Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Prof. Xhemaledin Salihu, Presheva pjesë e pandarë e lëvizjes kombëtare nëpër shekuj

Te njohim Presheven..(Monografi) Prishtinë, 2017 Pozita gjeografike e Preshevës.

Nga Pirusti News
1 078 Shikime

Lugina e Preshevës shtrihet përgjatë lumit Moravë, në jug të saj, te Çukarka e Preshevës bashkohet me lumin Vardar, e njohur si Lugina e Shkupit. Këtu është edhe UJËNDARËSJA e madhe, e cila në jug, lumi Bajka shkon në lumin Vardar për në Detin Egje, ndërsa tjetra për në perëndim, Moravica në lumin Moravë, në Danub, për në Detin e Zi. Këto dy lugina janë më të rëndësishme në Siujdhesën Ballkanike dhe zënë vendin qendror në Ballkan. Sipas Jovan Cvijiqit, gjeografit serb, këto dy lugina paraqesin pjesën më gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Po ashtu edhe Leopold Mandli e quan “Zemër e Ballkanit”. Andaj edhe interesimi dhe rëndësia e madhe për ta zotëruar këtë Luginë nga pushtues të ndryshëm dhe për ta pasur në mbikëqyrje Luginën e Preshevës.

Presheva ka sipërfaqe prej 264 km2, me 35 vendbanime, me lartësi mbidetare 463 m, përfshin fushën e Preshevës, pjesë të malit të Karadakut në perëndim dhe të malit Rujan në lindje. Presheva gjendet në trekëndëshin Serbi, Kosovë dhe Maqedoni dhe në veri kufizohet me Bujanocin, ndërsa në jug, nëpërmjet ujëndarëses në Çukarkë me Kumanovën.

Nëpër Luginën e Preshevës kalon rruga e Vjetër Beograd-Nish-Presheve- Shkup-Selanik e ndërtuar më 1885, e rindërtuar në autoudhë në vitin 1961 dhe Hekurudha Beograd-Shkup-Selanik, e cila u ndërtua më 1888. Këto lidhin Evropën me Detin Egje. Vija e lumenjve Danub-Moravë-Vardar ishte interesim i shumë shteteve për ta bërë kanalin e lundrimit nëpër këta lumenj, i cili do të lidhte shumë shtete e kontinente.

Pastaj rruga Kumanovë-Preshevë-Gjilan, e cila lidh Maqedoninë, Bullgarinë, Serbinë Kosovën dhe shtete të tjera të rajonit. Në periudhën e Vilajetit të Kosovës, Lugina e Preshevës quhej Kosovë Lindore dhe ishte pjesë e Sanxhakut të Prishtinës në këtë Vilajet. Në Jugosllavinë Socialiste Lugina e Preshevës quhej edhe Lugina e Moravës, territor i cili kapte rrafshnaltën nga Vraja deri në kufirin me Maqedoninë, sipas studiuesit serb Jovan Cvijiq.

Presheva gjatë tërë historisë ka qenë në një udhëkryq të rëndësishëm. Këtë gjë e mbështesim në mendimet e disa studiuesve të njohur, në mesin e tyre është edhe arkeologu i njohur Neritan Ceka, i cili supozon se njeri nga lokacionet, ku kishte pasur mundësi të kishte qenë Damastioni, një kryeqytet i rëndësishëm dardan është Fushëgropa e Preshevës. Kjo fushëgropë ka një pozitë jashtëzakonisht të rëndësishme gjeostrategjike në të gjitha periudhat historike…! Konceptin “Luginë e Preshevës” për herë të parë në arenën ndërkombëtare e përdori Zonja Medlin Olbrajt, sekretarja e shtetit të SHBA-ve.

Emërtimi i Preshevës

Emri Presheva sipas mendimit të Prof. dr. Skënder Rizaj vjen nga fjala turqishte që do të thotë: “Presh” (presh, bot. Allium porrum) dhe “ova” (fushë); fushë e preshve. Për emrin e Preshevës shkruan edhe Prof .dr. Skënder Rizaj:

Mendime lidhur me formimin e Vilajetit të Kosovës(1877-1912): Sanxhaku i Prishtinës me kaza: Presheva (Pirchova), Peja (Ipek), Gjilani (Guilan) dhe Viçitrina (Voulchiterin). Pra këtu Profesori Rizaj e nxjerr si Pirchova, por nuk jep shpjegime të tjera. Ndërsa në faqen 236: Kazaja e Preshevës (Preshovës) dhe shpjegimi: në dokument është shkruar Preshovë, e cila duhet të deshifrohet me shqipen: presh-o-v (ë) = v(endi) o (oshtë, ashtë, është) i presh-it. Presh,-i bot. Perime e ngjashme me qepën, me gjethe të gjata si shpatë, me kërcell më të trashë e pa kokë nën dhe.

 “Emni Preshevë nuk asht sllav, shqiptar as latin. Një Preshevë tjetër gjendet në Çekosllovaki. Dhe thuhet se emni vjen prej nji fjale hungare që dmth man. Unë mendoj se edhe Preshevës sonë emni i vjen nga e njëjta fjalë, mbasi çdo e dyta ferrë e kodrave dhe e fushës asht nji man i egër. Pastaj çdo shtëpi ka dy ose tre trupa mana të butë në oborr. Emni “Preshevë” mund të jetë mbjellë në kohë të kur fiset turke të kumanëvet, peçenegëvet, të hunëvet dhe t’Avarëve hulumtojshin nëpër Evropën Lindore dhe Juglindore.” shkruan Ibrahim Kelmmendi.

 “Guri i Shpuem dhe Kalaja e Preshevës janë pjesë më e spikatur e Preshevës antike. Gjer më tani janë dhënë disa supozime rreth etimologjisë së emrit të Preshevës. Nëse në fushën e gjuhësisë ka tendencë gjithnjë e më tepër që gjuha shqipe dhe populli shqiptar në kontinuitet të lidhen me gjuhën pellazge-ilire dhe popullin pellazg-ilir. Këtë ide e kishin mbështetur edhe rilindësit tanë mendjendritur. Gjithnjë e më tepër po vërejmë se kësaj çështjeje po i kthehet legjitimiteti edhe në kohën e re. Prandaj, nëse Presheva antike ka poseduar DODONËN dhe objektet e kultit (faltoren në Gurin e Shpuem), na lind ideja që të krijojmë versionin e radhës mbi etimologjinë e emrit të Preshevës antike. Hyjni e preferuar e antikitetit ka qenë ajo me emrin Persetone (Persefone). Hyjnitë e antikitetit banonin në faltore. Supozojmë se banorët antikë-Dardanët e quanin Preshevën antike sipas Hyjneshës që ata e preferonin Persetone (Persefone). Emër, i cili me kalimin e gjatë kohor dhe ndikimet e huaja kulturore dhe gjuhësore, u transformua në emrin e sotëm Presheve.”

 “Zanafilla e emrit Presheve është shumë më e hershme se shek. XIV, kohë kur për herë të parë /1379/ përmendet në literaturën kishtare. Rrënja e nocionit Preshevë është shumë më e vjetër dhe burimin e ka nga gjuha pellazgo-ilire, përkatësisht shqiptare, nga emir me rrënjë mbiemërore PRRUSHE sipas bazës topografike, më saktësisht asaj mikrotopografike, sepse vendbanimi i Preshevës, fillimisht shtrihej në një përrua, 1,5 km në perëndim të qendrës së sotme të këtij qyteti. Në këtë mënyrë, sipas emër vendit PËRRUE/dialekti geg.vendor/, ku shtrihej fillimisht ky vendbanim është emërtuar në trajtën mbiemërore PRRUSHE /që gjendet në përrue, që shtrihet në përrue/ nga banorët e atëhershëm. Kështu rrënja e emrit Preshevë është krejtësisht kuptimplote. Emri parahistorik PRRUSHE i vendbanimit të Preshevës së sotme, më vonë është trashëguar te popujt e ndryshëm pushtues të kësaj treve.

…Këtë hipotezë mbi prejardhjen e emrit Preshevë nga mbiemri PRRUSHE e përforcon shqiptimi i mbiemrit të sotëm të Preshevës nga katundarët e Malësisë së Karadakut të Preshevës në periudhën e para LDB, kur ai shqiptohej në trajtën PRRUSHE, pra si mbiemër i emërzuar. Mbas kësaj lufte fillon të shqiptohet PRRUSHEVË , në këtë rast, duke përdorur prapashtesën vë-në, si emër prapashtesor.”

Demografia e Luginës së Preshevës

Lugina e Preshevës, gjegjësisht Kosova Lindore, aktualisht gjendet në jug të Serbisë, përgjatë vijës administrative me Kosovën, në një sipërfaqe tokësore prej 1249 km2, me 138 vendbanime. Lugina e Preshevës banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturohistorike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera Lugina e Preshevës në vitin1991 kishte 101.549 banorë, prej tyre: 68.412 shqiptare(60%), 26.060 serbë(33%) dhe 7.077 të tjerë(7%)

Lugina e Preshevës në vitin 2002 kishte 86.822 banorë: 57.595 shqiptarë (58%), 24.929 serbë(37%) dhe 4.298 të tjerë(5%). Pas Luftës së Kosovës mbi 7.000 banorë shqiptarë të Luginës së Preshevës janë zhvendosur në Kosovë. Në Luginën e Preshevës mbi 23.000 banorë shqiptarë të Preshevës /10.000/ , Bujanocit /10.000/ dhe Medvegjës /3.000/ nuk janë regjistruar nga Enti i Statistikës së Beogradit gjatë regjistrimit. Mbi 3.000 banorë serbë e romë kanë ardhur në Luginë të Preshevës pas Luftës së Kosovës. Këto shifra kanë ndryshuar me të madhe edhe pasqyrën demografike dhe strukturën nacionale të Luginës së Preshevës. Në bazë të regjistrimit të vitit 2002, në Preshevë kanë jetuar 34.904 banorë, prej të cilëve janë : 31.098 (90%) banorë të popullatë shqiptare.

Përbërja etnike

Viti       Serbë    %                   Shqiptarë %                   Total

1961      6,741  25.21%               18,229  68.18%                    26,738

1971      5,777  19.22%               23,625  78.60%                    30,057

1981      4,204  12.38%               28,961  85.31%                     33,948

1991      3,206   8.23%                34,992  89.85%                     38,943

2002      2,984   8.55%                 31,098  89.10%                   34,904

“Komuna e Preshevës ka një popullsi shumicë shqiptar, që flasin dialektin gegë dhe popullsinë serbe pakicë, që flasin dialektin Torlak. Përqindja e popullsisë shqiptare në Preshevë është mbi 96 % që njëherit e bën qytetin me më shumë shqiptarë në Serbi. Shumica e fshatrave janë me shumicë shqiptare përveç fshatrave: Lanik, Svinjishtë, Sllavujevc, Cakanoc dhe Mamicë ku serbët janë shumicë.

Gjithashtu, shumë fshatra kanë përbërje prej 99 % shqiptarë si: Rahovicë, Miratoc, Gerajt etj. dhe fshatrat që janë etnikisht të përzierasi: Bushtran, Golemidoll, Leran, Strezoc, Tërrnavë, Çukarkë dhe vetë qyteti Preshevë.”

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest