Rikthim në Ranoc të Lugut të Drinit, në familjen e Tomë Milicit, me një histori të spikatur atdhetare

Nga Pirusti News

Lugu i Drinit është një trevë e mirënjour  etnografiko – gjeografike e Kosovës e që nis afër së Pejës, me shtrirje në të dyja anët Drinit të Bardhë, për të përfunduar në anën e lindjes së Klinës, deri në kufi me Istogun. Përveç shumë resurseve që mbart kjo zonë, ajo çfar bie mësëshumti në sy është fakti se kjo hapësirë ka qenë e lakmuar gjatë shekujve nga migratorët, sidomos ata nga treva e Mirditës. Aq shumë fise mirditasish ndodhen në këtë zonë, sidomos në hapësirat e Klinës, sa kur je mes tyre kujton se je në Mirditë, ndërsa vendasit jo pa arsye e quajnë veten “Mirdita e vogël”.

Kanë pasur arsye migratorët mirditas që e kanë lakmuar atë zonë, sidomos për fushat e pamata dhe ujin e kulluar të drinit të bardhë, por ata si burra të vërtetë kanë ditur ti dalin për zot vatanit dhe kanë pranuar sfidën që të jenë pararojë në luftërat për mbijetesë jo vetëm ndaj pushtuesit turk, por edhe ndaj bandës famëkeqe ndër më kriminalet ndaj shqiptarëve të shekullit të 20-të.  

Për të mos u zgjatur më shumë në histori, pra për të mbetur në luftën heroike që vulosi përfundimisht çlirimin e Kosovës në luftën e përgjakshme të vitit 1999, Lugu i Drinit dhe mirditasit e kësaj zone nënshkruan me lavdi historinë e tyre. Lugu i Drinit në këtë luftë ishte zonë “tampon” ku serbët synonin ta izolonin të plotë këtë ishull, për të pamundësuar kalimin e armatimit nga Kukësi e Tropoja për në zonat e pamposhtura të Drenicës. Nëse Lugu i Drinit dhe mirditasit e kësaj zone do të qëndronin indiferentë ose më keq…, historia do të fliste ndryshe, por jo, kurrë kjo nuk ndodhi.

Kryetari i kuvendit të komunës së Klinës, z. Fadil Gashi një ndër komandantët më legjendarë e më aktivë e të mirëshkolluar në artin ushtarak, thotë se në Ranoc të Lugut të Drinit klinas, në fortesën e fisit Milici ardhur aty nga Xhuxha e Fanit, nën kujdesin dhe mbështetjen e Tom Milici, UÇK-ja dhe unë pa frikë kemi strehuar trajtuar deri në 1000 ushtarë të cilët niseshin në frontet e luftës.

Pikërisht në këtë luftë dha një kontribut të çmuar lugdrinasi mirditas, legjenda e gjallë e UÇK-së Anton Çuni, ndërsa kanë dhënë jetën shumë mirditas duke e vendosur vehten në altarin e artë të kombit, si Kol Gjon Lleshi, Tunë Mark Lleshi, Zef Memë Lleshi, Zef Prend Lleshi, Gaspër Karaqi, Mark Pal Paluca, e Leonard Paluca. E ndërsa kata u vranë në luftime ballë për ballë me hordhitë pushtuese serbe, të tjerë punonin papushim për transportimin illegal e masiv të armatimit nga Shqipëria për në frontet e luftës çlirimtare të Kosovës. Janë të njohura trimëritë dhe angazhmi i djemve mirditas të Ranocit lugdrinas si  Pjetër Gjergjaj, Simon Rrapi, Leonard Gjergjaj, Gjergj Mirditaj (Kushëriri i Kol Mirditës i cili ishte inkuadruar një ndër të parët në radhët e (UÇK), Martin Selitaj, Gjergj Mirdita, Pal Zef Mirdita, Agron Jaku, Kolë Zymi, Pashk Zymi, Gjergj Simoni, Filip Simoni, Pashk Kola, Pjetër Tanushi, Zef Përnokaj, Gjon Përnokaj, Gaspër Lazri, Albert Lazri, Ndue Ndreca, Gjokë Selmani, Anton Selmani, Nik Ndreca, Arben Kabashi, Anton Lleshaj, Bekim Quni, Pashk Palushaj, dhe Nikë Frroku. Edhe kjo kategori luftarake ishte tejet e survejuar nga shërbimi sekret serb, të cilët herë pas here ndërmerrnin granatime ndaj. Pikerisht në një rast të tillë humbi jetën edhe dëshmori i kombit, Kol Mirdita.

Ndërsa që lufta të finalizohej me fitore, kishte një sektor tjetër mjaft të rëndësishëm, ai mbështetës si me financa, ushqime, trajtim etj. Pikërisht në këtë aspekt vjen kontributi i jashtëzakonshëm i mësuesit të shumë gjeneratave lugdrinase, Tomë Milici, nga fshati Ranoc, me origjinë më të herëshme nga Xhuxha e Fanit, në Mirditë.

Kush ishte Tomë Milici dhe akitiviteti i tij.

Tomë Milici u lind më 1 janar 1958 në fshatin Ranoc të Klinës. Në jetëshkrimin e tij mëson se ai, rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare, liridashësë dhe përparimtare, e njohur jo vetëm në Lugun e Drinit, por edhe në Dukagjin dhe krejt Kosovën. I lindur nga një familje me traditë të lartë atdhetare Toma trashëgoi prej tyre shumë veti solide dhe përparimtare, ndërsa vijoi shkollimin në shkollën e Zllakuqanit dhe vende të tjera. Që herët ai spikati si njeri me edukatë të lartë qytetare, aftësi logjike, guxim të rrallë inteleltual, oratori të jashtëzakonshme, aftësi mobilizuese dhe gatishmëri të lartë për sakrificë. Ishte këmbëngulës dhe i pathyeshëm në angazhimet e tij të vazhdueshme në shërbim të interesit kombëtar”, shkruan miku dhe bashkëluftëtari i tij, kolegu i arsimit profesor Shabanaj, i cili në vijim theksoi se në kohën e okupimit serb në Kosovë, Tomë Milicaj me shumë bashkëpunëtorë, doli hasptaz e guximshëm në ballë të angazhimeve e kontributeve të shumta si anëtar i devotshëm i LDK-së, që fillimisht ishte lëvizje politike e kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, nën drejtimin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

“Toma u printe aksioneve të shumta të solidaritetit për të siguruar mbijetesën e familjeve në nevojë. Pastaj në mbrojtjen e shkollës shqipe, veçanërisht ia vlen të theksohet kontributi i tij i madh për ofrimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve të mësimit për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës, punkti në Zllakuqan. Angazhimi i tij ishte i pandalshëm pavarësisht rrethanave të luftës. Ai vazhdoi pa u ndalur në përkrahje të popullatës në zonat të luftës, duke iu ofruar artikuj të domosdoshëm që ngrumbulloheshin në atë kohë nga këshillat e caktuara lokale dhe komunale. Në kohën e luftës në Kosovë, në shtëpinë e tij, sikur edhe në shumë shtëpi të tjera, kishte strehuar shumë të përndjekur nga vatrat e tyre, ku veçmas u dallua në ofrimin e ndihmave për të zhvendosurit nga Mitrovica me rrethinë. Edhe pse në një kohë, edhe ai vetë me familje ishte përndjekur dhunshëm nga shtëpia e tij, por nuk e lëshoi Kosovën për asnjë çast. Pas lufte, kur agoi liria e shumëpritur në Kosovë, Toma vazhdoi pa u ndalur angazhimin për sanimin e pasojave të luftës, që vëreheshin në çdo mes, për çka ai gëzonte respekt të madh nga të gjitha shtresat e popullit. Si rezultat i meritave të tij dhe respektit që gëzonte ai në zgjedhjet e para të lira e demokratike në Kosovë, me votën e lirë të popullit u zgjodh anëtar i AK të Klinës, ku ishte shumë aktiv në angazhimet për të ecur para dhe gjithmonë duke i kritikuar dobësitë dhe pengesat e paraqitura kohë pas kohe.

Tom Milici u prej nga një sëmundje e rëndë, por edhe pse në atë gjëndje inicioi një akt bamirës shumë të vleresuar kur nisi një furgon me libra, lapsa e fletore si ndihmë për nxënësit e shkollës “Ndrec Ndue Gjoka” në krahinën e origjinës, në Fanë të Mirditës. Ai mbylli sytë përgjithmonë në gusht 2019, në një moshë të pa përshtatshme.

Akademia e Artit, Shkencës dhe letrave “Mirdita” i akordon titullin e lartë “Ndrec Ndue Gjoka” për kontribut të çmuar në arsimin e Kosovës.

Vetëm një ditë përpara se të mbërrinim në Ranoc, AASHL “Mirdita” në një ceremoni mjaft impresionuese kishte akorduar një çmim të tillë për një mësuese të lindur në Prishtinë Vezire Gjeraku Mezimi dhe që kishte kontribuar për më shumë se pesë dekada në vise të ndryshme të Shqipërisë deri kur kishte kaluar në amshim. Ndërsa rradha ishte për një mësues me origjinë nga Fan ii Mirditës në Shqipëri që i kishte kushtuar jetën arsimit të fëmijëve të Kosovës deri kur dhe kur ky kishte kaluar në amshim. Kjo e bënte më interesant këtë fakt, pasi janë mësuesit ajo plejadë e shkëlqyer që gjithmoni kishin ditur të shkrinin kufinjë e dhunshëm mes shqiptarësh.

Përfaqësia e Akademisë “Mirdita” e përbërë nga Pjetër Marku, unë Aleksandër Ndoja, Kastriot Kola (Milici), Dod Ndreca nga Klina si dhe Murat Ajvazi dhe Dan Ibrahimi nga Prishtina mbërrijmë në Ranoc të Lugut të Drinit, në  vendbanimin Milicaj. Janë me dhjetra banorë të këtij fisi, por edhe miq e bashkëfshatarë që nap resin. Më herët këtu kanë mbërritur kryetari i kuvendit te komunës së Klinës z. Fadil Gashi, N/kryetari i kësaj z. Besim Hoti, ish kryetari i Komnës Klinë, personaliteti i shquar i kësaj ane dhe activist i mirënjohur për kthimin e eshtrave të vrarëve kosovarë nga varrezat massive në Serbi, z. Prenk Gjetja, si dhe miq  nga sfera e arsimit të Tomë Milicit.

Në një atmosferë mjaft interesante e merr fjalën z. Pjetër Marku i cili në emër të akademisë fillimisht ngushëlloi familjarët për ndarjen para kohe nga jeta të z. Tomë Milici. Z. Marku bëri një përshkrim të shkurtër të AASHL “Mirdita”, rolin e saj si dhe aktivitetet e shumta promovuese dhe identifikuese të vlerave kombëtare të mirditasve. Bazuar në protokollin e Akademisë “Mirdita”, Ai ka kërkuar që unë në rolin e sekretarit të Akademisë “Mirdita” tu dorëzoj titullin e lartë “Ndrec Ndue Gjoka” djalit të z. Pjetër Milici. Në fjalën vijuese theksova rolin dhe të drejtën ligjore për akordimin e një titulli të tillë njohur me vendim gjykate, ndër titullin ia delegova kryetarit të kuvendit komunës së Klinës z. Fadil Gashi për ta dorëzuar të pasardhësit e mësuesit Tom Milici.

Pjetër Milici në emër të gjithë familjarëve ka falenderuar përzemërshisht Akademinë “Mirdita” për nderin që i bëhet babait të tij, pas vdekejes. Në vijim, kryetari i kuvendit të komunës Klinë z. Fadil Gashi, tha se çdo familje do të ishte e nderuar ta kishte një Tomë në mes tyre, por iku dhe na la në kohë e moshë të pa përshtatshme.

Nje fjalë mjaft emocionuese ka mbajtur edhe N/kryetari Hoti i cili ka bërë një përshkrim më të detajuar të jetës dhe veprës së patriotit dhe mësuesit Tomë Milici. Edhe ish kryetari Prenk Gjetja vlerësoi punën dhe përpjekjet e Akademisë “Mirdita” për evidentimin e vlerave mirditase të Lugut të Drinit, dhe vlerësimin e tyre. Ndërsa dr. Nikoll Loka ka bërë një ekspoze të vlerave të mëdha të lugdrinasve mirditas, duke i cituar ata me emra sipas kontributit në luftra të hershme dhe të vona, për mbrojtjen e trojeve të përbashkëta.

Herë pas here në sfond vinin tingujt e këngës së Kastriot Kola (Milici) të cilat evidentonin historinë dhe veprat e kullës së Milicit, në Kosovë dhe në vise të tjera kombëtare, por edhe në diasporë.

Nëse koha ecte me shpejtësi me komunikime mes vëllezërve nga treva të ndara dhunshmë nga okupuesi, Pjetër Marku zbuloi se një vlerësim ishte parashikuar edhe për dom Ben Zymin, prift nga Ranoci i cili për shumë vite ka shërbyer në Mirditë. Ai u vlerësua nga Akademia “Mirdita” për kontributin e tij të pamatë në vendosjen e urave lidhëse mes mirditasish të Kosovës dhe Shqipërisë. Çmimin e akorduar për dm ben Zymin e ndau z. Murat Ajvazi, anëtar i këshillit botues të revistës “Mirdita” njëherit dhe kryetar i Lidhjes së Historianëve Shqiptarë me seli në Zvicër. Takimi u mbyll me shpresën dhe urimin se mirditasit do të jenë gjithmonë sëbashku, pa pyetur aspak për kufinjtë mes tyre, mbajtur në këmbë nga rezolutat pa asnjë efekt, port ë ndikuara ende nga historitë e mbrapshta anti shqiptare.  Në fund të aktivitetit grupi drejtues i Akademisë “MIrdita” u ndalua në qytetin e Klinës në nderim të Anton Çetës, duke bërë homazhe pranë bustit të tij, të sapo inaguruar në qender të qytetit.

Përgatiti: Aleksandër Ndoja

Klinë më 30 maj 2021

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share