Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Koreografi i mbi 100 valleve dhe recitaleve Fran Gjergji, në një rrëfim mbi jetën artistike të tij dhe një komuniteti

Si e mori koreografja Vitore Istrefi nga uzina, në rrjedhat e koreografisë

Nga Pirusti News
9 630 Shikime

-Përgatiti: Aleksandër Ndoja-

Fran Gjergji, prej vitesh njihet si koreograf i cili punon papushim që këtë element të artit e kulturës ta përcjellë ndër brezat vijues. E shikon çdo ditë sa në Rubik pranë Qendrës Kulturore të këtij qyteti të vogël, po ashtu edhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Rrëshen. Ndërsa “produkti” vjen natyrshëm, teksa në “iventarin” e aktiviteteve pafund, fëmijët e trainuar nga koreografi Fran Gjergji gjithnjë kanë shpalosur një performancë të shkëlqyer, me ide krijuese, gjithnjë brenda traditës dhe tabanit mirditas, por edhe të krahinave të ndryshme.

Frani këtë ja dedikon koreografëve më në zë shqiptarë si i ashtuquajturi balerini fluturues Miltiadh Papa dhe gruaja e tij Luiza Papa, Agron Aliaj, Engjëll Tërshana, Fatos Zajmi, Bujar Aliaj, Arjan Avrazi, Ramazan Bogdani e Bujar Aliaj. Të gjithë këta e kanë trainuar Franin në kursin intensive 6-mujor, në vitin 1984.

Koreografi Gjergji nuk harron të përsërisë disa herë se ishte koreografja e Qytetit të Studentit, Vitore Istrefi që e kishte pikasur fillimisht, por që e kishte mbështetur që ai si metalurg me kohë të plotë në uzinën e Bakrit në Rubik, të ishte nxënës i koreografëve të mirënjohur shqiptarë, të cilët ndikuan jo pak në rrjedhat e mëtejshme të jetës artistike e kulturore.

Sot Fran Gjergji ka një CV mjaft të pasur artistike, por më evidentet janë se në përbërje të Ansamblit “Mirdita” (Mjeshtër i Madh) ka marrë pjesë në shumë aktivitete brenda vendit, por edhe në Zvicër, Rumani, Maqedoni e Veriut, Kosovë etj, ndërsa me krijimtarinë e tij koreografike numërohen mbi 100 valle të krahinave të ndryshme të vendit, përfshirë dhe katër koncerte recitale.

Po si një metalurg, djalë krejt i ri u interferua në rrugën e artit koreografik, një art mjaft i prekshëm dhe i vlerësuar nga publiku. Në një intervistë për pirustinews.com Frani tregon detaje të shumta artistike nga rinia e herëshme, deri në ditët tona.

Fran, si fillim një vetëprezantim para lexuesit?

Kam lindur në qytetin e vogël të Rubikut, aty ku zhurmonin njerëz pafund nga të gjitha cepet e Shqipërisë, teksa punonin në uzinë e metalurgji, në gjeologji apo miniera. Kam mbaruar shkollën 8 vjeçare në vitin 1971 duke qenë nxënës mbi mesatare, ndërsa deri në atë kohë nuk kisha shfaqur ndonjë prirje në arte. Mësues muzike kishim Fatmir Varosi nga Tirana i cili organizonte aktivitete të shumta kulturore në shkollë, por gjithçka kishte mbetur në normalitetin e zakonshëm të realizimit të numrave artistikë. Edhe në shkollë të mesme në Rubik paraqisja një situatë të përafërt, deri kur u mobilizova në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Pas këtij përshkrimi, kur nisi integrimi juaj në aktivitetet artistike?

Me tu kthyer nga ushtria nisa punë në uzinë. Ishte koha kur bëheshin prova për pjesmarrje në festivalin e ansambleve të klasës punëtore nga e gjithë Shqipëria, që mbahej në Durrës. Edhe unë si gjithë të rinjtë e qytetit shkoja në Shtëpinë e Kulturës së Rubikut, për të ndjekur provat që bënin kolegët tanë të uzinës. Pikërisht aty ndodhi ajo që më parë nuk e kisha menduar.

Si ndodhi?

Ishte viti 1981. Uzina për tu paraqitur sa më mirë në festival kishte marrë për ndihmë një koregrafe me emër, Vitore Istrefaj e cila ishte koreografe pranë qendrës Kulturore të Qytetit Studenti në Tiranë. Teksa ndiqja provat, leksionet direkte te Istrefajt, mu shkrep dhe i thashë: A mund të hy në prova. Edhe ajo nuk hezitoi, futu, me thotë. Ndoshta ka menduar se edhe ata kolegë të mij në uzinë ishin, pra nuk është se kishin ndonjë formim më shumë, përveçse talentit të lindur. Pas disa provash, ajo këmbënguli të kaloja si solist. Punuam shumë, përgatitëm dy valle, një festive dhe një të të quajtur “vallja e çobanit”.

Kush ishin valltarë të tjerë dhe si u vlerësuat?

Ishin dhe dy vajza, Liza Përleka dhe Liza Prenga. Pas provave në Rubik, na çuan për gara në Rrëshen. Ishin dhe ndërmarrje të tjera si ne. Pra nga të gjitha ndërmarrjet duhej të dilnin më të mirët, për të krijuar ansamblin përfundimtar që do të bënte provat kryesore për në Durrës. Pra ishin disa filtra, megjithëse bëhej fjalë për një festival të klasës punëtore. Për të mos u zgjatur, ne u përzgjodhëm mes shumë konkurentëve në Rrëshen dhe përfunduam në Durrës, në garën kombëtare. Ishte kontribut i jashtëzakonshëm i solistes Vitore Istrefi dhe Margarita Nikolli, që ne u pritëm dhe u vlerësuam shumë mirë edhe në Durrës.

Po drejtuesit artistikë të Mirditës, si ju pritën pas suksesit në Durrës?

Natyrisht shumë mirë, pasi aty u çimentua karriera ime në këtë zhanër të kulturës. Menjëherë u përzgjodha që të isha pjesë e ansamblit elitë të Mirditës. Aktivitetet ishin të shumta. Koncertet gjithashtu, ndërsa edhe festivali i klasës punëtore përsëritej çdo tre vjet. Janë në kujtesë koncerte me motive kosovare, ndërsa ishte marrë posaçërisht për ndihme koreografi Agron Shaqiri, por organizoheshin koncerte të shumta pranë kolektivave të ndryshme punonjëse, si në Kunorë, Fushat Lugje, Reps, Fanë, Kurbnesh, Kaçinar etj. Janë të paharrueshëm për mua vallëtarë elitarë që i kanë emër dhe sharm këtij ansambli si Dava Gjini, Estela Ruka, Age Dedaj, Jak Ruci, Liza Ndreca, Agustin Gjini, Petrit Ukaj, Bib Buraku, Leonard Fetahu, Vladimir Kola, Dod Prendi, Nikoll Ndreu, Fatmir Jahja dhe i ndjeri Gjovalin Ndreka, por edhe shumë të tjerë.

Vijmë tek kursi 6 – mujor. Si ndodhi që filluat aty, kur punonit në uzinë?

Ishte koha që përveç provave duhej edhe një shkollim sa më elitar. Kisha dëgjuar se në Tiranë organizohej një kurs mjaft i specializuar, nga Shtëpia Qëndrore e Krijimtarisë Popullore, në ambientet e ish pallatit të Pionerëve. I kërkova ndihmë koregrafes Vitore Istrefi. Gjej rast ta falenderoj dhe sot, pasi ndërhyri për të më rregjistruar në konkursin e pranimit pranë këtij kursi. E fitova këtë konkurs dhe si përfundim me datë 13 janar 1984 nisa kursim për 6 muaj me rradhë.

Si bëhej ky kurs që me përfundimin e tij u jepte tagër dhe mundësi më të mëdha?

Bënim aktivitet mjaft të ngjeshur e të lodhëshëm. Një orë çdo ditë kishim balet masiv me profesorin i njohur si balerini fluturues, Miltiadh Papa dhe Luiza Papa. Për vallet popullore, na trainonte Agron Aliaj, por edhe Engjëll Tërshana e Agron Zajmi. Në kostumografi kishim profesor Ramazan Bogdanin, në solfezh profesor Arjan Avrazi, ndërsa diploma është firmosur nga i mirënjohuri Agron Aliaj.

Ndërsa kursi mbaroi…?

Po, kujtoj se sapo zbrita nga autobuzi, pa shkuar në shtëpi më dalin para i paharruari Gjok Beci dhe këngëtari Dod Prendi. Ndërsa ishte ora 12.30 ata më thanë me patjetër në ora 13 duhesh në prova. Ishte në prag koncerti i rradhës i klasës punëtore që do mbahej në Durrës, pasi kishin kaluar tre vite. Morëm vlerësim maksimal si përfundim, ndërsa angazhimet ishin të përditshme. Më angazhuan për të dhënë mësim koreografik në shkollat 8 vjeçare si në Rrasfik, Fierzë, Rubik etj. Kështu vazhdoi, ndërsa arti koreografik njohu zhvillime të rëndësishme pasi erdhën koreografë të talentuar, që kishin mbaruar akademinë e Arteve, si Bert Marku e Angjelina Leka.

Janë shumë vite, angazhime, prova, koncerte, arritje por flet dhe për zhgënjime. Cilat janë?

Po, bëhet fjalë për një kryeveper, “vallja e gurrës së lashtë”. Ishte viti 1988 kur unë personalisht sëbashku me profesorin e mirënjohur të kostumografisë Ramazan Bogdani dhe koreografen Angjelina Leka, shkuam dhe u futëm në brenda tunelit të gurrës historike, në fshatin Domgjon të Fanit, fshat i cili njihet si fshati i të parëve të Gjergj Fishtës. Pasi dolëm nga gurra u futëm në një shtëpi të këtij fshati. Në bisedë e sipër profesori Bogdani i kërkoi të zotit të shpisë, moshë e vjetër të bënte disa lëvizje në imitim të valles së lashtë, lëvizje që ishte trashëguar ndër breza. Pasi e ndoqëm me kujdes, profesori më kërkoi që ti bëja unë ato lëvizje dhe ashtu ndodhi. Vallja u realizua më vonë, por çuditërisht në mënyrë të pakuptimtë, unë u suspendova.

Rast tjetër ishte kur autoritetet e kohës edhe pse nuk kishte shenja të dukshme të rënies së rregjimit komunist, vendosën që anasamblin “Mirdita” ta dërgonin për disa koncerte në Zvicër. Ishte ëndërr asokohe, kur për 50 vite ishim të izoluar. Pava që emri im nuk ishte përfshirë në atë guidë. U habita shumë, ndërsa i dola para drejtorit të ansamblit, poetit të mirënjohur të përmasave mbarëkombëtare Gjok Beci. Ai mu përgjigj i prerë se pa ty, ansambli Mirdita nuk do të udhëtojë për në Zvicër. Ashtu u bë. Koncertet tona ato ditë në Zvicër, ishin një histori suksesi për ne dhe kulturën mirditase.

Dhe më pas kohet ndryshuan. Si u përshtatët në rrjedhat e një sitemi tjetër?

Është fakt se pati ndryshime të mëdha në art e kulturë. Liria bëri shumë pasi hoqi mjaft kufizime edhe në arte, por është fakt se elementi i shkolluar dhe me përvojë u largua. Unë vazhdova punën time, ndërsa edhe sot punoj papushim. Kam realizuar katër koncerte recitale me vallet e mija, ndërsa ka realizuar mbi 100 valle të krahinave të ndryshme të vendit.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest