Vela është ndër vendbanimet e hershme të Mirditës, përmendet në dokumentet historike që në viti 1391. Në një dokument venecian të vitit 1458, Vela përmendet si pjesë e zotërimeve të familjes së Nikollë Dukagjinit. Në veri-perëndim të Velës ruhen gjurmët e një fortifikimi, që në traditën vendase njihet si “Kalaja e Kepthit”. Në perëndim të Rrejes (Velës-Kryezezit) dhe në veri të Qafë-Munazit ndodhet “Kepi i Qytezës”, ku ruhen rrënojat e një fortifikimi, me shumë gjasa i antikitetit të vonë.
Në Velë janë ruajtur permes rrënojave dhe toponimeve 4 kisha:
kisha e Shëlbuemit, kisha e Shën Prendes, kisha e Shën Llezhdrit dhe kisha e Shën Shtjefnit.
Kishat e Shëlbuemit (Sancti Salvatoris in Vello) dhe Shën Prendes (Sancte Venere in Vello) përmenden në letrën e Papës Gregori XII, drejtuar Arqipeshkëvit të Tivarit, e cila mban datën 23 maj 1407. Është fjala për grindjen ndërmjet Dioqezës së Arbërit dhe asaj të Lezhës për përkatësinë e disa kishave që pretendohen nga të dy palët.
Shën Llezhdri i malit të Velës (San Alesandro sul monte di Velia) përmendet në relacionet e fillim shek. XVII.
Kisha e Shëlbuemit përmendet në mënyrë konstante nga relatorët e shek. XVII, XVIII, XIX, etj, si San Salvatore di Velia, kishë famullitare e Velës.
Përmendet në relacionet e B. Orsinit në vitin 1629, F. Bardhit në vitin 1636, B. Orsinit në vitin 1638, M. Skurës në relacionin e pas vitit 1644, G. Vladanjit në vitin 1672, V. Zmajeviç në vitin 1703, G. Gallatës në vitin 1735, A. Kryezezit në vitin 1753, M. Kryezezit në vitin 1789, N. Malcit në vitin 1800, etj.
Në vitin 1753, sipas relacionit të A. Kryezezit, famullia e Velës kishte 125 shtëpi me 982 banorë. Në vitin 1789, sipas relacionit të M. Kryezezit, kishte 145 shtëpi me 916 banorë. Në vitin 1801 kishte 120 shtëpi, etj.
Në Velë është hapur nga klerikët françeskanë një nga shkollat e para shqipe (viti 1632). Shkollat e Kurbinit dhe Velës, ishin ndër diskutimet e Kuvendit të Arbënit të mbajtur me 14-15 janar 1703 në kishën e Shën Gjonit në Mërqi të Lezhës, me ndihmën e papës me origjinë shqiptare, Klementit XI, e me organizimin e Arqipeshkëvit të Tivarit V. Zmajeviç. Ndër vendimet e këtij Kuvendi ishin hapja e shkollave, botimi i librave në gjuhën shqipe, etj.
Në relacionin e pas vitit 1644, drejtuar Kongregacionit të Propaganda Fide, Arqipeshkëvi Mark Skura, ndër të tjera shkruan:
“…. ka Shëlbuemin e Velës dhe Shëlbuemin e Rubikut, që të dyja tashti kuvende t’etënve minorë observantë të Shën Françeskut, Shëlbuemi i Rubikut motit ka qënë abaci (benediktine) me rentë të madhe.”
Në vitin 1720, sipas regjistrit Porvincial të Lezhës, në krahinën e Mirditës kishte 5 kuvende Françeskane: Shëlbuemi në Rubik, Shën Llezhdri në Orosh, Shën Mëria në Ndërfanë, Shëlbuemi në Velë dhe Shën Mëria në Kaçinarë.
Në Velë ka qëndruar për disa kohë me rezidence Ipeshkëvi i Dioqezës së Lezhës.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”