Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Arjana Qatipi, ju rrëfej 13 vitet e mija në Mirditë. Jeta ime mes atyre njerëzve fisnikë.

Emërimi në kohën e grupit të rradhës ”puçist” kur gjenerali Qatipi kishte përfunduar punonjës ngarkim shkarkimi

Nga Pirusti News
1 401 Shikime
-Përgatiti: Aleksandër NDOJA-

Arjana Qatipi, një emër që në Mirditë do të mbahet mend gjatëkohë. Erdhi në Mirditë në vitin 1974, spo kishte përfunduar universitetin në degën e gazetarisë, ndërkohë që në ato ditë babai i saj gjeneral i shquar i luftës dhe paqes Adnan Qatipi, ishte shpallur në 7-shen e grupit “puçist” të rradhës. Arjana një vajzë 21 vjeçare pasi kërkon në hartë Mirditën niset prej atje e vetme zbarkon te “ura e fanit” me një çantë me rroba, një krevat hekuri dhe një dyshek, për të qëndruar aty mbi dy orë në pritje të ndonjë mundësie për të shkuar në Reps. Teksa errësohej një zë i njohur e thërret nga larg, një shok gjimnazi i gjen një kamion “piriti” për në Reps, ku natën e parë qëndron në një dhomë pa çelës. Aty qëndron për tre vite me rradhë si mësuese në Kullaxhi, ndërsa për 10 vite me rradhë punon mësuese në Përlat. Kush nuk e kujton spikeren e pallatit të kulturës shtatlartë e zëkumbues, teksa vinte “part-time” nga Përlati, ndërsa shpëton paq nga incident gjatë prezantimit të  Ramiza Alisë që ishte në sallë.

Një intervistë me shumë të pathëna deri tani me gazetaren e mirënjohur të televizionit shqiptar Arjana Qatipi e cila tashmë në pension, njëlloj si në rininë e saj me Kullaxhiun e Përlatin, ka zgjedhur të jetojë në fshat, por tashmë në qetësinë që të jep Petrela, por vetë e thotë në fund të kësaj interviste, “Dua ta shijoj me familjaret e mij këtë qetësi. Me modesti e  them që me takojnë ca dite te bukura”. 

-I N T E R V I S T A-

-Një përshkrim të shkurtër mbi origjinën e familjes. Të parët tuaj si erdhën në Tiranë dhe nga erdhën. Po familja e nënës tënde?

I përkas një familjeje, origjina e së cilës është e ndërthurur mes Dibrës se Madhe  dhe Beogradit. Babai im Adnan Qatipi ishte dibran nga origjina, por shpërngulet sëbashku me nënën e tij dhe motrën në Tiranë në vitin 1913, vit kur ndodhi edhe padrejtësia e ndarjes së kufijve mes  Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë. Vendosen në një lagje të Tiranës, që edhe sot njihet si lagjia e dibranëve. Tiranasit e vjetër si gjithmone i hapën dyert për të ardhurit dhe madje ju krijuan edh lehtësira  të jetesës. Babai im asokohe ishte rreth 5 vjeç, ndërsa dhumë më herët kishte mbetur jetim. Shumëkush babain tim e njihte si tiranas për shkak të përshtatjes me komunitetin përreth. Dhe i tillë mbeti deri ne fund të jetes së tij.

Nëna ime Branka vinte nga një familje në gjëndje te mirë ekonomike që jetonte asokohe në Beograd. Për shkak të bindjeve të saj përparimtare për kohën ajo u rreshtua ne çetat partizane jugosllave, ku u takua edhe me tim atë. Në atë kohë një pjesë e forcave partizane te brigadës se tretë kishte kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe luftonte kundër forcave çetnike ne ish Jugosllavi. Ketu u njohën dhe u martuan, partizançe.

– Si e kujtoni ditën e parë të shkollës në klasën e parë. Në cilën shkollë dhe cila ka qenë mësuesja jote e parë. Një impresion i joti për atë mësuese dhe deri kur e keni mbajtur komunikimin me atë? 

Kam qenë një nxënëse sistematike përgjatë shkollimit tim. Pa shkuar ende në klasë të parë, falë familjes  kisha mësuar shkronjat dhe disa veprime aritmetike. Klasën e parë e kam kryer ne shkollën “Kosova”, më e mira e asaj kohe për ifrastrukturë e staf pedagogjik. Zysha e parë quhej Afërdita. Nje model në çdo kuptim. E shikonim  si idhull. Një gojëmjaltë, e bukur, e përgatitur. Me zyshën nuk kam pasur shumë kontakte. Ne klasën e tretë sëbashku me  nënën time dhe dy vëllezërit shkojmë në Pekin për të jetuar shume vite atje. Mamaja punonte ne Radio Pekini si spikere e gjuhës serbe  për kanalin e Shqipërisë. Pas afro tri vitesh une kthehem ne Tiranë dhe zysh Afërditën nuk e gjej në  shkollë. Shumë, shumë vite më vonë na  bashkoi fati, për shkak të një krushqie.

– Po shkollën e mesme ku e vijuat. Sa ndikonte te ju dhe ambienti përrreth, se ju ishit një vajzë e një gjenerali të shquar?

Unë jam “petroninase”. I përkas shkollës së famshme  “Petronini  Luarasi”. Kam pasur fat me shkollat. Kur unë studioja në gjimnaz, që ishte afër me bllokun e dikurshëm atje mësonin edhe thuajse të gjithë femijët e antarëve tëe byrosë politike. E them këtë sepse cilësia e mësuesve që rekrutoheshin në atë shkollë ishte nga më të mirat. Vendoste tjetërkush për mësuesit e asaj  shkolle. Babai im ishte dikushi ne ushtri, por  une isha në “miniaturë” përballë fëmijeve të bllokut. Gjithësesi e kam pasur dëshirë të mesuarit dhe përkushtohesha në shkollë.

– A e kuptove se në vitin 1974, kur ishe studente 17 vjeçare, se babai juaj gjeneral i shquar i luftës, ishte përjashtuar nga ushtria me masë ndëshkimore dhe si e kujton faktin se ai u bë një punëtor i thjeshtë në një ndërmarrje të rëndomtë kohës NSHRAK.

Viti 1974 ishe kthesa e jetës sonë familjare. Kujtojmë se ishte viti i dënimit të rradhës në hierarkinë e lartë ushtarake, ndërsa babai im ishte renditur i shtati në listën e “armiqve” që kryesohej nga Beqir Balluku. Çdo gjë u përmbys. Im atë u përjashtua nga ushtria, nëna u hoq nga puna si shefe finance dhe u dërgua në gjeologji miniera. Babain tim e dërguan për  riedukim në  “NSH – rakun” e atëherëshem si puntor i zakonshëm. Citoj se ky ishte dënimi i dytë  për babain, pasi vite më parë ai ishte hequr sërish nga ushtria dhe  ishte caktuar si drejtor i SMT Lushnjë por më vonë ishte rehabilitur, por deri sa erdhi 1974-ra.  Vëllain tim të madh e hoqën si pedagog i edukimit fizik në universitet. Mua më dërguan në Mirditë dhe vëllai i vogël u dogj për shkollën e lartë. Humbi busulla orientuese e jetës. Prisnin me ditë, veçanrisht natën që të vinte një kamion ogurzi për të  na  dërguar diku për internim. Desh Zoti nuk na takoi ai fat aq i zi.  Njeriu është i çuditshëm. Se ku e gjen atë forcë për ta përballuar dhe ja hedh. E përballon atë tension dhe vuajtje që  ta  kupton vetëm ai që e  ka hequr në kurriz.

– Sa ndikoi kjo në të ardhmen tënde, ndërsa vijoje mësimet në gazetari?

Ngjarjet e 1974-trës përmbysen gjithçka. Na  u desh te planifikonim jetën mbi bazën e kësaj traume. Mua mu lejua të  përfundoja universitetin në degën e gazetarisë por jo ta ushtroja për afro 15 vjet. Me caktuan në Mirdite si mësuese. Një ngarkese e madhe edhe për shkak se s’dija asgjë nga mësuesia. Çdo bëja, çfar lëndësh do të jepja. A do të dija të komunikoja me nxënësit  për më tepër që isha edhe me cene në biografi. Truri ishte bërë një çorbë e vërtetë. Po vendosa: t’ja lë kohës. Dhe mos harrojmë, isha veçse 21 vjeçe. 

– Dhe ja ëndrra u relizua, në vitin 1975 ju u diplomuat në gazetari. Çfar mendove në ato momente kur more diplomen në dorë. Ku do e kishe emërimin?

Më thanë se do të shkosh në Mirditë. Si fillim pashë hartën, ku ndodhet ky vend. Meqenëse emrimi im në arsim u bë pak me vonesë, kam ardhur në Rrëshen në datën 15 shtator 1974. U paraqita në seksionin e arsimit dhe më  thanë se je caktuar ne Kullaxhi. Zot na ruaj. Isha vetëm. Prindërit e mij dhe vëllezerit në atë kohë e kishin të kufizuar të lëviznin shumë, Unë mund të lëvizja, por vetëm. Ku do të shkoja. Deri tek Ura Fanit me  solli një i njohur i babait dhe atje ai u largua. Kisha me vehte rroba, një krevat hekuri dhe një dyshek. Duhej te shkoja në Reps sepse atje më thanë do të akomodohesh, në hotelin e beqareve quhej. Kanë qenë momentet më të vështira  të jetes time. Isha “tek pullë” dhe nuk dija ku do të shkoja.  Isha stacionuar tek ura e Fanit dhe nuk dija çfarë prisja.

-Me çfar mjeti udhëtove ditën e parë në Reps. Kush të shoqëroi gjatë këtij udhëtimi. Ku u akomodove natën e parë?

Kanë kaluar ndoshta dy orë dhe unë atje anës urës. Por Zoti nuk me la vetëm. Nje shoku im i gjimnazit dhe  i lagjes ku banoja, që në atë periudhë punonte në bankë në Rrëshen me  pa. Dëgjova një zë: qaaaaatooo. Kështu me thërriste ai, shoku im i klasës në gjimnaz Nelson Hiçka. Më do Zoti mendova. Shkëmbyem informacionet dhe ai mori përsiper të më gjente një kamion të piritit. U gjet makina dhe më në fund arrita në Reps, prane lokalit kryesor te zonës. Dhe sërish vetëm. E ndërkohë nata kishte filluar te binte. U çudita me vehte. I dola para një makinë dhe dhe shoferit i kërkova ndihmë. E kuptoi që isha mësuese e  re dhe më ndihmoi për ti dërguar rrobat lart, në kodër ku ishte edhe hoteli. Atje banonin puntorët që punonin ne minierë në  burgun e Spaçit. Mendoni një vajze 21 vjeçare, pa asnjë eksperience jete, e vetmuar të akomodohet në një ambjent, dhome pa çelës. Ajo natë ishte më e gjata dhe më e  vështira e jetës time. Shumë e vështirë. ………..Pas disa ditësh erdhën edhe tri vajza të tjera. Dy nga Vlora dhe një  nga Tirana. 

– Emërimi i parë kujtoj se e kishe në Blinisht si mësuese. Cili ishte drejtori që të priti. Ku u akomodove për të jetuar. Sa veta ishit në dhome. Sa mësues ishit. Cili ishte komunikimi juaj me ta. Po me nxënësit. Si mund ta bësh një përshkrim të shkurtër të jetës së fshatarëve në Blinisht, duke ju referuar viteve të shënuar nga ju. Sa kujdeseshin dhe si i respektonin mësuesit?

Drejtori im quhej Nush Luka. Një burrë i mirë, babaxhan dhe shumë i mirëkuptueshëm. Nuk u ndjeva asnjë herë në trysni apo e  paragjykuar. Po kështu edhe fshatarët shumë shpejt treguan se na donin. Na thërrisnin në eventet e tyre dhe madje na vinin ne krye të vendit. Mësuesi sikundër dhe mjeku ishin shumë te respektueshem. Ndërkaq lufta ime me  vehten vazhdonte. Çfarë lëndesh do te jepja, si do te ishte komunikimi im me nxënesit. Nuk them se ja mora dorën shumë shpejt, por ama isha “nxënesja” më e mirë e klasës. Hahaaaaa. Sepse më duhej te mësoja çdo gjë nga e para. Një eksperience bukur dhe e  veçantë. E kam dashur shumë mësuesinë gjatë viteve qe punova në Mirdite. Më mungonte aspekti pedagogjik, por me jepte dorë gazetaria. Koha kalonte me angazhime të tilla  dhe  pas tre vitesh erdhi një moment i ri ne jetën time.

– Pas tre vitesh ju u transferuar në Përlat. A ishte në pritshmëritë e tuaja dhe nëse do pyeteshe në atë kohë, a do e linit Kullaxhiun për Përlatin?

Isha njohur ndërkohe me bashkshortin tim të ardhshëm, Thomain. Ai është nga Himara dhe punonte si mësues në zonën e Bulsharit. Ne dëshironim të jetonim bashkë, ndaj bëmë një kërkese  për një shtëpi ku ta mendonte pushteti i asaj kohe. Kështu erdhi momenti që në vitin 1977 u caktuam te dy në Përlat. Ishte për neve zgjidhja më e mirë e mundëshme. Na dhanë një  shtëpi dhe do të ishim të dy në të njëjtën shkollë. Isha shumë e lumtur. Kisha filluar të harroja se mund të vinte nje kohë që mund te transferohesha ne Tiranë. Jeta ridhte ashtu me peripecite e veta. Im shoq pësoi nje goditje të fortë në shëndet dhe jeta pësoi sërish goditje. Ndërkohë mosha ime e re më kishte mundësuar përballjen me gjithfarë problemesh jo të vogla.

Fillimisht u caktova si përgjegjse e  shtëpise së kulturës. E desha pa mase këte punë, por nuk ja dola. Kam shkuar vete në  Komitetin e Partisë dhe kam dhene dorhëqjen time. Dështova ju thashë. Ndonese u përpoqa shumë nuk ishte e thjeshtë. Në këto kushte më emëruan drejtore e Shkollës së Mesme të bashkuar në Perlat Qendër. Sfidë e fortë për mua. Shkolla ishte e madhe, shumë mesues, kishim në varësi dhe kopshtin dhe një shkollë  vartëse. Jam ndjerë hera herës e paragjykuar dhe ndoshta me të drejte. Unë nuk isha “prodhim“ i një përgatitjeje pedagogjike, pra nuk kisha mbaruar për mësuesi, por gazetari. Nga ana tjetër isha me fat pasi  stafi ishte i profilizuar. Mësuesit kishin përfunduar shkollat përkatëse dhe jepnin mësim sipas profilit te tyre. Jo gjithmonë dhe gjthçka shkonte vaj. Unë dëshiroja që të transmetoja  tek ata dëshiren time të madhe për te punuar fort dhe me drejtësi. Fati im i mire ishte qe zv/ drejtori Ndok Mrruku ishte nje  specialist i vërtetë dhe nje mësimdhenes i shkëlqyer. Ndihma e tij ishte shpëtim per mua. Vitet iknin dhe  si padashur u bëne 10 vjet në ate zonë. Jam ndjerë shuuuuumë e respektuar nga komuniteti i zonës. Me kanë dashur vërtete dhe ky komunitet  dua të më besojë se edhe sot e kësaj dite se janë brenda zemrës time.

-Në Përlat shkolla ishte më e madhe, madje shkollë e mesme. A kishit kushte më të mira aty, ku ishit akomoduar për jetesë dhe fjetje?

Të jetoje ne fshat nuk ishte e thjeshtë. Në Përlat mungonte mbi të gjitha uji. Nje burim gjithë fshati. Puna ishte me ore  pa orë, Peveç shkollës së ditës jepnim mësim edhe në shkollën e natës. Unë kisha lëndet e Historisë së Partisë si dhe Materializmin Historik dhe Dialektik. Ndërkaq kisha edhe orët për kontroll të mësuesve. Lendët që unë zhvilloja  ishin si me detyrim në njëfarë mënyre. Nuk besoj se nxënësit kishin ndonjë kënaqësi për ti mësuar përveçse ishin detyrim shkollor. Po ishte koha e tillë, koha e çudirave. Me pyet se si ushqeheshim. Si në fshat, me shumë mungesa. Prindërit e mij nga Tirana hiqnin nga racionet tyre dhe mi dërgonin me mënyra të ndryshme. Më duheshin ca ushqime të veçanta se nderkaq  ishte shtuar familja. U bëmë me dy fëmijë. Ishte luks te hanim çdo dite bukë gruri. I kërkonim mësuesve qe vinin nga Rrësheni të na sillnin ndonje bukë gruri. Dhe ky racion mbahej për fëmijet kryesisht. Gjendja ekonomike  në fshat ishte shumë e dobët. Dita e  punës në mos gaboj ishte diku tek 5 lekë. Varferi e madhe.

– Ju jeni marrë me jetën kulturore dhe artistike në Përlat, por edhe në nivel rrethi, pasi ju kujtoj si prezantuese të festivaleve në Rrëshen. Si u përfshive në këtë rrjedhe dhe kush të mbështeste më shumë në këtë nismë?

Unë kisha përfunduar gazetari dhe praktikën e pata zhvilluar ne Radio Tirana. Mikrofoni për mua ishte një dashuri e madhe, e papërsëritshme. Nisur nga kjo ju vetafrova qysh kur  isha në Reps grupit te Blinishtit. E veshur me rrobat e krahines, pak profesioniste si prezantuese duket se rashë ne sy të drejtuesve të pallatit te kulturës së Rreshenit. Dhe filluan të më aktivizonin. Bardhok Sulejmani, drejtori i asaj kohe më thërriste hera herës. Kur shkova në Përlat vetë puna si drejtuese e shtëpise se kulturës më mundësoi që te njihja personat që ishin aktivë në këtë fushë. U bëra prezantuese e ketij grupi, por jo vetëm. Tentova të mësoja çifteline, e doja fort. edhe kam kënduar. Aktivitetet kanë qenë të shumta për hir të vërtetës. Ndoshta pret prej meje emra konkretë, por nuk i kam shumë në memorie. Nuk e di se sa ndikonte fakti që nje grua nga Tirana vishej si nuse mirditore dhe dilte në skenë për të debutuar, por e ndjeja që njerëzve ju bënte përshtypje. Sa herë në rrugë me ndalonin gra të moshuara dhe dikush me rregullonte rregjat, “gërshetat” dhe dikush tjeter shamijat e brezit. Ehhhhh, çfarë kujtimesh te bukura!

 Gjatë aktivizimit tim në Rrëshen kam një kujtim shumë te vyer me Gjok Becin. Të dy ishim me  cene ne fillimet tona dhe  te dy e donim artin me shpirt. Konsultohesha shumë me Gjokën për skenarin apo ai për poezitë e tij. E pikërisht në këtë kohe ndodhi sërish një incident që më vrau shumë. Po përgatiteshim për një shfaqje dhe do te vinte televizioni të regjistronte. Çdo gjë ishte gati. Ndërsa prisnim diçka nuk shkonte. Ndjehej në ajër. Sytë shpesh drejtoheshin nga unë. Vendosa te shkoj në zyrën e drejtorit te pallatit te kulturës dhe e pyes troç. Mos jam  unë shkaku i vonesës…. , a duhet te largohem? Ai nuk foli. U kuptuam me sy. Ende nuk më lejohej te  te dilja ne tv për shkak te biografisë. Dhe e çuditshme! Babai im në atë kohë ishte rikthyer në parti.

-Si e përjetove incidentin gjatë një prezantimi para Ramiz Alisë në Rrëshen, kur mësa kujtoj e përcollë si sekretar të parë të komitetit qëndror të Mirditës?

Hahaaaaa. Kam qeshur kur kam lexuar pyetjen për incidentin me Ramiz Alinë. Asnjëherë nuk është diskutuar kjo gjë e për më tepër, askush nuk ma  ka  bërë si pyetje. Dhe bëre mirë që  e rikujtove. Në atë kohë unë ende isha ne Reps, Kullaxhi. Më thanë që do të jetë Ramiz  Alia ne një koncert që do te zhvillonte pallati i kulturës në Rrëshen. Isha në momente shume delikate. Ende nuk ishte besimi tek unë. Kur levizja në Tiranë më duhej te jepja informacion se ku lëvizja. Presioni i vetvehtes ishte shumë i madh. Shfaqja kishte filluar dhe unë duhej te prezantoja prezencen e Alisë  në sallë. Në kuinta kishte nje mori punonjësish të sigurimit të shtetit. Sytë e tyre i ndjej edhe tani dhe ende më shkojnë mornica. Nuk e kisha ne kontroll vehten. dhe bëra prezantimin e  famshëm. Sapo u futa ne kuinta, ne prapaskenë mu sulën sigurimsat, me shtynë drejt murit dhe  më  kërkonin skenarin. E panë që ishte lapsus gojor dhe më lanë sepse me  duhej të prezantoja numrin tjeter.

Mendova me vehte, Ariana kaq e pate kështu mendova. . Më thane do të  shihemi nesër dhe unë e përktheva si një arrestim ndoshta.. Atë natë  ndenja në Rrëshen. Më strehuan dy mësuese të rritura jetime. Ato u munduan të me qetësonin, por une prisja trokitjen e derës dhe…….

Nuk desh Zoti sërish te më  godiste më keq se sa isha. Të nesërmen në mëngjes dola vetë para  pallatit të kulturës. I shoh ata dy sigurimsat. Me ndalojne dhe me  thonë: t’ja dish për nder shefit, se vendin e kishe ne burg. Nuk ngurruan dhe  te imitonin duart me pranga. Me vonë e mora vesh se ishte porosia  e Ramiz Alisë të mos  cënohesha, duke u shprehur se ngjarja lidhej me një emocion të shtuar. Shumë vite më vonë kur unë punoja në televizion dhe Ramiz  Alia  ishte  ne arresht shtëpie, pata rastin ta intervistoja dhe të rikujtoja sërish ngjarjen e Rrëshenit.

-Si mund ti përshkruash mirditasit referuar jetës 13 vjeçare në Mirditë dhe bashkëjetesës me ta?

Kam jetuar jo pak në Mirdite, 13 vjet. Gjithë rinia ime. Unë jam shumë e lidhur shpirtërisht me Mirditën. Jo vetem për vitet e gjata që jetova atje por, siç e sheh vetë peripecitë e mëdha të lidhin më shumë me njerëzit. Mirditoret janë njerëz të zgjuar, me ide, te respektueshëm. Po të deshën të mbajnë në majë të kokës. Kështu jam ndjerë unë. Një njeri që më donin dhe më respektuan shumë. Ndoshta jo të gjithë dhe s’ka pse të jetë keshtu.

-Si i prite lëvizjet e 90-tës dhe kur u njohe me to. A ke deaj se kush të vuri në dijeni se sistemi kishte filluar tatëpjetën?

Ndërkohë qe vitet iknin situata ne vend sa vinte  e behej me zymte. Varferia shtohej dhe në ajër ndjehej qe diçka po vinte.  Një erë e re po frynte. Unë në atë kohe isha në televizion. Lëvizjet filluan të shtoheshin. Drejtues te instancave te shtetit vinin e iknin kohë e pa kohë. Emisionet superkontrolloheshin se mos kishte deviacione. Po dielli kishte filluar të shndëriste  dhe erdhi përmbysja e madhe.

– Si kujton momentet kur u shpëngule nga Përlati. Me çfar mjeti. Si i lëvize plaçkat në drejtim të Tiranës dhe ku u vendose pikësëpari në Tiranë?

Lajmi që me ishte miratuar transferimi për në Tiranë  ishte gati i pabesueshem. Në atë kohë minister i arsimit ishte Skënder Gjinushi. Pak më heret një ekip i kësaj ministrie kishte ardhur për inspektim e kontroll ne  shkollën e Përlat Qendër. Kontrolli rezultoi me disa arritje. Dolëm mirë me nje fjalë. Nuk e di kjo apo ndonjë arsye tjeter, sinqerisht nuk e di, por u vendos në Ministri që te trannsferohesha në Tiranë. Unë kam ardhur vetëm si fillim. Pas një viti erdhi edhe bashkëshorti im. Kujtoj që më një makinë te madhe morem rrobat dhe u rikthyem ne Tiranë, ku na prisnin sfida te reja. S’kishim shtëpi dhe shëtitem për afro katër vjet nëpër banesa të ndryshme. Dheeeee me ne fund e morëm edhe ne një apartament në Tiranen e Re. 

– Të shohim gazetare në Radio-Tirana, A e kishe ëndërruar më parë dhe çfar mendove kur u ule sëpari në karrigen e emisionit “Zemër” dedikuar emigrantëve që tashme kishin mësyer kufinjtë?

Me ndihu Zoti sërish. Vitin e parë te transferimit punova si redaktore ne nje reviste me profil bujqësor. Por në sirtaret e ëndrave të mia ishte Radio Tirana. Nuk reshta asnjeherë se përpjekuri për te arritur objektivin, Dhe tani nuk ishte më ajo Ariana e 13 viteve më parë që nuk dinte ku do të përplasej. Tani ishte gjithçka e qartë. Objektivi heret apo vonë do të arrihej. Ndërkohë që punoja në reviste dëgjova se nje gazetare e vjetër do te dilte në pension ne Radio. Dhe pa nderhyrje, vetem fare trokita ne zyrën e drejtorit Thimi Nika dhe i thashë dëshirën dhe ëndrrën time. Atij i beri përshtypje që nuk futa miq, por i shkova vetë ne zyrë, Pranoi të me punësonte. Kështu objektivi u realizua. Unë munda më në fund te shkel në Radio-Tirana fillimisht, më pas për te shkuar pas afro dy vjetesh ne televizion. Dhe çdo gjë e kam arritur me forcat e mia. Jam vërtetë krenare për këtë gjë. A kam arritur te bëja gjithçka mirë. Ndoshta jo, ndoshta po. E rëndesishme është që gjithçka e kam bërë me dashuri e pasion.

– A mbani kontakte me Mirditën, dhe sa herë keni qenë në Përlat pas ikjes nga aty. A do vijonit ta vizitonit atë, ndërsa shkolla tashmë është reduktuar në ekstrem?

Për shumë vite nuk kam pasur mundësi te shkoj për te takuar miqte e mij ne Mirditë perveçse me xhirime nga televizioni për të përgatitur kronika apo emisione. Pata fatin te jem ne 100 vjetorin e shkollës së Përlatit. Por nderkaq unë mbaj goxha kontakte me shumë ish nxënës apo miq të tjerë në Mirditë. Mirdita është dashuria ime e madhe.

-Tashmë në pension, me çfar e kalon kohën gazetarja dhe prezantuesja me emër të spikatur Arjana Qatipi?

Tashme prej afro 14 vjetësh jam në pension. Duket se Mirdita dhe fshati ne veçanti kanë qenë ulur këmbëkryq në subkoshiencen time.  Dhe në një moment të caktuar e  ndjeva se duhej ti largohesha rrëmujës së kryeqytetit. Fëmijët na mundesuan ndërtimin e një shtëpie të re në Petrelë në Tiranë, ku jetojme prej afro tre vitesh. I jam larguar ndoshta  padrejtsisht medias dhe po jetoj në qetësine e fshatit dhe te ajrit të pastër. Shpesh i premtoj Arianës që të hedh ca kujtime në letër, por sërish më duket e parealizueshme. Dua ta shijoj me familjaret e mij këtë qetësi. Me modesti e  them që me takojnë ca dite te bukura.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest