-Përgatiti: Aleksandër NDOJA-
Kur në vitin 2010 Pallati i Kulturës në Rrëshen organizoi një koncert folklorik me artistë të këtij ansambli ndër vite, mua personalisht më tërhoqi vëmendjen interpretimi i këngës ”Për liri s’të fal shqiptari”. Një zë i veçantë si i ndonjë tenori me emër, ishte solist i kësaj kënge, shoqëruar nga grupi i burrave. Ishte një zë të cilin e kishim harruar, pasi prej 30 a më shumë vitesh nuk ishte parë në skenën e Rrëshenit. Ishte Servet Cara këngëtar, por mbi të gjitha autor i vijës melodike të shumë këngëve që kishin shkruar historinë e artë të këngës popullore mirditase.
Servet Cara kishte qëndruar në heshtje për disa dekada, ndoshta diktuar nga zhvillimet e fillim demokracisë, kur arti dhe kultura kaluan në plan të dytë, eklipsuar nga tezgat dhe muzika tallava, apo e sajuar në mënyrë elektronike.
Në fakt koha ka ardhur që të paktën historia e afërt të shkojë në vend. Opinioni duhet të dijë se nga e kanë burimin këngët lapidare si ajo e ”Kamber Loshit”, ”Guri i rëndë rrin në troje të veta”, ”Për liri stë fal shqiptari”, apo ”Xhevahir ka rrit Mirdita”, e shumë të tjera.
Servet Cara thotë se kurrë nuk kam dashur të shfaqem në atë çfar kam bërë, por edhe nuk mund të hesht kur shumë krijime të tij, ose nuk nuk përmenden, ose janë tjetërsuar. Ndaj sonte Serveti ka vendosur të flasë për Pirusti News, për të thënat dhe të pathënat e jetës së tij, jo vetëm në kulturë e art, por edhe në atë të përditshmen.
-I N T E R V I S T A-
Servet…si mund ta përshkruash familjen tënde të hershme, për aq sa të kanë thënë apo kujton ti?
E gjithë zona e Kurbneshit, por edhe miqësitë ndër dekada e dinë se kulla ku kam lindur e rritur është në të hyrë të fshatit Zajs, jo shumë larg qytezës tashmë in-ekzistuese të Kurbneshit në Mirditë. Prindërit e mij kanë lindur 8 vajza dhe katër djem. Për fat të keq asnjë nga vajzat nuk mundi të mbijetonte, ndërsa katër djemtë Qazimi, Fadili, Qamili dhe unë Serveti, i mbijetuam asaj kohe, krijuam familje, kemi shumë fëmijë, nipër e mbesa.
Pse thoni tetë vajza nuk mbiejtuan. Si e shpjegoni këtë?
Kanë vdekur sapo kanë lindur, mbase për arsye natyrale, ndërsa njëra nga motrat i cila i mbijetoi fillimviteve, vdiq aksidentalisht në moshën 7 vjeçe.
Aksidentalisht…?!!
Po, bëhet fjalë për vitet 30-të kur kishte rregulla të tjera në marrdhëniet miqësore. Ajo që para moshës 7-vjeçare siç ka qenë zakoni, ka qenë e fejuar në fshatin Kumbull të Selitës, fshat në kufi me Lurën, në fisin Simoni. Siç kam mësuar më vonë, pasi unë asokohe nuk kisha ardhur në jetë, atë natë fatale për të do vinin për darkë miqtë ku e kishin dhënë për nuse, por sipas zakonit ishte turp i madh që vjehërria të shikonte nusen, sado që ajo ishte fëmijë. E gjendur në dhomë teksa miqtë trokitën në derën e kullës, ajo ka tentuar të dalë nga dritarja për të mos u ballafaquar me ta. Në anën e pasme të kullës ka qenë kasollja e bagëtive dhe nuk dihet në çfar rrethansh ka rrëshqitur dhe ka humbur menjëherë jetën. Kohë e çuditshme, por e vetmja motër nga 8 që patën lindur iku dhe ajo.
Po ju, kur keni ardhur në jetë dhe çfar kujtoni me rritjen tuaj?
Kam lindur të premten e Shën Premtes, me 25 korrik të vjetit 1953 në lagjen Çetë, të fshatit Zajs, Kurbnesh. Jam rritur si gjithë fëmijët e tjerë të viteve 50-ta, që në vogëli mundoheshim të imitonim barinjtë, deri me fillimin e klasës së parë.
Në vitin 1959, sapo kisha mbushur 6 vjeç nisa klasën e parë në Kurbnesh. Kisha një mësuese të mrekullueshme që nuk e harroj kurrë imazhin e saj. Quhej Drita Kelmendi e cila kishte ardhur nga Shkodra sëbashku me bashkëshortin Selim Kelmendi dhe ky mësues i punës me dru. Ata jetonin në pallatet që kishin filluar të ndërtoheshin që në vitin 1956. Një pjesë kohë na ka dhënë mësim edhe Pina Martini, mësuese shumë metodiste e cila edhe ajo kishte ardhur nga Shkodra sëbashku me bashkëshortin e saj mësues, Lec Martinin. Mësoja shumë, por që në atë kohë fillova ti bie çiftelisë punuar nga mjeshtri i papërsëritshëm Mark Përshqefa me të cilën familja ime kishte lidhje miqësore. Ka qënë çifteli e rrallë në të cilën shkruhej edhe rregullorja e përdorimit në të.
Kur filloi të shfaqej talenti në fushën e kulturës, dhe çfar ka ndikuar më shumë te ty që të mbeteshe në këtë rrugë?
Mendoj se pikënisja në këtë rrugë ishte çiftelia që mbanim në shtëpi dhuratë nga Mark Përshqefa për familjen time, por edhe me nisjen e klasës së pestë u shtuan aktivitetet kulturore. Këndonim në orën e muzikës, por nisa të përfshihem dhe në aktivitete kulturore që organizonte shkolla e Kurbneshit. Këtu kam ra në sy për zërin tim, ndaj një ditë u thirra nga drejtori i shkollës dhe njeri i kulturës, Bardhok Luka.
Ku u thirre dhe cili ishte sygjerimi i tij?
Më thirri në drejtori. Më thotë si je me mësimet fillimisht, pastaj vijoi, ti Servet ke një zë të veçantë dhe meqë unë kam bërë një poezi duhet ta mësosh përmendësh, që ta këndosh. Poezia quhet “Xhevahir ka rritë Mirdita” që i kushtohej heroit të popullit, Bardhok Biba. E mora në letër ishte shumë e gjatë për mua ta mësoj përmendësh, kur pasditeve isha i detyruar të ruaja bagëtinë. Gjeta një mënyrë për këtë, pasi merrja kripë dhe e tretja në ujë dhe e hidhja në shkozat. Bagëtitë grumbulloheshin aty dhe nuk lëviznin. Këshu unë mësova përmendësh poezinë që më dha Bardhok Luka.
Çfarë ndodhi më tej, ndërsa kjo këngë njihet si një ndër këngët me të cilën ka bërë epokë këngëtari legjendë Frrok Haxhia, “Mjeshtër i Madh”?
Po e vërtetë ju tregoj si lindi kjo këngë dhe si doli nga rrethimi i Kurbneshit. Pasi e mësova e këndova disa herë në prova, por edhe në koncerte në shkollë. Atë kohë, në pranverën e vitit 1966 u organizua një festival i shkollave të krejt Mirditës në qytetin e Rrëshenit. Festivali u mbajt në pallatin e kulturës, një ndërtesë një katëshe me dërrasa ku ishte improvizuar një skenë dhe karrige druri.
Kënga “Xhevahir ka rrit Mirdita” u prit me entziasëm të madh. Kujtoj si sot që në rrjeshtin e parë ishte një burrë që i shkonin lotët. Ai ishte Gjon Ded Moriseni, kryetar komiteti, që ishte kushëri i parë i nënës time. Unë kisha dëgjuar që ishte i madh në Rrëshen, por si fëmijë që isha nuk dija çfarë do thoshte emërtimi kryetar komiteti. Me të mbaruar kënga erdhi në skenë dhe mu drejtua: Të lumtë, më kujtove shokun tim të ngushtë. Unë si fëmijë i përgjigjem i habitur duke i thënë se këngën e ka bërë drejtori, jo unë. Pas pak një burrë tjetër më vendos krahun në qafë dhe më thotë të lumtë, por të lutem ma jep tekstin e kësaj kënge, pasi jemi të njëri tjetrit, se unë kam kushëri të afërt në fshatin tënd Gjet Burakun. Duke vijuar më tej, më thotë se unë quhem Frrok Haxhia dhe jam këngëtar.
Unë si i zënë në faj, i them se letrën me tekstin e kam në Kurbnesh, pasi e kam mësuar përmendësh. Atëherë unë i recitoja vargjet e ai i shkruante në një letër. Asokohe Radio – Tirana çdo mëngjes në ora 7.00 jepte koncert me këngë folklorike të cilin e ndiqnim me interesim të madh. Afërsisht dy muaj më vonë dëgjoj këngën time të kënduar nga Frrok Haxhia, por me tekst më të shkurtër. U entuziasmova shumë dhe ndjehesha shumë krenar se krijimtaria e parë muzikore e imja transmetohej në Radio – Tirana të cilën e dëgjoja pothuaj çdo mëngjes, pasi nuk kishte ditë që kjo këngë të mos transmetohej.
Le të kthehemi te ky festival ku ti me këtë këngë fitove çmim të parë. Si u pritët në Kurbnesh?
Ishte festë e madhe. Kudo flitej për këtë këngë dhe për suksesin që kishim korrur unë dhe drejtori Bardhok Luka, por dhe i gjithë kolektivi i kësaj shkolle. Kjo na motivoi shumë dhe pothuaj në çdo koncert ishim prezentë dhe priteshim mirë. Kështu përfundoi edhe klasa e 8-të, ndërsa isha në ankth për të vijuar shkollimin në ndonjë degë a shkollë muzike. Kujtojmë se ishte viti 1967.
Le të vijojmë më tej, si u konturua rrugëtimi jot në muzikë?
Me të mbaruar klasën e 8-të, në Rrëshen u zhvillua një konkurs për shkollë muzike. Ishim plot 51 konkurentë për një vend, në Shkollën e Kulturës në Tiranë. Në komision kishin ardhur nga Tirana emra që më vonë do bëheshin emra të shquar të artit e kulturës kombëtare. Agim Prodani rrahte duart me ritmin që donte ai, ndërsa unë duhej ta”përktheja” me zë. Nuk vonoi shumë dhe Agim Prodani e ndërpreu konkurimin tim, duke më thënë se ti duhet të vijsh në këtë shkollë. Çuditërisht një mësues muzike aty, i thotë Prodanit se unë nuk mund të shkoja në atë shkollë, pasi kisha një gisht të dëmtuar që fëmijë i vogël, pasi isha dëmtuar me një dru. Për këtë paraqiti si opsion sipas të cilit nuk mund ti bija fizarmonikës. Agim Prodani e garantoi se me aq dëmtim sa kisha, (e kam edhe sot) nuk do paraqisja problem. Kështu unë në shtatorin e atij viti nisa mësimin në një ndër shkollat më elitare në vend, madje shumë të ëndërruara, Shkolla e Mesme e Kulturës e cila ishte në zonën e Qytetit të nxënësve.
Kjo ishte shkollë katër vjeçare. Si mund ti përshkruani ato vite?
Ishtë shkollë e madhe për mua. Merrnim pjesë në të gjitha zhanret që mësoheshin aty, deri edhe tek e folura skenike. Ushtroheshim edhe në aktrim, në këngë, krijimtari muzikore. Këndnim shumë mirë në duet me një nxënës tjetër të kësaj shkollë Gjok Cari nga Lezha. Madje na thonin Cari i madh dhe Cara i vogël. Jepnim koncerte ngado edhe me fizarmonikë nën drejtimin e Aleko Karecos. U përfshiva edhe në aktrim. Isha partner i Monika Lucës ku morëm çmim të parë në një konkurs për gjithë Tiranën pasi isha në rol kryesor. Po ashtu isha partner dhe i Natasha Selës. Ajo ishte student nga Lushnja, por qyteti i saj Lushnja atë e lejoi të shkonte në shkollë për aktrim, ndërsa mua jo, pasi donin mësues edhe me të mesmen. Kjo më kushtoi shumë. Kështu përfundoi shkolla e mesme në kulturë ku përfitova shumë.
Po në arsim të lartë pse nuk shkove. Cila ishte pengesa?
Është peng i jetës sime. Nuk kuptohej pse, vetëm thonin se kishin nevojë për mësues. Kështu me të mbaruar shkollën u emërova mësues i muzikës në shkollën e Kurbneshit. Edhe këtu kaloja mirë me aktivitete kulturore të shumta, kryesisht me grupe amatore, por edhe në koncerte e festa që bëheshin në qendrën e rrethit, në Rrëshen. Nuk kaloi shumë dhe me thirrën për shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Mendon se nuk kishin më aq nevojë për mësues?
Se kishin nevojë për mësues, ishte një argument për të mos më çuar në shkollë të lartë ndërsa mbrojtja e atdheut ishte detyrë mbi detyrat. Këshu unë përfundova në Tiranë dhe për 3 vite me rradhë isha ushtar, polic. Ushtria kaloi siç kalohej, për qëndrimi im vetëm në Tiranë ishte në një farë mase privilegj.
Pasi mbaruat ushtrinë, ku përfundove me punë?
Natyrisht në Kurbnesh. Ishte viti 1976 kur u emërova Përgjegjës i Vatrës së Kulturës, në Kooperativën e Bashkuar Zajs. Është fakt se pati një zhvillim të fortë kulturor në këtë periudhë. Kishim mbështetje dhe bashkëpunim të ngushtë me poetin e mirënjohur (populli) që në fakt ishte Viktor Gjikolaj, një poet tejet produktiv. Përpara ishte festivali i Gjirokastrës i vitit 1978, një festival që nga ana jonë u mor shumë seriozisht. Në përpjekje për të përzgjedhur materialin muzikor për Gjirokastër 1978 atë vit në Rrëshen u organizua një konkurs i gjerë me pjesëmarrjen e Kooperativa Bujqësore, Ndërmarrjeve Ekonomike dhe Shkollave të Mesme. Shtëpia e Kulturës Zajs u nderua me çmimin e madh ”Naim Frashëri”. Kuptohet në atë sukses, pra në Gjirokastër ku Mirdita fitoi çmimin e parë, ka qenë kontributi edhe i Shtepisë së Kulturës së Zajsit.
Përveç angazhimit tuaj si muzikant por edhe këngëtar, kujt ja dedikoni suksesin?
Shiko, puna sidomos atëherë bëhej në grup. Psh, unë realizova një vijë muzikore që quhej tringëllojnë, e tringëllojnë. Kjo i ra shumë për shtati mjeshtrit të madh të muzikës Dorian Nini i cili në bashkëpunim me mjeshtrin e rrallë Lin Loci punuan pafund për prodhimin në uzinë të kompleksit të këmbonave, me të cilat u paraqitëm në Gjirokastër. Nuk ishte thjeshte derdhja në metal e tyre, por me javë të tëra këta punonin me lime dore duke i gdhendur deri në atë masë e format që të lëshonin tingullin e duhur. Kjo punë ishte revolucion më vete, pasi askush as në shkallë vendi nuk e kishte realizuar më parë këtë.
Po ashtu “vallja e Zajsit” doli të ishte shumë e arrirë, ndërsa me vijën melodike të realizuar nga unë dhe tekst të Viktor Gjikolës u realizua kënga “Mbjellim mollë e shartojmë dardha, faqekuqe e zemër bardha”, kënduar nga Dava Lleshi dhe Marie Gjikolaj me kompleksin e vajzave, nga e cila doli dhe ”xhamadani i trimërisë”.
Si ta kuptojmë këtë?
Po, pasi kjo këngë u këndua disa herë më vjen Dorian Nini e më propozon që vijën melodike të kësaj kënga t’ja përshtasim këngës për Mic Sokolin, mjafton ti shtohej tonaliteti. Kënga ishte në format 2/4 dhe u bë në formatin 5+7/8. Kjo do këndohej nga një vajzë me rroba kombëtare, ndërsa drejtori i kulturës Bardhok Sulejmani bëri gjetjen me të gjetur, Mrikë Trumshin. Dihet suksesi i kësaj kënge.
Për të mbetur në këtë linjë, pasi isha larguar nga Kurbneshi me punë në Tiranë, më vjen Dorian Nini dhe si të thuash, miqësisht më kërkoi leje që një këngë që i kisha realizuar muzikën dhe i kushtohej Hysni Kapos, ta përshtaste për këngën e Kamber Loshit. Natyrisht unë ju dhashë lejën për marrjen e muzikës, por me të u muar Dori dhe Mark Gjoka. Po ashtu teksa isha në Tiranë, erdhën atje për të bërë muzikën e këngës “Guri i rëndë rri n’trojet e veta”. Di që erdha tre ditë në Rrëshen, u futa në piano bëra muzikën dhe u ktheva në Tiranë.
Të mos harrojmë kjo këngë perlë e Ansamblit “Mirdita” me tekst të Gjok Becit, kënduar nga i paharruari Ndue Përkola mori çmim të veçantë në festivalin e Gjirokastrës, në vitin 1988.
Në këtë punë kë kishit si shtyllë të suksesit të Shtëpisë së Kulturës së Zajsit?
Padyshim Gjok Becin dhe Viktor Gjikolën, por edhe këngëtare dhe vallëtare të spikatura. Janë shumë emra si Nikoll Kala, Ndrec Buraku, Kol Gjinaj, Fran Kolndreu, Gjylberta dhe Drita Kolmarku, Bardhe Lleshi, Marie Gjikola, por edhe shumë të tjerë që ndoshta tani nuk me vijnë në mendje, pasi kanë kaluar mbi 40 vite.
Ju cekët atë çfar dihej por përflitej nën zë se poeti Viktor Gjikolaj ishte ”populli”. Sipas jush sa ishte talenti dhe përgatitja e tij?
Poezitë e tij ishin perla, por dinte shumë mirë të bënte librete. Kujtoj një rast për koncertin që do jeptë Zajsi në Rrëshen, për konkurimin e Gjirokastrës, libretin e kishte realizuar Viktor Gjikolaj. Por ishte detyrim që ky libret të miratohej në komitetin e partisë në rreth. Me libretin në dorë zbrita në Rrëshen, por për fat për ti kontrolluar këto ishte caktuar Marie Biba që njihej për liberalizmin e saj. Pasi e lexoi me vemendje më tha, hajde shkojmë e diskutojmë te kafja. Pa më pyetur për autorin pasi e kishte marrë me mend, me tha, i thuaj Viktorit e ke bërë shumë mirë dhe e miratojmë plotësisht. I gëzuar mbërrita në Kurbnesh. Ndërsa Viktori më priti në stacion mu drejtua nga larg, djalë apo vajzë. I thashë natyrisht djalë dhe të gëzuar vajtëm e pimë nga një gotë.
Ju pas kësaj u transferuat në Tiranë. Si ndodhi kjo, kur ju ishit banor i Kurbneshit, në ndryshime me shumë të ardhur që kishin detyrim të qëndronin 3-5 vite pastaj të kthenin nga kishin ardhur?
Të them të drejtën ishte drejtori i kulturës Bardhok Sulejmani një mik i mirë i artistëve që një ditë më hodhi një llaf. Miqësisht më tha të kisha kujdes se ma kishin “pjekur kulaçin”. Madje më sygjeroi të gjeja ndonjë mundësi të largohesha nga Kurbneshi, e mundësisht nga Mirdita. Diçka mund të kishte dëgjuar ai se ishte më lart.
Në sektorin e kulturës gjithmonë ka pasur probleme, por edhe smirëgjinj. Unë asnjëherë nuk shfaqja egoizëm. Punimet mija që nga rasti i parë me këngën ”Xhevahir ka rrit Mirdita” etj nuk i kisha publikuar si punë të mijat. Ndoshta ky qëndrim i imi është keqpërdorur edhe më vonë, kur muzika që kam prodhuar unë personalisht është përvetësuar në jo pak raste. Unë nuk e zgjata.
Si munde të largoheshe me pasaportizim dhe me punë në Tiranë, kur për një banor të Zajsit ishte vështirë të bëntë pasaportizimin në Kurbnesh, jo më …
I alarmuar nga ajo që me kishte sygjeruar Bardhoku, por edhe një si parandjenjë, përdora një formë klasike, për të bërë pasaportizimin në Tiranë. Por “çaktivizimi” i saj pak më vonë gati me riktheu sërish në origjinë, por këtu futa në lojë miqësinë që xhaxhai im kishte me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës Jashar Menzelxhiun, pasi kishin qenë sëbashku partizanë në brigadën e VI-S.
Përfundimisht u emërova mësues i muzikës në fshatrat e thella të Tiranës si Zall Bastar, Zall Shëngjergj, Zall …. Thjeshtë në banesë në Tiranë mund të shkoja një herë në 15 ditë, pasi autobuzi ishte 15 vëndesh dhe kërkesat të shumta. Kjo më mërziti shumë pasi malet dhe vendi andej ishin më të ashpëra dhe të vështira se Kurbneshi. Ndaj një ditë i zura derën sërish kryetarit të komitetit.
Dhe çfarë ndodhi?
Ai më ndryshoi rrjedhën në punë dhe jetë, pasi më sygjeroi të punësohesha në Ndërmarrjen tregtare të Tiranës. Përfundova nga mësues e muzikant në kamarier në një restorant afër 15 katëshit. Nuk ja kisha idenë fare, por ja mora shpejt dorën. Pas disa kohësh aty më çuan të restorant “Tirana” afër Zogut të Zi. Puna ecte shumë mirë dhe me ardhjen e Bedri Lilës ish drejtor i NTSH në Mirditë, mua më morën magazinjer në magazinën qëndrore të Republikës, ku kisha sektorin e ushqimores dhe pajisjeve. Të them të drejtën ishte një punë me shumë rëndësi dhe me kredibilitet shumë të madh.
Aty ju zuri ndryshimi i sistemit?
Po aty deri diku nga viti 1993. Pasi u mbyll ndërmarrja i hyra aktivitetit privat, bëra shumë punë por e gjitha mbeti në firmat piramidale.
Pas 90-tës a u rrikthyet në aktivitetet e ansamblit “Mirdita” që prej vitesh mban titullin “Mjeshtër i Madh”.
Po jam ftuar në një koncert në vitin 2010 ku isha solist me këngën e kompozuar nga unë “Për liri stë fal shqiptari”. Theksoj se kjo këngë me tekstin e Gjok Becit dhe muzikën e realizuar nga unë, mori çmim të parë në festivalin e këngës së re popullore në vitin 1982, kënduar nga Vaçe Zela.
Kam bashkëpunime të shumta me faktorin kulturor në Mirditë. Kemi realizuar shumë këngë në bashkëpunim me artistët aty, ndër to edhe kënga “Kam shtëpinë e vogël” me tekst të Viktor Gjikolës kënduar sëbashku me Mrikë Trumshin e Kol Zefin që është pritur mjaft mirë. Gjithashtu për disa vite isha instrumentist në ansamblin “Tirana” ndërsa do vijoj të kontribuoj sa të kem fuqi dhe zërin tim.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”