Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Mësuesi dhe drejtues i sporteve Mirditë, Mhill Dodaj, një jetë mes arsimit dhe ushtrisë.

Intervistë me z. Mhill Dodaj, mësues dhe drejtues në dy kohë i sporteve në Mirditë

Nga Pirusti News
3 441 Shikime

Mhill Dodaj është një emër i dëgjuar në historinë e sportit mirditas, si mësues i lëndës së fiskulturës, si ushtarak, por edhe si drejtues i sporteve në Mirditë. E ka nisur aktivitetin e tij mesimdhenes shumë herët, në fillim vitet 70-ta, pra padyshim emra të tillë mbeten një arkivë e gjallë e dekadave të shkuara plot angazhime e sfida, kondicionuar nga një kohë krejt e veçantë në të cilën kemi kaluar.

Në një intervistë për portalin pirustinews, mësuesi dhe drejtuesi i sporteve në Mirditë Mhill Dodaj tashmë në pension, tregon për rrugëtimin e tij në më shumë se katër dekada, rrugëtim i cili përcjell jo vetëm aktivitetin e tij si mësues, ushtarak dhe drejtues, por edhe të vetë shoqërisë tonë të atyre viteve.

-INTERVISTA- 

Një përshkrim të shkurtër nga fëmija e herëshme. Ku jeni lindur dhe rritur.

-Kam lindur më 04.03.1949 në fshatin Përlat Qendër. Jam vetë i teti fëmijë i prindërve të mij, Dilës dhe Simonit.

Në shkollën 8 vjeçare, cilat ishin prirjet tuaja. A spikasnit psh në vizatim, muzikë apo fiskulturë.

-Klasën e parë e kam filluar në vitin 1957 në shkollën e Përlatit. Mësuesi im i parë ka qenë Bardhok Haçi, i cili nuk jeton më. E kujtoj me dashuri dhe nostalgji. Pastë dritë!

Çfar kujtoni raste më pikante në 8 vjeçare. Cili ka qënë mësuesi kujdestar. Si e kujtoni dhe a mbanit kontakte pas përfundimit të shkollës

-Shkollën tetëvjeçare e kam filluar në vitin 1961. Të them të drejtën nuk është se kam spikatur në ndonjë lëndë të caktuar, por isha nxënës i zellshëm në secilën prej tyre dhe iu përkushtohesha shumë atyre.

Asokohe ka qenë drejtor shkolle Ndue Hasani. Mësues kujdestar kam pasur Gjon Mark Lleshin nga Proseku. Ai ka ndërruar jetë para disa vitesh, por kur ishte gjallë sigurisht që kam mbajtur kontakte me të. Në vitin 1972 edhe kemi bashkëpunuar. Kur unë kam qenë Kryetar i Komitetit të Fiskulturës, mësues Gjoni, ndjesë pastë, ka qenë Zëvendës Shef Arsimi. E kujtoj përherë me dashuri.

Si ndodhi për t’u mbajtur mend mund të përmend rastin kur kemi dalë kampion në futboll në ndeshjen me shkollën e Laç-Bruçit, Urakë. Edhe marshimet me shkollat e tjera 8-vjeçare mbeten kujtime të bukura për mua, si çdo aktivitet sportiv që kemi organizuar.

Cila ka qenë ecuria juaj në mësime. Ku ishit më i orientuar më shumë dhe cila ishte lënda më e preferuar. Sa ndikonin mësuesit asokohe në procesin e mësimdhënies.

-Kam qenë nxënës i mirë. Kisha vullnet për të mësuar dhe isha i interesuar për të gjitha lëndët. Isha sistematik në përgatitje dhe korrekt në realizimin e detyrave. Përgjithësisht, isha më i orientuar nga shkencat e natyrës, veçanërisht Fizika dhe Matematika. Letërsia nuk më pëlqente fare të jem i sinqertë. Gjithsesi e studioja me seriozitetin me të cilin studioja lëndët e tjera, por jo me po atë pasion dhe dashuri. (qesh)

Gjatë pushimeve verore me çfar merreshit. A angazhoheshit në kooperativë, apo përqëndroheshit në mbledhjen e bimëve medicinale për blerjen e mjeteve, për nisjen e vitit shkollor vijues.

-Deri në klasën e tetë, gjatë pushimeve verore merresha me punë të ndryshme blegtorie dhe bujqësie në shtëpi. Kurse në Gjimnaz kam punuar edhe në Kooperativë. Në këtë mënyrë ndihmonim pak familjen dhe kontribuonim disi për shkollimin tonë: për blerjen e ndonjë mjeti shkollor, të ndonjë rrobe.

Po arsimin e mesëm ku e keni përfunduar. Sa ishit i orientuar në fushën e edukimit fizik. A e mendonit që në vit më pas do ishit i prerë për të ndjekur rrugën e mësuesisë në lëndën e fiskulturës.

-Në vitin 1969 kam përfunduar arsimin e mesëm në Rrëshen. Kam qenë konviktor në vitet e studimeve të shkollës së mesme. Të them të vërtetën, në fushën e Edukimit Fizik nuk kisha ndonjë orientim specifik, sepse nuk e zhvillonim atë lëndë me një mësues të arsimuar në atë fushë. Dhe aq më pak e mendoja veten një mësues, për më tepër të asaj lënde. Gjithsesi unë kujtoj dëshirën time të zjarrtë si të çdo të riu, për aktivitete dhe lojëra të ndryshme sportive, pavarësisht se ne e zhvillonim lëndën e Fiskulturës me një mësues rusishteje.

Si e pritët njoftimin se do të ndiqnit Insitutin e lartë “Vojo Kushi”. A patët preferencë tjetër për të studiuar, pra nësë u kishin “hëngër hakun”.

-Njoftimin se do të ndiqja Institutin e lartë “Vojo Kushi” nuk e  prita me ndonjë entuziazëm të madh sepse kisha tjetër dëshirë dhe synim në fakt, por gjithsesi me gëzim dhe njëherazi edhe me spekticizëm, sepse siç e kam thënë dhe më lart, nuk kisha bërë Fiskulturë me një specialist të lëndës.

Qysh kur do të filloja arsimin e mesëm, dëshira ime ishte ta vazhdoja atë në Durrës për Mjekësi ose Inxhinieri Pyjore, që më pas të ndiqja Universitetin në Shkodër për të njëjtat degë, njërën syresh domethënë. Kjo ishte jo vetëm një dëshirë e imja, një pasion, por edhe një mënyrë për të ndihmuar familjen, sepse ato fusha studimesh ofronin mundësi të menjëhershme punësimi. Mua më interesonte të filloja punë sa më shpejt. Ne kemi qenë një familje e madhe patriarkale dhe kemi jetuar midis shumë vështirësish dhe pamundësish, si pothuajse të gjithë në atë kohë. Por nuk u realizua ajo që unë doja, ngela në Rrëshen…

Pas përfundimit të arsimit të lartë, ku u emëruat për herë të parë në punë. Si e kujtoni orën e parë si mësues në jetën tënde dhe a ishe i kënaqur me emërimin.

-Pas përfundimit të arsimit të lartë, jam emëruar për herë të parë mësues fiskulture në Shkollën e bashkuar Rrëshen, me datë 12 janar 1971. Kur kam filluar punë, viti shkollor kishte nisur, nxënësit ishin në semestrin e tyre të dytë, prandaj deri në fund të vitit kam dhënë mësim në 8 vjeçare. Mandej me fillimin e vitit të ri shkollor kam kaluar në Gjimnaz.

Orën e parë si mësues e kujtoj me shumë mall. Isha i emocionuar, por edhe i vënë para përgjegjësisë sepse orën e parë të punës, më kanë ardhur për kontroll përfaqësues të Seksionit të Arsimit.

Ndieja edhe një gëzim e krenari të veçantë si kuadri i parë në rreth që kishte përfunduar studimet e larta për fiskulturë, degë të cilën mësova ta doja gjatë studimeve, bashkë me profesionin fisnik të mësuesit që gjithnjë e kam çmuar fort. Pastaj, gjatë gjithë viteve të mia të punës ato ndjesi u rritën dhe u forcuan përherë e më shumë.

Nëse keni qenë larg shtëpisë tënde, ku jetonit. Mund të flisni për vështirësi akomodimi apo rrugëtimi,  sidomos në kohë dimri.

-Kam banuar me familjen time në Përlat. Të gjithë kontribuonim për të mundësuar jetesën tonë midis vështirësive dhe pamundësive të shumta siç e kam përmendur tashmë, por pesha më e madhe sigurisht iu mbetej prindërve. Në punë vija dhe shkoja në këmbë shumicën e rasteve. Rrallëherë me makina rasti.

Cilin kishit drejtor të shkollës dhe sa bashkëpunonit me të. Përmendni emra mësuesish që ju kanë mbetur në kujtesë për punë e mardhënie të mirë.

-Drejtor shkolle kam pasur Mark Bibën dhe Tomë Lleshin. Kishim një bashkëpunim mjaft të mirë, siç e kisha edhe me kolegë të tjerë si: Gjergj Nezha (ish-Drejtor), Elez Kasemi (vlonjat), Fran Pepa (mirditor, mësuses Fizike), etj.

Sa rëndësi i kushtohej lëndës së edukimit fizik në atë kohë. Kujtojmë spartakiadat në shkallë rrethi. Sa ke qenë pjesmarrës me shkollën tënde, në cilat vite, a keni marrë vlerësime.

-Të jemi realistë, nuk është se i kushtohej rëndësia që i kushtohet sot për shumë arsye. Aq ishin mundësitë. Por gjithsesi nuk mund të themi se neglizhohej. Përkundrazi, mësimi zhvillohej rregullisht, nxënësit angazhoheshin maksimalisht. Sigurisht që kemi marrë pjesë dhe në spartakiadat në shkallë rrethi dhe jo vetëm, edhe në ndeshje futbolli e volejbolli ndërmjet shkollave të rrethit tonë.

Si i vlerësonit drejtuesit arsimor të asaj kohe. Cili sipas mendimit tuaj ka qenë më pranë mësuesve dhe shkollave.

-Kam vlerësim për të gjithë drejtuesit arsimorë të asaj kohe. Ju kanë qëndruar pranë mësuesve dhe shkollave, veçanërisht për Shefin e Arsimit, Tomë Lleshi, i cili e vlerësonte shumë kuadrin.

Në vitin 1972 u emëruat Kryetari i Komitetit Fiskultures e Sportit Rreshen. Si erdhi ky emërim, si e pritet atë.

-Emërimi si Kryetar i Komitetit të Fiskulturës e Sportit Rrëshen në vitin 1972 ishte i papritur për mua, si i ri dhe i papërvojë që isha. Por ndihesha edhe krenar e i lumtur që më ishte besuar një përgjegjësi e atillë. Në vitin 1975 deri në 1979 jam rithyer prapë si mësues në Gjimnazin e Rrëshenit, me drejtor shkolle, Tomë Lleshin.

A kujtoni disa nga arritjet në atë kohë, ndërkohë që ishit shumë i ri në moshë dhe pa përvojë të gjatë në mësimdhënie.

-Kujtoj Spartakiadën Kombëtare të Kooperativave Bujqësore, në vitin 1973, ku kemi dalë në vend të parë si rreth. Kujtoj gjithashtu krijimin e ekipeve të ndryshme të sportit: ai i futbollit ka qenë kategori e dytë, i volejbollit, i basketbollit, i mundjes, i qitjes. Këto tre të fundit i bënim me sisteme grumbullimi, pastaj shkonin në kampionat.

Trajnerë futbolli kanë qenë Ndue Ruçi dhe Dodë Arapi; trajner volejbolli ka qenë Haki Halili; trajner basketbolli ka qenë Nikollë Beleshi; trajner i mundjes ka qenë Dodë Bib Lleshi dhe trajner i qitjes ka qenë Gjon Kaçorri.

Ju kaluat në sektorin e ushtrisë. Në çfar vite dhe a ishte dëshira juaj për tu bërë oficer.

-Në gusht deri në dhjetor të vitit 1979 kam bërë kursin e Përgatitjes fizike, në Shkollën e Mesme Ushtarake. Më 06.01.1979 jam titulluar oficer. Po në atë vit jam emëruar Instruktor i përgatitjes fizike në Shkollën e lirë ushtarake, në Kurbnesh, ku kam shërbyer deri në vitin 1985. Kanë qenë vite të vështira prej terrenit të vendit, motit të acartë, por edhe prej rrethanave të kohës. Sidoqoftë kanë qenë edhe të bukura. Ruaj kujtime të çmuara të asaj kohe. Në Kurbnesh jam shpallur Oficer shembullor, jam dekoruar si i tillë.

Si mund ti përshkruash ato vite, ndonjë ngjarje që u ka mbetur në kujtesë, ndërsa në Kurbnesh bënte kohë e ashpër.

-Sigurisht që kalimi në sektorin e ushtrisë nuk qe dëshirë e imja, isha i detyruar ta bëja atë gjë. Sistemi ishte i atillë që nuk i interesonte aprovimi apo mosaprovimi ynë për ndonjë vendim dhe ne nuk kishim asnjë lloj mundësie që t’i kundërshtonim ato. Ngelej vetëm të bindeshim.

Më pas, nga ajo periudhë, pra nga viti 1985 deri në 1992 kam qenë Komandant Batalioni në Rininë shkollore. Nga 1992 deri ne 1995 kam qenë në asistencë, sepse na kapi reforma në ushtri dhe pensioni i parakohshëm. Nga 1996-1998 kam qenë mësues Fiskulture në Përlat Epër. Në 1988-2000 kam qenë Sekretar i Klubit sportiv Minatori. Në 1999 kam qenë dy muaj mësues Fiskulture në Shkollën e Mesme në Rrëshen. Jam transferuar nga Përlati Epër. Kam zëvendësuar Shtjefën Paçukun.

Dhe vijnë vitet 90-ta, shkolla u përball me tranzicionin. Sa vlerësohen lënda e edukimit fizik.

-Lënda e edukimit fizik vlerësoshej njësoj si përpara viteve 90. Mësuesit ishin të përkushtuar dhe nxënësit tejet të interesuar, por prapëseprapë në krahasim me vitet e mia të fundit si mësues, kishte shumë mungesa: mungesa terrenesh të përshtatshme edhe në ambientet jashtë shkolle, mungesa e një palestre. Mësimi zhvillohej përherë jashtë, pavarësisht kushteve atmosferike.

Një ditë u gjendët sërish në detyrën e lartë të kryetarit të komitetit të sporteve. Cilin zevendësuat në këtë detyre dhe si erdhi emërimi juaj në këtë detyre.

-Kur mora detyrën e Kryetarit të komitetit të sporteve, zëvendësova Nikollë Tomën. Emërimi qe bërë me vendim të Këshillit të Komitetit Ekzekutiv.

Sa e vështirë ishte situate për të mbajtur në këmbë ekipet si në futboll e volejboll.

-Ishte shumë e vështirë t’i mbaje në këmbë ekipet e futbollit dhe të volejbollit. Financonte Bashkia. Ekipi i futbollit trajtohej me 100 lekë në ditë. Sportet e tjera funksiononin me sistem grumbullimi.

Mbështetja financiare është shumë e rëndësishme në sport, jo vetëm për të motivuar dhe shpërblyer punën, disiplinën, stërvitjen e vazhdueshme, përkushtimin, por për të mundësuar ekzistencën e ekipeve. Kur ajo mungon ose është krejt e pamjaftueshme ekzistenca dhe performanca e ekipeve është në rrezik, sado që më duhet të theksoj se lojtarët ishin jashtëzakonisht të apasionuar pas sporteve që ushtronin. Kjo ishte arsyeja e vetme që i shtynte përpara ekipet.

Çfar mendoni si arritje tuajat në këtë detyrë. Sa i mbështetur ishit nga autoritet.

-Gjej rastin që të falenderoj dy miq të mirë, të cilët kanë qenë sponsorizues të ekipeve të futbollit dhe volejbollit: Fran Kaçorrin i cili ka qenë sponsor i ekipit të volejbollit dhe Inxhinier Pjetër Pjetrin, i cili ka qenë sponsor i ekipit të futbollit dhe na ka ndihmuar në rikonstruksionin e Pallatit të Sportit, në mënyrë që ta kthenim atë në një godinë funksionale.

Çfar kujtoni ngjarje sportive, fitore apo disfata. Për mendimin tuaj cila ishte arsyeja.

-Siç e ceka disi, nuk kam qenë, më mirë të them, nuk kemi qenë të mbështetur aq sa duhet nga autoritetet.

Si arritje në këtë detyrë mund të përmend:
  • Vënia në efiçencë e Pallatit të Sportit, i cili kishte dalë jashtë përdorimi si godinë, sepse ishte shumë i prishur dhe i dëmtuar.
  • Rregullimi i fushës së futbollit.
  • Nxjerrja e ekipit të futbollit “Minatori” në kategori të dytë me trajner Mark Kolën.
  • Nxjerrja e ekipit të volejbollit “Minatori” në kategori të parë me trajner Haki Halilin.
Sa vite qëndruat në këtë pozicion dhe si erdhi largimi juaj.

-Në atë pozicion pune qëndrova dy vite, pastaj dhashë dorëheqjen sepse nuk gjeta mbështetje.

Pas largimit nga drejtimi i sportit ku vijuat si mësues. Si e pritët rikthimin pranë nxënësve në pozicionin e mësuesit.

-Pas largimit nga drejtimi i sportit në vitin 2000, vazhdova si mësues i Edukimit fizik në Gjimnazin e Përgjithshëm të Rrëshenit deri kur dola në pension në 2014. Të them të drejtën isha shumë i kënaqur sepse aty ku e nisa punën time për herë të parë edhe e përfundova, aq më tepër në profesionin fisnik e dinjitoz të mësuesit.

Tani në pension a i ndiqni aktivtetet sportive. Cilat do ishin disa nga sygjerimet tuaja.

-Jo, fatkeqësisht nuk i ndjek më aktivitetet sportive për shkak të moshës dhe gjendjes sime shëndetësore.

Një jetë në sporte dhe drejtim, kë do përshëndesni si mbështetës tuaj?

-Përshëndes familjen time, kolegët e mi, studentët dhe gjithë miqtë e dashamirët! Pa ju nuk do t’ia kisha dalë dot në këtë udhëtim të gjatë e të mundimshëm.

Dhe sëfundi Ju falenderoj shumë për intervistën tuaj, për kohën dhe interesin e treguar!

Intervistoi: Aleksandër Ndoja, Punoi në komp; Esma DODAJ.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest