Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Flet ish-maturantja Zyra Ahmetaj, ju rrëfej çdo detaj të të datës 31 gusht 1975 në “Majë Malthi”.

60 gjimnazistë përfunduan në greminë, katër humbën jetën

Nga Pirusti News
9 970 Shikime

Në angazhimet jo të pakta në kuadër të revistës “Mirdita” dhe Akademisë së Artit, Shkencës dhe letrave “Mirdita” brenda dhe jashtë vendit, individë të ndryshëm shpeshherë më kanë shkruajtur se kemi lidhje me Mirditën, anipse emri apo besimi i shfaqur nuk ka konvenuar. Në fakt migrimi i shumtë i mirditasve në shekuj, sidomos në trevat e Daradanisë e deri në shtete të tjera ballkanike përfshirë dhe Kalabrinë ka bërë që në disa raste jo të gjitha zakonet, besimi apo ide të tjera të origjinës të jenë ruajtur. Por kjo në asnjë rast nga ana jonë nuk është parë si pengesë komunikimi, pasi një mirditas i madh Pashko Vasa, nga Bulgëri (Rubik) ka lënë një shprehje jo vetëm lapidare por gjthmonë aktuale si “Mos shikoni Kisha e Xhamia, se Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Një shprehje e tillë se kam “gjak mirditemë vjen në postën time elektronike” nga një qytetare me emrin Zyra Ahmetaj, nga Tropoja. Pa vonuar, pasi shikoj në proflin e saj se ndodhej mbi një karrocë paraplegjike, i drejtohem për më shumë informacion për lidhjet e saj të gjakut me Mirditën….

Jo më thotë ajo, unë nuk kam lidhje genetike me mirditas, por një herë e një kohë, dejet e mija dhe çdo kapilar deri dhe zemra natyrisht, është mbushur me gjak mirditasish në spitalin e Rrëshenit, e falë këtij gjaku të dhuruar bujarisht, unë sot jetoj. Pa vonuar më thotë se, edhe pse kanë kaluar plot 46 vite nga ai fundgusht i nxehtë i vitit 1975, kujtoj mirditas në rradhë në oborrin e spitalit që jepnin gjak pafund që ne, rreth 60 gjimnazistëve të Tropojës të shpëtonin nga ai aksident fatal në kthesat e ashpra të Majë Malthit, në Shpal të Mirditës.

Pikërisht pas kësaj unë i kërkova të ndaje me lexuesin çdo detaj të asaj ngjarje të rëndë të 31 gushtit 1975, ngjarje që tronditi oponionin mbarë kombëtar, e sidomos komunitetin e banorëve të Tropojës dhe Mirditës.

Shënim: Rastësia ndiqet nga një tjetër rastësi. Teksa sot në orët e para të ditës po konsumoja një kafe miqsh me autorin e disa librave, Ndue Lleshaj biseda rodhi natyrshëm te intervista që më duhej të përfundoja pasdite. Ndue Lleshaj me qetësi olimpike hap çantën dhe nxjerr një libër të sapo botuar me titullin “Rrokullisje”. Është roman i cili bazohet pikërisht në këtë ngjarje e cila do të kujtohet gjithmonë nga komunitetet e Tropojës dhe Mirditës

-I N T E R V I S T A-

Kush është Zyra Ahmetaj, një përshkrim i shkurtër?

Jam Zyra Ahmetaj e datlindjes 14 prill 1956 në Fshatin Kepenek, Lokaliteti Pac, Tropojë. Kam mbaruar me rezultate të larta në mësime, Shkollën e Mesme Bujqësore “16 Tetori”, në Tropojë. Jam invalide paraplegjike që nga 31 korriku i vitit 1975. Jam krijuese letrare dhe kam botuar 6 tituj librash poetik. Kam në proces botimi një libër studimor për etnosin kulturorë të Tropojës, një libër në prozë dhe një tjetër me poezi. Kam botuar në gjuhën italiane një libër me poezi të zgjedhura nga krijimtaria ime. Jam e apasionuar pas leximit, studimit autodidakt, pas formimit të një koleksioni rrobash dhe plot kostumeve të reja kombëtare të rrethit tonë dhe më gjerë si stiliste e këtyre kostumeve.

Jam aktiviste shoqërore në drejtimin e Shoqatës, Para dhe Tetraplegjike të Shqipërisë, për Qarkun Kukës. Kam realizuar për 7 vite një kurs falas të Gjuhës Angleze për dy grupe nxënësish si kordinatore vullnetare e K.O.A.SH.etj..

Në kontaktin e pare, ju u shprehët se kam respektë të jashtëzakonshëm për Mirditën dhe se në dejet tuaja rrjedh gjak mirditasish. Pse?

Unë kam dashuri pa kufi për çdo molekulë të Atdheut tim real, për Iliridën tonë të lashtë me një komb të fortë, me gjuhë Perëndie, me kulturë të hershme dhe me plot resure historike.

Vertetë jeta ime ka rilindur më 31 korrik 1975, pas aksidentit që pësuam, ne nxënësit e Shkollës së Mesme Bujqësore “16 Tetori” Tropojë, duke u kthyer nga aksioni kombëtar në Metalurgjik të Elbasanit, si pasojë e të cilit humbën jetën 4 veta; tre të rinj; Hasan Qelia, Drane Nikaj, Hatixhe Mulgeci dhe shofer Meti. Unë kisha plagë të shumta dhe njërën në pulpën e këmbës shumë të thellë që do të kisha ndërruar jetë nga gjakderdhja e tyre, po të mos ishte angazhimi maksimal i personelit mjeksor dhe sidomos vullnetarizmi i popullit mirditor që sapo morën vesh për aksidentin tonë, erdhën si diej shpëtimi, për të na dhuruar gjakun e tyre. Ishim të shumtë ata që kishim nevojë për gjak dhe spitali, një katastrofë të tillë aksidentale, nuk mund ta përballonte me gjakun që kishte gjëndje. Unë i shpëtova vdekjes prej fisnikërisë dhe bujarisë ekselente të mirditorëve që më dhanë gjakun e tyre. Kështu unë e kam gjakun e përzier me Mirditorët, por e kam krejt jetën, fal fisnikërisë së tyre.

Kudo kam rastisur me mirditor, ju kam treguar me mirënjohje dhe dashuri që kemi gjak të përbashkët.

Le të kthejmë pak në kohë, një vajzë nga fshati Kepenek që është dy orë me makinë, pa llogaritur që atëherë komunikacioni ishte shumë i vështirë, fillon shkollën e mesme në Tropojë si konviktore? Sa e inspiruar ishit nga prindrit tuaj?

Prindërit tanë kanë qënë shumë arsimdashës dhe nga gjendja jonë politike që na kishin etiketuar si të prekur politik, ngaqë xhaxhai i babait qe detyruar të arratisesh në Kosovë që ishte nën pushtetin jugosllav, prej një pabesie që i bënë pushtetarë të asaj kohe, vetëm se ishte i arsimuar dhe shumë më i zoti se ata, prindërit e mi kan luftuar shumë për të na siguruar vazhdimin e shkollave.

Vertetë ishte koha kur nuk preferonin shumë ti çojnë vajzat në shkollë, por babai im thoshte, (sa akoma s’ishte provuar me pengesat për t’ju dhënë të drejtën e studimit vëllezërve, pasi vëllezërit janë pas ne dy motrave), që çikat kam qef ti çoj me patjetër në shkollë, mbasi po mësojnë mire dhe të ken një zanat, se edhe si femra që janë, kan më pak forcë fizike për të punuar. Vetëm mua dhe vëllait të vogël na dhan të drejtën e studimit për shkollën e mesme, pa patur pengesa.

Cfar kujtoni nga jeta shkollore, përpara se të vinte viti i fundit, viti fatal për disa nga maturantët tuaj?

Kujtimet janë të shumta, kujtime të një jete në moshën më të bukur dhe të një jete të përbashkët me shoqet dhe shokët, pasi ishim konviktor në Tropojë, ne që kishim ardhë nga fshatrat e rrethit tone që ishin pak më larg nga fshati Tropojë. Unë jam rritur në një familje të vyrtytshme, shumë punëtore, e ndershme dhe e vertetë. Prindërit tanë na mësuan me jetën e tyre si të jetojmë, si të sillemi, pa na këshilluar pothuaj fare. Në atë konvikt dhe atë shkollë ishim si vëllezër dhe motra. Bënim një jetë shumë aktive, me sport, gjimnastikën, sapo ngriheshim nga krevati, studimin e përditshëm, organizonim shpesh mbrëmje vallëzimi dhe për këto mbrëmje shpesh, unë i kam organizuar, pasi më pelqen muzika, vallëzimi dhe kultura.

Ne bënim edhe eskursione të ndryshme. Shpesh bënim aksione ditore. Kushtet e konviktit ishin shumë të vështira. Muri mbante shum lagështirë. Kur ngriheshim në mëngjes dhe e vinim dorën sipër batanijeve kishte bula uji lagështire. Kemi patur grupin tone artistik të kompletuar. Edhe të dielën që disa shkonin në shtëpitë e tyre, se i kishin më afër, unë shkoja te dajët e mi në Viçidol, pasi nuk premtonte koha dhe nuk kishte automjete për të shkuar brënda një dite në fshatin tim. Në shkollën tone mësuesit kan qënë shumë të pregatitur si Osman Islami që na befasonte kur thoshte për regjimet e vendeve të tjera që kan regjimin e tyre, pa u distancuar, apo pa i etiketuar siç na mësonin në ato vite për kapitalizmin dhe revizionizmin.

Ali Bajraktari ka pas realizuar një kabinet biologjie që ka qënë vlerësuar si ndër më të pasurit në shkallë vendi. Kishim mësues Bashkim Ramën, që ishte një arsimtar korrekt me shfytëzimin e orës së mësimit dhe një vlerësues i drejtë ndaj nesh. Kishim mësues, Musa Goçin në vitin pare për matematikë. Ndersa më vonë kemi patur mësues Hazir Berishën. Mësuese rusishtje kishim Time Dautin, një zonjushë fantastike, Rrustem Dervishin nga Tirana, Kemi patur mësues Sadri Oruçin. Mësues Muçin etj. Drejtor kemi patur Selim Berishën.

Ne bënim përveç lëndëve të mësimit edhe lëndën e stervitjes ushtarake. Ishte e mundimshme, por në atë kohë njerëzit thoshin:-Jemi shokë zbori ushtarak që do të thoshte, shokë vështirësishë. Me shaka këndonim siç ka qënë një këngë atëherë: -A do vish sivjet në plazh,… Nuk do të vi, se kam tranazh…..Vetë isha e vendosur të dalë me rezultate të mira dhe të vazhdoj studimet e larta dhe nuk u dashurova me ndokënd, përveç ndonjë simpatie, por kur dashuroheshin të tjerët, i kam parë me simpati dhe ka ndodhë që më tregonin nga njerëzit e parë që ju thoshin.

Pse u vendos që nxënësit e shkollës tuaj të shkonte në aksion veror? Kush u’a komunikoi një vendim të tillë?

Në fakt në ato vite të gjitha shkollat e mesme bënim një muaj punë prodhuese, për të plotësuar trekëndëshin:-Mësim, punë prodhuese dhe edukim fizik dhe ushtarak. Ne të shkollës tonë e kishim bërë muajn e punës prodhuese brënda vitit shkollor, por nga vitet e treta tonat shfaqën inisiativën për të shkuar në aksion. Gjimnazistët nuk e kishin realizuar muajin e punës prodhuese dhe ishte planifikuar ti çonin ata në aksion, por ata të seksionit të arsimit dhe Komiteti i Rinisë së rrethit tonë, na çuan ne, dhe shlyhesh puna e atyre. Na e komunikuan nga drejtoria e shkollës sonë.

Kur u nisët në aksion dhe ku përfunduat, Çfar bënit në aksion dhe sa qëndruat aty?

Mbrëmjen e maturës e bëmë me 30 qershor, duke festuar gjer në ora 4 të mëngjesit, jemi ngritur në ora 6 të mëngjesit dhe u nisëm për aksion, ne maturantët dhe nxënësit e dy viteve të treta që sapo e kishin mbaruar vitin shkollor. Në aksion ishim shumë brigada aksionistësh nga shkollat e mesme të të gjithë vendit. Ne vajzat e Tropojës ishim në një dhomë me vajzat e Librazhdit. Ne punonim në hekurudhën brënda Kombinatit Metalurgjik; hiqnim materialin e ngritur me eskavator për të shtruar shinat pastaj. Mbajti mot i nxehtë dhe uji i pishëm ishte shumë j nxehtë. Kur pinim nga një gurrë e gjerë, pinim aq shumë si devetë që sigurohen me ujë për një kohë. Në aksion bënim edhe konkurse historike, kulturore dhe sportive. Na organizonin mbrëmje vallëzimi. Na jepnin 4 herë për të ngrënë pasi puna ishte e lodhshme. Në brigadën tonë kishim komisar Z. Gani Dizdari dhe zëvendës, mësuesin tone Sadri Oruçi.

Çfar kujtoni në momentin e nisjes për tu kthyer në Tropojë. Sa autobuzë erdhën për t’ju transportuar. Sa aksionist ishit aty?

Ishim rreth 60 nxënës. Natën e fundit, para se të niseshim u shpërndanë vajzat pas darkës dhe mbetën enët të palara. Unë me Xhemile Isufin si më të përgjegjshme, qëndruam dhe i lamë enët, duke na marrë kjo gjë shumë orë të gjumit dhe kemi pushuar shumë pak. Nga Elbasani u nisëm me autobus që na ishin caktuar heret për t’na sjellë në Tiranë dhe në ballë të Autobusit i vum 3 flamuj; Flamurin e Aksionit si Brigada më e dalluar, një flamur për kulturën dhe një për sportin. Ishte në rregull ajo pjesë, por pasi erdhëm në Tiranë, nuk po gjenin autobus organizatorët e aksionit nga Tirana dhe pasi qëndruam gjatë duke pritur, na vunë në një autobus të Tiranës gjithë sa ishim, 68 veta krejt. Me ne ishte kujdestarja e Konviktit, mësuese Nurie Kortoçi, një person që punoi me gjithë shpirtë në atë aksion. Kishim edhe rojën e natës së konviktit veteranin Isuf Zeneli, Komisarin e Brigadës dhe zv, e tij. Erdhën me ne edhe një moshatar i yni Nuredin Musa që ishte në shkollë mjeksore në Tiranë dhe pak pasagjer që do të vinin për Tropojë, pasi nuk kishin gjetur makinë.

A kujtoni ndonjë moment të veçantë gjatë rrugës pa mbërritur në Shpal?

Në fakt gjatë rrugës kemi kënduar, pothuaj gjithë kohën. Në qytetin e Rrëshenit kemi zbritur dhe kemi marrë shalqin për tua sjellë njerëzve tanë kur të vinim në Tropojë. Unë edhe pse kisha pak lekë, iu kisha blerë që në Elbasan, nga një dhuratë të vogël vëllezërve dhe prindërve që kisha qënë larg.

A kishit ndonjë ndjesi paraprake, si ishte niveli i entusiazmit të bashkëmoshatarëve?

 Më heret në aksion, nuk e di por kishin momente që ziheshin me njëra tjetrën, vajzat, apo edhe djemtë. Ishte si të them një atmosferë tensioni të pajustifikuar. Për ndjesinë ju them që kisha ditë më heret; që në shkollë dhe gjatë aksionit që shpirtin e ndjeja të zbrazët dhe nuk gjeja shpjegim për këtë gjëndje. Kam krijuar këtë poezi të cilën e kam botuar në librin tim të pare “FLUTUROJNË ËNGJËJT” për ta përshkruar këtë gjendje:

-PARANDJENJË

Ëndrrat më qen ndalur,
nuk kisha dëshira;
shpirti-hon i zbrazur,
lëshonte psherëtima.

Çfar më kishte lënduar,
mendjen kot e vrisja.

Vallëzoja me këmbë
nuk isha në tokë;
dëgjoja këngë,
mbytesha në lot.

Për çfar më pregatisje, kështu,
ahhhhhh, more Zot!


Ndërsa nga ana e familjes, babai kishte parë ëndërr sikur ishte shtrembëruar një nga dyrekët e kulmit të shtëpisë dhe për dy javë kishte qëndruar si mbi gjëmba, se çfar gjëje kaq e rëndë do të ndodhte.

Çfar kujtoni nga nisja e momentit fatal për aksionistët? Çfar po diskutonit në kthesat e forta të Shpalit?

Shokët, sidomos njëri Ali Ukalia që merrte vesh nga drejtimi i makinave u ul afër shoferit nga pasioni i atij zanati dhe siç tregojnë, ka thënë që në disa raste kishte parë një funksionim jo normal në drejtimin e autobusit. Ka patur një rast të takimit të pasqyrës në shëndrrimin me një makinë që vinte nga ana tjetër.

 Në një rast ka hyp pak sipër bordures së një ure. Siç thash më lart, rrugës kemi kënduar. Ndërsa pak më përpara aksidentit, ramë në heshtje dhe ndonjëri po flinte. Ndërsa unë isha në mendime, se si do të zbrisja në stacionin tim që ishte i pari, pasi at’herë udhëtonim nëpër Vas Pac dhe më dukej e rëndë ndarja ashtu, duke zbritur dhe tundur shaminë e aksionit dhe të ndahesha me shokët dhe shoqet që kishim ngrënë bukë, katër vite së bashku, në rrugë, pa u ndarë si ka hije.

Kur e mendove se nisi rreziku, çfar bëre ti, po aksionistët e tjerë?

Veë isha ulur në sedilen poshtë derës së autobusit. Fare pak më përpara më thanë shoqet dhe shokët që isha zverdhur, ndoshta edhe ngaqë nuk kisha fjetur taman, dhe a mos më ka zënë rrugëtimi?!

 Edhe pse ju thash që jo, u ngrit veterani, Isuf Zeneli që të ma lëshonte vendin në sedilen dyshe pas fatorinës, si vend. I thash jo, por meqë po ngulni këmbë, shtyjuni pak dhe po ulem në cep me ju. U pyetëm me Isufin, vëllain e nënës, Hysen Berishën që e kam patur shok klase si dhe me të tjerët të ulur sipër motorrit që po merakoseshin se po më mundon makina, biles ju thashë që po doni të më fusni në merak sikur atij që i kan thënë po vdes. Pastaj kam hedh vështrimin përpara.

Në mendjen time ka mbetë fotografia e asaj rrugës në ngjitje dhe thepit ku sapo ta kalonim, do të ndodhte fatkeqsia si dhe më tërhoqi vemendjen sjellja e shpejtë e timonit, nga shoferi. E kuptova nga tronditjet e autobusit dhe mënjanimi i tij që hymë nën rrugë. Ai moment mu duk tragjik dhe nuk mendova për vete, as për prindërit që sigurisht më kishte marrë malli, por mendova se si ka mundësi të hyjmë në mëshirën e fatit gjithë këta të rinj?! Kam vënë dorën sipër mbështetëses së sediles dhe kam parë me tmerr të gjithë të ngritur në këmbë të lebetitur.

Çfar mban mend nga ajo situate tragjike?

Në një moment e kam parë veten në pjesën e sipërme të autobusit, sipër një shoku me triko bojqielli, Ali Balishës, dhe në atë moment kam bërë të ngrihem që të dal prej autobusi, jam kapur në kornizën e xhamave të para, pasi ato ishin thyer, por nuk priti puna. Autobusi po rrotullohesh dhe nuk e di më se ku më ka hedhur dhe çfar ka ndodhur me mua. 

Kur more ndihmën e parë dhe nga kush, nëse ju kujtohet?

Mua nuk më kujtohet, por Hyseni, daja që ishim bashkë, menjëherë që është ngritur në këmbë i tmerruar, ka parë, se ku isha unë dhe ka ardhur që të më ndihmojë. Unë i kam harruar këto momente, pasi kam rënë herë pas here pa ndjenja. Ai më paska pyetur se si jam dhe i kam thënë:

-Jam këputur dhe çom në këmbët e mia, në qofsh me qënë kurrë për mua! Ai ma ka ngjit mua të më peshojnë dhe në atë moment e ka kuptuar që e ka krahun e thyer. Ka ecur pak hapa dhe i ka ra edhe atij të fiktë. Kanë treguar që ka rastisur një mjek që po udhëtonte pas nesh që ka dhënë një ndihmesë të madhe dhe të rëndësishme, duke shqyer këmishat e njerëzve të tjerë që na erdhën në ndihmë, edhe të veten për të na i lidh sadopak plagët dhe ndalur gjakderdhjen.

Ai quhesh Korab Shehu, kuksian. Më tregojnë që më kanë parë në buzë të rrugës të nxjerrur nga plazhistët e Tropojës, me Hysen Papën që u takuan në ne të parët, pasi po ktheheshin nga plazhi, për në Tropojë.

A ishit në gjëndje koshiente gjatë udhëtimit tuaj për në spitalin e Rrëshenit?

Kam qënë pa ndjenja, veç më kan treguar se më kanë vënë ulur në sedile të ambulancës, duke më mbajtur një person që ka qënë me ne dhe e kam larë atë rrugë me britma lemeritëse që më dilnin pa kontroll, prej shpirtit tim. Një transport shumë i dëmshëm për rastin tim.

A jeni në gjëndje të përshkruani situatën në këtë spital, rolin e mjekëve dhe stafit?

Kam qënë pa ndjenja dhe jo. Pasi më futën gjak, erdha pak në vete dhe e mbaj mend që po pyeste gruaja e Hysen Papës që është bijë prej fshatit tonë të vogël, dhe e dinte që isha në autobus, pasi kam qënë moshatare me djalin e saj Skender Papën që ishte në gjimnaz, dhe jam përgjigjur: –Këtu jam oj Mereme, por jam këputur. Prap kam rënë pa ndjenja.

Shumë qytetarë të Rrëshenit, në një shkrim homazh të botuar nga ana ime disa vite më parë, janë shprehur mbi këtë situatë. Sa dhe si i konfirmoni këto?

Siç e thashë dhe në fillim, siç keni shkruajtur ju, por edhe siç kan shkruar here pas here në gazeta, pas rënjes së diktaturës, biles një shkrimtar i yni, Asllan Osmani ka shkrujatur me detaje një libër të tërë, të titulluar “PASAPORTA E MAJMALTHIT”, populli i Rrëshenit e ka përjetuar me tronditje të thellë aksidentin tonë.

Ata kanë ardhur dhe kanë dhënë gjakun e tyre me një përkushtim të pa parë, me dëshirën e madhe të na shpëtonin jetën sa të mundnin. Kontributi i tyre ka qënë vendimtar në shpëtimin e shumë jetëve tona. Vetë kam qënë pa ndjenja, por qëndrimi i tyre ka qënë heroik, fisnik dhe shumë vëllezëror. Sa për mjekët nuk gjenden fjalë të përshkruhet puna e tyre vitale, sakrifica e tyre e madhe duke qëndruar dy ditë dhe netë në spital, pranë të rinjve dhe personave të tjerë të atij aksidenti.

Juve si gazetar, ju jemi mirënjohës për jetë që jeni angazhuar personalisht duke na shoqëruar pjesën e të aksidentuarve në vitin 2005, në momentin që u organizuam të bëjmë një përmendore të të rënve në atë Majmalth, ku ndodhi aksidenti. Erdhën shumë veta nga Tropoja dhe sollën lule të freskëta te pllaka përkujtimore që bëmë për të rënët, por sollën lule edhe në mirënjohje ndaj jush që u bashkuat në aktivitetin tone, na pritët edhe një here bujarisht në Rrëshen.  JU keni realizuar atë intervistë të plotë dhe me ndjenjë dhimbje dhe dashurie njerëzore, por edhe në intervistat e personave të tjerë nga spitali juaj i Rrëshenit, keni marrë informacione tronditëse për atë aksident fatal, duke i pasqyruar me vertetësi në median tuaj.

Kur ju nisën për Tiranë, kush vendosi për këtë në Rrëshen?

Në fakt prezenca e Sekretarit të Partisë Hysen Papa, ka qënë një fat i madh për ne. Ai me radio dhënse dhe marrëse i ka njoftuar menjëherë në Komitetin Qëndror të Partisë për tragjedinë dhe është vënë në lëvizje gjithë shteti. Mendoj që mjekët në Rrëshen na kanë identifikuar ne që ishim më rëndë dhe na kanë përcjellë, si të them; me kartela përkatëse për gjendjen tonë. Mua më kan dërguar menjëherë pas ndihmës së shpejtë, në Tiranë, bashkë me disa nga shokët dhe shoqet që ishin të dëmtuar më rëndë, me 3 helikopter të ardhur për ne.

 Është interesant se në ato momente që u ulën helikopterët, kisha dalë nga të fiktët, ishim në karrocerinë e një makine që na kishin vënë për t’na çuar ku u ulën helikopterët dhe unë u friksova, se mos takonte krahu i ndonjërit helikopter gjatë uljes dhe na mbyste; po më dhimsej përsëri jeta edhe në atë gjendje. Unë qëndrova në gjendje të kuptuari gjer te Spitali nr 2 i Tiranës. Aty kur më morën me një batanije, në të cilën isha, iu rashë nga duart, atyre që po më transportonin dhe pësova dëmtim edhe më të rëndë. Në rastin e dëmtimit të shtyllës kurrizore është vendimtar transporti i kujdesshëm, se në ato kushte nuk bëhej fjalë për transport të specializuar.

Kur e mësuat për humbjen e jetëve të Drane Pjetërnika, Hasan Qelia dhe Hatixhe Mulgeci dhe si u ndjetë në ato çaste?. 

Pyetjet tuaja vëlla i nderuar, janë shumë të sakta dhe më sjellin në mendje të gjitha këto momente. Pas 3 ditësh erdhi nëna e një shokut tonë të dëmtuar dhe më vizitoi edhe mua në spital. Ajo më tha që duhet të falenderoj Zotin që kam shpëtuar gjallë, pasi Dranja, Hasani dhe Hatixhja kanë vdekur. Në atë moment kam rënë përsëri pa ndjenja nga tronditja.

 Dranen e kishim bukuroshen që këndonte aq bukur, Hasanin e kishim një djalë të urtë dhe vëlla i vetëm, i rritur jetim që mezi po priste nëna e vet ti kthehet në shtëpi. Ndërsa për Hatixhen që atë ditë veshi një kostum të ri që po kthehesh në shtëpi, mund të them, se ka patur një shpirtë të bukur, me një humor të këndshëm dhe miqësor. Mu dhimbs edhe shofer Meti, pasi e kam parë me sytë e mi kur nuk e hapi derën e të dilte që e kishte lehtësisht të mundur, por e lidhi fatin me ne, duke kryqëzuar duart dhe vënë sipër timonit, për t’mos u kthyer kurrë më i gjallë në shtëpinë e tij. Këtij aksidenti i kam kushtuar dy krijime të miat që i kam ndjerë në shpirtë, duke i përjetsuar edhe dëshmorët e shkollës tonë dhe shoferin fatkeq.

Kur e mësuat se nga ai aksident ju kishit humbur një pjesë të aftësive fizike, si jeni ndjerë në ato momente tragjike, kush ju qëndronte më pranë për ta kaluar këtë stres?

Siç e thashë më herët, unë vazhdimisht kam thënë që jam këputur që në momentet e para të aksidentit. Isha e re dhe nuk mund ta imagjinoja fatalitetin e kësaj gjendje dhe as nuk e pranoja dot si të vertetë; ishte një e vertetë e padëshiruar dhe e papranueshme. Megjithatë ju tregova për parandjenjën që më pati munduar aq shumë, sa mendoj që tani që u bë realitet, qe veç më e lehtë. Mendoj që vet Zoti më dha një kurajo, më mbajti pranë sa më larg stresit. Ajo gjë kishte ndodhur tashmë dhe duhej të mendoja për tu përmirësuar edhe pse nuk e dija se si, duhej mos të merzisja më shumë njerëzit e mi. Në shpirtë kisha një ndjenjë optimizmi, ndoshta jo aq real, por i riu shpreson.

Unë nuk e kam patur komplet të këputur palcën e shtyllës kurrizore, edhe pse isha e dëmtuar aq rëndë. Mjek kam patur Arjan Xhumarin që më vizitonin bashkë me infermieret Zanën dhe Zoicën çdo ditë dhe kur e mjekonin plagën e këmbës i nxirrnin jashtë nga dhoma prindërit dhe motrën time, që mos të lëndoheshin nga pamja e saj. Dy javët e para në spital, përveç që më erdhën prindërit, gjyshja-nana Zhujë, të afërm dhe prindër dhe të aferm të shokëve dhe shoqeve të tjera që ishin në spitalin tim, por dhe në të tjerë spitale sipas specialiteteve për të riparuar dëmtimet e ndryshme që kishin pësuar, te koka më ka qëndruar motra ime Xhevahire Sulaj që ishte nuse e re dhe nuk më largohesh asnjë sekondë, nuk ushqehesh dhe as nuk mund ti ndaleshin lotët asnjë moment, edhe pse mundohesh ti fshihte.

Motra qe një shoqëruese shembullore në atë spital dhe e respektuan kush e njohu. Pas motrës është kujdesur dhe më ka qëndruar babai im te koka gjithë kohën, duke u torturuar nga sa shihte për gjendjen time. Për dy javë më ka qëndruar xhaxhai im i dashur, Haxhi Sefa. Nëna ime e mire dhe e vyer gjer në madhështi, ishte e pazëvendësueshme në punët e shumta në shtëpi, duke mbajtur mendjen vazhdimisht te unë.

Kur dolët nga spitali në Tiranë?

Kam qëndruar tre muaj në spitalin e Tiranës. Gjatë kësaj kohe, pata një zhvillim që mjeku nuk e besonte. Fillova ta lëviz shumë pak muskulin sipër gjurit të këmbës së majtë. Doktori nuk besonte por unë po e lëvizja me vetdije. Pas këtij zhvillimi, e këshilloi babanë, daja im, Sali Berisha që qe tronditur nga aksidenti ynë dhe u interesua shumë për ne të gjithë, që kërkoju shtetarëve që ta nxjerrin, Zyranë jashtë shtetit për fizioterapi. Është i vetmi sherbim për tu ringritur në këmbë.

 Kështu më dërguan me 6 nëntor 1975, në Budapest-Hungari për kurim. Aty hyra në rrugën e përmirësimit, pata pak përmirësim dhe i mora edhe ca mjete, këpucë me çeliqe anash gjer sipër gjujve dhe me lidhse të përshtatshme, si dhe karrocën për të lëvizur nëpër shtëpi me të. Isha paciente korrekte me të gjitha dhe pata miqësi me shumë shoqe dhe shokë në atë spital. Gjëja më e rëndësishme që përfitova aty, ishte mënyra se si duhesh të zgjohesh heret, dhe të kisha një program ditor për fizioterapi, por edhe për ushtrim sporti dhe aktiviteti pundore apo çdo gjë që mund ta bëja, pasi siç na thoshte mjeku atje:-Ju nuk jeni të sëmurë, por jeni të pamundur për të ecë, kështu jeni të aftë për të bërë shumëçka. Jam ndjerë e nderuar si person, por e keqja ishte se nuk mund t’ju ktheja përgjigje letrave që mi çonin pasi erdha. Nuk lejonte shteti, të kem letërkëmbim. Në Hungari qëndrova gjer më 18 mars 1976.

Kur u kthyet në shtëpinë tuaj, si ndjeheshit dhe si ju pritën?

Në shtëpinë time më pritën me dashuri të madhe,i madh dhe i vogël. Të gjithë përpiqeshin të bënin diçka për mua. Kur ju tregova se në spital në Hungari na jepnin pothuaj tre here në ditë mish të ndryshëm, babai çonte dhe më blente pula  të ambalazhuara në Kam, Tropojë, përveç që çdo dimër siguronte edhe për familjen mish, Gjente një formë që në dimër të mos mbeteshim pa posterme (mish të tharë). Babai im Ibrahim Sefa ka qënë një kryefamiljar ekselent. Ai ka shkruajtur dhe botuar sivjet, një libër monografik të jetës së vet, pa patur shënime fare dhe kujtonte vlerën e ditës së punës të secilit vit në Kooperativë, pasi ka qënë administrator me laps majëprehtë gjithmonë, duke mos na mbetur kurrë sofra that 8 personave në shtëpi. Për vete, ndjehesha e rrethuar me dashuri që më mbushte shpirtin. Përveç pjestarëve të familjes tone, këtu e përfshij edhe xhaxhain tim Haxhi Sef Ahmetaj, me familje që është kujdesur shumë për mua, më takonin dhe më çmerzitnin të gjithë bashkfshatarët e mi të mrekullueshëm.
Heroina ime është nëna ime Rukë Idrizja. Është ajo që duke patur një mijë punë të shtëpisë, në kooperativë, me pritje dhe përcjellje të të afërmve që na vinin mysafir, duhesh të kujdesesh edhe për mua pa u ankuar kurrë, se u lodh.

Nga ana tjetër kushtet për mua në atë gjendje ishin krejt jashtë funksionit. Torturohesha vetë dhe familjarët, prindërit, motra, vëllezërit që më kan sherbyer pa kushte, pa llogaritur; një përkujdesje shembullore, por dhe e rëndë, në ato kushte. Kurrë nuk më kan thënë, gjer në këtë moment që jemi kujdesur për ty. Motra me burrin e saj Sazanin më merrte çdo verë në qytet, edhe pse kishte vetëm një dhomë. Aty ishin ndryshe mundësitë.

Si vijoi jeta juaj pas aksidentit deri në ditët tona, kur kanë kaluar afërsisht 46 vite?

Kam jetuar vazhdimisht me jetën e familjarëve të mi, Vet përpiqesha të bëja ndonjë punë shtëpie, duke lëvizur me karrocë. Fizioterapinë jo vetëm që nuk e lash pas dore, pasi edhe kushtet nuk ishin të përshtatshme, por bëja trefishin e ushtrimeve. Jetoja me jetën e familjarëve të mi. Gëzohesha dhe shqetësohesha si ata. Kur u bë vëllai i madh, Nuredini me djalë, dhe pastaj me vajzat, mu ëmbëltua shtëpia. Edhe dasmat dhe fëmijët e vëllezërve të tjerë më sillnin gëzim. Fëmijët janë frymëmarrja ime. Kurrë nuk kam vajtuar gjëndjen time, përveç kur kam krijuar poezitë që përshkruaja atë gjendje aq të rëndë fizike. Në krijmtarinë time kam qënë shumë e përfshirë emocionalisht.

Ngaqë mu dukën kushtet e jetesës, në gjendjen time, më të lehta, kerkova për dhjetë vite, të më jepnin lejen e banimit në qytet dhe nuk ma aprovonin. Pas dhjetë viteve që si rrjedhojë e fizioterapisë së vazhdueshme dhe të plotë, arrita të ngrihem në këmbë dhe të ec me dy shkopinj të mbështetur në brryla, me një ekuilibër të brishtë, për ti bindur pushtetarët e Këshillit të Qytetit, se nuk po kerkoja të vi në qytet që të tërheq nga fshati, familjen time, pasi isha përmirësuar, bëra ndarjen me familjen. Kështu më dhanë lejen e banimit në qytet, ku që nga viti 1985 kam banuar në B. Curri.

Çdo ditë vazhdoja të lëvizja me paterica dhe bëja edhe fizioterapi në shtëpi dhe u forcova pak. Në këtë kohë, motra i kishte dy binjakë të vegjël dhe unë dy vitet e para të jetës së tyre, i kam mbajtur pa i çuar në çerdhe.Tani jeta ime ishte e mbushur. Ata më kan dhuruar buzëqeshjet e para, fjalët e para, dashurinë pa kufi, aq të dlirë dhe të bukur; një dashuri që vazhdon të jetë e plotë dhe e ëmbël edhe sot e kësaj dite që ata kan krijuar familjet dhe i kan fëmijët e tyre, të cilët më duan shumë dhe më ftojnë sa here që flas me ta, të shkoj në Tiranë ku banojnë tani.
Fillova të jem më aktive, të bashkëpunoj me shoqatën Para dhe Tetraplegjike, në momentin që u krijua dega e Tropojës dhe shkoja edhe në Tiranë e rrethe të tjera në aktivitete që organizonte shoqata jonë, por edhe në organizime që kontribonin institucione dhe organizma shoqërore të tjera.

Kam bashkëpunuar me Kishën Ortodokse të Shqipërisë, me mikun tim të mire, Jorgo Papadhopulli, me rininë e kishës dhe kam realizuar një projekt si kordinatore vullnetare për përvetsimin e Gjuhës Angleze nga dy grupe nxënësish të B. Currit si dhe bënim festat duke e kaluar mjaft këndshëm. E kam pasion dhe më mahnit etnosi i kostumeve kombëtare të Tropojës dhe kam krijuar një koleksion të pasur dhe interesant të kësaj trashëgimie. Kam stiluar dhe me kontributin e qendistareve të vyera si dhe rrobaqepësve profesionist, kam krijuar një arsenal të tërë kostumesh popullore për personat e çdo moshe. Më pelqen folku dhe krijova një grup artistik, të cilin e kam drejtuar vetë me nxënësit që mësonin gjuhën angleze në kursin tonë, dhe fituam vendin e dytë ndër 16 grupe folku që konkuruam në Festivalin Folklorik të Rinisë Ortodokse në Tiranë në vitin 2007. Muzikën e këngëve na e realizoi kompozitori Skender Doshlani.

Jam anëtare e Kryesisë së Shoqatës tone Para dhe Tetraplegjike për Qarkun tone dhe kam kontribuar ndër vite, duke u përpjekur të gjallëroj jetën e antarëve të shoqatës tone si dhe ju kam siguruar mjete lëvizëse dhe fizioterapie. Pas 25 vitesh që kam ecur duke u mbështetur në shkopit, pësova disa here thyerje të kockave të këmbëve dhe mbeta të lëviz përsëri me karrocë invalidi. Kam pasion leximin dhe krijimtarinë letrare dhe kam botuar 6 libra me poezi.

Cili është mesazhi juaj për të gjthë ato gra dhe vajza që janë në situatë të njëjtë me ju, përsa i përket kufizimeve fizike?

Në radhë të pare, unë nuk e kam quajtur kurrë veten si më e brishtë nga burrat. Edhe kur kam dënuar dhunën dhe krimin në familje e kam dënuar si dhunë dhe krim ndaj një qytetarje të Republikës tonë me të drejta të barabarta të sanksionuara me ligj në kushtetutën tonë. Edhe familja ime ka ndikuar të ndjehem e barabartë, pasi na kan trajtuar pothuaj, njësoj vajzat dhe djemtë.

Një mesazh i juaj për qytetarët e Rrëshenit që ju gjënden pranë në ato momente tragjike për maturantët e Tropojës?

Vëllezër dhe motra të dashura të Rrëshenit mirditor, përulem para bujarisë dhe fisnikërisë tuaj të madhe që na shpëtuat jetët tona, duke na dhënë gjakun tuaj të vyrtytshëm dhe ëngjëllor, atë ditë fatale të 31 korrikut 1975, duke na dhuruar jetë, gjënë më të çmuar. Atë ditë u rilinda me gjak të perzier, të unifikuar; tropojan dhe mirditor, duke u fisnikëruar edhe më shumë; duke u vëllezëruar përjetësishtë. Ju faleminderit mjek, infemiere dhe krejt personelit mjeksor të Spitalit të Rrëshenit që sakrifikuat aq shumë duke na qëndruar natë dhe ditë te koka me përkushtim dhe dashuri prindërore, gjersa kapërcyet kufinjtë e rrezikut të jetës tone; gjersa na ngritët të gjallojmë përsëri!

Kanë kaluar shumë vite por mirënjohja jonë është e freskët dhe e përjetshme si lulet që ua sjellim në përvjetor të këtij aksidenti. Ata që kanë ndrruar jetë, qofshin të parajsës dhe vertetë me vepra kaq sublime, sigurohet parajsa e përjetshme.

Ne përkujtojmë shpesh atë datë dhe ata që ndrruan jetë, në përvjetor të asaj tragjedie dhe gjithnjë, nderimi, mirënjohja dhe dashuria ndaj jush është prezent dhe veç rritet ndër vite. Ju falenderoj përsëri në emrin tim dhe të gjithë shokëve dhe shoqeve të mia vëllezëri mirditore!

Jeni e identifikuar tashmë si një krijuese letrare, me karrierë të gjatë në këtë drejtim. Ku fokusohet krijimtraria juaj dhe sa e vlerësuar është ajo?

Burim i frymëzimit tim në krijimtari është dashuria e madhe për Atdheun në kompleksitetin e tij Naimjan.Kam filluar të krijoj pak në moshë të madhe pasi më është dukur vetja e vogël para librave fantastikë të autorëve të mëdhenj, të huaj dhe tanët që lexoja. Në këto vite kam grumbulluar përvojë krijuese, kam përjetuar situate nga më të bukurat në fëmijëri, nga më të vështirat në jetën time pas aksidentit, situatë tmerri dhe dhimbje nga dhuna në vëllezërinë tone dardane, qëndresë madhështore, heroike të luftëtarëve për liri, gjersa nuk mbaja më dhe shpërtheva në vargje që dilnin prej shpirtit. Siç thashë më lart kam botuar këto libra:
-FLUTUROJNË ËNGJËJT në vitin 2004 që e kam ribotuar edhe dy herë të tjera.
-ALFABETI YNË në vitin 2015,
të vlerësuar shumë nga kritika letrare dhe i kam bërë promovime të rralla për nga vlerat, pjesmarrja dhe bukuria, në B. Curri, në Prishtinë, në Tiranë, në shkollën time të fëmijërisë në Zogaj, por edhe një pomovim të shpërndarë në kopshte dhe shkolla të Sarandës që ua kam dhuruar vjet që isha në një komkurs poetik.

Sa e njihni aktivitetin e Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” dhe revistës “Mirdita” dhe a jeni e gatshme të bashkpunoni me këtë revistë?

Jam miqësuar me Akademinë tuaj kohët e fundit që e kam zbuluar në facebook, por shumë shpejt jam bindur për pasurinë e aktiviteteve dhe publikimeve të rëndësishme kombëtare nga gjithë trevat tona dhe nga çdo cep i botës në diasporë.

Më ka ngjit kjo Akademi Mirditore, jo vetëm për vlerat artistike, shkencore, letrare dhe mëmëdhetare, por edhe për përkatsinë me vëllezërinë time, tashmë të njohur mirditore.
Do të bashkpunojmë duke u ndjerë edhe vet bijë Mirdite aq sa edhe Tropoje.
Uroj bashkëpunim të frytshëm dhe të përjetshëm! Ju paça vëllezëri! Zoti ju bekoftë!

Aty mësova me shumë dhimbje për plagosjen e rëndë të mikes time të ngushtë, Hasime Mëruri e cila ka lënë njërën këmbë në atë aksident tragjik, por edhe për dëmtimin e rëndë të cilin e ka vuajtur jo pak në jetë, edhe Lumturie Hoxha. E plagosur rëndë por pa pasoja për fizikun e saj ishte edhe kujdestarja jonë Nurie Kërtoçi

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest