Tradhëti për Shën Valentin
Dje i thashë se s’do të vija dot në mbrëmje,
të dy mundohemi të gjejmë mundësi për veten,
s’është e para herë që kalojmë këtë gjendje,
kështu e kemi të ndërtuar bashkarisht jetën,
e di, një femër meriton vazhdimisht vëmendje,
por ja që ndonjëherë duhet të flejë dhe vetëm.
Lirova kravatën pa ngjitur shkallët në majë,
nis zbërtheva kopësën e parë nga këmisha,
u gjenda para derës, në verandë pasandaj,
e po mendoja se ende s’kish’ çelur Narçiza,
kur këndej, ngjitur me vazon e lules Bonsai,
vëzhgova një palë këpucë që nuk i njihja.
Dora më ngriu në ftohtësinë e çelësave në xhep,
portën mu përpara meje s’ma bëri zemra ta hap.
Çfarë paska ndodhur brenda, a çfarë po ngjet?!
Ç’vepër monstruoze a mënxyrë mundem të kap?!
Porta më fshihte prapa saj kushedi se ç’sekret,
më ndante një e përdredhur çelësi, dhe një hap.
Kalova tepër ngadalë nëpër koridorin e errët,
tek dhoma e pritjes pakuptuar hapi më ngeci,
ndeza një çast llampën, doja ndriçim të çelët,
e dora mu shtang, më mbeti ngjitur tek çelësi.
Dy gota bosh, gjurmë që kishin lënë të mjerët
e një shishe e përfunduar vere Vranç Rahoveci.
U frikova nga ç’mund të shihja në dhomën e gjumit,
pulovra e saj kish mbetur mbi tapet, te këmbët e mia,
një mendje më tha tua dëgjoja vrik piskamat e fundit
nën tërbimin e pashmangshëm që drejton pavetëdija;
në mes shishes, grushtimit, thikës, a koqes së plumbit
zgjodha mos të veproja, të prisja heshturazi e të rrija.
Më vërtitej në mendje koka e prerë e Shën Valentinit,
origjina që sot festohet si ditë përkujtimore dashurie,
pas kësaj masakra e Al Kapones në Epokën e Ndalimit
ku pa asnjë shenjë mëshire shpalosi egzekutim mizorie,
ndjeva keqardhje për të miat vite e vite të sakrifikimit
që tani po përfundonin me një akt të ndyrë tradhëtie.
M’u kujtua halla “Në nerva numëro deri në njëqind!”,
m’u kujtua dhe Kanuni që e zgjidhte veç me pushkë,
jo se iu tremba burgut por përbrenda meje një gjind
shkallmonte, shpërthente, shkallonte, gati për luftë.
Mësova pasi demoni përçudnueshëm në mua u grind
se ajo kishte fjetur me shoqen e saj më të ngushtë.
#Andris Lleskai

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

