Dioqeza, “Vdekja në letërsinë shqipe gege”, bisedë me shkrimtarin e mirënjohur Stefan Çapaliku.

Nga Pirusti News

Gjatë orëve të pasites, në ambientet e Kuries Dioqezane u zhvillua aktiviteti me temë: “Vdekja në letërsinë shqipe gege” i programuar që në muajin nëntor si një bashkëbisedim me profesorin dhe shkrimtarin Stefan Çapaliku, nën moderimin e Esma Dodaj. Aktiviteti u shoqërua me disa lexime fragmentesh e vargjesh, të shkëputura prej librit “Një antologji e vogël e vdekjes”, të kuruar nga profesor Stefani. Ky i fundit gjatë gjithë kohës së bashkëbisedimit mbi librin, mbi vdekjen, mbi ritet mortore, paraqiti për pjesëmarrësit foto të rralla të fotografëve të ndryshëm në lidhje me temën e aktivitetit tonë.

Dom Gjergji Meta, në fjalën e tij përshëndetëse, prezantoi idenë e aktivizimit të një jete kulturore në Dioqezën tonë, ku arti në përgjithësi e letërsia si bijëz e tij, nuk e përjashtojnë fenë e besimin dhe anasjelltas. Të dyja kooekzistojnë në të mirë të dimensionit shpirtëror brenda nesh. Prandaj këto organizime do të mundohemi t’i bëjmë së paku një herë në muaj, duke zgjedhur tema, libra e autorë me paralele të mundshme me kalendarin biblik.

Për herën tjetër kemi menduar të diskutojmë dhe interpretojmë veprën “Prometeu i lidhur” të Eskilit, duke i ftuar në lexim të pranishmit dhe jo vetëm.

Vërtetë për shkak të pandemisë, numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, por ata qenë vazhdimisht të përfshirë në diskutim duke e shtrirë ligjërimin dhe diskursin në filozofi, në etnologji, në antropologji, në dramatikë, në letërsi. Sigurisht, edhe në përditshmërinë tonë pjesë e së cilës është tashmë edhe gjendja e pandemisë.

Marrë nga faqja e Dioqezës Rrëshen

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share