Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Kontributi i krahinës së Mirditës në vitet e kryengritjeve për pavarësi. Ngritja e flamurit kombëtar në Rubik me 1 dhjetor 1912.

Nga Pirusti News
11 361 Shikime

Nga: Juljan VLASHI

Ngritja e flamurit kombëtarë në Rubik, tre ditë pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, është ndër ngjarjet e rëndësishme të historisë krahinore, që i bën nderë Mirditës, duke patur parasysh vendin dhe rolin që ka patur Rubiku me kuvendin françeskan në lëvizjen kombëtare.

At Pal Dodaj, që ka shërbyer për shumë vite në kuvendin françeskan të Rubikut, e ka luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e levizjes për pavarësi, në kujtimet e tij, ndër të tjera shkruan: “Kuvendi Rubigut, u ba, jo veç nji ndër ma të parat qendra fetare, por edhe një çerdhe lëvizjesh kombëtare, shpresa e mbroja e atij populli të urtë, strofull çashtjesh me ma randsi…” Ndërsa në revistën “Hylli i Dritës” botim i vitit 1940, thuhej: “Kuvendi i Rrubigut, kohën e Turqvet të Ri, ka kjenë qandra e lëvizjeve kombtare, që kah Bregu i Matës, Kruja, Durrësi, Tirana etj, u zhvillojshin për lirinë e Shqipënisë.”

Mirdita është ndër krahinat me një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e qëndresës dhe kryengritjeve në vilajetin e Shkodrës në vitet 1910-1912, duke mbajtë edhe një peshë të madhe të luftimeve. Sipas dokumenteve të kohës, kryengritjet antiosmane në drejtimin e Kol Tomës së Velës, kanë filluar që në mes vitin 1910. Në një artikull të botuar në revistën “Hylli i Dritës”, Dom Nikoll Kimza, ndër të tjera shkruan:

“Kol Toma e Ded Gjo’ Luli kjene n’Shqypni nder ma t’parët atdhetar; kjenë dy shqype qi nder ma t’parat fluruen për liri t’Atdheut, por flatrat e ktyne kjenë popujt qi trimnisht i ndoqën, u ndigjuen e kamë për kamë me kta derdhën gjakun për liri t’Shqypnis.” Në fillimvitin 1911, Preng Marka Prenga, bajraktari i Oroshit, me fjalën dhe mbështetjen e abatit të Mirditës, Prend Doçi, ngriti flamurin e kryengritjes. Me 6 Prill 1911, në kuvendin e Kalivares u krijua komiteti krahinor i kryengritjes me kryetar, Preng Marka Prengën.

Me 27 prill 1911, mbahet një kuvend i rëndësishëm në Kimëz të Spaçit, ku marrin pjesë pëfaqësues nga disa krahina të Shqipërisë veriore, ku u vendos për krijimin e një Qeverie të Përkohëshme. Në Aktin e “Qeverisë së Përkohëshme të Kimzës”, siç njihet në dokumentacionin historik, të hartuar me 27 prill, ku nënshkruan përfaqësues nga disa krahina, ndër të tjera thuhej: “Të nënshkruemt tuj menue çi gjith populli jan Komi shqyptar s’i të kshten si muamedan, ka gjith t’drejtat e arsyenat’ çi me neltue e me e mallnue si shtet, t’lir e n’vedi Komin e Shçypnis… Çeveria e Perteshme ka me u menue për luft e për liri të plotë e për formë t’çeveris t’përgjithshme..” Pas kuvendit, në fillim të qershorit kryengritësit sulmuan garnizonin osman në Lezhë, ku arritën të merrnin qytetin e të ngrinin përkohësisht flamurin kombëtar, por mungesa e armatimit i detyroi ta lëshonin përsëri. Në vitin 1912, Mirdita bani marrëveshje me Kurbinin, malësorët e Breg-Matës, Krujën, Tiranën, Zadrimën, Malësin e Madhe, Pukën, Lumën, Matin e Dibrën, për veprime të përbashkëta.

Në vitin 1912, në krahinën e Mirditës u mbajtën disa kuvende të rëndësishme krahinore e ndërkrahinore, ku malësorët u besëlidhën për vazhdimin e kryengritjes deri në lirimin e plotë. Me 3 maj 1912, paria e Mirditës u mblodhën në kuvend në Shpal. Me 5 maj, u organizua një tjetër kuvend në Rubik. Në ditët e para të majit 1912, në shumë vende që ndanin Mirditën nga Zadrima, u banë luftime të përgjakshme, mes kryengritësve dhe forcave osmane. Me 11 maj u mbajtë kuvendi i Zejmenit me përfaqësues nga 12 bajrakët e Mirditës, Bregu i Matës etj, gjithsej 30 veta, ku u morën disa vendime të rëndësishme. Me 15 maj u mbajt kuvendi i Përlatit, me përfaqësues nga Mirdita, Mati e Dibra, dhe u vendos për veprime të përbashkëta në rast nevoje.

Kuvendi më i rëndësishëm ishte ai i fillim grushtit 1912 në Rubik, ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë veriore, e më gjërë. Në kuvendin e Rubikut, u hartua projekt-statuti (apo Memorandumi) me 8 pika që do ti paraqitej mbledhjes së përgjithshme që do të mbahej në Shkup. Ky Memorandum qe hartuar nga Imzot Luigj Bumçi, Imzot Gjergj Koleci, At Gjergj Fishta, At Pal Doda etj. Në kuvend u caktuan përfaqësuesit që do shkonin në kuvendin e përgjithshëm të Shkupit, ndër ta: kapidan Marka Gjoni me parinë e 12 bajrakëve të Mirditës, Abdi Toptani si përfaqësues i Krujës e Tiranës, Mano Begu i Lezhës, Dan Hasani nga Shkodra, Gjin Pjetri i Kurbinit, etj, gjithsej 40 veta.

Luftime mes kryengritësve mirditas dhe forcave osmane në vitin 1912, u zhvilluan nga Vau i Dejës në Grykë të Gjadrit, në Kreshtë e deri në malin e Velës, në malet e kodrat që ndanin Mirditën nga Zadrima. Në Pllanë, në luginën e Fanit, në Breg të Matit, e në të tjera vende. Ishin kryengritjet e njëpasnjëshme, bashkëpunimi e bashkëveprimi mes krahinave, besëlidhjet ndër shqiptarë duke lënë mënjanë dasitë fetare, çka paraprinë kryengritjen e përgjithshme kombëtare, e më pas shpalljen e pavarësisë me 28 nëntor 1912, ditë që është rrënjosur thellë në kujtesën historike të kombit shqiptar.

Në këtë periudhë, një kontribut shumë të rëndësishëm pati kapidani i Mirditës, Preng Bib Doda. Në “Përlindja e Shqipëniës” Viti I, Nr. 33, botim i dhjetorit të vitit 1913, ndër të tjera thuhej: “…Shkëlqesa e tij Preng Bib Doda, një nga krenët ma të përmenuna të Shqipënies, sikundër dihet, ka punuar e asht përpjekun shumë për të prurë këto ditë të bardha të liriës, të cilat i shohim sot.”

Me 1 dhjetor, tre ditë pas shpalljes së pavarësisë, në Rubik u ngrit flamuri kombëtar në shkëmbin e kishës së Shëlbuemit. Gjatë ceremonisë, foli At Pal Doda dhe paria me pjesëmarrësit e tjerë, u besatuan për bashkim me Qeverinë e Vlorës. Në revistën “Hylli i Dritës”, botim i vitit 1937, duke ju referuar kësaj ngjarje të rëndësishme të kohës, thuhet: “Emz. Kaçorri e Luigi Gurakuqi me ‘i herë shkruen letra, and e kand Shqypnis. Qandrra e komunikimeve politike, mund të thohet, se ishte për anë të veriut kuvendi i Rrubigut. Me’1 Dhetuer, pra mbas tri ditsh, at Pal Doda, atëherë i pari i atij kuvendi, muer edhe ai prej dy të naltpërmendunve lajmin e gzueshëm. Frati s’ mujt m’ u pritë prej knaqsijet, por’ muer letrën e duel në uritsore e ju a lexoi të madhe malsorve, qi gjindeshin n’ oborr të kuvendit. Malsorët t’a ndiemen, se kish dalë Shqypnija në veti, ia dhan batare (pushkë). Ushtoi lugina prej pushkësh e me nji herë u hap lajmi i gzueshëm prej bregut të Fandit e deri në Kulme të Dervendit e gjithkund nëpër Mirditë.”

At Pal Dodaj, në kujtimet e tij, e përshkruan kështu ngjarjen: “Erdhi Preng Nikolli, nji ndër shërbëtorët e kuvendit, me nji grumbull letrash në dorë, qi, të gjitha m’ishin drejtue mue, masi kishin kalue fusha, male e i mi rreziqe… Ndër letra të ndryshme drejtue Emzot Prend Doçit, kapidan Marka Gjonit, Bajram Currit, etj, nji ishte edhe për mue. Ishin Emzot Kaçorri e Luigj Gurakuqi ata qi mshkruejshin, tuj lajmue ndodhjen e madhnueshme, krye prej sish nën kryesi të plakut të Toskënis, Ismail Qemalit, ditën 28 nanduer, e tuj mu lute me i nisë sa ma pare letrat tjera e me përhapë sa ma shpejt lajmin… Në oborrin e kuvendit, tan gëzim e za të naltë lexova letrën, e kur e muerën vesh malësorët lajmin e gëzueshëm, nuk priten tjetër, veç me armë në krah sikur ishin, ia dhanë me batare (pushkësh) pa pushue. Kjo kishe me thane, do të jetë kenë ma i pari kremtim, qi do të jetë ba në nderë të të çpallunit të pavarësisë e flamurit kombëtar… Pushka vlote gjithkah bregut të Fandit, Kulmes së Dervenit, e gjithkund nëpër Mirditë… Ky popull, kurr nuk u gjet ma gadi sidomos ka pushka e ka fisheku, e madje edhe ka zemra, q’i për liri t’atdheut i rrihte edhe ma gëzueshëm.”

Me 4 dhjetor, në Rubik u mbajtë një tjetër kuvend i rëndësishëm, ku morën pjesë: Abati i Mirditës Prend Doçi, At Pal Dodaj, Imzot Gjergj Koleci, Dom Dod Koleci, paria e 12 bajrakëve të Mirditës, përfaqësues të Zadrimës, Breg-Matës, etj. Në kuvend u theksua fakti i rëndësisë së shkëputjes nga perandoria osmane dhe vetëqeverimit, por Abat Prend Doçi i druhej rrezikut sllav. Ndër të tjera u dakortësuan për të thirrur një kuvend më të gjërë në Orosh, me 15 të atij muaji, ku do merrnin pjesë kleri katolik me parinë e Mirditës, Kurbinit, Krujës, Zadrimës, Pukës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe, etj.

Në ditët e para të dhjetorit, u ngrit flamuri kombëtar edhe në Bushkash nga paria dhe famullitari At Marin Sirdani, e ndërsa me 25 dhjetor, u ngrit flamuri kombëtar tek kisha e Shën Vlashit në Malaj, nga paria e Kthellës dhe famullitari Dom Mikel Lezhja.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest