-Arbneshi i Zarës -dhimbja e së kaluarës- Nga Mr.Sc Nikoll Loka.

Nga Pirusti News

Si te presin njerezit qe jetojne me mallin per gjuhen dhe atdheun e braktisur qe ne kohen e Skenderbeut. Ngado që të futesh në qytetin e Zarës, domosdo se duhet të kalosh nëpër Arbnesh, qoftë në rrugë detare, automobilistike apo hekurudhë. Pastërtia, rregulli dhe arkitektura karakteristike i tërheqin vëmendjen çdo kalimtari. Kisha e re, me këmbanare të lartë, me mure guri, ngrihet lart mbi të gjitha godinat tjera. Aroma e luleve, pemët e shumta, llojesh të ndryshme, rrugët e ngushta, disa të shtrura me kalldrëm, janë ciceroni më i mirë për këtë vendabnim. Sidomos, kur lexon emrat e rrugëve: Mbretëresha Teuta, Gjegj Kastrioti Skenderbeu, Gjergj Fishta, Josip Rela, etj, për ne shqiptarët, është e qartë, se jemi në Arbnesh.

E Arbneshi, ashtu qetë – qetë, sikur nuk dëshiron të largohet nga e kaluara. Arbneshasit, mikëpritës, shumë bujarë dhe tepër dashamirës, të ftojnë brenda, sapo marrin vesh se je shqiptar. Kush të fton për kafe, një tjetër për një raki, e një i tretë që të bisedoj e të çmallet me gjakun e tij. Biseda fillon shtruar, ashtu valë-valë, si uji i detit që përplaset në Vaun e Joviqit /Gjonit/. Ashtu pa u ndjerë, mblidhen pleq e të rinjë. Të gjithë kureshtarë, për të dëgjuar fjalën shqipe, për të ndjerë gjuhën e gjyshërve të tyre, për të rikujtuar të kaluarën e tyre sa tragjike aqë edhe të mjerë.

“Ne banorët e Arbneshit jena prush i ndezur dhe kena gjak arben” thotë Bruno. “Sa herë herë ndiejmë mirë për Arbninë, zemra na rref më shumë, kurse gjaku na valon në trup ia pret Xhani, flokëthinjur. “Brigjet e Dalmacisë nuk kanë qenë të huaja për shqiptarët e Shqipërisë etnike”, rrëfen Pino Gjergja, dhe vazhdon: këto troje janë të fisit të Dalmatëve të Ilirisë, e këtu në Zarë gjithmonë ka pasur shqipëtarë. Në vitin 1437 kemi disa familje bujare shqiptare, por edhe në vitet e mëvonshme, e sidomos në vitin 1602 kemi 200 banorë shqiptar si dhe familje bujare, në krye me guvernatorin shqiptarin, Pal Gjinin. Pra, ne këtu, që kur jemi vendosur, kemi vazhduar një traditë të moçme, të të parëve tanë”.

E zonja shtëpisë, Ana Peroviqi, me një zë melodik, kumbues dhe tepër të këndshëm, pas bisedës së parë njohëse, ia fillon një kënge arbëreshe, e si në kor, të gjithë e përcjellin. Ky është nderi më i madh që i bëhet mysafirit. Kënga tregon fatin e arbëneshasëve:

Nër mal mi Liqen të Shkodrës,

Në Brisk Shestan ele Livarje,

Të veta shpijat i lishoven,

Po ul u gjetën me familje.

Mendimet t’jona po frutulojn,

Të randa vjeteve të parve ton,

Ata kur kejshin të dëbuom,

Për fen krshten – katolike jon”.

Është shumë interesant, se gjatë vizitave të shumta që i kemi bërë tek këta vëllëzër gjaku, në Arbnesh, çdoherë pa asnjë rezervë, ata pohojnë përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre e flasin gjuhën shqipe, e cila, për fat të keq, është në zhdukje e sipër. Kjo është një shqipe e dialektit të vjetër, gegë arkaik, e cila në vete ruan një brum mjaft interesant për gjuhëtarët, për pasurimin e fondit leksikor. Përveç gjuhës, në Arbënesh, ruhen reliket të vjetra dhe eksponate të ndryshme shtëpiake të sjellura nga atdheu.

Arbëreshët e rajonit të Zarës janë shumë interesantë si ngulim, edhe për atë se ka ruajtur deri më sot tipare të karakterit gjenetik të veçantë dhe një mentalitet i cili i dallon ata nga popullsia kroate përeth.

Arbneshi ka mbajtur lidhje të regullta me atdheun.

Thënë më drejtë ai, ka frymuar me ngjarjet që ka kaluar Shqipëria. Ishin Arbëneshasit, ata që hedhin tutje mosmarrëveshjet e ndryshme, por edhe ato ndërpartiake, iu bashkohen vëllezërve të tyre, dhe duke i përkrahur, me peticione e memorandume, tubime e demostrata, apelojnë tek fuqitë e mëdha ndërkombëtare, t’iu ndihmojnë shqiptarëve të fitojnë pavarsinë. Me rastin e shpalljes së Pavarsisë, një delegacion i përbërë nga burrat më të njohur të Arbneshit, viziton Shqipërinë dhe qeverinë e Ismail Qemalit.

Ngjarjet e bujshme që shoqëruan shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, si dhe lufta që shqiptarët u detyruan ta zhvillojnë në muajt e parë të pamvarësisë, për përkrahje ndërkombëtare të shtetit të ri, solli nevojën e thirrjes së kongresit të shqipëtarve në Trieshtë, në të cilin morën pjesë jo vetëm shqiptarët e Shqipërsisë, por edhe ata të diasporës. Kongresi me pjesmarrjen e afro 200 delegatëve zhvilloi punimet prej 1 deri me 4 mars 1913. Në të mori pjesë edhe një delegacion nga Arbëneshi i kryesuar nga Pal Gjergji. Pali, mbajti në kongres, një referat mjaft interesant në gjuhën shqipe me titull: “Ballkani dhe popujt e Ballkanit”, ku nuk harroi të përmendë diasporën shqiptare dhe rolin që ka luajtur dhe që do të luajë në të ardhmen për ndihmë shtetit amë!

Kontribut të veçantë dhanë arbneshasit edhe gjatë luftës së fundit të kosovarëve, kur këta u detyruan të lëshojnë vatrat e tyre të ndjekur nga okupatori serb. Ndihmat humanitare dhe format e tjera, si dhe pranimi dhe strehimi i disa dhjetra familjeve refugjate, ishte një kontribut modest, i cili në fakt, siç e pohojnë edhe vetë arbneshasit, ju kujton atyre fatin e hidhur që kanë pësuar edhe ata vetë, para 280 vjetëve.

Arbneshin, herë pas herë e kan vizituar edhe personalite politike dhe kulturore, si Fan Noli, Faik Konica, Simon Ferizi, at Gjergj Fishta, Nikollë Ivanaj, Shtjefen Gjeçovi, etj. Arbneshi në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, ka shërbyer si një urë lidhëse për Shqipërinë, në mes Italisë dhe Austro-Hungarisë. Pothuajse çdo veprim politk ka shkuar përmes Arbneshit! Kjo gjë edhe ka mundësuar lidhjet intensive dhe të shumta me Shqipërinë. Një pjesë e mirë e intelektualëve tonë, ka botuar veprat e veta në Zarë, duke shfrytëzuar lidhjet me personalitet e Arbneshit, Fishta, Prendushi, Gjeçovi, etj.

Problemi i diasporës shqiptare, si pjesë përbërse dhe shumë e dhimbëshme kombëtare, kohët e fundit është gjithnjë e më aktuale në rrethet shkencore e politke, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. E kaluara e Arbëneshit, si koloni shqiptare, jeta shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, gjatë shekujve XVIII-XX, ka tërhequr vemendjen e shumë studiuesve vendës e të huaj, të fushave të ndryshme, të shkencave filologjike dhe shoqërore.

Shpërngulja e shqiptarëve si pjesë e një marrëveshje sekrete e cila parashihte që vendin e tyre ta zënë kolonistët sllav.

Studimet e shumta dhe të llojllojshme, linguistike, etnografike, arkeologjike, sociologjike, ekonomike, politike, në të cilat në mënyrë krahasuese është tentuar të studiohet dhe paraqitet gjendja e tanishme e ruajtjes së elementeve gjuhësore, traditës, etnografisë, zejtarisë, përkatësisë kombëtare, e posaçërisht përshtatja e rrethanve të reja shoqërore, politike dhe kulturore në një ambient të ri me ndryshime të konsiderueshme në karakter dhe mentalitet, nuk na kanë dhënë një sintezë apo studim të kompletuar, duke krijuar kështu një zbraztësi, të cilën shpresojm se së shpejti do ta e tejkalojmë, me një studim komplet, të mbështetur, në hulumtime dhe kërkime disavjeçare, ku janë përfshirë momentet që nga shpërngulja e parë e deri në fillim të Luftës së dytë Botërore.

Kolonitë shqiptare në brigjet e Adriatikut janë mjaftë karakteristike. Në to pasqyrohen shumë elemente të veçantë dhe mjaft të rrallë, të cilat nuk i hasim në diasporën shqiptare. Numri i këtyre kolonive nuk është i vogël, disa iu kanë përballuar rrebesheve të kohës, e disa janë asimiluar fare dhe, për to dihet vetëm se kanë ekzistuar. Njëra nga këto koloni që veçohet më së shumti dhe ka diçka të posaçme, është Arbneshi i Zarës – Borgo Erizzo. Përveç këtij emri, të themi zyrtar, sipas dokumentave që ruhen në arkivin historik të Zarës, kjo lagje, nga popullsia kroate, në fillim u njoh me emrin Eriçin Varosh /Ericovo selo/, e më vonë edhe Arbanasi; dhe Arbnesh, nga vetë banorët shqiptarë.

Në vitin 1721, nga fshatrat rreth Liqenit të Shkodrës, Brisk, Shestan Ljajre, u shpërngulën 32 familje shqiptare me 227 frymë, dhe u vendosën në paralagjen e Zarës, që u quajt Borgo Erizzo, sipas providurit gjeneral për Dalmaci e Shqipëri, Nikola Erizzo. Shkaqet e shpërnguljes duhet shikuar në prizmin e ngjarjeve të kohës dhe rrethanave politiko shoqërore. Luftat e shumta, sëmundjet, plaçkitjet, ftesa e të rinjëve shqiptarë për rekrut në ushtrinë turke, kushet e rënda ekonomike, varfëria e madhe, trysnia e ushtruar nga ana e Perandorisë, që të ndërrojnë fenë si dhe pazarllëqet e dëmshme në kurriz të shqipëtarve, për interesa të caktuara në mes të Venedikut, sllavëve dhe disa personaliteteve kishtare. Këto shkaqe studiues të ndryshëm, varësisht nga pikëpamjet, orientimet, analizat dhe shqyrtimeve të materialit arkivore, i trajtojnë në mëyrë të ndryshme, e shpeshherë edhe kontradiktore.

Inisiator kryesor për këtë shpërngulje ishte arqipeshkvi i Zarës, Visk Zmajeviqi. Është mjaft indikative një marrëveshje sekrete në mes Zmajeviqit, përfaqësuesve sllav dhe Venedikut e vitit 1713, në të cilën vendoset që të shpërngulen shqiptarët e rreth Liqenit të Shkodrës dhe të Shqipërisë Veriore. Tokat e të shpërngulurve do t’iu ndaheshin serbëve, ndërsa shqiptarët do të vendoseshin në Zarë, në afërsi të Pulës dhe qytete të tjera bregdetare dalmatinase. Deri diku ky plan edhe është realizuar, por për fat të mirë jo në tërsi. Në këtë kuadër duhet shikuar edhe shpërnguljen e Kelmendasve në vitin 1737, në Srem. Përveç shpërnguljes së vitit 1721, kemi edhe tre shpërngulje të tjera të rëndësishme, të shqiptarve në Arbnesh, por edhe vendbanimet përreth Zemunik dhe Plloqe; në vitet 1726, 1727 dhe 1733. Pos këtyre shpërnguljeve, kemi edhe disa të tjera, por që janë më të vogla. Numri i familjeve të shpërngulura është me qindra, kurse frymët janë me mijëra. Në të gjitha shpërnguljet, të shpërngulurit, ishin shqiptarë, edhepse, disa studiues, kanë tentuar që të nxierrin disa familje me origjinë sllave, kryesisht duke u mbështetur në prapashtesat me: iq dhe viq.

Në Arbnesh janë ruajtur shumë toponime, mikrotoponime dhe antroponime shqiptare Pas vendosjes në Arbnesh, Zemunik dhe Plloqe, arbneshasit, si puntorë të vyeshëm, u dalluan në: bujqësi, blegotri, zejtari, tregti dhe një pjesë e vogël u muar edhe me peshkatri. U shquan sidomos për prodhime bujdësore, nga ku furnizonin gjithë qytetin e Zarës. U ruajt e drejta zakonore. Kryeplaku ose në arbnishte: “shkopi i katundit” e kishte fjalën kryeosre në konflikte të ndryshme dhe mosmarrëveshje. Ai zëvendësonte institutin e gjykatës. Në Arbnesh janë ruajtur edhe sot e kësaj dite, disa toponime me origjinë shqiptare si: Karma, Fusha e Vorreve, Fusha e Arbneshit, Bregdeti, Vani i Joviqit, Vilat, Grapa, Shkambat, Kisha, Kulla, etj. Por edhe mbiemra krejt shqiptarë si: Kalmeta, Gjergji, Petani, Nikpali, Marshani, Deshpali, Marseni, Çoba, Luka, Vuka, Ndreka, Gjoni, Marku, Gjini, Stani, Nika, Duka, etj.

Përshkrimet që i janë bërë Arbneshit dhe banorëve të tij, janë mjaft interesante dhe zbavitëse. Po veçojmë, atë të Stjepan Buzoliqit, i cili shkruan se Arbneshi nga përendimi kap livadhet e gjelbërta – fusha e Zarës; nga veriu shtrihen kopshtijet, arat dhe vreshtat e panumërta; nga lindja dhe jugu vijnë valët e lehta të detit që lëkundën ngadal nën gjiun e mrekullueshëm të Zarës. Arbneshët, vazhdon Buzoliqi, janë njerz me faqe të kuqe, që pëlcasin nga shëndeti. Shikim e kanë të mprehtë dhe plot zjarrë, shtatin e mesëm por të bukur. Për nga karakteri janë hijerëndë sa edhe të njerzishëm. Fjalën e kanë në majë të gjuhës, shpërthejnë si orteku, por edhe qetësohen shpejt, zërin ekanë melodik dhe këndojnë shumë bukur. Ndërsa Josip Vlladoviq Rela, në përshkrim e tij veçon: gratë e janë po ashtu shtatëhedhura e të dretja, të njohura anembanë si të bukura. Përndryshe ishin të zgjuara, të çiltëra, të vendosura dhe burrnore. Në fillim shtëpitë i kishin përdhese, por të pastërta dhe të rregulluara me mirë. Më vonë filluan të ndërtojnë kulla të rrethuara me mure të larta dhe me kopshte me lule për rreth. Këto janë, pa mëdyshje, rrejdhim i zakoneve nga viset e tyre të vjetra.

Që nga kur u vendosën në Arbnesh, arqipeshkvi, Zmajeviq, kishte vendosur që çdo vit, një i ri nga Arbneshi, të ndiqte mësimet në Seminarin Ilirk të Glagolicës në Zarë. Nga ky shkak kemi edhe një numër të madh priftërinjësh. Duhet cekur se arbreshasit janë besimtarë të mëdhej. Rregullisht shkojnë në kishë. Shkolla shqipe në Arbnesh është hapur në vitin 1901, dhe ka vazhduar deri në vitin 1918. Fillimisht në Shkollën Normale dhe ushtrimoren e saj, e pastaj edhe në shkollat fillore të femrave. Mësuesit të cilët kanë punuar në Arbnesh janë: at Pashk Bardhi dhe at Shtjefën Gjeçovi, dr. Gjergj Koleci, porf. Anton Paluca, prof. Shtjefën Rrota dhe prof. Pal Gjergji. Arbneshi si vatër e kulturës dhe e shkollës ka nxierrë të cilët kanë shërbyer në vende të ndryshme duke dhënë mësim në gjuhën shqipe si: Josip Vlladoviq – Relja, në Vuthaj; Tomë Moroviqi, në Plavë; Budimir Peroviqi, në Pejë; Zef Duka, në Gjakovë, Pal Gjergji në Prizren, etj.

Arbneshët e Zarës në fund të shekullit të XIX, vunë lidhjet e para me kolonitë e tjera shqiptare si në Itali, Rumani, Egjipt, etj. ngaqë ata i bashkonte ideja kombëtare shqiptare dhe dëshira për shtetin e tyre të pamvarur. Në të vërtet me arbëreshët e Italisë vunë kontakte përmes revistës “La Nazione albanese” në vitin 1897, e cila botohej në Romë. Nuk është rastësi që po këtë vit, dmth. më 1897, kur filloi të botohet edhe e famëshmja “Albania” e Faik Konicës, arbëreshët bënë përgatitjet e para për botimin e gazetës së tyre në gjuhën arbëneshe me emrin “Zani i Shqyptarit”, e cila duhej të dilte dy herë në muaj, por për shkaqe politkie nuk e pa dritën e botimit kurrë!

Kompaktësia teritoriale, lidhjet e ngushta në mes të gjithë anëtarëve të kësaj oaze, në fund të shekullit XIX dhe fillim të atij të XX, luajnë një rol vendimtar për zhvillimin kulturor, intelektual, ekonomik dhe politik të këtij oazi arbneshësh në Dalmaci. Ky grusht arbneshësh, do të shënoj suksese të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme të veprimtarisë shkencore, fetare, politke, ekonomike, diplomatike, univerzitare, muzikore, sportive, duke e bërë të njohur edhe jashtë kufinjëve të Kroacisë dhe popullit shqiptarë në përgjithësi.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share