-Nga: Aleksandër Ndoja-
Janë vargjet hymn recituar nga Artisti i Popullit Reshat Arbana, që çojnë peshë mijëra pjesmarrës atje në Zhegër të Anamoravës së Dardanisë, (Komuna e Gjilanit) të mbledhur për të 19-tën herë në përkujtim të heroit të kombit Agim Ramadani, fenomen mbinjerëzor, që i pari shkallmoi piramidat që e ndanin kombin në dy pjesë, që në vitin 1913.
Emocionet janë të pa fundme, ndërsa masa e njerzve si me komandë çohen në këmbë, teksa vijohet me këngën kushtuar Agim Ramadanit, me tekstin e Nikoll Dedës, me muzikë të Kol Susaj dhe orkestrimi nga Edmond Zhulali. Janë Nikoll Dedaj, Mrikë Trumshi e Fran Preçi, shoqëruar nga pjestarë të tjerë të Ansamblit “Mirdita, Mjeshtër i Madh” si Kasriot Kola, Ndoc Lekgegaj, Drane Përgega, Agron Gjoka e Alfred Vorfi që marrin duartrokitje pa fund. Kënga mbaron në pak minuta, ndërsa duartrokitjet janë të pa fundme.
Më herët rreth orës 16 grupi i Mirditës i prirë nga organizatori dhe mbështetësi i këtij Grupi z. Besnik Paci, kanë hyrë në sheshin e lirisë. Të shoqëruar nga historian Paulin Zefi, gazetarë dhe operatorë mirditas por edhe te shumte nga Kosova, kanë zënë vend në pritje të rradhës për të performuar me këngën e tyre kushtuar Agim Ramadanit.
Në fillim Reshat Arbana ka recituar disa vargje kushtuar Katanës, Sali Cekajt dhe luftëtarëve të lirisë së Kosovës. Më tej është vijuar me një këngë nga Mrikë Trumshi “Mirësevejn Dita e Shqiptarit”. Një përshëndetje është bërë nga z. Besnik Paci.
Jo rastësisht disa orë pas aktivitetit, bashkëshortja e heroit të kombit Agim Ramadani, Shukrie Ramadani një diplomate karriere, i shkruante organizatorit të këtij manifestimi, z. Besnik Paci:
“I dashuri vëlla Besnik!
“Kënaqësia që na ofrove sot duke na nderuar me grupin e mrekullueshëm nga Mirdita dhe të madhin Reshat Arbana, ështê e pa përshkrueshme. Pak është të them FALEMNDERIT, por nuk mund të mos them se sot prania e Mirditorëve më dha ndjenjën e bashkimit kombëtarë, më ofroi ëndrrën e realizuar të Agimit. Ne ishim bashkë sot dhe bashkë përkujtuam Agimin tone… a nuk është kjo Liria për të cilën u flijua Agimi ynë!!?
Ai sot festoi bashkë me ne në SHESHIN E LIRISË. Qofshi me jetë të gjatë e të lumtur e këndofshi për lumturinë e dashurinë e gjeneratave të reja”, perfundon mesazhin e Saj, znj. Ramadani.
Janë këto fjalë zemre të bashkëshortes së Heroit, e cila me të parë grupin e Mirditës që hyn në Sheshin e Lirisë, ku në ballë printe Artisti i Popullit Reshat Arbana, u ngrit në foltore dhe në përshëndetjen e saj citoi:
“Jam e mrekulluar që sot në sheshin e lirisë, në përbërje të mirditorëve shikoj artistin e popullit Reshat Arabana. Ju bëj me dije se 19 vite më parë, ditën që Agim Ramadani u nis nga Zvicra në drejtim të Kosovës së okupuar, me vete mori disa CD ku në to ishte zëri i Reshat Arbanës kur recitonte vargjet e Fishtës së Madh.
E pyes, po këto…Më thotë janë frymëzimi im për në luftë. Disa herë mes shokësh e në pushime lufte, Agimi dëgjonte këtë ze dhe këto vargje. Faleminderit Reshat Arbana që ishte me zërin Tuaj bashkshoqërues i Agimit në beteja, Faleminderit që je sot mes nesh, këtu në Sheshin e Lirisë”.
Në përfundim të këngës i gjithë stafi që realizoi këngën, përmes duartrokitjeve të shumta, prirë nga Besnik Paci janë mirëpritur në rrjesht duke u përshëndetur nga rradhët e para ku ishin vendosur familjarët e Agim Ramadanit, Ministri i Mrojtjes së Kosovës, Rustem Berisha, Ipeshkëvi i Kosovës dom Lush Gjergji e dhjetra personalitete tjera politike e ushtarake, luftëtarë dhe bashkluftëtarë të Agim Ramadanit, kreu i Vetvendosjes Albin Kurti, etj.
Edhe pas përfundimit zyrtar të aktivitetit në përkujtim të Agim Ramadanit, grupi i Mirditës qëndroi i “rrethuar” nga banorët e Zhegërit të cilët kërkonin të bënin fotografi pafundësisht dhe përgëzonin Besnik Pacin për mundësinë që ofroi për realizimin e kësaj kënge dhe të vetë atij spektakli madhështor.
Dy orë bashkëbisedim më familjarët e Agim Ramadanit (Katana) i Koshares.
Sapo përfundon aktiviteti, grupi ynë e kishte të pa mundur të largohej nga Zhegëri pa qëndruar disa kohë në shoqërinë e tyre. Familja është e madhe, pasi Agim Ramadani ka lënë pesë vëllezër, dy djem të tij dhe një vajzë, dhjetra nipa e mbesa. Jashari, vëllai i heroit Katanan është me profesion mjek, por njëherit është shef i kabinetit në Ministrinë e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ai flet pa pushim për politikën, mundësitë, për bashkpunimin me SHBA-të, por biseda shkon vetiu tek lidhjet e origjinës së tij me Kaçinarin.
Me një kulturë dhe njohje të qartë, falë edhe një shkollimi solid, Jashari thotë se të parët kanë mundur të transmetojnë te ai faktin se ata kanë lëvizur nga Mirdita në Has, për të përfundur në Depqë, një fshat përtej kufirit të tashmë shtetërorë të Kosovës, në afërsi të Preshevës. Thuhet se kishin mbiemrin Kola dhe njëri vëlla mbajti orientimin e të parëve ku mundësia më e madhe të jenë zhvendosur në Ferizaj a Stubëll, ndërsa vëllai tjetër është vendosur këtu në Zhegër, pasardhës të cilit është familja Ramadani. Por kjo histori i përket një kohe mjaft të hershme prej 300 a më shumë vitesh. Bisedat nuk kanë fund, ndërsa fiksohen kujtime përmes fotove të shumta.
Ndahemi për tu takuar edhe më shpesh, ndërsa festa e 19-të përkujtimore për Agim Ramadanin mbetet si një ndër festat më të veçanta, pasi nga Mirdita erdhi një kengë lapidare, ku në përbërje kishte “Isa Boletinin” e Kosovës, mjeshtrin e madh, Reshat Arbana.
Por në bashkëbisedim janë dhe shokët e pa ndarë të Katanës, Agim Ramadanit. Njëri prej tyre është dhe Feriz Trezhnjeva, ish-ushtarak i lartë i ushtrisë shqiptare. Në ato ditë të nxehta kur kërkohej çmimi më i lartë për lirinë e Kosovës, Trezhnjeva kishte përfituar një vizë emigrimi për në Angli. Por nuk mund ta “refuzonte” Katanën që kishte nevojë më shumë se kurrë, ndaj dhe si specialist i mirfilltë i artilierisë vihet në shërbim të Katanës, në shërbim të lirisë së pjesës së kombit të okupuar. Janë të shumta historitë e Trezhnevës që i tregojnë bashkëfolësit aty.
UÇK-ja kishte nevojë për profesionistë që me përllogaritje intuitive që të shkatërronte minjtë serbë strehuar ndër male, në kullat e shqiptarëve. Përballë është dhe “dajo” i Katanës, një muskuloz me uniformë ushtarake. Bashkluftëtar i pandarë me Agim Ramadanin, deri në momentin kur ata i ndau plumbi, atje në Koshare ku Katana realizoi i pari shëmbjen e piramidave që e kishte ndarë në dy pjesë kombin e shqipeve.
Kush ishte Agim Ramadani
Agim Ramadani lindi në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit në Kosovë, me 3 maj të vitit 1963. Shkollimin filor e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb, Kroaci.
Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e përsonale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoj si emigrant politik, mëqe me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet antar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Ndonëse kishte të rregulëuar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicërr tre fëmijë dhe gruan.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerrjës së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur Zharret, ai ra heroikisht- duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën.
Aleksandër Ndoja, Zhegër 4 maj 2018

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

