Nëse Mirdita kishte me çfar krenohej edhe në ato kohë të vështira, dy ishin shtyllat kryesore që mbanin lart emrin e kësaj treve. Padyshim kushdo e kupton se bëhej fjalë për arritjet në sportin e volejbollit, por mbi të gjitha, arritjet në fushën e artit dhe kultures, ishin në kuota tepër të larta. Ishin talentë të jashtëzakonshëm, por dhe me vullnetin e tyre të madh, arritën të mbanin të gozhduar spektatorin për vite me rradhë.
Tashmë emra të tillë si Fran Vorfi më grupin emblematik të burrave, këngëtarë e solistë si Kol Zefi, Mark Gjoka, Mrikë Trumshi, Servet Cara, Nikoll Dedaj, Ndue Picaku, Bardhok Koka, Ndue Përkola, Fran Preçi, Luljeta Përbasha, Nikollë Preçi, Dodë e Alda Prendi, Prena Beleshi, më herët babai i saj Simon Beleshi, Anton Gjoka, Gjela Duka, Prena Beci e shumë të tjerë, shto këtu të papërsëritshmit Gjok Beci e Dorian Nini, e kanë gdhendur me germa të arta emrin e tyre, në panteonin e artë të folklorit mirditas.
Njëra prej tyre padyshim është edhe Bardhe Gega që falë talentit të lindur dhe mbështetjes nga prindërit, mësuesit dhe vetë nxënësit, shkëlqeu si diamant për afro dy dekada, ndërsa pas shumë vitesh në emigracion i është rikthyer talentit të parë të lindur, dhe çdo vit përcjell perla muzikore, kryesisht folklorike, për artdashësit e saj që nuk e kishin harruar.
Në një intervistë për Pirusti News, Bardhe Gega përcjell shumë të pathëna për opinionin artdashës dhe miqtë e saj, po ashtu dhe për lexuesit e këtij portali.
-I N T E R V I S T A-
-Një përshkrim i shkurtër i profilit tuaj, familjes e fshatit ku ke lindur?
Kam lindur ne Vau-Shkjezë, nga dy prindër që në atë kohë primare kishin shkollimin e fëmjëve. Fshati im ishte pjesë e Lugines së Fanit, që prifti shkrimtar i viteve 20-të Fabian Barkata nga Tiroli austriak, jo rastësisht do ta quante në ditarin e tij historik, “Lugina më e bukur në botë”… Fëmijëria ime ndikohej jo pak nga mjedisi, lumi i Fanit që herë herë vinte rrëmbyeshëm e i frikshëm. Familja ime përbehej prej 11 anëtarësh. Gjyshja, baba, nana e 8 fëmijë (5 vëllezer e 3 motra).
– Si e kujtoni klasën tuaj të parë. Kush ishte mësuesi i klasës së parë. Si e kujtoni atë?
Shkollën fillore e fillova ne fshatin Vaushkjezë aty ku kam lindur, ku ishte edhe shkolla fillore edhe 8 vjeçare. Me kujtohet abetarja e re qe mezi e prisja ditën e parë të shkollës, ku mësuese kisha Dila Marka Deda. Ajo vinte nga larg, nga lagjia Arrazi një orë ne këmbë, për të ardhur në shkollë. Lodhja e asaj kurrë nuk shprehej te nxënësit, shpjegonte bukur s’te bëhej te dilje nga klasa. Gjatë 4 viteve të fillores mësuam vjeresha dhe unë çdo vjershe e ktheja ne këngë, dhe aty kuptova se zëri im vinte natyrshëm.
-Gjatë 8 vjeçares po aty, kush u bënte orën e muzikës, sa e angazhuar ishit në aktivitetet artistike që bënin shkollat 8-vjeçare?
Mbarova filloren dhe hyra ne klasën e 5-të. Orën e muzikës e mësonim me profesor Frrok Preçi. Ai i binte shume mire fizarmonikës, une këndoja dhe aty filluan organizimet dhe grupet artistike te shkollës. Gjatë këtij viti edhi nje mësues tjeter nga Rrësheni, që quhej Gjergj Kola i cili jepte mësim në fillore. Mësues Gjergji bëri grupin artistik të shkollës, ku mua me zgjodhën soliste që u bë me pëlqimin e nxënësve.
– Që të kishit sukses, duhesh të shpenzoje kohë në prova. Si mundej pasi në fshat një vajzë që hedh shtat, ka dhe angazhime në ndihmë të familjes?
Unë kur dilja nga mësimi si të gjithë fëmijet e asaj kohe, ruanim bagëtitë. Kishim livadhe tona, në anën tjetër të lumit, në Rreth të Epër. Këndoja aq shumë sa rrugëtarët ndaleshin duke dëgjuar, ndërsa ishin nxënësit që me propozuan të isha soliste. Me vinte turp ne klasë, por mësues Gjergji mori çiftelinë edhe më shoqëroi. Ja fillova duke kënduar këngën “une sot jam e vogël”, “shtatë liqejt e Lurës” etj. U bë konkurrimi i shkollave në Rrëshen, ku shkolla 8 vjeçare Vaushkjeze, mori vendin e parë.
Gjatë shkollës 8 vjeçare përfaqësoja jo vetëm shkollën, por edhe kooperativen e Velës, ku konkuronin kooperativat bujqësore, në Rrëshen. Dhe them se për herë të parë zëri i këngës time u dëgjua në valët e RTSH-së, kur unë isha në klasë të pestë.
Po në shkollën e mesme. Ku e mbaruat, çfar kujtoni sa ishit e lidhur gjatë kësaj kohe me aktivitetet artistike?
Pasi mbarova shkollën 8 vjeçare më pëlqente te shkoja ne liceun artistik Tiranë, në degën e Kantos. Në ato kohë për të fituar të drejtën e shkollimit duhej të merrje pjesë në një konkurs mjaft të fortë në Tiranë. Edhe pse ishte i tillë, unë u paraqita dhe e fitova, por për fat të keq e drejta e studimit më doli me pagesë, sepse vëllai im ing. Nikoll Gega sapo kishte mbaruar arsimin e lartë dhe kishte filluar punë inxhinier në metalurgji, ku merrte nje rrogë të mirë në ato kohë. Por familja e kishte të pamundur të paguante, ndaj më duhej të prisja.
Përsëri mbajta shpresë për vitin tjetër, ndërkohë sapo mbarova klasën e 8-të në vitin 1979, hyra në Shkollën e Mesme Industriale Rubik. Nuk më bëhej të shkoja ne atë shkollë, por më duhej të mos ndërprisja shkollimin.
Ndërsa për të shkuar në shkollë ju dhe nxënësit tjerë u duhej të kalonit në urën pasarelë, ura e Vau-Shkjezë, shumë e gjatë dhe e rrezikshme. Si i përjetonit kohët me stuhi?
Të them të drejtën shkollën 8 vjeçare e kishim në derë të shpisë. Na vinte keq për fëmijë të tjerë që vinin që nga Livadhëzi e Arrëzi. Vinin me këmbë të laguara dhe shpesh na duhej ti çonim në shtëpijat tona për tu tharë, e shpesh dhe për ti ushqyer. Ndërsa pas përfundimit të klasës së tetë ishim ne që duhej të kalonim lumin Fan, pasi rruga automobilistike në na çonte në Rubik, ishte në anën tjetër. Ura ka qenë gjthmonë problematike. Kam qenë në klasë të tetë, kur një bashkëfshatar i joni teksa kthehej nga puna natën, ra në lumë. Edhe sot e kujtoj dhe rrënqethem kur dëgjonim kujën e nënës së tij, e cila shkonte shpesh poshtë urës dhe e qante më dënesë. Ka pas shumë raste të rrezikshme, por kujtoj që edhe babai im ka qëndruar për katër orë në një natë stuhie, kapur në një kavo, por që arriti të shpëtonte.
Gjithësesi ju vijuat shkollimin në Rubik, ndërsa Liceu artistik mbeti një ëndërr e parealizuar?
Po e vërtëtë, por kjo nuk më pengoi shumë në rrugën artistike. Vërtetë nuk shkova në Lice, por unë ne moshën 15 vjeçare isha pjesë e ansamblit “Mirdita” pasi u zgjodha ndër solistet më të mira të shkollave 8 vjeçare.
Le të kthehemi më afër aktiviteteve që kanë lëne gjurmë të forta në kujtesën e artdashesve. Përveç zërit që është dhuratë e Zotit, kujt ja dedikoni udhëtimin tuaj në këtë zhanër.?
Ne Ansamblin Mirdita udhëheqës artistik ishte Dorjan Nini. Kompozitori i shquar përgatiti disa këngë për ti kënduar me piano, për të parë se ku mund të arrij. I doja të gjitha zhanërat e muzikës. Ishin kohë të vështira pasi unë po rritesha si vajzë fshati ku ishin shumë angazhime të shpija, mbas mësimit. Dy motrat i kisha të martuara. Isha me 5 vëllezer, nëna punonte ne kooperativë e baba punonte në nënstacionin elektrik, në Rubik. Pra më duhej që të bëja të gjitha punët e shtëpisë. Vështirësi tjetër ishte se shkollën e vazhdoja ne Rubik, nje orë për te shkuar dhe një orë për të ardhur, se autobusi ishte i punëtorëve dhe nuk kishte vend për nxënësit.
Flasim për rreth 40 vite më parë kur shoqëria ishte në tjetër stad. A ndesheshit me paragjykime si një vajzë kaq e re udhëtonte në prova, apo aktivitete brenda e jashtë rrethit?
Paragjykime nuk kisha në fshat, se këndoja gjithkund. P.sh kur ishin gratë e kooperativës tu prashit ne arë, aty ishte dhe nëna ime. Unë këndoja dhe me quanin një vajzë shumë të dashur, e jo mendjemadhe, sepse i doja shumë bashkëfshataret, madje e merrja shatin dhe prashisja me to. Unë vazhdoja shkollën dhe pasditesh filluam provat ne Rrëshen, pasi tashmë isha pjesëtare e Ansamblit Mirdita.
Kur Këndove ne skenë për herë të parë si pjesë e Ansamblit “Mirdita”. Cili ishte titulli i këngës, na flit për emocionin që ndjeje?
Aty u punua një këngë për gjeologen, me tekst te Gjok Becit e muzikë nga Dorian Nini. Titulli ishte “Hodha Shtat N’kto Bjeshke Florini”. E këndova me mjaft pasion, pasi mu përshtat shumë mirë. Kjo këngë u regjistrua edhe në RTSH të asaj kohe, këndohej ne çdo radio dhe me autopolant tek miniera e metalurgjia, ku metalurgët merrnin pak force gjatë punës e lodhjes së tepërt.
Kuptova që shkolla e muzikës s’po me mungonte, isha çdo ditë në muzikë dhe kisha përkrahje nga të gjithë pjestarët e familjes, por sidomos baba i vinte vulën sepse kur vinin te deleguarit e asaj kohe nga Tirana, mua me vinte e me merrte me makinën e komitetit të asaj kohe ne oren e mësimit, gjithmonë i shoqëruar me nje letër nga Gjok Beci, për ne drejtorinë e shkollës, pasi baba im e kishte edhe shok ushtrie.
Cili ishte deputimi juaj që është mirpritur më me entusiasëm nga salla?
Kam kënduar shumë e shumë këngë të vjetra e të reja në skenat e Rrëshenit e Rubikut. Këngët dhe deputimet edhe në grup janë pafundme, sidomos kur ishte festa e çlirimit te Mirditës, ushtonte krejt vendi prej grupit tone te ansamblit. Unë këndoja këngën “hodha shtat n’kto bjeshkë florini” që populli e donte shumë.
“Moj e Mire e Holle e Gjatë” (Potpuri) te dyja kto qe salla nuk pushonte së duartrokituri për fat të keq këto këngë janë në RTSH në pajisjet e vjetra dhe nuk i nxjerrin më.
Kam kënduar duet me Gjergj Marku qe tani është Drejtori i Pallatit te Kulturës në Mirditë. Ishte nje potpuri shumë e bukur, ku na kanë kthyer ta këndonin dy herë rrjesht ne skenë, por nuk mund të lejë pa përmendur Kole Zefin me të cilin kam kënduar bashkë një duet shumë të bukur dhe që morem vendin e parë, në konkurime ndërmarrjesh.
Me cilët muzikantë bashkëpunonit më shumë. Cili ishte ndikimi tek ju i Dorjan Ninit, Fran Vorfit, Kol Zefit etj në suksesin tuaj artistik?
Une jam inspiruar shumë nga këngetarët si Fran Vorfi, Mrika Trumshi, Mark Gjoka, Kolë Zefi, Fran Preçi, Luljeta Përbasha, Ndue Përkola ku ishin këngetarë shumë të mirë. Isha në kulmin e suksesit tim, pasi isha dhe me e reja ne Ansamblin Mirdita, kur mora pjesë ne festivalin Folklorik te Gjirokastrës në vitin 1983 si soliste, me këngën Motive Dasme Mirditore (Ku te zuni hana mramë)
Asokohe vinin kompozitorë edhe nga Tirana si Ferdinant Deda i cili kishte menduar të më merrte në Ansamblin e Shtetit. Këtë nuk e di mirë, se nuk me pyeti askush asnjeherë, por e kam marr vesh vonë që mua donin te me merrnin atje, por drejtuesit e pushtetit të asaj kohe nuk më lejonin.
Pasi mbarove shkollën e mesme si vijuat më tej?
Para viteve 90 ta une u martova ne Lezhë, por nuk isha e transferuar me dokumenta akoma. Mirdita me donte për vete si duket. Unë e pashë që me kengën u realizova por gjerat filluan te zbehen, kisha nje pasion tjeter (humanizmin) infermiere. E pëlqeja dhe e kisha endërr. Prap Mirdita me ndihmoi duke më dhënë burse për infermiere në Tiranë. Kam ikur vete ne zyrën e Pjeter Brozit, asokohe drejtues i lartë i pushtetit, i cili më tha: Ti ke dhënë shumë për Mirditën dhe të takon. Mbarova shkollën dhe u punësova në spitalin e Lezhës, ku punova per 14 vite si infermiere.
-Kur u larguat nga Shqipëria. Sa vështirësi patët, me vizë apo gomone. Ku u vendosët. Na flisni për familjen…sa fëmijë keni dhe cila është karriera e tyre?
Une u largova nga Shqiperia në vitin 1999. Burri kishte ikur ne 1998 ku nuk bëhej fjalë për dokumenta “bashkim familjar”. Jeta filloi të bëhej me e vështirë. Kam tre fëmijë. Nje djalë dhe dy vajza binjake. Kam ikur me dokumenta siç i bënin asaj kohe, me një shumë parash, pasi bashkëshorti im kishte punuar një vit për të paguar udhëtimin tonë. Nisja ishte me autobuz Rubik- Kosovë-Maqedoni-Selanik-Itali. Në Itali me priti vellai dhe burri, që jetonin bashkë. Kemi qëndruar aty për dy javë pastaj kemi marrë shtëpi, në një zonë të Milanos.
Jeta na përballi me vështirësi. Djali do fillonte klasën e shtatë, vajzat klasën e gjashtë. Pasi mbaruan nëntevjeçaren shkuan ne shkolla profesionale katër vjeçare. Djali mekanik elektrout, plus studioi edhe per instruktor, kurse dy vajzat kanë studiuar shkollë profesionale estetike, parukeri per kater vite, plus specializim edhe jashtë në fushën e artit në, Angli. Pas shumë sakrificash jemi të pajisur të gjithë me pasaporta italiane.
– Ju shikojmë në disa klipe të realizuara gjatë viteve në mërgim. Me cilët bashkëpunoni dhe si ju mbështet familja apo të afërmit në karrietën tuaj?
Meqenëse këngën e kisha lënë në një anë, në vitin 2010 takoj te ndjerin Gjok Beci dhe Agim Doçi ku morën përsipër tekstin e këngës “vendit tim”. Ajo është kënga e parë në emigracion, me muzikë të Edmond Zhulali. Nuk jam ndalur kurre, e që prej asaj kohe bashkpunoj me shumë autorë tekstesh si p.sh: Fran Laska etj. Me kompozitor si Behar Neli, Alban Fortuna, Alban Arifi, Xhavit Hajdari me të cilët deri tani kam realizuar mbi 40 këngë. Mbështetja me e madhe janë bashkëshorti e tre fëmijët, vëllezërit e motrat dhe më shumë nëna ime 92 vjeçare, që shumë i kam ngjarë. E don shumë këngën nëna. Nuk merr asnje ilaç, e ka si terapi muzikën.
– Cilat janë disa projekte të së ardhmes?
Aktualisht kam dy këngë të përfunduara, po punoj me shumë se kurrë për te sjellë prurje te reja, por jam shumë e vëmendshme ndaj teksteve dhe kerkoj shumë nga vetja.
Si e shikoni punën e ansamblit “Mirdita” tashmë vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”?.
Une i ndjek me vemendje të gjitha këngët, këngëtarët e çdo krahine. Dy orë në ditë ja kushtoj muzikës nëpërmjet YouTube.Konstatoj me kënaqësi se Ansambli Mirdita (Mjeshtër i Madh) po shkëlqen, po dalin talente të rinj dhe po mesojnë nga ne që te ruajmë fort këngën e bukur shqipe.Ka nje grup vallesh të shkelqyer. Gjergj Marku e ka mbajtur dhe e mbron Ansamblin Mirdita bashkë më muzikantë dhe këngëtarë të mirënjohur, që aktivizohen aty.
Dhe sëfundi, një mesazh për kolegët e artashësit?
Ju uroj në emrin tim të gjithë kolegëve e kolegëve shëndet e jetë sa më të gjatë pranë familjeve të tyre individuale dhe familjes se madhe, ku na bashkon terapia muzike.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”