Studiuesi Mark Palnikaj: Poeti i shquar Ndok Sinishtaj i Grudës, bashkëpunëtor i Martin Camajt në lëvrimin e gegnishtes, si pjesë e vokacionit të tij intelektual

Nga Pirusti News

Homazh teksa më 15 maj 2021, rreth orës 22 e 40 minuta, në një spital të Zvicrës ka ndërrue jetë Ndok Sinishtaj, mbas një sëmundje të rëndë.

Biografia

Nokë (Ndue) Sinishtaj është lindur më 24 gusht 1944, në fshatin Kshevë të fisit Gruda të Malësisë së Madhe, në Malin e Zi, rreth 7 km larg qytetit të Tuzit, në një familje të madhe patriarkale me mbi 60 anëtarë. Ishte i katërti prej trembëdhjetë fëmijë të prindërve Gjelosh Toma dhe Age Uci.  

Ndoka u rrit me shumë bashkëmoshatarë brenda familjes së tij të madhe, ku tridhjetë e tre fëmijë nga kjo familje shkonin njëherazi në shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, Kshevë, ndërsa arsimin tetëvjeçar e mbaroi në qytezën e Tuzit. Ndoka vazhdoi mësimet në Gjimnazin Klasik në Zara dhe Pazin (Ister) të Kroacisë. Vazhdoi studimet e larta për filozofi, teologji dhe letërsi në Rijekë, Zagreb dhe Firence.  

I pajisur me kulturë europiane dhe njohës i pesë gjuhëve të huaja, Ndoka u shugurua meshtar dhe punoi pesë vjet në Guci, Tuz, Titograd (Podgoricë) dhe Traboin (Hot). Nuk u mjaftua me arritjet e tij në studime dhe në vitin 1975 u regjistrua në Filozofi dhe Letërsi Italiane në Universitetin e Friburgut, ku u diplomua në vitin 1981.

I pa bindur ndaj eprorëve të vet për mënyrën si ata shërbenin, i kërkoi Papës lirimin e tij nga detyra, por u mbeti besnik i bindjeve të tij si i krishterë. Me dekret të veçantë, Papa Gjon Pali II, lëshoi urdhërin për lirimin e tij. Shkoi për banim në Zvicër, ku u martua me Znj. Rozmarin Huwiler Sinishtaj, me kombësi gjermane, me të cilën pati dy fëmijë: Djalin Benjaminin dhe vajzën Suzanën.

Si njohës shumë i mirë i disa gjuhëve, ai punoi për një kohë të gjatë si përkthyes në gjykatat e shtetit zviceran. Gjatë kësaj kohe pati njohje me figura të rëndësishme të studimeve albanologjike në Shqipëri dhe në diasporë. Është e njohur miqësia dhe korrespondenca me intelektualin e shquar Martin Camaj, me të cilin bashkëpunoi gjatë në përpjekjet e tij për lëvrimin e gegnishtes, si pjesë e vokacionit të tij intelektual.

Noka botoi libra me poezi dhe prozë në gjuhët shqipe, serbokroate, italiane dhe gjermane. Gjithashtu, ka shkruar vepra në prozë dhe në poezi në dialektin gegënisht dhe në të folurën e  Kshevës së tij. Librat janë të pajisur me shënime dhe përmbajnë spjegime të shumta. Varrimi, simbas amanetit që ai ka lanë me shkrim, u ba në Zvicër ku kaloi pjesën më aktive të jetës së tij.

-Vepra-

Vepra në gjuhën Shqipe:

  1. “Mogilat e Kshevës” (1976)
  2. “Te varret e Kshevës”, poezi (1976)
  3. “Syri i ngujuar”, poezi (1998)
  4. “Në vend të epitafit”, poezi (2002)
  5. “I vetmuar, në kopshtin tim, qaj për të afërmit e mi”,(2002)
  6. “Spirale”, poezi (2003)
  7. “Rekuiem për fshatin tim”, poezi (2005)
  8. “Tetë letra të Martin Camaj”, (2000)
  9. “Nga sergjeni i harruar”, poezi (2007)
  10. “Rrefimet e një prifti të rebeluar”, publicist (2000)
  11. ”Kupa e thyer e heshtjes”,poezi (2010)
  12. “Nën arkada të universit”,poezi (2013)
  13. “Dejka Kujtimesh” , poezi, Tiranë 2014
  14. “Cui Bono” kritikë, Tiranë 2016
  15. “Monologu i Çinisë së Podgoricës”, poezi, Tiranë 2016
  16. “Shqiponja e Grudës Gjekë Gjon Sinishtaj 1894-1938, monografi, Tiranë 2016
  17. “Motive Malësore” poezi, Tiranë 2017
  18. “Ashti i Poetit”, poezi, Shkodër 2020

Veprat në gjuhën Kroate:

  1. More mira u nemiru” (“ Deti i paqës në trazim”), poem (1974)
  2. “Nerastoceni mir” (“Qetësia e patrazuar”), poem (1974)
  3. “Dubrovnik”, poem (1974)
  4. “Apokalipsa Paska s Prokletia”, novel (1977)

Veprat në gjuhën Italiane:

  1. “Rimani amica”, poezi (1977)

Vepra në gjuhën Gjermane:

“Eingewickelt in sein Schweisstuch”, poezi (1994)

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share