Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

DEDIKIM VENDLINDJES – PERLATIT

Nga Pirusti News
1 267 Shikime

-Nga Nok Mrruku-

Unë nuk mund t’i rendis të gjitha format e relievit që ti mban, ku secila ruan kujtime pafund e të gjitha së bashku bëjnë historinë e vendlindjes së hershme dhe të vonë. Kur tingulli nis nga dashi me kumbon dhe arrin deri më sot me zile në cellular çdo minutë e çdo orë. Unë fort mirë e di që misteret e historisë mijëravjeçare… ti brenda veti i mban. Shumë pak gjera na ke treguar, prandaj nuk është faji ynë që shumë pak gjera dimë, por edhe juaji nuk mund të jetë i gjithi, kur dihet se apokalipset shpesh të kanë përfshirë dhe rrebeshet gjurmë pa fund kanë fshirë. Një detyrim për Ne si: -të hershëm, të vonë, bijtë e tu mbi këtë dhé, që lindëm e jetuam si amanet brez pas brezi ka qenë dhe është mirë ta lëmë.

Përpjekjet e mia nuk di sa do vlejnë, por një gjë më tepër për ty dhe për vete do t’a them. Miqësisht duke dëgjuar dhe duke ndihmuar njëri- tjetrin le të nisim ligjërimin. Mall për ty, për diell e për hënë, për kodrat që të parat me diell falen, nga lindja e Kalbës e kodrat e Fangut, në kodrat e qendrës së Përlatit e në vazhdim të Shtrezit e të Ujës. Me lëndina pjellore të veshura me drurë, por dhe toka të begata për misër e për grurë. Me rrugë e monopate të shumta e në çdo anë, ku si “bypass” panoramojnë e kur shëtit në to, mbresa pa fund të lënë. Horizonte të bollshme ngado të hedhësh shikimin pa të pengue asgjë, ta dhurojnë këtë mundësi të gjithë kurrizet e kodrave nga lindja në përëndim.

Si joshje e shikimit na vjen gjelbërimi gjithandej me drurë gjethor, por dhe lloje të tjera me gjelbërim gjithëvjetor, si: dëllinja e shqopa, krifsha dhe mbreti. Si mëkat të shkojë për ata që i lejuan dhe i prenë pyjet që s’janë më dhe zor e kanë me u ba. Me drurë lisi si: shparth, qarr, bungë, ishin të tanë të përzier gjithandej frashër, shkozë, panjë, por edhe ulëz krekëz e ndonjë frutnaj. Keqardhje ndjejmë që s’i kemi më, por kur ndodhi masakra… asnjëri nuk bëmë zë. Si strehë e bukur për kafshët e egra, ishin jo vetëm për të fjetur por edhe për t’u mbrojtur e ushqyer, për t’u shumuar e xhezdisur pa pas nevojë me u larguar përgjithmonë. Ndaj banorët e përhershëm të pyllit si: lepuri, derri, dhelpra, vjedulla, shqarthi, bleta, kaprolli, janë pakësuar e po zhduken. Mjaft shpend të përhershëm dhe shtegtarë janë pakësuar e duke kthyer rrallë në mungesë të habitateve. Por cicërimat dhe zukamat ngado që shkojmë na shoqërojnë pa u ndalur. Fërshëllimat mbi dushqe si ngacmim i frikshëm na vijnë, kur mbi to rrëshqasin zvarranikë dhe insekte pa ndërprerë, sidomos në pranverë dhe verë, kur vlaga e të nxehtit të djeg aq sa  s’durohet më. Të pëlqejnë livadhet e bollshme e me bar plot dhe kosarët në pranverë që s’pushojnë asnjëherë. Lakmi i kanë gjithë krahina , si simfoni dëgjohet tingëllima, mjeshtra të palodhur të shpejtë si vetëtima.

Zanat i trashëguar nga baba tek djelmnia. Mjeshtra  të fortë për punët në ara, përherë ndër shekuj kanë hapur ugar, prandaj kanë ara e bashtina anembanë. Blegtorë me zë, të përmendur në fushë e në male, me dele e gjedhe që zaptojnë çdo anë deri në një mijë një tufë është bȃ, por dhe tre a katër të tilla në shtëpi të mëdha njëherësh janë parë. Me mushka që s’mungonin në çdo shtëpi si rrallë kund në këto nahije. Hijeshi e gëzim kushdo ndjente, kur për ndihmë dikush i merrte, një varg i gjatë me 20-30 veta në rresht pa ndarë dhe një pod konaku me gurë në një ditë me e bȃ. Fatkeqësi që ujë ktu nuk ka se këto njerëz hatanë do kishin bȃ. kulla të gurta si kala në çdo kodër njëra tjetrën tu pa dhe si betim të marrë me kohë në dynja, të burrave kuvendarë të paepur për vatȃ, qëndrojnë të forta ë pa zȃ, por kurrë nuk janë dorëzuar, e s’kan lujt në istikam, këto të shtrira në gjatësinë Lindje-perëndim që në këmbë zgjat 5-6 orë udhëtim. Panoramës së bukurive të natyrës, si peshqesh i kanë ardhë një liqen dhe një shpellë e lashtë. Liqeni në qendër të fshatit, me zambakë të bardhë, me rosa të vogla banore të pandara, me ngjala e shushunjëza si kafshë të rralla. Me kallamishte e xunkthe në gjithë bregun shpërndarë. Një shpellë në lindje me dritë frëngjie, një oxhak si hinkë, gati 30 m i lartë, me kube plot stalagtite e stalakmite si murale të vara me shenja jete mbi 4 mijëvjeçare.

Po në histori çfarë shkruhet e flitet për ty?

Në gjurmët e tua përherë kemi kërkuar, mistere të pafundme ju mbani pa treguar. Nga ato pak gjetje që mundem me zbulue, në plot “tuma” Ilirie, historia u dëshmue. Që në Neolit ky truall është banuar, me qeramikë e bakër ata patën jetue. Dhe një gjetje e rrallë arkeologët i habiti, përkrenare ilire e llojit të rrallë, në krye e mbanin të pasur luftëtarë. Për vlerat që ajo mban në muzeun arkeologjik në Tiranë e kanë marrë. Por nuk vazhdon më pas breznia, për jetë e ngjarje nga historia, si për inat na krijohen ca vite zbraztësie, prandaj inatosemi deri te Perëndia, pse na mban të fshehta historia, dhe vjen Principata e Dukagjinsve me vendime madhërie, kryeqendra në Perlat të ngrihej. Dera princore vetë tha: “…janë zotër për luftë dhe tradhëti nga këta nuk ka. Janë vllaznit tanë dhe për atdhe vdësin të tanë, në këmbë për afro shtatë dekada për besë të dhënë të kan mbajt ty moj nanë…”.

U desh Gjergji trim e kryezot, ta kishim në trojet arbnore, ku çdo liri mohohej. Perandoria Osmane s’njihte gjuhë nane as tokë e vatan, as kufij e djem nane, çdo gjë që para i dilte e qonte pa mëshirë në kasaphanë. Erdh kryetrimi arbnor, kish lind nana të zonë, dhe me luftë e shpatë në dorë, çdo pëllëmbë tokë e bëri arbnor. Bashkë si vllazën të tanë në Lezhë i mblodhi dhe Besëlidhjen themeloi, së shpejti lirinë të gjithë do ta gëzojnë. U desh beteja t’ja besojë vllaut tonë Perlat, që të fitonte titullin Gjeneral dhe ai të betohej se nuk dorëzohej i gjallë. Me vete, në përkrahje do merrte dhe fis e vllaznit tanë ushtarë, por disa  gjeneralë e diplomatë të rrallë, që ne të krenohemi për lavdinë që të parët na lanë. Dhe fjala u mbajt në breza, nga baba te djali, tu vazhduar ne Prizren, Karadak, Durrës, Vishegrad, të betuar e me një fjalë të tanë për liri e vatan, jetën me e dhanë. Këto i ka pas kurdoherë Mejdani dhe Kuvendi.

Në bajraqe, krahina ka shkonit, në kuvende ku kuvendonit, në mejdane kur luftonit, Perlat kudo ju thonin:- duke e shkruajtur kështu historinë, me pagëzim të Perëndisë.

Se gjashtë vllazën gjithsej janë, Dukë, Picak, Ndre, Doç, Dod, Filaj, në Perlat, kështu u është thënë që kur katundi këtë emër mban, por një gjë të gjithë ta dinë, se prej katundi sapo dilnin, të gjashtë vllazën Ju sa ishit, veç Perlat emrin e kishit.

Sa herë mblidheshin në kuvend, pasi të gjithë zinin vend, ai në krye e nis ligjërimin, me qetësi e hijeshi nxjerr fjalën, të gjashtë vllazën me një zë, për këtë besë ja ka qa hallin dhe secili në rendin e vet, tan mençuri e tan lezet, e shoshisin me kujdes, t’u ligjërue secili në mes, e kur vjen me i vu kapak, shtëpi e parë ai kryeplaku, ndigjoni të gjithë vllaznit e mi: ky kuvend ka kët mençuri, është farkëtuar nga gjithë këto mendje, krejt pa hile e mënjanime, fjalë e peshë prej vllaznie, topi s’e luan as në bajraqe, ky është fshat me “istifate”, fjala e tij ndan dhe gjaqe.

***

…Shumë kalove shekuj robërie, mjaft varfërinë kishe vajtuar, 500 vjet me errësirë e dënime dhe Rilindësit të kanë kujtuar, 1918 shpresën e dritës ta kanë prue. Si lajmëtare mjellma e bardhë në prill tek ti ka ardhë, një peshqesh të rrallë, me ta fal, farë e zezë i thonë, bereqet me u ba me “kaull”, mbjellet në arë të bardhë. Porosi prej Naimit ishte lanë, vocërrakët në Perlat pa hyse mos me i lanë. Si mision shpirtëror Dom Prendi e mori, A,B,C e gjuhës nanë falas do ua mësojë, prej kësaj dite, drita e syve ma nuk do t’ju mungojë. Dhe në kohë të sotme, po duket nga pak, si për të treguar se çfarë shkruhet në shekuj, e kemi hak ne si popull dhe si gjak, me emrin e moçëm Perlat.

Me shpresë kjo kohë po na mbush, me AND-në s’mund të luajë askush, kjo i ve vulën çdo hamendësimi, ëndrre e ligjërimi për të qenë si gjithmonë, pjesë e këtij qytetërimi, si vllazën Perlati me rrënjë historie nga i pari tek i fundit me vepra lavdie.

VLLAZNISHT, NOK MRRUKU

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest