Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Reportazh nga bjeshkët e Selitës, në “fokusin” e një biologu-natyralist.

Nok Mrruku, Përjetimet e një ekspedite

Nga Pirusti News
609 Shikime

-Nga Nok MRRUKU, biolog natyralist-

Për një biolog – natyralist, kur shtrohet çështja për të zgjedhur bukuritë e natyrës nuk është aspak e lehtë. Në rastin konkret vetë emërtesat: Bjeshkët e Oroshit, Bjeshkët e Selitës, Bjeshkët e Fanit apo të Kaçinarit tingëllojnë aq bukur e joshëse por njëkohësisht të vënë edhe para dilemave për të zgjedhur. Mendja të shkon tek çdo njëra prej tyre. Por kur njeriu gjendet para të panjohurave, zgjedh atë që mendon që e ka më të lehtë.

Unë zgjodha të sodisja pikë se pari Bjeshkët e Selites. Atje kam një pjesë të historisë së stërgjyshërve të mi me verime shekullore. Atje kam toponime me emrin e fisit, kam ndodhi të shpjeguara, kam dëgjuar prej tyre emra vendësh si male, shpate, shtigje, burime, përrenj, pyje, lëndina, më kanë treguar për kullotat e Kunorës, Didhës, Valmorit, për pyjet e arrnenit e të bredhit për shpezët e egra e çfarë nuk më kanë treguar tjetër, si lind e agon dielli, si fryn e si bie shiu, etj. Ndaj një ditë, fund korriku, që më natë u nisa të realizoja objektivin e marrë. Pasi kishte kaluar një orë nga agimi i ditës u gjenda në bregun e lumit të Urakës. Aty ujërat e tejdukshme kalonin me të shpejtë nëpër shtratin shkëmbor. Sa kohë do të vazhdojë thatësira dhe niveli i ujit do vijë duke rënë, aty do zbulohen zallishte me gurë të mëdhenj në pjesën e sipërme dhe të vegjël në pjesën e poshtme.

 Në ujërat e kthjellëta, dallova peshqit që lëviznin në tufa. Ndalem për pak çaste dhe kurioziteti më shtyn të dallojë peshkun mbret të këtij lumi, Troftën e Urakës. Në brigje, aty – këtu, dallon shpend në fluturim e ndonjë gjarpër uji. Përballë, në pjesën lindore shtrihet një pyll me frashër, shkozë, mëllezë, panja gjethëgjërë, pyje lisi, ah, etj. Ishte një mëngjes i freskët korriku dhe i mrekullueshëm. Rruga nëpër shtegun e ngushtë me zig – zagët e shkallës së Didhës do t’na zgjaste më shumë së katër orë për të arritur në fushën e Didhës. Lëvizja bëhëj poshtë gjetheve e degëve të gërshetuara të drurëve të lartë të lisit dhe ahut që përbën një tendë të gjelbër të pandërprerë e cila është aq e ngjeshur saqë qielli nuk shihet, madje edhe drita e diellit arrin e tutbullt nëpërmjet rrezeve. Përshkrimi i jetës shtazore nuk është aq i lehtë sa i bimësisë. Në një rrugëtim nuk të paraqitet (jepet) mundësia për t’i vrojtuar të gjitha, prandaj duhet t’i kthehemi disa herë. Ndodh për ndonjë vizitor të shprehet se u zhgënjyem keqas, kur nuk shikojnë ndonjë kafshë të madhe.

 Ndërmarrja e rrugëtimeve të shpeshta do t’i vijë në ndihmë çdo njërit për vërtetësinë e kësaj bote. Gjëja më e përhershme, sa fillon rrugëtimin nëpër pyll janë cicërimat e zogjve, rrëshqitjet e hardhucave mbi dushqe, ndonjë ketër në brezin e ahut. Por ka ndodhur të takojmë edhe ariun e murrmë, gjitarin më të madh të vendit tonë. Shpesh kur i afrohesh fushës së Didhes do vemë re ndonjë lepur apo thëllëzë mali. Në fushë dallojmë fluturime tufa zogjësh, stërqok nga ku ka marr edhe emrin Shpella e Stërqokëve, grifsha, mëllinja, trishtil, pëllumba të egër etj. Duke u ngjitur lart në të djathtë gjendet vendi i quajtur Stauli, nëpër të cilin kalon përroi i Shehit. Një përrua i thellë dhe i ngushtë me ujë të ftohtë të kristaltë që rrjedh nga shpatet e Kunorës e Valmorit. Për të shkuar duhet të mendohesh mirë, pasi pjerrësitë janë të mëdhaja dhe rreziku i rënies së ndonjë guri ekziston. Në ndonjë rast njerëzit e sprovuar kanë dëgjuar klithmën e cjapit të egër apo të dhive të egra që sinjalizojnë tufën për rrezikun që po u afrohet. Por ky variant kërkon njerëz që e njohin shumë mirë terrenin. Rrugëtimi pas një pushimi do të vazhdojë drejt kroit të bardhë, ujit kurativ, e tani të njohur nga të gjitha anët e vendit, ku pasi shuajmë etjën do hamë drekën dhe më pas drejtohemi për në stane ku do të kalonim naten. Takimi me barinjtë ishte shumë i ngrohtë, bisedat përmalluese për njerëzit e familjes dhe gjithë gjininë zgjatën për orë të tëra. Por, mendja gjithnjë më shkonte tek misioni që kisha ndërmarrë. Pasi nata bie, vëmë re se jeta në bjeshkë vazhdon. Shkojnë të gjithë në foletë e strofkat e tyre. Shumica rrinë të heshtur. Thellë në pyll dëgjohet një gjëmim huti. Kur je në pyll mendon çdo befasi.

Nuk sheh gjë se drita e hënës nuk futet dot. Shpesh degjohet ndonjë britmë, ndonjë zë i ngjirur si gjëmë, që vjen diku larg e të frikëson. Edhe mjaft gjitarë presin natën padurim. Ujku, vjedulla, qelbësi, ariu, dhelpra dalin nga strofka për ushqim. Nën kuvertën e gjelbërt të pyllit të pishës dhe ahut zunë të fluturojnë lakuriqët e vegjël e insekt – ngrënës të natës. Aty këtu shpërthen nga një xixë e verdhë në të gjelbër, lajmëtari i proçesioneve me pishtar dhe i ballove të yjeve që u teket të bëjnë natën xixellonjat dhe pa kuptuar bie në një gjumë të thellë për t’u zgjuar të nesërmen. Të nesërmen e marrim me ngadalë, sapo bëhëmi gati vazhdojmë rrugëtimin drejt objektivit, Majës së Kunorës. Kanë kaluar tre orë nga lindja e diellit kur arritem në një rrafsh me shtrirje lindje – perëndim. Fushë – Nezhdë quhet, por ajri në hije, nën kuvertën e blertë të pyllit është ende i freskët. Eci thuajse pa u ndjerë fare nëpër qilimin e trashë të gjethëve të rëna që dalëngadalë po transformohen e bëhën dhe.

Pylli i lartë tani hesht. Ec si nën kubet e një tempulli shumë të madh dhe trungjet e këtyre viganëve të pyllit ngrihen si kollona. Asnjë tingull, asnjë zë sado i hollë nuk e prish qetësinë e zymtë e madheshtore që mbretëron në këtë amfiteatër të natyrës. Nganjëherë në të rrallë na zë veshi njëfarë përshpëritje që vjen nga lart. Në kuvertën e blertë, tridhjetë metra mbi kokë zien jeta. Aty ka zënë vend popullata e pyllit, aty kanë zënë vend amatorët e dritës së diellit. Aty lozin, pllenojnë njëri – tjetrin, shumohen e vdesin, të gjithë këta banorët të katit të sipërm: zogjtë, fluturat, mizat dhe lulet, bukurinë e të cilave edhe ne që jemi të lidhur me natyrën nuk mund t’a çmojmë plotësisht. Këta fëmijë të dritës së diellit e të ndriçimit të hënës nuk zbresin në shtrojën e lagët të pyllit në mugëtirë. E gjithë jeta e tyre rrjedh në kurorat e drurëve, vetëm nganjëherë më të rrallë bie në tokë ndonjë fragment i qënies së tyre të errët dhe ne shohim një pupël, një krah fluture me ngjyrat e ylberit apo polenin e arrnenit e të bredhave. Shtroja e pyllit në dukje është e vdekur, një tog kalbësirash, me gjethe e degë i mbuluar. Po edhe këtu po të qendrosh në heshtje e pa levizur edhe këtu mund ta shohësh jetën. Ajo vetëm sa i merr ngjyrat nga trungjet bojë kafe dhe gri dhe nga gjethët përreth. Një hardhucë bojë kafe rrëshqet rreth një dege. Në një gropë të vogël ndërmjet rrënjëve një zhabë që i ngjet damarit të një gjetheje të vyshkur rraset pas tokës dhe ngrin aty që të mos e vëmë re.

Por edhe në qilimin e trashë të formuar nga gjethet në kalbëzim zien jeta. Brumbuj tepër të vegjël, shumkëmbësha vetëm pak milimetra të gjatë, merimanga dhe insekte që mezi shihen me sy. Me një mikroskop unë do të mund të zbuloja se edhe qëniet më të vogla të këtushme, këto thërrime të gjalla janë përbindësha titanë në një botë fantastike ku miliarda të panumërta bakteriesh dhe mikroorganizmash të tjera punojnë pa u lodhur duke i shndërruar në pleh mbeturinat e jetës së dikurshme me qëllim që të bëhën baza e jetës së re të ardhshme. Duke u larguar me mendje nga kjo mbretëri e nëndheshme e qënies dhe duke e kaluar vështrimin mbi njollat e tokës së zhveshur në afërsi të Majes së Kunorës, në mes të gjethëve të kalbura, vërejmë ekzemplarë të një bime të veçantë të zambakut shqiptarë  (Lilium albanicum) bimë endemike e Shqipërisë. Nga këtu ku po lëmë pas pyjet e arrnenit e të bredhit që në lartësitë e tyre të mahnisin, vërejmë çerdhe shqiponjash e gjeraqinash që të ngjasojnë me trampolina gjigande. Pak minuta më pas në drejtim të majës si një ylber që shëndrit duken rrezet e diellit të cilat bien me një fluks të madh. Përpara dallojmë një qilim të blertë me lloj – lloj ngjyrash, këto janë kullotat alpine.

Disa dhjetëra metra më pas arrijmë finishin, Majën e Kunorës. Aty pamja është mahnitëse, horizontet arrijnë maksimumin, relaksi të ndjellë kënaqësinë. Nga këtu të duket sikur gjithë botën e ke poshtë këmbëve të tua. Poshtë në lindje shikon pyje të larta, e gjelbërim të dendur. Në mes të tyre ndodhen liqenët piktoreske të Lurës, lakmija e shumë vizitorëve të vendit dhe të huaj. Për momentin na vjen në mendje një pyetje. A ka vepër të artit që krahasohet me këto pamje që na dhuron natyra?

Vepra më e madhe ku përfshihet edhe arti është vetë natyra. Ka mbi tre dekada të ekspeditës së parë nëpër shtigjet e egra të bjeshkëve dhe akoma dita dhe nata e parë që fjeta në stane me ngjall të njëjtat emocione dhe është po aq mbresëlënëse sikur të jetë kryer sot.

Me të drejtë lexuesi mund të pyesi, po sot çfar bëhet me këto bukuri të natyrës….?       

Nok MRRUKU

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest