Profesori Fran Çukaj, jeta ime në Mirditë dhe sot mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

Nga Pirusti News
Intervistoi: Aleksander NDOJA.

Edhe pse kanë kaluar afro 30 vite nga koha kur profesori dhe diplomati Fran Çukaj ka lënë Rrëshenin, në Mirditë kujtohet me mjaft mirënjohje. Në Rrëshen ka jetuar plot 26 vite me pikënisje vitin 1964, kur mori emërimin nga Ministria e Arsimit për të shërbyer si mësues i lëndës së Biologjisë, pas përfundimit të arsimit të lartë në Bukuresht. Mësuesi me tipare aktoriale, talent të cilin e shpaloste shpesh në skenën e pallatit të kulturës, ishte i detyruar të punonte për vite pafund në kopështin e Gjimnazit të Rrëshenit, si mësues i lëndës së praktikës. Por, spordasheshit dhe sportistët e kujtojnë me nostalgji dhe mirënjohje atje në fushën e futbollit përtej urës me dërrasa, teksa për shumë vite si trainer, pati shënuar jo pak histori suksesi.

Është një histori disi e veçantë që vjen për pirustinews.com gjatë një komunikimi me Franin, i cili prej shumë vitesh në pension jeton në SHBA. Në këtë intervistë përcjell një historik të shkurtër të gjenezës familjare, 26 vitet e tij në Mirditë, deri në ndryshimin e sistemit. Në vitet e para të demokracisë profesorin Çukaj e shikojmë ambassador mjaft të suksesshëm në Rumani, ndërsa nuk harron të citojë se Sadoqë Mirdita nuk qe vendlindja ime, ajo u kthye në vendbanimin tim. Të gjithë elementet me te cilet u ndesha aty, më mësuen shumë gjana, m’i përforcuan disa tipare, më bënë të jem i vemendshëm në mendime dhe veprime”.

Intervistë me z. Fran Çukaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ku keni lindur dhe në cilin vit?

 Jam lind në Bajzë të Kastratit, në vjeshën e vitit 1940.

-Prejardhja e familjes tënde, ndonjë përshkrim të shkurtër për ndonjë figurë të rrangut të lartë apo të mesëm, nga ku keni marrë inspirim juve?

 Baba dhe axha im mbeten jetimë në Bajzë. Kaluen disa vite jetë në Shkodër. Baba im aty bani 7 vite shkollë dhe mori një patentë shoferi. Punoi dy vjet shofer taksie tek një pronar në Vlonë. U kthye në Bajzë dhe më punoi shofer me tregtarin shkodran Gasper Çuçia. Fitoi shumë. Bleu një kamion, më vonë edhe një tjetër, edhe një tjetër. Arriti të kishtë në pronësi 4-5 kamionë. Bleu edhe një makinë shirëse gruri, ku si ndihmës pati punësuar aktorin e ardhshëm, të mirënjohurin  Pjeter Gjoka. Ndërtoi një shtëpi si ato të Shkodrës.

Erdhi dhe punoi si marangoz punoi në shtëpinë tonë edhe Tuk Jakova. Familja jonë arriti të blejë shumë bagëti dhe tokë. Në kushtet ekonomike të krijuara falë kësaj pune ndërtuan një shtëpi edhe në Ishull Lezhë. U bënë të pasur.

Si ju gjeti viti 1945 dhe çfar u bë me vijueshmërinë e familjes tënde, kur dihet se…

Pas 45-ës na mori reforma shumë tokë, morën të gjitha makineritë. Në në Bajzë na sekuestruan shtëpinë. Aty u vendos një shtab ushtarak që drejtohej nga Ndreko Rino, i cili konsumoi të gjitha materialet që familja ime kishte grumbulluar për të hapë një dyqan ushqimor në Bajzë. Në këto kushte kur nuk kishim çfar të bënim më ary, familja ime në vitin 46 zhvendoset në Ishull Lezhë, për ta bazuar jetesen tek toka që kishim në pronësi aty. Na bënë kulakë, na moren edhe ato që kishin ngelë pa marrë, deri edhe një makinë shirëre misri, një stufë të madhe, etj.

Në vitin 1946 kur ju ishit në situatë të rëndë, çfar qëndrimi mbajti ish punonjësi juaj Tuk Jakova i cili ishte eksponent i lartë i kohës?

Një mik i yni por edhe i Tuk Jakovës, nga koha që kishin punua tek ne, e vuni ne dijeni Tukun per gjendjen tone te re si kulakë. Tuku dërgoi Kolen (te vellain muzikantin e shquar Kol Jakova) per ta verifikua gjendjen. Tuku dergoi edhe Beqir Ballukun tek hoteli i gjuetise ne Ishull Lezhe  dhe permes nderhyrjeve specifike pranë partisë në Lezhë, na u hoq titulli kulak. Shumë prej tregtarëve të Shkodres kane qene miqet tone. Xhaxhai im punoi disa vite ne mirembajtjen e ndertesave ku banonin dhe punonin shume nga figurat e klerit katolik si Fishta etj. Krijoi miqësi te mire me ata. Prek Cali, dhe figura tjera te Malsisë ishin here pas here në shtëpine tonë. Po kështu shumëish oficerë, mjeke te vjeter si Papavrami, Shiroka, etj , përshkoheshin shpesh tek ne .

-Çfar kujton nga fëmijëria dhe ku e kaluar atë.

 Ishim te vegjel kur filluam ta ndjenim friken. Policin, oficerin i kishim frike. Në Ishull të Lezhës, duke qenë ardhun” kaloi disa kohë pa patur shokë moshe. Lumi Drin herë pas here dilte nga shtrati dhe na vinte deri te shkalla e dyte e shtëpise , duke na krijua gjendje te frikshme per disa dite, disa here ne vit. I kam disa shenja ne trup që i pata fituar tue e mësuar vjedhtas biçikletën e vëllait të madh. Qe nje periudhë kur buken e misrit e ndanim me racion ndermjet pjestareve te familjes. U gëzoheshim shumë teshave (rrobave) kadife qe na blenin për Pashkë. Frutat dhe shalqini përbënin nje gëzim per ne, sepse i kishim me bollëk. Me thanë të vërtetën nuk janë te shumta rastet që sot mund të me ngjallin kujtime nostalgjike pozitive .

 -Kur dhe ku e keni fillur klasën e parë, a kujtoni emrin e mësuesit tënd të parë.

Klasën e parë e kam filluar në vitin 1946, në Ishull Lezhë. Kemi pas disa mësues ne fillore, të gjithë shkodranë, mjaft të mirë.

-Si e keni festuar 7 marsin e parë në klasë. Nëse i çonit dhurata mësueses, cila ka qenë ajo?

Nuk e mbaj mend por besoj se nuk e kemi festuar, as dhurata nuk kemi dhanë. Here pas here u çonim mësuesve ndonjë send ushqimor si veze, nje shishe raki, një shportë me fiq e rrush, etj .

-Po shkollën 7 vjeçare dhe të mesmen ku e keni mbaruar. A kujtoni ndonjë të veçantë?

Tetëvjeçaren e kam mbaruar ne Lezhë. Bëja çdo dite dy ore rrugë. Vapa, pluhuni, shiu, ishin shoqnëus shumë të bezdishëm të rrugës se gjatë që bëja. Kishim mësues të mirë shkodrane, disa prej tyre ishin futbollistë që luanin në vegla muzikore, këndonin mire. I admiroja. Një rast hyni mësuesi i fizikes, vuni karrigen mbi tavoline, levizi drejtimin e tabelës  hapi një skeme, etjera lëvizje. Mori qendrim serioz para nesh dhe na pyeti: çfare bana unë ? etj , etj. Ne heshtëm ndërsa me ne fund ai vete tha: Une bana një punë. Dhe ma tej vazhdoi me shpjegimin ç’eshte puna ?

-Në shkollën e mesme çfar prirje kishe më shumë dhe sa e ëndërroje mësuesinë?

Ndoqa shkollën pedagogjike, dy vjet në “17 nëntori ne Tiranë”, dhe dy vitet e fundit në Elbasan. Edhe atje pata mësues të jashtëzakonshëm. Kur bënim praktike pedagogjike, mësuesi pëkatës ftonte disa miq te tij për te ndjekë orët që unë zhvilloja në fillore. I pëlqente mënyra se si e organizoja orën e mësimit. Vinim drama në skene, luaja mirë futboll. Kisha shokë dhome Loni Papën, Jorgo Bllacin, etj .

 -Në shkollën e lartë ju u dedikuat mësuesisë, mos gaboj në degën e biologjisë. Ku e mbaruat atë. A patët peripeci në rregjistrim në universitet, për arsye biografie etj?

Drejtori i shkollës se mesme në Elbasan, Vasil Kamami i shkolluar në Itali, kishte simpati te veçante per mua, besoj se aty e ka burimin edhe e drejta e studimit që më doli për jashtë shtetit. Ishte pak e paprituar për mua kur më doli e drejta për të vijuar shkollimin e lartë në Bukuresht, pasi unë shpresoja të shkoja në Universitet, në Tiranë por më shumë mendimin e kisha se do të isha mësues filloreje diku. Në Bukuresht studiova për biologji dhe u titullova mësues për këtë lëndë.

 Kur u ktheva ne Tiranë pas studimeve ne Bukuresht, nje drejtues me pati thane: “Kemi gabuar me ty, tashti e dime kush je”. Ndërsa shume shpresa me kishin dhënë për të punuar si petagog në universitet, në Tiranë. Më thane se do të punosh në Konispol. Shkova, por për disa rrethana me mbajtën ne Sarandë. Dy vjet ndejta atje.

 -Kur erdhët për herë të parë në Mirditë. A e kishin njohur më parë këtë treve?

 Në vitin 1964 pasi e mora transferimin nga Saranda, ma deklaruen emnimin e ri në Rrëshen. Nuk kisha qenë ndonjëherë dhe nuk kisha pas rast të njoh mirditorë.

-Si e kujtoni ditën e parë që mbërritët në Rrëshen, kush u priti dhe ku u sistemuat për banim?

Nuk do ta harroj kurre ditën e parë në Rrëshen. Pasi mora emërimin në Seksionin e Arsimit shkova në restaurant. Kur dola jashte vura re se në një lloj lulishteje, që ishte disa shkalle mbi rrugen kryesore ishin 5-6 policë. Me tërhoqi vëmendjen thirrja e njërit prej tyre: “ Ej, a kane dalë gypa sobe në dyqan” E quajta normale këtë thirrje, por dikur kuptovase “lajmetari” e kishte fjalën per pantallonat e mia te ngushta dhe filluan të tallen. U ndjeva keq, e mora si një paralajmerim dhe vendosa që asnjë nga rrobat e kohës si student, nuk do të përdor. Kshtu bana, ua fala vllazenve.

 -Në cilën shkollë jeni emëruar për herë të parë si mësues, kush u’a bëri emërimin dhe si e kujtoni takimin e parë në seksionin e arsimit.

Preng Jakun takova të parin. Ishte njeri i qetë, pa asnje emocion negativ. Ai më priti, me lajmeroi emërimin dhe u ndame. U emnova mësues në gjimnazin e Rrëshenit .

-Si e kujtoni kolektivin e parë, emrat e kolegëve dhe si e komentoni sot shoqërinë e asaj kohe me këta kolegë?

Drejtor shkolle ishte Llambi Papa. Ai gjithmone ankohej sei kishin ba një padrejtësi te madhe nivelet e larta te partisë. Gjithë inatin e tij e shfrynte mbi pastrueset e shkollës, Prena Loci e Marte Pal Gjoka, të cilat nuk kishin asnjë faj por ai vetem mbi ato kishte pushtet. Në atë kohë ishin kryesisht mësues të ardhun. Kin Baqli, Rifat Juka, Gjovalin Dredha e Gjovalin Bajrami, Lula Ndoja, Papadhopulli, Angje Zezaj, Namik Mehmeti, Rudolf Mëhilli, Xhelali i kimise, Xhabir Shurdha, etj. Ishin të këndshem, me humor, secili me specifikat e veta. Ishin edhe mësues vendas, si Mark Jaku, Gjergj Nezha, Preng Cub Lleshi, etj. Me vonë erdhën edhe shumë të tjerë nga Tirana, Durrësi, gjithandej nga Shqipëria.

 -Po me nxënësit, sa ishin të interesuar për mësimin. Si ishte gjëndja e tyre sociale në atë kohë?

Interesante ishte se atëhere ishte mbizotnuese ideja “Të mbarojmë një shkollë të naltë për një punë të mirë dhe rrogë të sigurtë” Kjo e nxiste interesimin e prindit, të cilët i ushqenin fëmijët e tyre me këtë motiv. Ishin të shpeshta rastet kur disa nxënësve u mungonte ky motiv, në formën “sado që të mësoj, kazma më pret” Në Mirditë për arsye që të gjithë i njohim, u krijua një numër i madh familjesh fëmijët e të cilave e kishin të ushqyem këtë motiv fatalisht frenues. Nuk mund të mos provojë keqardhje kur shihje se atyre iu bëhej një diferencim i tillë me pasoja përcaktuese të fateve të tyre në jetë .

-Si punohej që nxënësit të kuptonin mirë lëndën tënde. A kishte laboratorë apo në mungësë të tyre, si bëhej mësimi?

Shkollat e mesme i kishin laboratorët e fizikës dhe kimisë. Gjimnazi i Rrëshenit gjatë gjithë kohës ka pasë mësues të formuem mirë, si të ardhun dhe vendas. Këta të fundit me kalimin e kohes u bënë dominues.

 -Në Rrëshen ju kujtoheni gjatë kohë si mësues i praktikës bujqësore. Si përfundove në këtë degë, apo ishte dhe dëshira jote?

Shumë pak kohë e kam zhvilluar lëndën time, biologjinë. Diploma ime ishte vetëm për mësues biologjie, jo edhe kimi. Kjo më krijoi probleme. Për ta plotësue normën jepja deri edhe mekanikë, që nuk e dija se ku binte me shpi. Shumë kohë unë kryeva funksionin e mësuesit të punës prodhuese. Ajo më tmerronte edhe mua edhe nxenesit. Isha i detyruem t’i fus nxënësit ne hapje gropash, korrje misri, që nuk kishin asnjë vlerë për aftësimin e tyre. Vegla te këqia, baltë, ftohtë, pa asnjë efekt mobilizues. Ishte e vështirë të rueja marrëdhënie të mira me nxënësit në këto kushte. Rendimenti im ishte afer zeros, bile habitesha se si lejohej kjo gjendje, harxho kohë pa asnje vlere. Nëse do të ishin mundësitë konkrete, do të ishte me e lehtë ta angazhoje nxënsin se edhe ai do bindej se po mësonte diçka që mund t’i duhej neser.

Me tregonte njeri se kur isha student ne Itali edhe pse studioja statistikë na dërgonin per te mesuar procese te ndryshme pune neper fabrika. Pata mesuar shume gjera, bile i pata perdor edhe gjatë kohës kur dola nga burgu i Burrelit, për të përballuar nevojat e jeteses se perditshme. Disa vite rresht unë u ngarkova të zhvilloj lëndë që u perkisnin agronomve. Pata vënë re se keto lëndë, te japin mundesi per manovrime shume te suksesshme dhe mjaft te larmishme metodike. Aq shume sa qe ndertova nje material metodik me rreth 3-400 faqe. E moren ne Tiranë, e pelqyen shume, e derguan neper disa shkolla bujqesore te vendit, e pelqyen , u arrit konkluzioni qe duhej botua, por kur do merrej aprovimi ne parti, aty ngeci. U kalua kjo pengese përmes Skënder Gjinushit ministër, por erdhën lëvizjet studentore dhe ra interesi per nje material te tillë.

 -Keni pas ndërtuar një kopësht për shkollën në faqen e “përroit të lumthit”. Si e realizuat atë, sa m2 ishte dhe cilat ishin kulturat kryesore që mbillnit dhe kujdeseshit për to?

Po, e pata ba me qellim që mësuesit agronomë të shkolles te mund te kryenin eksperimente me nxenesit gjate gjithe kohës se vitit, pasi xhamat siguronin ngrohtesine e duhur, sepse ishte ne nje pozicion te favorshem. E pati pa nje antare i byrose politike, i pati pelqye shume por me thane se ishte shprehe se: ‘ Eshte e parakohshme per shkollat tona te mesme” Me patën ndihmuar shume punetoret e seksionit te arsimit, Gjet Doda me koleget e tij.

-Sa ishin të interesuar nxënësit dhe cilin vit kujtonit si më të mirin në prodhimin e kulturave bujqësore në atë kopësht?

Pas shkolles, aty ku qe ngrite me vone nje ndertese banimi, ishte ne fillim kopshti i shkollës. Pata mbjelle gjithfare perimesh, perfshi edhe majdanoz, sallate jeshile, panxhar, etj. Pjesen me te madhe e mbolla me patate. Sekretari i parë i partisë, në mos gaboj Jorgji Shuli, e pa dhe tha të bëhet shembull për të gjitha koperativat bujqësore. Ishte koha kur u dha orientimi per te shtuar siperfaqet me kete bime .

 -Çfar kujtoni për nismat që ndërmerreshin në shkollë, si kujtoni episode, kolegët, drejtuesit etj?

Kin Baqli e Ndue Dona organizonin shfaqje artistike me goxha nivel. Viheshin drama ne skenë nga mësues te ndryshëm.

-Gjatë këtyre viteve ku banonit, te cili pallat. Me cilët ishe komshi dhe si i kishit mardhëniet me to dhe qytetarët në përgjithësi?

 Kam ndërruar gjashte vendbanime. I fundit qe i mirë, diku nga pallatet me parafabrikate, përballe meje ishte familja e Jak Tucit. Kurre nuk kemi pasë probleme me komshinjët.

-Shumë mësues që vinin nga rrethet, pasi bënin disa vite mësues në Mirditë largoheshin. Ju a keni bërë kërkesë të ktheheshit në vendlindje?

Unë nuk kam ba kërkese për t’u larguar nga Mirdita. Më kanë kërkuar në Shkodër dhe në Institutin e studimeve Pedagogjike ne Tiranë, bile disa herë, por nuk është bërë i mundur transferimi, gjithnjë ngecte në nje vend, aprovimi i partisë.

Duke pasur ne CV të tillë, jo shumë solide për kohën, a keni pasur presione nga organet e diktaturës?

Po, kam kaluar dy raste të frikshme që më kanë tronditur jo pak në atë kohë. Me lajmeruan se me daten x , ora …. , te pret kryetari i deges Pandi Kita, ne zyren e tij. E kuptova qëllimin dhe u tmerrova. U pergatita qe te perdor me shume variante per ta kundershtuar thirrjen per te me rekrutuar. Vendosa t’i demonstroj kryetarit nje Fran tjetër nga ai qe mendonte se jam. Shfrytëzova disa gabime konceptuale qe ai bëri gjatë një ore që parashtroi kërkesën. Arrita ta dominoj, ai kishte hap sytë dhe me shihte me habi, “Kush është ky ?” Besoj se e çarmatosa pas nje debati qe zgjati 3-4 ore. Me la te lire, nuk me thirri me edhe pse me tha se do te takoheshim prap. Ne asnje rrethane unë nuk mund te pranoja te bëhesha një hiç.

Po rastin e dytë, pra të atë vijues si e kujtoni?

Natyrisht që e kujtoj. Në një mbledhje të këshillit pedagogjik, ku asistonin sekretari i pare, kryetari i deges, instruktorë dhe ca drejtorë ndermarrjesh, dy individë, njeri pas tjetrit, me deklaruan tiran, diktator. E mora vesh inskenimin, ndoshta donin te me arrestonin ne kolektiv. Me detyruan te flas, u përpoqa te them vetem se qe nje mesues te kthehet ne diktator te mesuesve tjere, eshte gjithanshmenisht e pa mundun, teorikisht dhe praktikisht. Nuk besoj se zuri vend fjala ime.

Pas meje e mori fjalën Nazime Cara, ishte pergjegjse konvikti por edhe sekretare partie. Thashë me vedi kjo po i ve kapakun. Vertete ajo e vuri kapakun, por nje kapak qe mua m’u duk prej floriri. Ajo foli fjalet me te mira per mua, ajo tha se ne krenohemi me kete mesues. Sa mbaroi fjalen ajo, te ardhurit, pa asnje fjale u ngriten ne kembe dhe dolen jashte. Njeri nga ata qe me quajti duktator m’u afrua dhe me kerkoi me lutje ta falja per ate qe beri. E qetesova, “Nuk ke faj, do te jemi miq si ma parë“. Se përse e bani këtë Nazimeja, Kurre nuk e mesova!

 -Pas rënies së komunizmit ju u përfshitë në sferën e diplomacisë. Keni qenë amasador. Ku në cilin vend dhe sa e vështirë ishte puna juaj për ndryshimin e imazhit, ndërsa njiheshim si vendi që kishte kaluar komunizmin më të ashpër në lindje?

Isha ne Bukuresht. Avantazhi im qe se e njihja gjuhen e tyre, deri diku edhe vendin, etj. Sapo shkova lexova dy-tre libra per historine e Rumanise. Zgjerova dijet rreth diaspores shqiptare atje. Ne fakultetin ku kisha studiue gjeta atje si profesorë ish koleget e mij, jo tre apo katër, por diku afer 20 prej tyre. Ata bënë shume organizime mirepritjeje për mua. Me ofruen ndihme. Fjala vjen dy prej tyre e kishin shok presidentin, ndersa dy te tjerë e kishin koleg pune presidentin që do të vinte pas te parit. Njëri nga presidentet pati deklaruar: “Edhe në mesnatë nëse ke ndonje problem, mos nguro të me njoftosh” Ai i fundit, Konstantinesku, me ftonte edhe për ditlindjet e tij, në një rreth shumë të ngushtë . …

Në Rumani ka qene një diasporë shqiptarë me vlerë. Kudo ku shkoja më tregonin histori te bukura me shqiptarët. Historiani i tyre Jorga, shprehej keshtu: “Shqiptarët i kemi kushërinj gjaku” Pra ishte një atmosfere e herëshme pozitive dhe kjo përbënte nje lehtësim në marrëdheniet tona. Mbaj mend dy raste: Kur në Shqipëri kishim nevoje për bukë, apo një rast kur mbetem pa energji, në te dy rastet, ka ndërhyrë vetë presidenti rumun duke dhënë urgjentisht përgjigje pozitive.

-Pas kthimit nga Bukureshti si ambasador, ku punuat më tej?

Dola në pension. U angazhova ta pergatis veten per t’ia ba nje analize zhvillimeve tona paskomuniste. Vuna re se zgjidhjet e dobëta horizontale qe baheshin e kishin prejardhjen nga qe nuk ishin fute themelet e duhuna, nuk ishin realizuar hiç mirë ato qe njihen si zhvillimet vertikale, që përbajnë bazat e zhvillimeve paskomuniste .

-Po në SHBA si mbërritët dhe si e kaloni kohën dhe ditën, teksa jemi pensionistë?

Ka kohë që jam gjithnjë i angazhuem që të mos krijoj gjendje hiçi e boshllëku. Gjej angazhime, evitoj melankoline, ve në lëvizje nostalgjine për gjërat e bukura te së kaluemes, evitoj çdo element që mund te provokoje urrejtje. Përpiqem të ndertoj kritere vleresuese serioze, kërkoj të njoh dimensionet e lirise, baj pyetje dhe kërkoj të jap pergjigje mbi përgjegjshmerine, etj. Mundohem te kuptoj raportet ndermjet trimnise, burrnisë, krenarisë. Kënaqem sa here qëe njihem me njerezit me vlera qe ka pasë Shqipnia në të gjitha kohnat. Këta njerëz nuk kanë qenë një herë, rastësisht, dhe vetem dikun, por përherë, domosdoshmënisht, dhe gjithandej nëpër Shqipni. Përpiqem ne menyre konstante te njoh gabimet e te metat e mija !

Sadoqë Mirdita nuk qe vendlindja ime, ajo u kthye në vendbanimin tim. Të gjithë elementet me te cilet u ndesha aty, më mësuen shumë gjana, m’i përforcuan disa tipare, më bënë të jem i vemendshëm në mendime dhe veprime.

Falemnderit.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share