Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Gjon Lufi, komandanti mirditas i trupave mbrojtëse të kongresit të Lushnjës, në vitin 1920.

-Nga Lin KIKU-

Nga Pirusti News
2 688 Shikime

Një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetit Shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së tij, është ngjarja e Kongresit të Lushnjës, që u mbajt në janar të vitit 1920. Ishte ky kongres që hodhi hapat e parë të shtetit politik e institucional të vendit tonë. Historiografia shqiptare e ka përshktuar shumë pak këtë ngjarje të rëndësishme historike, pasi dhe dokumentacioni arkivor është i pakët për këtë ngjarje, se “nuk ka të dhëna të plota për inicuesit e idesë së krijimit të kryetarit kolektiv të shtetit, pasi kuptohet, që shkëmbimi i mendimeve mes aktorëve politikë ka qenë “diskret” si marrëdhenie xhentëlementësh”- (citon Prof. Elmaz Sherifi në studimin e tij për këtë ngjarje), por dhe duke bërë interpretime preferenciale të kohës.

 Pjesëmarrësit në këtë kongres ishin pothuajse nga të gjitha krahinat e vendit. Edhe Mirdita ka pasur përfaqësuesit e saj në këtë kongres, por që fatkeqësisht nuk janë përmendur asnjëherë zyrtarisht, pasi dhe proçesverbali i kongresit është mbajtur disa ditë pas përfundimit të tij, por dhe se mirditasit që morën pjesë aty kishin një rol të dyfishtë, dhe si pjesëmarrës por dhe si mbrojtës të këtij kongresi, që ishte i rrezikuar tej mase nga kundërshtarët që nuk donin mbarëvajtjen e këtij kongresi. Fakti se duke qenë se roli i përsonazheve kryesorë të këtij kongresi, ishte i një lloj marrëdhënie “diskrete” mes njëri tjetrit, duke vepruar dhe u angazhuar në bazë të njohjeve dhe miqësive të tyre, mirditasit që morën pjesë aty, shkuan në mbështetje të mikut të tyre Ahmet Zogu, prandaj dhe dëshmitë e kohës i paraqesin si matjanë, sepse ata shkuan të organizuar nga Zogu, dhe identifikimi i tyre bëhej sipas krahinës nga ishte ky.

Në krye të trupave mirditase që morën pjesë në këtë kuvend ishte Gjon Lufi, një nga figurat më të njohura dhe të spikatara, jo vetëm në zonën midis Matit dhe Mirditës, por në të gjithë krahinën e më gjërë të Mirditës. Ishte një luftëtar dhe komandant i shquar që kishte marrë pjesë në shumë luftra ndaj armiqve dhe pushtuesve të vendit tonë. Për herë të parë zyrtarisht, emri i Gjon Lufit përmendet nga Marin Sirdani, në revistën Hylli i Dritës, vitet 30, të shek të kaluar, ku në studimin e tij historik me titull, “ Histori dhe fakte” në përshkrimin e ngjarjeve pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, e tregon kështu në ngjarjet e asaj kohe: “Kto pshtjellime e ky pabashkim vijoj se vijoj edhe gjith kohën e luftës europjane, e dymdhetë bajrakët e Mirditës e do të Pukës kjenë shkretnue prej esadistavet. Ndër të gjitha ato luftime, pos sa burrave tjerë, Gjon Shkurt Lufi i Selitës e Pal Ndue Berhani i Pishkashit, i lanë nam vedit e bajrakut të vet per kreshniki që diftuen”. Gjon Lufi, në popull njihej me titullin si “Gjenerali me Xhurdinë”, kaq i lartësuar ishte emri i tij.

A mori pjesë Gjon Lufi në Kongresin e Lushnjës, dhe cili ishte roli i tij në këtë kongres, çfarë e lidhte me Ahmet Zogun, cilat ishin ngjarjet kronologjike të kohës, që vërtetojnë pyetjet e mësipërme?

 Selita si bajraktar ( flamurtar – shqip) ka pasë shtëpinë e Gjikolës në Kurbnesh. Nga fundi i shek. XIX dhe në gjysmën e parë të shek. XX në ngjarjet kryesore të kohës, ka udhëhequr shtëpia e Lufit, nga fshati Lufaj, kryesisht Gjon Lufi dhe pastaj deri në vitin 1944 vëllai i tij Ndrecë Shkurt Lufi. Në mbledhjet që janë bërë dhe luftërat kundër turqve e pastaj në ngjarjet e tjera që janë zhvilluar, gjithnjë ka drejtuar shtëpia e Lufit, sigurisht e mbështetur nga pleqësia e katundeve. Gjon Lufi qe delegat në Kongresin e Lushnjës si përfaqësues i Mirditës.

Pjesëmarrja e tij në këtë kongres tregohet dhe në vargjet e mëposhtme:

“Gjon Shkurt Lufi burrë mentar

përfaqësoi Mirditën mbarë.

Në kuvend të Lushnjes kuvendar

i tha fjalët si t’ish shkollar.

Për këtë shtet e shqiptari

Jetë e kulla prap shkrumb e hi.

I vendosur ky bir malësori

si përherë ish mirditori,

për atdheun plot dashuri,

por me zjarr për armiqtë e tij”.

Marrë nga Prof.Mark Përgjoni – “Si e pësoi Selita nga komunizmi 1944 – 1990”.

Kongresi i Lushnjes!

Kongresi i Lushnjes i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash me në krye një kryetar që do të kryente funksionet e drejtuesit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria.

Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i coptimit të Shqipërisë. Menjëherë pas përfundimit të kongresit në Lushnjë, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjes, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe u shpjegonte atyre vendimet që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin.

Gjatë gjithë punimeve të kongresit, ra në sy temperamenti i ndezur i Ahmet Zogut, që i bëri të gjithë delegatët të fitonin një admirim ndaj tij dhe ta zgjidhnin me votim unanim në postin delikat të Ministrit të Brendshëm, ndonëse ai nuk i kishte mbushur akoma 25 vjeç.

Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjes deri sa të stabilizohej disi situata anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Mes të tjerash ai ju tha delegatëve: “Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju po të doni rrini këtu”. Kështu, siç dhe ishte parashikuar, gjatë udhëtimit të tij për në Tiranë, Ahmet Zogut dhe njerëzve që e shoqëronin, ju pre rruga në Kavajë nga ana e forcave italiane që ishin të armatosura me topa e mitraloza.

Një oficer italian ju doli përpara Zogut e njerëzve të tij dhe ju dha urdhër atyre që të ndërprisnin marshimin. Ahmet Zogu e kundërshtoi hapur oficerin italian duke i thënë: “Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjes”. Pas një debati të ashpër që desh kaloi në konflikt të armatosur, oficeri italian u tërhoq së bashku me gjithë forcat që kishte nën komandë dhe i hapi rrugën Ahmet Zogut që të hynte në qytetin e Kavajës.

Në atë qytet, Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, qëndroi për disa ditë, duke emëruar nënprefektin dhe disa nëpunës të vegjël të administratës vendore. Hyrja e Ahmet Zogut në Kavajë, e shqetësoi shumë qeverinë e Durrësit, e cila duke e kuptuar që me anë të forcës nuk mund ta ndalonte dot Zogun, filloi të përdorte dredhitë, duke i dërguar atij një delegacion për të hyrë në bisedime.

Delegacioni që u dërgua nga ana e qeverisë së Durrësit, i propozoi Ahmet Zogut, që të transferohej kryeqyteti për në Vlorë dhe të thërritej një kongres tjetër kombëtar atje, për të biseduar lidhur me situatën në vend e masat që duhet të merreshin për stabilizimin e situatës në Shqipëri. Mbi këtë propozim, që ju servir Zogut, qeveria e Durrësit, vinte kusht dhe kërkonte anullimin e të gjitha vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Pas pak orësh nga vajtja e delegacionit të Durrësit për bisedime me Ahmet Zogun, ai delegacion u kthye shpejt në qytet, pasi Zogu refuzoi kategorikisht, që të bisedonte rreth atyre propozimeve. – Marrë me shkurtime nga: “Historia e Shqipërisë, periudha, ndërtimi dhe organizimi i shtetit shqiptar, 1920 – 1924”.

Kongresi i Lushnjës, proçesverbali i kongresit , origjinali nuk ekziston, por është njehsimi i origjinalit i shkruar disa ditë më pas kongresit nga Sotir Peçi. Hajredin bej Cakrani pjesëmarrës në kongres, në librin e tij “Kujtimet e një firmëtari” e përshkruan Zogun si një djalë i ri njëzet e ca vjeç, që kishte ardhur në Lushnjë me njëqind e ca matjanë, dhe si përsoni më i duhuri në këtë kongres.

Mendohet se Gjon Lufi dhe Abati i Mirditës Prend Doçi, të jenë përsonat që kanë bërë ndërhyrjen si referencë te autoritetet e duhura të Austrisë, për përzgjedhjen, pregaditjen dhe caktimin e Ahmet Zogut si drejtuesi dhe mbreti i ardhshëm i Shqipërisë. Në librin e Bernd J. Fisher, (Profesor i Historisë së Ballkanit, në Universitetin e Indiana – s, USA) , “Ahmet Zogu- Mbreti shqiptar mes dy luftërave”, autori shkruan se si në vitin 1916, mbreti Zog u dekorua nga austriakët me gradën e kolonelit dhe u ftua nga këta për ta marrë dekorimin në Vjenë, ku ndërkohë do të qëndronte atje deri në mbarim të luftës së parë botërore, në vitin 1918.

Në vitin 1920, mori pjesë në kongresin e Lushnjës që nxorri nga gjiri i vet qeverinë e parë të pasluftës. Pavarësisht nga mosha e re, Zogu mori postin numër Dy, në kabinet, atë të Ministrit të Brenshëm – pjesërisht dhe nga fakti se pasuesit e tij ishin mbrojtësit e Kongresit. Zogu duke ndjekur metodën që më parë e kishte përdorur Austria, duke bërë marrëveshje me krerët e fiseve të forta e të mëdha, duke ju dhënë grada ushtarake dhe para, arriti të ishte njeriu më me ndikim në atë periudhë.

Po të marrim për bazë mendimin se Gjon Lufi, së bashku me Abatin kishin bërë ndërhyrjen te austriakët për Zogun, dhe logjika historike të çon në një vërtetim të këtij fakti nga përshkrimi i mësipërm, ky do ta kishte në të ardhmen, si krahun e tij te djathtë dhe mbështetjen më të madhe në krye të trupave mbrojtëse që mori me vete në Lushnje, pasi Gjon Lufi, ishte një nga krerët e fiseve më të forta në zonën midis Matit e Mirditës, e më gjërë.

Gjon Lufi, i cili ishte një nga drejtuesit e mbrojtësve të Kongresit të Lushnjes, u vra pas mbarimit të kongresit, nga nxitja e qarqeve anti shqiptare që kërkonin copëtimin e Shqipërisë, dhe këto qarqe shfrytëzuan ngatërresat dhe grindjet midis fiseve dhe familjeve malësore, duke i shtyrë kundër njëri tjetrit, për realizimin e qëllimeve të tyre dashakeqe ndaj vendit tonë. Historiografia jonë nuk i ka dhënë vlerësimet e duhura për këtë figurë që i kalon kufinjtë e Mirditës, duke u rrjeshtuar në krahun e figurave të rëndësishme të vendit, që luftuan dhe dhanë jetën e tyre për idealet dhe lirinë e Shqipërisë.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest