Clarissa de Waal, situata fetare në fillimet e viteve 90-ta në Mirditë

Pjesë nga libri MBIJETESA, -Shqipëria në postkomunizëm-

Nga Pirusti News
1 152 Shikime

Në Rrëshen dhjetra grupe fetare për përhapjen e kristianizmit në një zonë tradicionalisht të krishterë.

Kur u vendosëm për herë të parë në Rrëshen, vendasit normalisht menduan se ne ishim misionarë. Në Rrëshen nuk kishin qëndruar të huaj të tjerë, përveç një pjestari të Korpusit të Paqes, kurse larmia dhe grupi i misionarëve ishte i konsiderueshëm. Përveç dy grupeve katolike, kishte edhe bahai, adventistë të Ditës së Shtatë, mormonë, evangjelistë, (anglezë, amerikanë, suedezë). Megjithatë nuk kishte rendje pas fesë, gjë që disa misionarë dukej se nuk e kishin parashikuar.

Në dukje, ateizmi rrinte deri diku rehat te mirditorët megjithëse ata tradicionalisht ishin katolikë romanë. Ata e pëlqenin që u jepej identiteti i përcaktuar si minoritet katolik roman, por nuk ishin entuziastë me variantin e sotëm të katolicizmit. Biles edhe ata që ndjenin nostalgji për formën e vjetër, nuk i tërhiqte version bashkëkohor. Për sa i përket llojeve të tjera të fesë, rrëshenasit na pyesnin se përse feja mbushej aq shpesh me njerëz që atyre u dukeshin ose qesharakë, ose fizikisht me të meta. Ishte e vërtetë që një pjesë nga grupet evangjeliste angleze mbanin syze të trasha, kishin çehre të zbehtë, rroba që të bënin për të qeshur dhe ecnin si të këputur në mes.

Ishte gjithashtu e vërtetë që grupe të vogla evangjelistësh dukeshin absurd pasi ata, në sheshin qëndror, e bënin çorbë predikimin me këngë që këndohen rreth zjarrit nëpër kampingje. Me ta rrinin një copë herë vetëm një pakicë fëmijësh që i përqeshnin dhe kalimtarë të rastit. Ma sa ja varin blerësit e Kembrixhit predikuesve tuhafë të Sheshi i Tregut, aq ia u varnin edhe rrëshenasit atyre.

I pyeta disa nga grupet që e quanin vehten kristianë, se përse kishin ardhur për të përhapur krishtërimin në një zonë që ishte kristiane. Bile, a e dinin se Mirdita ishte një krahinë katolike? Përse në fjalimet e tyre u bënin thirrje mirditorëve të ktheheshin te kristianizmi?

Ishte e pamundur që t’i bëje misionarët të merreshin me këtë pyetje. Disa nga organizatorët e grupeve që qëndronin më gjatë aty, në të vërtetë ndodheshin atje për qëllime bisnesi, megjthëse shumica e të rekrutuarve nuk ishin në dijeni të kësaj. Një anëtar i një grupi misionarësh ju tha mjekëve të spitalit se ai ishte gati të investonte për të çelur vende pune në Rrëshen, duke ndërtuar një fabrikë për prodhimin industrial të mallrave ushqimorë.

Ai gjithashtu bënte plane për të krijuar në disa qytete, qendra ku të mësohej për qepjen e rrobave. Këto do të zhvilloheshin krahas një qendre që ekzistonte në Rrëshen, e cila financohej nga shteti për të ndihmuar vendasit të fillonin bisnesin e tyre privat. Por të gjitha këto plane mbetën në letër.

Si një qytetar i Rrëshenit vuri në lojë njërin prej pjestarëve të këtyre sekteve.

Një pronar kafeneje në Rrëshen nuk mund të rrinte dot pa bërë shaka me një Adventist të zjarrtë, duke e çuar atë për të parë rrënojat që mendohej, i tha shakaxhiu, se ishin të një kishe të lashtë adventiste, e cila siç shtirej ai, sapo ishte gjetur mbi një fshat në veri të Rrëshenit. Adventisti ishte jashtëzakonisht i emocionuar nga ky zbulim dhe dërgoi letër në atdheun e tij, për të informuar mbi kishën mëmë.

Në një rast në vitin 1993, kur po ktheheshim nga Fangu për në Tiranë, Soula dhe unë u pataksëm kur pamë tre të huaj që ishin ulur në autobus para nesh. Dëgjuam një copë nga biseda e tyre dhe po vrisnim mendjen se ç’ishin ata, kur nga mbajtësja e bagazheve ra mbi kokat tona një kapicë e madhe me pamflete fetare. “Dhurata e Perendisë për Njerëzimin”, e shtypur në Warwick, në Angli. Kjo na u duk kaq shumë qesharake sa u desh të kalojë një farë kohe që të mblidhnim vehten tamam, të grumbullonim librat dhe t’ua dorëzonim misionarëve.

Vitin tjetër në Rrëshen ishte një grup amerikan i quajtur “Jeta e re” që hargjonte shumë kohë duke u ngritur e duke zbritur me një helikopter nëpër krahinë. Flisja me përkthyesin e tyre shqiptar, një djalë i ri, realist i cili më thotë se ata marrin filmin e Jezuit dhe e shfaqnin nëpër fshatra. Pastaj ai më tha se se ata kishin riparuar dy shkolla fshati, por kur kishin bërë gati të gjitha materialet për riparimin e një shkolle tjetër në një fshat malor, Kisha Katolike i kishte urdhëruar me zemërim të shporreshin dhe i kishte bërë riparimet vetë.

Mirditasit janë tradicionalisht katolikë romanë.

Ndikimi i katolicizmit ishte pak më ndryshe. Së pari ai ishte zyrtar dhe përfaqësues i një besimi fetar. Ai kishte mbështetjen finaciare dhe shpirtërore  të Vatikanit, ishte burim përfitimesh konkrete si në kopshte fëmijësh apo furnizime mjekësore. Sjellja e priftit në shërbesën e Pashkës në Orosh, siç u tregua më sipër ishte, fakeqësisht, karakteristike për praninë katolike në Mirditë, autoritare dhe me mungesë tolerance.

Atë pranverë, një nga priftërinjtë më kërkoi të bëja disa fotografi për masën e popullit që ishte në Orosh, pasi ai nuk kishte më film. Kjo më dha mundësinë t’i nderoj me një vizitë në selinë katolike, pak kohë pasi ishim vendosur në Rrëshen. Ndërtesa ku ishte vendosur misioni katolik më parë kishte qenë shtëpi e pritjes, ku qëndronin zyrtarët e partisë komuniste që vizitonin qytetin, duke përfshirë me raste edhe më të mëdhenjtë. Njëra anë e ndërtesës tre katëshe ishte kthyer në Kishë. Në pjesën tjetër ishin strehuar murgeshat dhe priftërinjtë që drejtonin misionin. Ata ishin pesë a gjashtë, kryesisht italianë kurse një murgeshë ishtë nga Kosova dhe kishte jetuar në Beograd.

Me rastin  e vizitës tonë na u desh të prisnim një kohë të gjatë, para se dikush të na priste. Dyert dhe dritaret ishin zënë me zgara hekuri, ç’ka të jepte më shumë përshtypjen e një fortese, se sa të një qendre vizitash për besimtarët. Duke biseduar me murgeshën që përfundimisht na futi brenda, e kuptuam pse-në. Tregimet e saj të frikshme për vendasit, për zvetënimin e tyre, numrin e problemeve mendore, shkallën e dehjes, të dhunës dhe mungesën e gatishmërisë për të ndjekur shtegun e drejtë e të ngushtë të arsyes dhe drejtësisë, na tha ajo, na detyruan të mbyllnim dyert e misionit që fillimisht ishin të hapura.

Ishte e vështirë të kuptoje se si do të ishte në gjendje misioni të mbillte ndonjëherë farat e drejtësisë, po të kemi parasysh shkallën e antipatisë së tij ndaj vendasve.

Gjithësesi nga kjo situatë, disa intelektualë mirditorë në një farë mënyre i tërhiqte katolicizmi. Ata e ndjenin nevojën e besimit, veçanërisht të atij që lidhej ngushtë me trashëgëminë mirditore, për ta zëvendësuar marksizëm-leninizmin. Ata e ndjenin se kisha katolike, si një institucion me me një etikë të ngulitur dhe me një histori të gjatë, mund të ushtronte një ndikim të nevojshëm shumë më stabilizues. Por gradualisht, natyra hierarkike dhe autoritarizmi i klerit e ftohu entuziasmin e fillimit.

Një mik, intelektual, mësues, poet dhe studiues, fillimisht ishte mjaft entuziast me idenë se Kisha kishte se çfarë t’i ofronte. Ai shkoi te priftërinjtë, disa vjetë pasi ata kishin mbërritur në Rrëshen, për t’i vizituar e për të mësuar mendimet e tyre në lidhje me përfundimet e tij, pasi i kishte menduar seriozisht çështjet e fesë. Ai u tregoi se besonte te Perëndia, por dëshironte që të merrte gjithçka që i dukej e mirë nga urdhërat e ndryshme kristiane për të cilat ai tashme kishte përfituar disa njohuri. Priftërinjtë, siç edhe priste, e kundërshtuan kategorikisht ekumenizmin e tij, duke ngulur këmbë në pranimin me saktësi të dogmave katolike  dhe të asgjëje tjetër.

“Atëherë, -iu tha miku ynë, – unë s’kam për të ardhur në kishën tuaj.” Dezoluzioni ishte i plotë kur u bë e qartë se Kisha Katolike ishte e përgatitur për të ndihmuar vetëm mirditorët që praktikonin katolicozmin.

Më 1999, katolicizmi në Mirditë fitoi një dimension të ri. Disa mendonin se katolicizmi mund të ishte çelës për zhvillimin ekonomik e krahinor. Në rrafshin individual kjo do të thotë që një piktor profesionist, i cili fillonte të pikturonte tabllo me tema fetare, e kishte kuptuar se Misioni Katolik ishte blerësi më i mundshëm i veprave të tij.

 Në rrafshin politik kombëtar, etnia katolike mund të siguronte një urë të pranueshme për identitetin kulturor europian. Në rrafshin krahinor ky avantazh rajonal mund të ishte një mënyrë për të përfituar fonde për zhvillimin kulturor e arsimor, që nuk mund të siguroheshin me mënyra të tjera. Shkolla që kishte themeluar abati Preng Doçi më 1899 në Grykë Orosh, shkolla e dytë për nga vjetërsia, në vjeshtën 1999 do të festonte 100 vjetorin. Grykë Oroshi ishte një fshat pa rrugë, ku mezi shkohej e për pasojë po e humbiste me shpejtësi popullsinë e tij. Fondet për restaurimin e ndërtesës u gjetën me vështirësi dhe prestigji i saj simbolik i justifikonte shpenzimet, pavarësisht se së afërmi do të mbyllej pasi popullsia e vendit po zbriste drejt ultësirës. Por më në fund, më 11 nëntor përgatitjet përfunduan dhe Presidenti, Ministri i Arësimit dhe një grup me kameramanë mbërritën me helikopterin që u ul mbi një ngastër të vogël, të sheshtë para shkollës. U mbajtën fjalime që mbyllën këtë ditë të shkurtër lavdie për Oroshin.

Është plotësisht çoroditëse të thuash sikur shqiptarët janë kryesisht myslimanë.

Në një konferencë të zhvilluar në qershor të vitit 1999 në një universitet të Londrës, një studiues anglez në kumtesën e tij përmendi se 70% e shqiptarëve janë myslimanë. Një intelektual i mirënjohur nga Tirana që merrte pjesë aty kërkoi të dinte se çfar donte të thoshte me këtë. Folësi dukej i hutuar. Siç e kuptova unë, ai që bëri pyetjen donte të theksonte se 70% e popullsisë formalisht mund të jetë myslimane nga fakti që shumica e emrave të tyre janë myslimanë dhe në ceremonitë e varrimit, mbase ndjekin një model tradicional mysliman. Por 70% e popullësisë nuk është myslimane në kuptim të besimit fetar. Në fakt është plotësisht çoroditëse të thuash sikur shqiptarët janë kryesisht myslimanë. Nga përvoja ime personale, kur i pyesja, shumica e shqiptarëve me thoshin se besojmë që ka një Perendi dhe askush, nga ata që kam takuar deri më sot, nuk e lidhte perëndinë me një sekt apo urdhër fetar të veçantë. Madje një numër i madh shqiptarësh janë të deklaruar si ateistë.

Ndoshta një përpjekje e mëtejshme për të komunikuar me Europën në faktin që myslimanizmi nuk është një karakteristikë kulturore e jetës shqiptare, ishte edhe konferenca ndërkombëtare që u mbajt në Tiranë në të njëjtin muaj, e titulluar Krishtërimi në Shqipëri. Ditën e parë në këtë konferencë mori pjesë edhe Presidenti dhe në ditët që pasuan morën pjesë shumica e drejtuesve të drejtorisë arsimore të Mirditës, përveç disa mësuesve dhe kryetarit të komunës së Oroshit.

Tabloja që kam vizatuar për Rrëshenin, në këtë periudhë, në shumë drejtime është përfaqësuese për qytetet e tjera, të vogla, të krahinave të Shqipërisë. Papunësia e lartë, prodhimi pothuajse zero, vendet e punes pothuajse parazitare në sektorin publik, tregëtia e vogël, janë karakteristika tipike për këto qytete. Shprehja e Geertz-it “gjendje e amullt” përcjell këtë skenë. Për jetën e një qyteti të tillë një shqiptar mund të thoshte: “Ecim, por jo përpara”.

Mbijetesa, Faqe 249-254

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest