Masakra e Srebrenicës padyshim është krimi më i madh që i është bërë njerëzimit gjatë 50 viteve të fundit. Por padyshim, nëse kërkon të takosh “Srebrenicën” shqiptare me një masakër të pashembullt në fundshekullin e 20-të, përshko mes përmes qytetin e Gjakovës dhe ndalo atje në “Lëndinën e Pikëllimit, në fshatin MEJE. E teksa hyn në atë lëndinë, bota merr tjetër kuptim dhe ndjesi të veçanta të përshkojnë qenien.
Janë qindra varre që u përkasin 377 të vrarëve të një dite, qindra martirë që ditëlindjet i kanë të ndryshme, duke filluar nga fëmijë 10-vjeçarë, por ditën e kalimit në amshim e kanë të njëjtë. Është një datë e vetme, data apo dita e zezë 27 prill 1999….
Aty prehen fëmijë, të rinj, mesoburra, gra dhe vajza, profesorë e deputetë, bujq e mjekë, të gjithë nga një zonë që përfshin Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës. E teksa ndodhesh aty, mes simbolit të katolikëve, kryqit, dhe gjysmëhënës, simbolit të vëllezërve myslimanë, njeriu e ndjen veten në një realitet krejt tjetër. Mund të kesh dëgjuar apo lexuar për masakrën e Mejës së Gjakovës, por kurrë nuk mund ta imagjinosh të tillë, nëse nuk shkon për ta parë me sytë e tu atë varr masiv, i cili zgjerohet dita-ditës, me hapjen e gropave të reja për martirë të tjerë të po asaj dite, e që akoma nuk kanë përfituar nga “zemërgjerësia” kriminale e pushtuesit ndër më gjakatarët në Europë dhe i mban ende, edhe pas 18 vitesh, në varre masive ku i kishte futur për t’i shpëtuar ndëshkimit të opinionit ndërkombëtar.
Përjetimet janë të pafundme, aq sa shpeshherë përsërit me veten se si është e mundur që një komb prodhon “bij të tillë të djallit” që pa iu dridhur qerpiku vrasin fëmijë ende pa i mbushur 10 vjeç, pleq e gra. Me ushtri e mjete të rënda të tjera luftarake dynden masivisht një luginë të tërë dhe i ndjekin në drejtim të rrugës kryesore që pak kilometra e ndajnë me Krumën e Hasit apo Tropojën, por u zënë pritë në grykë dhe i shfarosin të gjithë me armë nga më të ndryshmet. Nuk e di si mund ta ndjejë veten normal një SHKJA (ndonëse SHKJA normal nuk ka), kur të mësojë se bashkëqytetarët e tyre, të një gjuhe a gjaku qoftë edhe të zi, kanë shfaqur sjellje të tilla barbare, kur kanë shuar 377 frymë njerëzore pa asnjë dallim.
Marjan Pnishi dhe Gjokë Sokoli, udhërrëfyesit tanë të një masakre.
E teksa je në mes të këtyre mendimeve kontradiktore, teksa shikon imazhe fëmijësh të gdhendur në mermer, bën diferenca moshore mes datës së lindjes dhe ditës së zezë 27 prill, mendimet ndërpriten nga dy vendas. Ata janë Marjan Pnishi dhe Gjokë Sokoli.
I pari, disi më i heshtur, të tregon për ngjarjen e asaj dite, se si kohë më parë se të ndodhte ngjarja, “fryma” Carla Del Ponte e kishte dëbuar nga Zvicra si organizator i mbledhjes dhe transportimit të armëve për tek luftëtarët e UÇK-së. Ndërsa Gjokë Sokoli thotë se këtu kam tre vëllezër, një djalë të vëllait, por edhe tezakë, siç shprehet ai, dhe të tjerë të afërm. Ja, thotë Gjoka, duke treguar nga një memorial. Ai i përket një të afërmi që ishte djalë i vetëm, me shtatë motra. Është shuar si derë. Në bisedë me dy vendasit, të gatshëm për çdo pyetje, mësojmë se pritet akoma që autoritetet e Serbisë të sjellin të tjerë të vrarë që të pushojnë në Mejën e tyre, pasi jo të gjithë nga 377 të vrarët kanë mbërritur. Ata kujdesen të evidentojnë se në këtë lëndinë të gjithë janë vëllezër të një gjaku dhe të një ideali, ndërsa të vrarë janë rreth 100 të besimit katolik dhe mbi 270 të besimit mysliman. Së shpejti ky vend do të bëhet një memorial madhështor, ndërsa puna vazhdon.
E në këto rrëfime të trishta ndërhyn babai i një martiri nga Kaçaniku, Osman Caka, i cili kërkon që grupi ynë të dalë nga “Lëndina e Pikëllimit”. Ai na tregon shkollën, ku vite më parë kishte sjellë si dhuratë disa topa futbolli për nxënësit e kësaj treve. Por kujton se si mësueset, por edhe fëmijët, kanë shenja traume, pasi dera e shkollës është përballë kësaj masakre. Unë u kisha kërkuar autoriteteve të Gjakovës që shkolla të zhvendoset ose minimumi hyrja e saj të jetë në anën tjetër, shprehet Osmani.
Një minimuze për këtë masakër.
Gjokë Sokoli na drejton për në banesën e tij. Disa shkallë na çojnë në një derë ku shkruan “Muzeu i Masakrës”. Është një dhomë e vogël ku është “ngujuar” një histori e madhe. Kjo banesë ishte okupuar nga serbët në ato ditë lufte dhe shumë prej tyre kishin banuar aty, ndërsa pronarët e vërtetë të familjes Sokoli ishin në mal ose të vrarë, e që ishin transferuar për në Serbi. Gjoka thotë se shumë prej materialeve që ishin aty i kishte gjetur në banesë, por edhe kudo në teatrin gjigant të masakrës. Janë objekte të ndryshme që serbët kishin përdorur në masakër, por edhe ambalazhe të drogës që kishin përdorur ushtarët serbë. Në stendat e këtij muzeu gjen pafundësisht objekte të martirëve, si dhe fletore e lapsa të tyre, aparate fotografikë etj.
Një vizitë në familjen e Dede e Marjan Pnishi.
Teksa jemi në rrugë duke kundruar malet, historinë dhe masakrën, Marjan Pnishi këmbëngul për t’i bërë një vizitë në shtëpinë e tij. Në pak minuta ndodhemi në atë banesë gjigante ku elementët e mikpritjes nuk kanë fund. Ajo shihet qartë në sytë e një nëne 94-vjeçare që, me një kthjelltësi të pashoqe, na thotë: “Mirë se vini, vëllezër nga Mirdita.” Është i zoti i shtëpisë, Marjani, i cili kujdeset për çdo detaj që grupi ynë i përbërë nga unë, Pjetri, Marjana, Frani, Nikolli, Marku e të prirë nga Osmani i Kaçanikut, ta ndiejmë veten si në shtëpitë tona.
Dede Pnishi telefonon nga Gjermania duke na uruar për vizitën në konakun e tij, ndërkohë interesohet tek të afërmit për ecurinë e vizitës sonë. E në këtë ditë të trishtë, më shumë se kurrë kupton se çfarë vlere ka liria. Liria dhe demokracia janë asete të forta që shqiptarët i kanë bashkuar, përkundër masakrave që kanë pësuar. Familjarë të qytetëruar që shkrihen në një me vëllezërit nga Mirdita, bëjnë që për pak momente të harrohet masakra. Të gjitha janë për njerëzit, por ato ditë të trishta duhen kujtuar që të mos përsëriten dhe kriminelët, në mos sot, një ditë të marrin ndëshkimin e merituar.
Nga Meja e Gjakovës: Aleksandër Ndoja
25.08.2015

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

