Martin Camaj albanologu dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar është qarë në ditën e vdekjes jo mbi kufomën e tij, por në rrobat që kishte përdorur.

Nga Pirusti News

NGA GJON NEÇAJ

Martin Camaj, shkrimtari dhe albanologu i shquar shqiptar që kaloi një pjesë të mirë të jetës në Gjermani, ku spikati me një karrierë të ethshme akademike, ndërroi jetë më 1992. Ai është vajtuar me gjamë burrash si qëmoti, ndërsa një foto e ruajtur që nga ajo kohë e konfirmon këtë.

E veçanta e këtij vaji është se i mirënjohuri Martin Camaj është është qarë me lot e kujë prej grash e burrash njëherësh në kullën e tij të lindjes, jo para trupit të tij të ndjerë, por para një kostumi që kishte përdorur i ndjeri.

Kjo tregohet nga 80-vjeçari nga Palçi i Merturit, Gjon Pjetraj, gjamatar i njohur.
Ai thotë se duke u qëndruar besnik zakoneve kanunore, të afërmit dhe banorët e fshatit Temal të Dukagjinit, me njoftimin e ikjes nga kjo botë e birit të tyre, Martin Camaj, i cili u kishte munguar prej rinisë së tij, vendosën atë mesmarsi të vitit 1992 që në kullën e Kolë Camajt të hapnin dyert e mortit.

E sipas zakonit, kur mejti (kufoma) për arsye të ndryshme nuk është e pranishme, vendosen rrobat e tij në derë të kullës e qahet mbi to. Vetë Martin Camaj i kishte dërguar para disa kohësh vëllaut të tij një kostum, këpucë e këmishë, të ruajtura në arkën e nuses së tij.
E të afërmit, siç tregon plaku Gjon, me dhjetra burra e kanë vajtuar Martinin me vaje e gjamë sipas zakonit të lashtë, duke ardhur në mort prej krahinave të ndryshme të malësisë, Shala, Shoshi, Pulti, Nikaj Merturi, Malësi e Madhe, Iballë e deri nga Gashi e Krasniqja.
Kështu pra, akademiku i ndjerë, themelues dhe më pas drejtues i Katedrës së Shqipes në Universitetin e Mynihut, është ndoshta i vetmi person me stature intelektuale perëndimore që është vajtuar me gjamë, një ritual i lashtë kanunor i malësisë së veriut të Shqipërisë, ku burri jo vetëm qan – ndryshe nga ç`thuhet në një tjetër linjë tradite se burri që është burrë nuk qan – por madje edhe vajton, duke e shoqëruar vakinë e vdekjes me një kujë të pazakontë të dalë prej gjokse e gurmaze burrash.
Përflitet se rituali i rrallë i gjamës së burrave, jo vetëm vjen që nga koha e Skënderbeut, por që dhe mundet të ketë të bëjë direkt me të, në çastin kur ai ka ndërruar jetë.
Sipas gjamatar Gjonit 80-vjeçar, këtë mendim e ka përforcuar edhe një tjetër gjamatar i njohur nga Nikaj Merturi, Zef Prend Pepkolaj, që ka vdekur tashmë. Nga mërzia e vdekjes së Skënderbeut , paska shpjeguar ai,e përhapur kjo gojë më gojë, princi Lekë Dukagjini paska bërtitur me të madhe, duke rrahur gjoksin, shkulur flokët dhe gërvishtur fytyrën e tij, derisa është mbuluar në gjak.
E prej këtij çasti, ka lindur më pas tradita e vajtimit me gjamë të të vdekurve, jo vetëm prej grave por dhe prej burrave.
Sipas rregullave zakonore, gjama nuk mund të nisë nëse të paktën nuk janë 10 burra.
Sa më shumë burra që i bashkohen këtij rituali aq më i madh është respekti për të vdekurin. Por kjo vlen vetëm për të vdekurit meshkuj. Sepse për ato femra, vajtojnë gratë.
Pas ndalimit nën komunizëm, rituali i gjamës së burrave ndaj të vdekurve meshkuj u ringjall sërish. Rasti i Martin Camajt e tregon më së miri këtë fakt.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share