të fëmijëve i ka shkruar në gjuhën e tij ose në gjuhën latine por jo në gjuhën shqipe.

Nuk është rasti i parë i shkrimit shqip në këtë Dioqezë nga ky prift, sepse kemi edhe dy raste të shkrimit në gjuhë shqipe më përpara, një rast në Shosh, pak kilometra larg Shalës në vitin 1761 dhe një rast tjetër të njohur në kishën e Plandit, edhe kjo jo shum larg nga Shala ku frati i kësaj kishe, Ëngjëlli (Angelo) nga Braçiljano e provinces së Salernos kompozonte këngë në gjuhën shqipe për korin e murgeshave të kësaj kishe.

Pra ky frat, nuk ishte i vetmi që provon të shkruaj në gjuhë shqipe por ishin edhe disa priftërinj të tjerë të kësaj Dioqeze që kishin shkruar shqip. Në atë kohë gjuha shqipe nuk ishte e formësuar nga ana e shkrimit por, me sa duket, këta fretër kishin kontakt me gramatikën e shkruar nga kolegu i tyre Françesko Maria nga Leçe në vitin 1716 me 274 faqe dhe të botuar në Romë.

Në kohën e sotme është paksa e vështirë të kuptohet ky shkrim sepse edhe vetë gjuha që flitet sot, edhe si dialekt, në zonën e Shalës ka pësuar ndryshime në raport me vitin 1778.

Kush e shkroi regjistrin e Famullisë së Shalës për 100 vjet, shtatë muaj e 12 dit, nga 1 janar 1763 deri 12 gusht 1863

Gjatë një shekulli patën rastin një numër i madh famulltarësh, vikarësh apostolik dhe ipeshkvinj të vinin dorë në këtë regjistër. Bëmë një identifikim të të gjith personave që në një formë ose një tjetër kane punuar mbi këtë regjister.

  1. Fra Ardiano da Funo Milanese 2 janar 1763
  2. Fra Ardicino, 4 maj 1765
  3. Fra Francesch Andera da Sospello 26 nentor 1765

4

  1. Fra Bernardo da Zangarona 18 prill 1766.
  2. Pietro Vela da Porta Magiore, vrare me 10 gusht 1767
  3. Fra Leopoldo da Rosignano, 24 gusht 1768
  4. Fra Domenico da Salma, 26 nentor 1768.
  5. Fra Luigi Maria da Roma, 20 prill 1769 kontroll.
  6. Fra Idelfonso da Rimella, caktuar nga fra Luigi da Roma me date 24 gusht 1770.
  7. Fra Andrea da Periami, 18 tetor 1771.
  8. Fra Aloysio Maria da Roma Prefect Apostolik bën kontroll me dt 8 korrik 1772.
  9. Fra Michel Angelo da Acuto, 3 tetor 1773.
  10. Fra Onofrio da Bernarda, 15 korrik 1775
  11. Fra Antonio Maria da Sirone, 20 maj 1782
  12. Fra Serafino da Potenzia Vascia, 30 maj 1782
  13. Fra Serafino da Limone, 20 shkurt 1773
  14. Padre Eduardus da Bohemia, 8 nentor 1783. Ky deri me date 13 maj 1785 e ka plotesuar regjistrin ne gjuhe latine. Mbas kesaj date eshte kthyer Fra Michel Angelo në famulli.
  15. Fra Casimirio da Quattordio, 13 gusht 1778
  16. Fra Biaggio da Lu Augusto, 2 gusht 1789.
  17. Fra Michel Angelo da Carpineto, 27 gusht 1790
  18. Fra Eusebio da Solarola, 27 maj 1798
  19. Padre Emiliano da Zangarolo da Provincia di Romana, 14 shkurt 1805
  20. Fra Teodori di Ceva, nga 3 korrik 1806
  21. Fra Giuzeppe da Torrano, nga 26 prill 1814
  22. Fra Antonino da Boscomare, nga 25 korrik 1824
  23. Fra Luca da Monte Giove, nga 22 mars 1826
  24. Pater Gabrielis Barassichi, kontroll me 27 prill 1829
  25. Fra Deodato da Costacciara, 11 tetor 1826
  26. Padre Anacleto di Leprignano, 14 korrik 1830
  27. Fra Antonio d’Ascoli, 30 tetor 1832
  28. Fra Giorgio da Narni, 8 janar 1836
  29. Fra Francesco da Matera, 24 shkurt 1839
  30. Fra Giovanni da Faenza, 1 shtator 1839
  31. Fra Garifico da Cuneo, 11 maj 1840
  32. Padre Pietro da Barbara, 9 prill 1840
  33. Fra Raffaello da Bosco Reale, 8 qershor 1842
  34. Fra Oscario d’Imola, 22 qershor 1844
  35. Fra Anselmo di Onano, 11 qershor 1846
  36. Fra Stefano da Rallo, 5 shkurt 1847
  37. Fra Giuseppe Maria da Cosio, 18 shkurt 1847
  38. Fra Pasquale da Boscoreale, 20 nentor 1847
  39. Pal Dodmasej, 24 qershor 1848
  40. Fra Taddeo d’Albano, 27 mars 1763
  41. Fra Ludovico da Sosta, 18 gusht 1854
  42. Fra Pasquale da Monte Alba, 12 gusht 1863

5

Dokumenti ka rëndësi shkencore sepse në shek.XVIII deri tani kemi vetëm letrën e fretërve të Pultit të vitit 1761 të shkruar në gjuhën shqipe edhe pse indirekt, nga dokumentat, merret vesh që edhe të tjerë kanë shkruajtur në gjuhën shqipe por deri tani, nuk kemi mundur t’i gjejmë.

Rëndësia e këtij regjistri është shumë e madhe dhe ne shpresojmë që në të ardhmen ta botojmë të plotë të pajisur me shpjegimet e nevojshme për lexuesit tanë.

Botuar ne gazeta DITA

http://www.gazetadita.al/mbi-regjistrin-kishtar-te-kishes-se-shales-1763-1863-zbulimi-i-nje-dokumenti-me-rendesi-shkencore-dhe-detajet-e-perdorimit-te-shqipes-brenda-tij/?fbclid=IwAR1SlkcJCf5IgrLoxtETWYDWArp2WWIFlEYs2rZRP_OULjwZW3uftcaBFbw

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share