Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Ded Nikoll Ndreu, 14 vjeçari nga Guramdhenjtë e Peshqeshit, një karrierë e gjatë ushtarake në disa rrethe të vendit

Për 40 vite me rradhë Ded Ndreu në shërbimin e tij ushtarak në jugun e Shqipërisë

Nga Pirusti News
1 150 Shikime

-Nga Aleksandër NDOJA-

Është lindur dhe rritur në lagjen Guramëdhenj, pjesë e fshatit Peshqesh në Shpal të Mirditës, ndërsa jeta e “degdisi” për të për të punuar në qytetet më skajore të vendit. Dëshira e tij e konvertuar në ëndërr, ka qenë të bëhej shofer, por një i afërm i tij, drejtues i Shpalit në vitet 60-ta, Gjok Luka e “urdhëroi” babain Nikoll Ndreu që djalin e madh, Dedën, ta niste për në shkollën ushtarake “Skenderbej” në Tiranë, shkollë që do bënte të niste një rrugë tjetër, larg prindërve, të afërmeve, rrugicave të Guramëdhenjve, për tu bërë mik i mirë i qytetarëve gjirokastritë, tepelenas, beratas, lezhianë e në fund tiranas. Sot prej vitesh në pension, Ded Ndreu kujton detaje pafund për jetën ushtarake, për miqtë e shumtë në këto qytete ku ka jetuar në shumë vite, ndërsa ushtria e dikurshme, për të është thjeshtë në copëza kujtimesh në letër me lustër, fiksuar në celuloid gjatë viteve.

Komandant, dy fjalë për lagjen tuaj që na e përmd shpesh, për Guramdhenjtë e Peshqeshit?

Lagjia që më vonë mori këtë emër, siç duket e mori nga gurët e mëdhenj në breg të lumit Fan. Kjo lagje filloi të ravijëzohej rreth vitit 1830, kur të parët tanë barinj veronin në këtë vend shumë të begatë për stinë verimi, por me klimë shumë të ashpër gjatë dimrit. Megjithatë të parët mij që vinin aty nga Vau i Madh dhe disa të tjerë që erdhën nga Peshqeshi, vendosën të qëndronin gjithmonë aty. Familjet e para ishin të Mark Gj. Ndreu, Nikoll Gj. Ndreu, Frrok Gj. Ndreu, Llesh M. Nikolli, Dod M. Nikolli, Ndue Gj. Nikolli e Frrok N. Gjoka. Këto familje u shumuan duke krijuar nëndegë të reja familjare, për pasojë lagjia jonë Guramëdhenj u bë një lagje e madhe, me numër të konsiderueshëm banorësh ndër vite. Toka dhe klima aty ofronte mundësi të mira për drithëra, blegtori e sidomos pemtari. Kjo situatë zgjati rreth 160 vite, deri në vitin 1995, kur u largua banori i fundit prej aty. Prej atij viti nuk ka më asnjë banor.

Çfar kujtoni nga fëmijëri, sa e vështirë ishte rruga për në shkollë?

Moti asokohe ka qenë mjaft i ashpër e për pasojë shkollën e bënim me sistem veror, pra nga marsi në tetor. E kam nisur klasën e parë në vitin 1955, ndërsa bënim goxha rrugë përt të mbërritur në shkollën e mirënjohur të Shpalit, që asokohe drejtohej nga mësuesi që ka lënë emër në arsimin mirditas, Bardhok Luka. Mësues të parë kisha mësuesin Mark Legisi, ndërsa kujtoj me respekt mësues të ardhur edhe nga vise të ndryshme të Shqipërisë si Skënder Alite dhe ky disa kohe drejtor i kësaj shkolle, por edhe mësues vendas si  Frrok Bazhella, Nikoll Toma, Ndue Luka por edhe i mirënjohur akademik Mark Tirta.

Për mësimin kishim mjaft interes, ishim nxënës me përparim shumë të mirë si unë Frrok Gjoka, Pjetër Gjeta, Bardhe e Liza nga familjet tona. Kështu kaluan 7 vite, ndërsa pas kësaj duhej të nisnim shkollën e mesme.

Në atë kohë si e konsideronit vijimin e shkollimit, çfar mendoje për të studiuar?

Të them të drejtën ishte koha kur pranë shkollës në rrugën kryesore kalonin shumë automjete të rënda të Mirditës, por edhe Pukës e Kukësit. I shikoja me vëmendje kamionët dhe kisha ëndër të bëhesha shofer. Por ndodhi krejt ndryshe.

Psh..?

Kryetari i degës ushtarake në Mirditë asokohe, pra në vitin 1961, ishte Zenel Ibrahimi nga Dibra. Ai i kishte kërkuar drejtuesit të pushtetit në Shpal, Gjok Luka disa emra për të plotësuar normën që kishte për në shkollën ushtarake, Skenderbej. Gjoka e lut babain tim Nikoll Ndreu, që unë të shkoja në atë shkollë. Babai një burrë serioz e disi autoritar, pas disa hezitimesh i thotë Gjok Lukës që ishte i afërm i joni, se ta kam fal këtë djalë. Kështu unë me 25 gusht 1961 nisa shkollimin në Tiranë ku për herë të parë vesha rrobën ngjyrë ulliri, për ta hequr atë në ditën që dola në pension, në vitin 2001.

 Le të mbesim në fazat e shkollimit?

Kuptohet se pas mbarimit të shkollës “Skenderbej” do të vijohej me shkollën e Bashkuar, shkollë e lartë dhe e mirënjohur ku dilje i titulluar oficer. Kjo ndodhi në vitin 1967.

Pra në vitin 1967 ju u diplomuat ushtarak. Cili ishte emërimi juaj i parë, dhe ku?

Pikërisht me datën 27 korrik të vitit 1967 u emërova në regjimentin e Gjirokastrës. Por nuk shkova menjëherë. Në atë kohë drejtuesit e lartë të shtetit kishin marrë vendimin për të krijuar një strukturë të organizuar në nivel batalioni, që më vonë do quhej Batalioni i Zbulimit. Kjo strukturë kishte detyrë parësore që nëpërmjet elementëve zbulues, të depërtonte deri në prapavijat e armikut, por edhe shumë detyra të tjera që kishin të bënin me sigurinë e ushtrisë, shtabeve dhe komandave si dhe teknikës luftarake, etj.

Kështu direkt nga shkolla, sëbashku me 50 ushtarakë nisëm kursin intensiv në Zall-Herr të Tiranës. Pas kësaj unë u emërova në batalionin e sigurisë, në Dragot të Tepelenës. Për momentin u emërova komandat i kompanisë së zbulimit, ndërsa një ndihmesë të madhe më dha një ushtarak i lartë që gjeta aty, që ishte nga anët tona.

Cili ishte ky dhe si e kujtoni?

Ai ishte oficeri i karrierës Pashk Simoni nga fshati Jezull i Rrëshenit. Në atë kohë ishte komandat i Korpusit të Gjirokastrës, një ushtarak me emër të mirë. Ai ishte një ndihmesë e madhe për ushtarakët, për jetën e vështirë të tyre, një burrë i rrallë që vështirë me ja gjetur shokët. Që ditën e parë kam ndjerë mbështetjen e tij. Në fakt në atë kohë kishte shumë pak mirditas në Gjirokastër, pra ishim unë dhe Pashk Simoni, por për disa kohë edhe mjeshtri i madh e kulturës shqiptare, Gjok Beci.

Sa e vështirë ishte jetesa nga Dragoti për ku kishe banimin, në Tepelenë?

Rruga ishte e largët, jo çdo natë mund të shkoja në familje e sidomos në kohë stërvitjesh apo gatishmërie. Këtu bëhej një punë e madhe, stervitjet sidomos ato fizike e psikologjike ishin në nivele të larta. Batalioni kishte një numër prej 300 ushtarakësh, por vetëm 30% e tyre ishin efektivë, se pjesa tjetër ishin rezervistë. Kujtoj ushtarakë të zotë që kanë dhënë kontribut të spikatur në këtë sektor si Petrit Çobani, Shefqet Bare, Nikollaq Sallabanda, Shyqyri Aliaj e shumë të të tjerë.

Sa vite qëndrove në Tepelenë dhe cila ishte lëvizja e rradhës?

Dihet se ushtaraku nuk ka qëndrim të përhershëm askund. Pas 8 vitesh në Dragot zbrita në Gjirokastër, pasi u emërova në Komitetin e rinisë së Korpusit aty, në pozicionin e zv/Sekretarit të Rinisë. Kjo ishte kohë e artë, pasi punën me rininë e kisha mjaft pasion, se isha edhe vetë një një moshë të tillë. Por kishim edhe aksione të shumta asokohe, sidomos në brezaret e mirënjohura të Lukovës e të Borshit. Në atë kohë ishte bërë rregull që ushtarët muajin e fundit të shërbimit ushtarak e bënin aksion në agrume e kudo ku kishte nevojë.  Pas këtij qëndrimi në këtë detyrë, në vitin 1978 u emërova Komandant i Shkollës së Lirë në Starovë, Berat, ku qëndrova dy vite.

Pse vetëm dy vite, pra deri në vitin 1980?

Po, se pas dy vitesh në këtë detyrë nisa përsëri shkollimin, por tashmë në Akademinë Ushtarake në Tiranë, niveli më i lartë i shkollimit ushtarak. Akademinë e përfundova në korrik të vitit 1982. Pasi përfundova, me sollën sërish në Berat. Ishte koha kur ndodhi një ristrukturim i ushtrisë, pra 9 korpuset u shndërruan në 22 divizione, në të gjithë Shqipërinë. Kjo u bë nën arsyetimin se ushtria duhej të ishte më e shpërndarë në çdo skaj të vendit, pra në 22 divizione, kur ndarja administrative kishte 26 rrethe.

Cili ishte pozicioni juaj në Berat, pas përfundimit të Akademisë Ushtarake?

Në divizionin e Beratit u emërova shefi i stërvitjes së divizionit. Duhet të theksoj se ishte periudha më e bukur dhe më e suksesshme që kam kaluar gjatë gjithë karrierës sime ushtarake. Merresha me planifikimet stërvitore, me organizime të ndryshme. Berati ishte parajsa në një farë mënyre për në ushtarakët. Një qytet me kulturë dhe njerëz dashamirës, sidomos me ushtarakët. Ishte fat që drejtuesja më e lartë politike dhe shtetërore e Beratit, Mine Guri, ishte bashkëshorte dhe nënë ushtraku, ndaj ne kishim vëmendje të veçante në trajtimin tonë si me banesë, me punësimin e bashkëshortes e cila në çdo lëvizje më shoqëronte në çdo qytet ku kam shërbyer.

Gjatë kësaj kohe kam organizuar tre stërviteje të mëdha me lëvizje masive të truapave ushtarake, nga Berati në Çarshovë për te tre urat në Përmet apo Berat Qafë Qarri në Qafë Kazan, si dhe Bilisht-Maliq, për tu kthyer në Berat. Kujtoj me mirënjohje shumë ushtarakë kolegë me të cilët shënuam shumë arritje, si Tomorr Xhelo e Ferit Metko, por edhe shumë të tjerë.

Po në Berat a kishit mirditas të tjerë me të cilët mund të qëndronit apo komunikonit?

Po, ishte një mik i mirë Gjon Suli që ishte drejtues policie, por edhe ne sektorë të tjerë të jetës shoqërori si një Pal Tushaj nga Proseku, Zef Bardhi nga Ndërfushazi, por edhe një Agustin Marceva nga Miloti. Me këta takoheshim shpesh në qytet për kafe a raste, sidomos me Gjon Sulin.

Nëse ju pyes për familjen, në këtë rrugëtim të gjatë, natyrshëm krijohet dhe familja. Një prezantim i shkurtër?

Në fakt jam martuar shumë herët, me të mbaruar Shkollën e Bashkuar. Isha fëmija i parë dhe babai nuk te lejonte të vonohesha. Ndaj u martova me Albinën, një vajzë nga familja Përgjoka, në Rubik. Si grua ushtaraku kishin një mbështetje për tu punësuar, ndaj kudo ka punuar në administratë deri dhe shefe administrate në Ndërmarje Pyjore, në Berat. Gjatë viteve më lindën dy vajza, Mirela dhe Valbona. Valbona ka lindur kur isha me shërbim në Tepelenë, ndërsa Mirela në Berat.

Le të vijojmë me Beratin. Deri kur qëndruat aty?

Deri në vitin 1991. Pas ndryshimeve të mëdha në ushtri siç ndodhi në të gjithë jetën shoqërore, unë u transferova në Lezhë. Për 6 vite qëndrova në detyrën e Komandantit të Brigadës së Lezhës. Ishte punë mjaft me madhe për reformimin e ushtrisë në përshtatje me zhvillimet e reja demokratike. Në vitin 1996 u largova prej aty duke lënë një ushtri në kushte normale, për tu shkatërrur vetëm një vit më vonë siç e dimë të gjithë, nga trazirat e vitit 1997.

Megjithatë për pesë vite me rradhë qëndrova në detyren e shefit operativ dhe të stërvitjes, në bazën e Ushtrisë në Tiranë, për ta mbyllur përfundimisht karrierën ushtarake në vitin 2001, karrierë të cilën e nisa duke dalë nga Guramdhenjtë në moshën 14 vjeçare. Prej vitit 2001 jam në pension.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest