Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

“Në Valmorin e Lalë Avdiut” botim mbi jetën e 100 vjeçarit që “pushtoi” bjeshkën e lartë.

Nje botim mbi jetën e njeriut që varri i të cilit po kthehet në pike reference per eksploratoret e maleve.

Nga Pirusti News
1 641 Shikime

-Nga Aleksandër NDOJA-

O njeri që vjen n”kto anë!
Nëse nata nuk ka hanë,
Nëse dielli nuk ban dritë,
Ecni në udhë pa efsh, pa frikë
Se ke vorri i bariut
Dritë ban shpirti i Lalë Avdiut!
Dritë bënjë fjalët që s“harrohen!
Brez pas Brezi do të kujtohen”.

Janë këto vargje që nuk vijnë thjeshtë si muzë e një poeti siç është i mirënjohuri Viktor Gjikolaj, por pas tyre fshihen shumë histori. Poeti Gjikolaj pikësëpari përmes këtij epitafi për Lalë Avdiun jep një impresion të rinisë së tij të herëshme, teksa rruga e gjatë e kthimit i binte përmes Valmorit, bjeshkës që askush nuk ka guxuar të jetonte aty, përveç barinjve sezonalë.

Viktor Gjikolaj shprehet se kur e zinte nata i binte pa frikë Valmorit, ku kishin dhe kanë mbretërinë e tyre ujku dhe ariu, por edhe dhjetra kafshë të rrezikshme për të mbërritur në Kurbnesh, pasi e dinte mirë se do ishte mburojë e tij Lalë Avdiu, burri moçëm dhe i rrallë i kësaj krahine që ndohet aty majë Valmorit prej vitit 1964.

Po pse një varr i veçantë, i vetmi varr në bjeshkën e Valmorit?

Bjeshka e Valmorit është shumë e njohur në Shqipëri. Ishte frymëzim edhe për poetin e shquar të kombit Gjok Beci i cili sajoi një ndër perlat e muzikës shqiptare me vargjet “Buzë Valmorit kush ka dalë, mrekullinë e ka parë..”

Bjeshka e Valmorit ka një bukuri të rrallë e mahnitëse me një bimësi ndër më të rrallat në Ballkan, me kafshë e shpendë të egër nga më të rrallat në Shqipëri, por edhe me burime të kristalta uji, ku shumë pranë ndodhet “kroi i bardhë”, burimi me efekte të forta kurative, pasi ka përmbajtje të radonit. Sidomos para ndikimit të ngrohjes globale, Valmori mbetej më shumë se gjysmën e vitit mbuluar nga bora, ndërsa dhe muajt tjerë moti ftohtë bënte që në mes të stinës së verës të ishe i veshur si në dimër. Këtë vend për 3-4 muaj mund ta pushtonin vetëm barinjtë me tufat qindra krerëshe, që instaloheshin në stane provizore.

Një ndër ata që e donte dhe nuk e lëshonte Valmorin ishte Avdi Selman Cara nga Zajsi i Selitës, e ndërsa i përkiste një kohe të herëshme (1867 – 1964)  që s”mund të shkruheshin impresionet, Valmori mbeti banesa e tij e përjetshme.

Të afërmit tregojnë se me tu afruar 100 viteve të jetës, thërret të bijtë dhe nipat dhe u lë një amanet. Atë ditë kur të vdes dua të më varrosni në Valmor. Të afërmit ju përgjigjen se mund të jetë dimër, kur bora kalonte mbi dy metër ndërsa rruga nga Zajsi në Valmor ishte me shkëmbinj pafund e shtigje të ngushta vetëm për bagëti. E Lalë Avdiu me një siguri të madhe u thotë se ajo ditë do të jetë ditë me diellë dhe e bardhë.

Në të vërtetë ashtu ndodhi. Avdi Selman Cara ndërroi jetë në një ditë të bukur të pranverës së vonë të vitit 1964, ndërsa amaneti i tij u çua në vend teksa qindra njerëz, mbase një mijë e ndoqën arkëmortin mes malesh nga Zajsi për në bjeshkët e Valmorit, njerëz të ardhur nga krahina e Mirditës, Dibrës dhe Matit por edhe nga zona të tjera.

Më vonë në atë vend, pikërisht në vendin e quajtur “Qafa e Ahut” në pllajën e Valmorit u ndërtua edhe varri i Avdi Seman Carës, vend i kthyer shpesh në vend peligrinazhi, ashtu siç e përshkruan poeti Gjikolaj. Kjo ndodhi jo vetëm për faktin se si një njeri në të gjallë të tij la amanet të pushonte në përjetësi, pikërisht në Valmor, ku kurrë nuk kishte ndodhur më parë, ndërsa për gjithë fshatin Zajs kishte varreza të herëshme pikërisht një një kodër pranë këtij fshati, por edhe për faktin se Lalë Avdiu kishte një emër të madh e të përndritur në tre ose më shumë krahina.
Në nje ceremoni per burrin e rralle te lartesive:

Kush ishte Lalë Avdiu (Avdi Selman Cara i Zajsit). Nje monografi per kete emer.

Të shkruash për Lalë Avdiun është një punë e madhe aq sa portreti i plotë i tij nuk mund të përmblidhet në 208 faqe të një botimi. Në fakt prej disa ditësh në qarkullim ka dalë botimi në fjalë i titulluar “Në Valmorin e Lalë Avdiut” me autor nipin e tij Bajram Cara, me redaktor Nikoll Loka e korrektor Fran Cara. Ky libër përcjell në mënyrë të kujdesshme historinë e Zajsit dhe fiseve të tij, për tu fokusuar në fisin e mirënjohur të Carajve e konkretisht tek figura qendrore e këtij fisi, Lalë Avdiut.

Rreth kësaj figure të spikatur kanë shprehur kujtimet e tyre shumë autorë dhe njohës të kësaj figure si Bardhok Sulejmani, Bardhok Arapi, Idriz Pasha, Hysni Cara, Ndue Dod Gjikolaj, Shahin Pasha, Ndrek Gjok Arapi, Fran Cara, Ndue Buraku, ndërsa është përjetësuar në vargje nga poetë si Gjok Beci, Viktor Gjikolaj, Jak Tuci, Ahmet Pasha, Bajram Cara e Ndue Buraku.

Redaktori i këtij botimi Dr. Nikoll Loka shkruan se, “Avdiu lindi në rrëzë Valmorit, në hije të tij. Si fëmijë atij i pëlqente të shkonte dhe ta eksploronte atë mal, të admironte bukuritë e peisazheve të tij. Ndoshta kjo ishte pjesë e kërkimit të përjetshëm, një tepricë e energjive jetësore që e tërheq njerëzimin në përpjekjen për të arritur lartësitë.

Edhe Avdi Cara do ti ishte nënshtruar procesit të harresës, sikur të mos kishte zgjedhur një mënyrë krejt origjinale për të jetuar gjatë në kujtesë. Në prag të vdekjes ai la amanetin e pazakontë, që të mos varrosej në varrezat e fisit, por në mal, atje ku e kishte kaluar jetën, lartësive të bjeshkëve…..”

Në faqet e këtij botimi nuk shikon vetëm bariun e Valmorit, por edhe familjarin e përgjegjshmë, teksa ndërtoi një ndër kullat më impozante të kohës, por la edhe pasardhës të denjë që kanë emër të mirë kudo në Shqipëri e jashtë vendit, si drejtues, mjekë, profesorë, kompozitorë etj.

Lalë Avdiu do të njihet nga mbarë veriu për fjalët e urta, shprehje tipike që mbahen edhe sot në kujtesë, për bukën e dhënë dhe ujin e bekuar që hidhte në raste a ngjarje të padëshirueshme.

Mjafton të rendisim disa prej tyre si, “Me u zgjue herët”, “Mjer i vjetri me të rinjtë, mjer i miri me të këqinjtë”, “Të mundoftë i pamunduri”, “Kur nuk di me fol, a di me nejt”, “Ka ardhe koha me lidhë macen, jo më lëshue qenin ore gjeneral”, “Si me qenë?, ja cof e pa rep”, “Ma mirë qorr se horr”, “Miku vjen për shtatë kismete, gjashtë ti le, e një merr me vete”, “Lidhe qenin në shtegun nga vjen ujku”, “Burri pa grue është si jorgani pa çarçaf”, “Ndash me i rujtë ftyrës bojën, mos e lë të lëshueme gojën”, “Mes të Çelës e Allamanit, nuk cofin dhentë e Avdi Selmanit”, etj, etj.

Ja pra pse edhe profesioni i bariut ka një farë fuqie tërheqëse për ata që aspirojnë një jetë tjetër, më pak të nënshtruar ndaj stresit të jetës së zakonshme të fshatit.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest