Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Gjergj Kolmarku – Hero i vërtetë i Gjeologji-Minierave të Mirditës

Vepra e tij ndriçon e frymëzon brezat në çdo kohë dhe si e tillë, meriton të rivlerësohet dhe të përjetsohet...!

Nga Pirusti News
1 163 Shikime

Nga: Xhelal Marku*

Në vlerësimin tim, Gjergj Kolmarku është një nga personalitetet më të njohura dhe me shumë kontribute në sektorin e Gjeologji-Minierave të vendit tonë…! Emri i tij është aq i lidhur me gjeologjinë dhe minierat e Mirditës, saqë është kthyer edhe në një simbol të tyre, ku po ta përmendësh Gjergj Kolmarkun, ke përmendur edhe gjeologjinë e minierat e kësaj treve dhe anasjelltas…!

E rëndësishme është, se këtë staturë të tij, ai e krijoi me punë të palodhur, me përkushtim e ndërgjegje të lartë, fillimisht si punëtor dhe si minator, duke çarë udhët e mineralit me martelin në dorë dhe më vonë, si drejtues në Gjelogji e Miniera. Sakrificat dhe vështirësitë për Gjergjin, ishin përherë sfidat e tij, për të triumfuar e për të dalë fitimtar mbi to, ndërsa përkushtimi dhe aftësitë profesionale, ishin “armët” e tij të suksesit në punë. Ndaj Ai, kur e niste një punë, ishte optimist, por dhe i vendosur për ta çuar atë deri në fund.  “…Detyra është detyrë dhe fjala është fjalë, thoshte shpesh Gjergji. Ndaj fjala dhe premtimi i dhënë, është një përgjegjësi e madhe për këdo, ç’ka do të thotë: Mendoje mirë fjalën, para se ta thuash, se pastaj ajo kthehet në përgjegjësi dhe nuk ka argument, që të mbron…”!

I tillë ishte Gjergj Kolmarku, me një portret sharmant, skimatar, shtatlartë dhe elegant, nga paraqitja, por që i shëndriste puna dhe i kishte lezet fjala…! Një drejtues model, fjalëpaktë, sedërli, i thjeshtë e modest, si dhe i komunikueshëm me të gjithë…! Ai nuk ishte nga ata drejtues, që kalonte kohën në zyrë, por gjithnjë do ta gjeje pranë punës, në mes punëtorëve e minatorëve, në frontet e galerive, aty pranë vështirësive. E shikoje Gjergjin pranë njerëzve të punës, tek u hidhte krahun në qafë punëtorëve, minatorëve a sondistëve dhe i pyeste shpesh ata, me ngrohtësi e dashamirësi, për hallet e tyre. U qante hallet dhe i ndihmonte me mundësitë, që i jepte detyra dhe ligji i kohës.

Ndaj e donin shumë punëtorët, sepse ai ishte shoku dhe miku më i afërt i tyre, të cilit ia dëgjonin mirë fjalën, por dhe nuk ia bënin fjalën dyshë…! Kështu, Gjergji drejtor ishte njëlloj si Gjergji minator, ishte njëlloj me ta, i thjeshtë dhe i dashur, me fjalë të qeta e dashamirëse dhe nuk kishte dëshirë, të shfaqte autoritetin e tij si drejtues, në komunikim me punëtorët…! Edhe problemet e punës, ai dinte t’i diskutonte e t’u jepte zgjidhje sëbashku me punëtorët e vartësit e tij. Kësisoj, Gjergjit i shkëlqeu puna kudo, por ai diti t’i ndaj arritjet bashkë me ta, diti të vlerësoi punën e tyre dhe nuk rrahu ndonjëherë gjoksin, se këtë ose atë punë e bëra unë, apo e bëri ai tjetri…!

 Gjergj Kolmarkun unë e kam njohur nëpërmjet punës, qysh në vitin 1975, kur lashë detyrën e mësuesisë në Gjimnazin e Rrëshenit dhe u bëra gazetar i Radiotelevizionit Shqiptar, që ishte e vetmja Media Kombëtare e vendit. Një burrë simpatik dhe shumë i lidhur me profesionin e tij të gjeologji-minierave, organizator i përsosur dhe drejtues i aftë, por edhe mjaft aktiv e kërkues për punën, të cilin rrallë herë e shikoje me veshjen e një zytari, pasi ai drejtonte duke punuar. Zakonisht ai vishej si zyrtar, vetëm kur shkonte në ndonjë mbledhje me drejtuesit qëndror të dikasterit, ose kur e thirrnin drejtuesit kryesor të rrethit, për të raportuar mbi ecurinë e punimeve të kërkim-zbulimit të mineraleve. Gjergji ishte zotrues i aftë i profesionit të tij, por kishte dhe një përvojë të madhe pune në gjeologji – miniera. Ai ishte një burrë fisnik, i mençur, i ditur, i muhabetit dhe njohës i mirë i traditave të krahinës, që dinte të përshtatej me të gjitha moshat dhe nivelet në bashkëbisedimet e tij…! Gjergji fliste me kompetencë për problemet e profesionit të tij, për të cilin kishte përfituar jo vetëm nga shkollimi i tij në disa nivele të arsimit të kohës, por edhe nga përvoja e punës shumëvjeçare në gjeologji e miniera. “…Praktika e punës është një shkollim i dytë për çdo profesion, thoshte ai. Unë dhe shokët e mi, fillimisht nuk kishim aftësinë e duhur, për të punuar në minierë, por nga minatorët me përvojë, mësuam gjithçka për profesionin e minatorit, mësuam sekretet e punës së tij, mësuam si të mbrohemi nga rreziqet në galeri dhe krijuam përvojën tonë në këtë profesion të vështirë…”.  

Qysh në fillim, portreti tipik i malsorit mirditor Gjergj Kolmarku, që identifikohej si i tillë, që nga mënyra e ecjes, temperamenti i tij dhe nga karakteri burrëror, më bëri përshtypje dhe më tërhoqi vëmendjen…! Ai ishte një karakter ndryshe, por dhe një drejtues ndryshe, i cili para se të fliste i dëgjonte me vëmendje të tjerët. Informacionet për ecurinë e punës, për mangësitë, për pengesat dhe vështirësitë e saj, Gjergji kishte dëshirë t’i merrte nga vetë punëtorët, kishte dëshirë të dëgjonte zërin e tyre, sepse ata ishin njerëzit, që sakrifikonin më shumë në këtë përballje…!

Ndaj, ai e kishte bërë program të tij, që ditën ta niste me takime e biseda pune me punëtorët, aty tek sondat e shpimit. Ndërsa kur priste ndonjë lajm të mirë, në zbulimin e trupave minerarë, drejtuesi Gjergj Kolmarku, do të flinte në Zyrën e tij, duke pritur sihariqin, që e lumturonte pamasë. Dhe këtë gëzim të madh, ditën apo natën, ishte ai i pari, që do ta ndante me punëtorët. Zakonisht Gjergji ishte korrekt dhe serioz në punë, por kur kishte sihariqe nga sondat, për zbulime të reja të trupave minerarë, ai bëhej ndryshe, e humbiste seriozitetin, lumturohej pamasë dhe qeshte me gjithë shpirt…! Dhe këtë gjendje shpirtërore të Gjergjit e kuptonin të gjithë dhe nuk vononin, për t’i shprehur atij urimet e tyre të sinqerta për suksesin e arritur…! Por, në raste të tilla edhe Gjergji vetë shprehej i lumtur në mes tyre, ku dëgjoheshin fjalët e tij plot emocion: “Sot kam qeshur sa për një vit…! Gëzimi i punës është një ndjesi e veçantë, që jo vetëm të lumturon, por të bën edhe krenar…! Dhe mua sot, ata punëtorët e sondës, më bënë krenar me punën e tyre të mrekullueshme ! U lumshin krahët dhe paçin lumturi në familjet e tyre…”!

Duke njohur këto cilësi të rralla njerëzore të një drejtuesi të veçantë e të përkushtuar, tek figura e Gjergj Kolmarkut, unë si gazetar i Radiotelevizionit Shqiptar, nuk kisha si të mos e bëja Gjergjin, një personazh të zgjedhur të kronikave, reportazheve e të dokumentarëve të mi televizivë, sepse ai ishte portreti më i veçantë dhe më interesant për mua, që edukonte dhe përcillte vlera të mëdha tek shikuesit e ekranit…!

Pra, ishte puna dhe profesioni, që më lidhi edhe më shumë me Gjergjin, me të cilin, më vonë u bëmë miq dhe respektoheshim shumë me njëri tjetrin. Dyzet e katër vite të punës së tij, qysh kur ishte minoren vetëm 13 vjeç, e burrëruan parakohe Gjergj Kolmarkun, e kalitën dhe e aftësuan atë, për të përballuar çdo sfidë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, Gjergjit që mbeti jetim për babë, në një moshë fare të vogël, qysh kur ishte vetëm 12 vjeç, i ra mbi supe edhe barra e rëndë e të zotit të shtëpisë dhe në kushte të tilla, ai u detyrua të marrë përgjegjësitë e mëdha, të përballjes me vështirësitë dhe hallet e ekonomike të familjes…!

Kështu, pas mbarimit të shkollës fillore, në fshatin e tij të lindjes në Bardhaj të Mirditës, Gjergj Kolmarku filloi punë në Minierën e Bakrit në Rubik, në moshën 13 vjeçare, ku u rregjistrua si ndihmës minator. Në këtë vend pune, ai qëndroi nga viti 1945 e deri në vitin 1954, ndërsa pas vitit 1954 e deri në vitin 1989, plot 35 vite me radhë, deri sa mbylli sytë për të fundit herë, Gjergj Kolmarku ka punuar vetëm në detyra drejtuese, në sektorë të ndryshëm të gjeologji-minierave të Mirditës. Kështu, në vitin 1954, ai emrohet Kryetar i Ekspeditës Gjeologjike në Kurbnesh, ku punoi bashkë me specialistët rus, që kishin ardhur këtu, për të ndihmuar me përvojën e tyre, në hapjen e Minierës së re të Bakrit. Nisur nga rezultatet e arritura në punë, në vitin 1957, Gjergji përzgjidhet si drejtuesi më i mirë në atë Minierë dhe dërgohet në Shkollën e Mesme të Puntorëve në Qytetin Stalin.

Me mbarimin e kësaj shkolle, që zgjati dy vjet, nga viti 1957 e deri në vitin 1959, Gjergj Kolmarku vlerësohet me titullin: “Mjeshtër Shpimi”. Pas këtij shkollimi, ai përzgjidhet për të vazhduar edhe një shkollë tjetër: Teknikumin e Naftës, të cilin e mbaroi në vitin 1961, ku u diplomua me titullin: “Teknik shpimi”. Një vit më vonë, në vitin 1962, Gjergj Kolmarkut i jepet edhe e drejta e studimit me bursë në Universitetin e Tiranës, në degën Inxhinjeri – Miniera, por për arsye shëndetësore, ai nuk arriti ta përfundonte atë. Kështu, në vitin e dytë të fakultetit, Gjergji u detyrua t’i ndërpres studimet, pasi u dërgua për kurim jashtë shtetit, në Poloni.

 Pasi kthimit nga Polonia, nga viti 1954, e deri në vitin 1966, Gjergj Kolmarku punoi Kryetar i Ekspeditës Gjeologjike në Kurbnesh dhe nga viti 1966 e deri në vitin 1970, ai punoi Kryetar i Ekspeditës Gjeologjike në Qershizë e në Mashtërkor. Në vitin 1971 Gjergj Kolmarku emrohet drejtor i Minierës së Bakrit Kurbnesh, duke zëvendësuar në këtë detyrë Preng Pepën, i cili emrohet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Mirditë.

Në detyrën e Drejtorit të Minierës së Bakrit Kurbnesh, Gjergj Kolmarku qëndroi për dy vjet, deri në vitin 1973, ku u dallua për rezultate të larta në realizimin e detyrave. Më pas, nga viti 1973 e deri në vitin 1985, Gjergji ka punuar në detyrën e Kryetarit të Ekspeditave Gjeologjike në Rrënjollë e në Perlat, ku u shqua si drejtuesi me arritjet më të larta në kërkim-zbulimin e mineraleve në atë zonë dhe dorëzoi për shfrytëzim rezervat gjeologjike të Minierës së re të Bakrit Perlat, me një perspektivë të gjatë e të garantuar shfrytëzimi. Dhe pikërisht në Perlat, sipas dokumentacionit të dorëzuar nga Ekspedita, që drejtonte Gjergj Kolmarku, u hap një Minierë e re, me teknologji bashkëkohore, që prodhonte mineral të cilësisë së lartë. Por, koha e shfrytëzimit të kësaj Miniere me shumë perspektivë, nuk zgjati shumë, pasi në fillim të viteve 90-të, me ardhjen në pushtet të të ashtuquajturit “demokrat”, Sali Berisha (komunist prej 25 vitesh, që ishte njeriu më besnik i diktatorit Hoxha dhe mjeku i tij personal), Miniera e Perlatit u mbyll, ashtu siç u mbyllën dhe u vodhën edhe të gjithë ndërmarrjet ekonomike të vendit, duke lënë pa punë, mijra e mijra punëtorë e specialistë të lartë…!!! Në atë kohë, u mbyllën arbitrarisht edhe Miniera e re e Bakrit në Rubik, Uzina dhe Metalurgjia e Rubikut, tre fabrika të pasurimit të bakrit në Reps, Kurbnesh e Rrëshen, duke i vënë kryq Industrisë së Madhe të Bakrit në Mirditë, që ishte “Hambari” i ekonomisë së Shqipërisë.

Këto veprime të një qeverisje të pepërgjegjshme, sollën pasoja të rënda për jetën e banorëve, si papunësia masive dhe varfëria e madhe në Mirditë e në të gjithë vendin…!!!??? Një çmenduri e vërtetë politike kjo, që solli shkatërrim të plotë dhe vjedhje të gjithë pasurive kombëtare në vend, me teorinë famëkeqe të “Çekut të Bardhë”, që në fakt ishte “Çeku i Zi.

 Gjergj Kolmarku ishte një Heroi i vërtetë i kohës që e nxori.

Jeta dhe vepra e Gjergj Kolmarkut ka në themel të vet përkushtimin deri në sakrificë, për kryerjen me korrektësi dhe ndërgjegje të lartë të çdo detyre, që i është ngarkuar. Ai edhe pse punoi në frontet më të vështira të gjeologji-minierave, nuk u dorëzua para vështirësive, por u vuri gjoksin punëve dhe doli fitimtar ! Në krahë të tij kishte shumë bashkëpunëtorë, që iu bashkuan këtij personaliteti me zemër flori. Ai ishte vetë flori dhe gjithë jetën e shkoi udhëve të nëtokës, për t’i marrë floririn që flinte në gjoksin e maleve të Mirditës…! Një tokë e pasur, me banorë të varfër…! Ky fakt e bënte Gjergjin të binte shpesh në mendime të thella dhe të thoshte me vete: Sa  njerëz të pafat jeni ne mirditorët, që jetojmë në varfëri mbi tokën e pasur…! Ky është paradoksi, që duhet luftuar, për të ndryshuar jetën tonë…”! Dhe ky motiv e shtyu Gjergj Kolmarkun të bëjë realitet edhe të pamundurën ! Ai mori forcë e krahë nga ky motivim, që e bëri atë të aftë e qëndrestar udhëve të mineralit ! E bëri një personazh të njohur e të pamposhtur nga vështirësitë, që solli suksese të njëpasnjëshme në karrierën e tij profesionale e drejtuese! Kështu, nëpërmjet punës, u rrit çdo ditë portreti dhe personaliteti i Gjergj Kolmarkut, duke krijuar imazhin e njeriut të jashëzakonshëm në sytë e punëtorëve e të specialistëve ku drejtonte, në sytë e ndërmarrjes e të institucioneve të rrethit, por dhe në sytë e Dikasterit të Industrisë e të Minierave, që ditën ta vlerësojnë atë hap pas hapi, për meritat e veçanta dhe kontributin e tij të shquar, si drejtues shembullor i asaj kohe! Nëntë urdhëra e medalje pune të akorduara në vlerësim të punës së Gjergj Kolmarkut, flasin qartë dhe meritueshëm për kontributin e tij, ku kulmon dekorimi edhe me titullin më të lartë: Hero i Punës Socialiste”, i akorduar nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, me dekret nr. 4600, datë 22 / 11 / 1969. Vlerësime reale e të rralla këto, që të lënë pa fjalë, të cilat Gjergj Kolmarku i mori me shumë meritë, duke bërë një emër të madh dhe autoritar në sektorin e Gjeologji-minierave të vendit…!

E megjithatë, dua të theksoj faktin, se edhe pse Gjergj Kolmarku u bë “Hero i Punës”, thjeshtësia dhe modestia e Tij nuk ndryshuan kurrë, mbeti po Ai Gjergj, me po ato merita e vlerësime në punë, në jetë dhe kudo, ku edhe pse ishte i rënduar nga shëndeti, nuk e dha veten asnjëherë, si të tillë dhe nuk e ndërpreu për asnjë çast punën e tij drejtuese në Ekspeditat Gjeologjike të Mirditës. Në vitin 1985, ai edhe pse ishte me raport invaliditeti, u largua nga Ekspedita Gjeologjike e Perlatit dhe erdhi në detyrën e Kryetarit të Ekspedisës Gjeologjike Rubik, ku punoi deri në vitin 1989, kohë kur mbylli dhe karrierën e punës së tij drejtuese. Por, sëmundja vazhdoi ta përkeqsonte shëndetin e Tij, derisa më 24 Qershor 1989, në moshën 60 vjeçare,  u nda parakohe nga jeta, duke lënë pas një emër të nderuar dhe një karrierë të gjatë e të suksesshme pune, për më shumë se katër dekada.

Largimi i Gjergj Kolmarkut nga jeta, ishte një dhimbje dhe humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe për të gjithë ata, që e kishin njohur Gjergjin. Ndaj, në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit, Gjergj Kolmarkut iu bënë nderime e vlerësime të veçanta nga qindra qytetarë të Rubikut e të Rrëshenit, specialistë e drejtues nga më të zëshmit të dikasterit të industrisë minerare, puntorë, inxhinierë e drejtues të gjeologji-minierave të vendit, të ardhur nga Tirana dhe rrethet, etj. Ishte një homazh i paparë lamtumire, që përjetoi Mirdita në atë ditë dhimbje, në nderim të figurës së Heroit të Punës Socialiste – Gjergj Kolmarku, që me punën dhe veprën e tij, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e gjeologji-minierave ! Jeta dhe vepra e Gjergj Kolmarkut, është jeta e një Heroi të vertetë, me plot vlera e merita, që frymëzojnë dhe edukojnë gjeneratat e së ardhmes me përkushtimin dhe dashurinë për punën…!

 Kanë kaluar 34 vjet nga ajo ditë e dhimbshme e largimit nga jeta të Heroit të Punës Socialiste Gjergj Kolmarku, e megjithatë vepra e tij jeton e rritet, si vepra e një personaliteti të njohur të gjeologji-minierave. Por, më duhet të theksoj, se ai edhe pse ishte dhe mbetet një personalitet shumë i vlerësuar për kontributin e tij të shquar në sektorin e Gjeologji-Minierave, emri i tij është lënë si në harresë në këto vitet e tranzicionit dhe nuk është kujtuar më nga askush, as nga pushteti qëndror, as nga institucionet qëndrore dhe as nga pushteti vendor, për ta përjetsuar emrin dhe veprën e tij, në ndonjë emër ndërmarrje, në ndonjë emër rruge, apo në ndonjë emër shkolle të gjeologjisë a të minierave të vendit. Shpresojmë, që ky mesazh, të shërbejë si një apel, për ta rikujtuar e rivlerësuar Veprën e Gjergj Kolmarkut, e cila nuk vdes kurrë, pasi Ajo ndriçon e frymëzon brezat në çdo kohë dhe si e tillë, meriton të rivlerësohet dhe të përjetsohet…!

Xhelal Marku, Akademik  në gazetari e turizëm*

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest