Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Shtatë ditë me Imzot Mark Sopin… dhe shtatë ditë në tavolinën time të punës

Vilson Culaj sjell Imzot Mark Sopin në një udhëtim letrar shtatëditor

Nga Pirusti News
1 090 Shikime
SHPERNDAJE

-Nga Aleksandër NDOJA-

Ka libra që lexohen shpejt dhe harrohen po aq shpejt. Ka edhe libra që nuk të lejojnë t’i mbyllësh me nxitim, sepse çdo kapitull të fton të ndalesh, të reflektosh e të rikthehesh sërish mbi faqet e tyre. Një i tillë është libri më i ri i shkrimtarit dhe poetit Vilson Culaj, të cilin autori e ka titulluar me shumë domethënie: “7 ditë në tryezë me Imzot Mark Sopin”.

Për ta shkruar këtë vlerësim, më ndodhi një rastësi e bukur. Ashtu si autori kalon shtatë ditë në tryezë me Imzot Mark Sopin, edhe unë e mbajta librin plot shtatë ditë mbi tavolinën time të punës. Nuk e lexova me nxitim. Rikthehesha herë pas here në kapituj të ndryshëm, shënoja përshtypje, rilexoja dialogë e meditime dhe vetëm pasi kisha përshkuar pjesën më të madhe të tij, mendova se kisha fituar të drejtën morale të ndaja me lexuesin disa mendime për këtë vepër.

Nuk është rastësi që një libër i tillë vjen pikërisht nga Klina. Prej vitesh kjo trevë është shndërruar në një nga vatrat më të rëndësishme të kulturës dhe letërsisë shqiptare në Kosovë. Vështirë të gjesh një qytet tjetër me një dendësi kaq të madhe krijuesish, studiuesish e publicistësh që kanë lënë gjurmë në letrat shqipe. Mjafton të përmenden emra si Prend Buzhala, dr. Lush Culaj, Pal Canaj, Frrok Gojani, Mikel Gojani, prof. Dodë Ndrecaj, Lek Mrijaj, prof. Hajdin Morina, Ramiz Selimi, Sejdi Kapllnaj, Butrint Morina, Azem Gashi, Alban Gashi, Ismat Krasniqi, Albert Gojani, Luz Thaqi, Ram Manaj, Marqe Tanushi, Selmanaj, Suzana Gjergji e shumë të tjerë të brezave të ndryshëm, për të kuptuar se Klina nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një klimë e veçantë kulturore, ku fjala e shkruar vazhdon të mbetet një traditë e gjallë. Në këtë plejadë krijuesish, Vilson Culaj e ka ndërtuar tashmë profilin e tij të veçantë, duke sjellë vepra që ndërthurin letërsinë me historinë, kujtesën dhe dimensionin shpirtëror.

Që në faqet e para, autori e përcakton qartë arsyen pse e ka marrë përsipër këtë udhëtim letrar. Ai shkruan se është fat të jetosh në kohën e njerëzve të mëdhenj dhe se madhështia e tyre kuptohet plotësisht vetëm kur koha fillon t’i vendosë në vendin që meritojnë. Kjo filozofi përshkon gjithë librin dhe bëhet boshti mbi të cilin ndërtohet rrëfimi për Imzot Mark Sopin.

Më shumë se një biografi..

7 ditë në tryezë me Imzot Mark Sopin” nuk është një biografi në kuptimin klasik të fjalës. Po aq pak është një roman historik i zakonshëm. Është një ndërthurje e kujtesës, dokumentit, dialogut, meditimit filozofik dhe rrëfimit letrar, ku figura e Imzot Mark Sopit nuk paraqitet vetëm përmes ngjarjeve që ka jetuar, por përmes botës së tij të brendshme, mendimit, vizionit dhe misionit që ai përmbushi në një nga periudhat më të vështira të Kosovës.

Merita më e madhe e Vilson Culajt qëndron pikërisht këtu. Ai nuk synon të ndërtojë një monument prej fjalësh për protagonistin e tij, por ta sjellë atë si njeri, bari shpirtëror, intelektual, diplomat dhe atdhetar. Lexuesi nuk përballet me një figurë të ngrirë në piedestal, por me një personalitet që mendon, shqetësohet, vendos, sakrifikon dhe ecën përkrah popullit të vet.

Në faqet e librit ndërthuren natyrshëm historia e Kishës Katolike në Kosovë, drama kombëtare, përpjekjet për liri, dialogu ndërfetar dhe misioni human. Përmes këtyre shtresimeve, Imzot Mark Sopi shfaqet si një figurë që i tejkalon kufijtë e institucionit kishtar dhe merr përmasat e një personaliteti kombëtar.

Një tjetër vlerë e veprës është mënyra se si autori shmang kronologjinë e thatë. Ngjarjet nuk renditen thjesht sipas datave, por marrin jetë përmes reflektimeve, episodeve, bisedave dhe kujtimeve që e bëjnë leximin të rrjedhshëm dhe emocionalisht të afërt.

Edhe gjuha është një nga pikat e forta të librit. Vilson Culaj shkruan me një shqipe të pasur, me figura të zgjedhura dhe me një stil që ruan ekuilibrin ndërmjet dokumentit historik dhe letërsisë artistike. Në shumë raste, rrëfimi fiton ritëm meditativ, duke e bërë lexuesin të ndalet jo vetëm mbi fatin e protagonistit, por edhe mbi fatin e vetë Kosovës në vitet e saj më të vështira.

Në fund të leximit mbetet bindja se autori nuk ka shkruar vetëm për një ipeshkëv të shquar. Ai ka shkruar për një epokë, për një mision, për një mënyrë të të jetuarit në shërbim të tjetrit. Pikërisht për këtë arsye, “7 ditë në tryezë me Imzot Mark Sopin” nuk është një libër që u intereson vetëm besimtarëve katolikë apo studiuesve të historisë së Kishës. Ai u drejtohet të gjithë atyre që kërkojnë të njohin njerëzit që, me urtësi, vizion dhe sakrificë, kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në historinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Vilson Culaj ka sjellë një vepër që pasuron fondin e letërsisë dokumentare shqiptare dhe njëkohësisht i bën nder kujtesës sonë historike. Është një libër që lexohet me interes, por mbi të gjitha, është një libër që të bën të reflektosh.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest