Tregim nga Ing. Mark Zefi
Shkolla 8-vjeçare e fshatit Urbin, i cili ndodhet në verilindje të vendit tonë, nuk kishte më shumë se 110 nxënës gjithsej. Deri në mesin e viteve ’70, ky fshat nuk lidhej nga asnjëra anë me rrugë automobilistike.
Për shumë arsye, mirëqenia dhe komoditeti në familjet e këtij fshati ishin thjesht ëndërr. Hapi i parë që ngjalli shpresën për një jetë ndryshe ishte drita elektrike, e cila u bë realitet në vitin 1968.
Por, me gjithë vështirësitë që kishin për të përballuar jetesën, urbinasit ishin njerëz të arsyeshëm, shumë punëtorë, të bukur, thuajse soji i tyre ishte ngjizur nga rrezet e diellit; jo se ishin njerëz të zakonshëm, mbi katër shekuj banorë të atij territori, dhe shumë bujarë.
Fshati Urbin shtrihet në prehrin e një lugine që formohej nga dy shpate të larta me kundrejtim nga juglindja, që i ngjante formës së një dardhe me bisht të orientuar nga maja e malit, duke konfiguruar një bukuri natyrore që jo shpesh ta sheh syri.
I favorizuar nga pyje të shumta me plot lëndina në brendësi të tyre, emri i këtij fshati ishte bërë i njohur më larg se krahina së cilës i përkiste, për shumëllojshmërinë e bagëtive, veçanërisht të imta, dhe bletarinë.
Ndoshta natyra e pastër dhe me një bukuri që të mbetej në sy, bashkë me ushqimet blegtorale gjithmonë bio, kishin bërë që të gjithë fëmijët e shkollës, ndonëse të veshur jo mirë, të ishin të bukur. Të ngjiste se të ishin të së njëjtës familje, si nga zhvillimi fizik, po ashtu edhe nga tiparet e tyre fine dhe me një lëkurë që u rrezatonte. Gjithmonë ka ndodhur që, në mes bukurive, është gjetur më e bukura.
E në mes të gjithë atyre bukuroshëve e bukurosheve, që rreshtoheshin çdo ditë para shkollës, ajo që binte në sy, si të ishte ylli i mëngjesit që vezullon më shumë se gjithë yjet e tjerë, ishte Mirela Kolaj. Portreti i saj shëmbëllente si një oaz tiparesh, që dukeshin se ishin në garë mes tyre se cili do të brilonte më shumë.
Kishte një zhvillim fizik më të madh se e mundësonte mosha, flokë të verdhë me onde që i zgjateshin deri poshtë shpatullave, trup të drejtë, lëkurë të bardhë me nuancë rozë dhe sy bojë qielli të hapur e të vijëzuar, që dukeshin si dallgë të lehta në një det të qetë.
Që nga klasa e katërt, çdo fund viti vlerësohej me fletë lavdërimi për rezultate të larta dhe sjellje shembullore. Ishte bijë e një familjeje me qëndrim të keq politik nga dajot, që regjimi komunist i kishte shpallur reaksionarë me etiketën “armiq të Partisë dhe popullit”, por edhe babai i saj kishte vuajtur dënim me burg. Meqenëse, kur ajo mbaroi klasën e tetë, ende lufta e klasave nuk ishte ashpërsuar plotësisht, por edhe për shkak të rezultateve të larta në mësime, iu dha e drejta të studionte në një shkollë të mesme bujqësore.
………………………………………
Edhe në shkollën bujqësore, Mirela ra në sy të gjithë masës së nxënësve dhe mësuesve si vajza më e bukur, ekselente në mësime e sjellje dhe talent në sportin e volejbollit. Në mjediset shkollore paraqitej vajzë serioze dhe autoritare. Natyrisht, tani mosha e kishte mundësuar ta njihte bukurinë e vet dhe ëndrrat për të ardhmen sigurisht kishin nisur të vegjetonin. Është normale që një vajzë yll nga çdo aspekt, nimfë për nga bukuria, të tërhiqte vëmendjen e moshatarëve dhe të ishte objekt i komplimenteve e ngacmimeve të tyre.
Por Mirela nuk ia jepte konfidencën asnjërit që t’i afrohej për ndonjë diskutim me sens lidhjeje dashurie. Ky qëndrim kategorik ndaj cilitdo u bë diskutim në disa grupe nxënësish, deri aty sa kishte nga ata që mendonin se ajo kishte ndonjë shkak fiziologjik që nuk çaste asnjë nga djemtë e shkollës për shoqëri. Një të diel para dreke, Zana, shoqja e saj më e çmuar, tek po llupisnin nga një akullore së bashku, i drejtohet Mirelës:
— Pash shoqërinë që kemi bashkë, o Mirelë, a mund të të pyes për diçka?
— Të betohem, si do që ta kesh hallin, do vdes pa ia thënë njeriu të gjallë.
— Pyet ç’të duash, se nëse do ta di, do të them të vërtetën dhe ti thuaja kujt të duash, pa problem. — Ia ktheu Mirela.
— Jo për të bërë qejfin, por ti je më e bukura nga të gjitha ne vajzat. Janë disa nga çunat tanë që po iu çahet zemra në dysh nga dëshira për t’u lidhur me ty. Madje Maksim Dragoj më ka porositur të të sinjalizoj se ai të do. Çfarë shpjegimi i jep qëndrimit tënd të distancuar me të gjithë djemtë e klasës dhe të klasave më të larta njëlloj, duke shpërfillur çdo kompliment apo batutë që ata hedhin drejt teje?
— Në shkollë kam ardhur për të mësuar zanat, jo për të gjetur burrë, o Zanë. Por, krahas diplomës, nëse do të realizohej edhe kjo e dyta, nuk do të ishte keq. Unë i kuptoj reagimet e djemve, se edhe unë prej mishi e gjaku jam, nuk jam prej dheu. Por unë kam një ideal që nuk e tjetërsoj sa të kem jetën. I dashuri im për gjithë jetën do të jetë jo vetëm i zoti, por minimalisht aq i bukur sa unë, ndonëse pretendoj të jetë edhe më i bukur. Nuk dua të martohem me një mashkull që nuk është mbi mua dhe gjithë jetën të më vardisen burrat duke menduar se do të mund të më plotësojnë atë që ata do të kujtojnë se më mungon.Sado që në shkollën tonë djemtë janë shumë të mirë, unë nuk shoh ndonjërin që i përgjigjet gustos sime. Besoj se ta kam thënë të gjithën atë çfarë më kërkove.
— Jam krejt e qartë dhe të jap shumë të drejtë. — E mbylli muhabetin Zana.
……………………………..
Mbas mbarimit të shkollës së mesme, Mirelën e emëruan agronome në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar “Vllaznia”, ku përfshihej edhe fshati i saj, Urbin. Për të shkuar në shkollë të lartë as duhej t’i shkonte nëpër mend. Madje, tani e quanin gabim edhe faktin që e kishin dërguar në shkollë të mesme. Ishte fillimi i dhjetëvjeçarit të tetë, kur lufta e klasave kishte prekur retë. U zbuluan disa “armiq të brendshëm” në radhët e artistëve, poetëve dhe shkrimtarëve. Artistët e këngës u ndëshkuan me dënime të rënda, që i vuajtën në kampet e burgimit, pse, kur performonin në skenë, vallëzonin tuist, vals a tango dhe nuk ecnin me hap rreshtor si ushtarakët. Ndërsa poetët e shkrimtarët, sepse tekstet e këngëve apo subjektet e romaneve kishin si temë dashurinë, jo hovin revolucionar të punonjësve të bujqësisë për ndërtimin e socializmit.
Më pas u zbuluan “armiq të brendshëm” brenda radhëve të udhëheqjes së lartë, të cilët morën plumbin në gjoks, se i kishin punuar me “hile” Partisë dhe udhëheqësit të saj të pavdekshëm, shokut Enver Hoxha. Në këtë klimë, ku temperaturat politike ishin përvëluese, në plan të parë doli dashuria për Partinë dhe shokun Enver, si edhe shërbimet e përunjësia para përfaqësuesve të saj nga masat qytetare. Ndërsa vlerat dhe dhuntitë njerëzore kaluan në plan të dytë. Për ata me biografi të keqe, dhuntitë njerëzore, morali dhe karakteri i qëndrueshëm u bënë të dorës së fundit.
Gjithsesi, Mirela do të bashkëudhëtonte me të gjithë në të njëjtën klimë terrori psikologjik, moral e fizik, gjithnjë ashtu siç ishte brumosur, pa u bërë palë e as pjesë e lojës.
Edhe pse kishte shumë kërkesa për fejesë nëpërmjet familjes nga ata që i përkisnin atij formati politik ku bënte pjesë edhe ajo, duke parë se asnjë nga kandidatët nuk i përgjigjej as mesatarisht staturës dhe pretendimeve të saj, i kundërshtonte me vendosmëri. Ndonjëri që iu përgjigjej kërkesave të saj, qenien bijë e një familjeje “armike” e kishte mur të pakapërcyeshëm.
Ndërkohë, “donzhuanët” e katundit vinin baste mes tyre se do ta shtinin në dorë për të shijuar bukurinë e saj.
— … Mbaje mend, o vdes, o brenda dy javësh kam me ia heq recipetat dhe kam për t’ia gri me dhambë ato gjinj që i ka si dy pjepra në gjoks. — i tha Gjon Plaku shokut të tij, Vlash Qarri.
— Siç e njoh unë, kollaj ve bast, se ke për të dalë huq. Do e kishte hangër fishekun prej kohësh, se e vogël nuk është, po të ishte aq kollaj sa mendon ti. Aq sa është e bukur, po aq është terribile dhe e zonja për të mos u nënshtruar. Këtë ta them me bindje, se edhe mua boll më ka tunduar dëshira për ta marrë hopa para duarve të mia, por e kam parë të paarritshme dhe kam thënë: “Është i papjekur rrushi.” — e këshilloi mikun e tij Vlashi.
— Ç’a po flet, more burrë! A nuk i ka takëmet edhe ajo si gjithë të tjerat? Ti e di sa janë si puna e asaj, që unë ua kam kënduar “Internacionalen”, se këtu ke qenë. Jam nana unë për atë zanat, o Vlash. Nejse, ajo thuajse çdo ditë bën atë rrugën që kalon nga Qafa e Leçeve, se shkon te brigada e perimores. Nesër, sapo ta shohim se mori udhën, ti hajde pas meje e fshihu në ndonjë shkurre afër udhës. Unë, gjoja si rastësisht, do t’i vij përballë, e ta shohësh me sytë e tu si do të shkojë loja.
Të nesërmen, të dy shokët ashtu vepruan. Sapo Mirela mori rrugën e ngushtë që të shpinte te perimorja, Gjoni po vinte përballë saj. Pa u afruar më afër se dhjetë metra, Gjoni, me një zë të gëzueshëm, i drejtohet:
— Ma paska pranu Zoti lutjen, o Mirelë. Ka do kohë që e kam menduar një bisedë me ty.
Mirela, me ton kërcënues, iu përgjigj prerë:
— Mos provo të më zësh udhën, se nuk do mund të të shpëtojë Zoti nga ajo që ka me të gjet.
Dhe vazhdoi lëvizjen në drejtimin që kishte, duke kundruar me kujdes me bisht të syrit, se mos Gjoni do të guxonte të kryente ndonjë veprim. Gjoni mbeti si hu i shkulur, i mpirë dhe kokulur, mbështetur në një lis anash rrugës.
— Hë, ku i ke recipetat? Të thashë se i ke bërë llogaritë gabim. — iu drejtua Vlashi me tallje, sapo Mirela ishte larguar.
Krahas viteve të moshës që shtoheshin për Mirelën, pa e gjetur shokun e saj të jetës, ku pengesë e pakapërcyeshme gjithnjë ishte biografia, njëlloj shtohej edhe numri i qejflinjve që bënin plane e sajonin alibi me ëndrra për të shijuar bukurinë e mahnitëse të saj, duke fantazuar kënaqësinë që do t’u jepnin marrëdhëniet intime me të.
… Epo tani, ajo ka nevojë për ta çliruar nga rrethi ku gjendet për shkak të biografisë. Për ideal të Partisë, nëse do më bjerë mua në dorë, sa kam për ta ndihmuar, aludonte me mendjen e tij sekretari i Byrosë së Partisë së kooperativës, Zef Gjoka, një burrë rreth të pesëdhjetave. Po, po, duhej ta kisha futur në dorë prej kohësh. Nuk do ketë nga të mbajë. Ma ka nevojën mua. Është e kushtëzuar nga biografia, bluante me mendjen e tij Zefi, sekretari, ndërsa fantazonte marrëdhënie intime me Mirelën. Dhe nuk e zgjati. Një ditë e thirri të shkonin bashkë te brigada e foragjereve, me arsyetimin se kishte një takim me kooperativistët e atij sektori. Sapo hodhën njëqind metrat e para, sekretari nisi të fliste për vigjilencën e Partisë e më pas për humanizmin e saj. Por, pa humbur kohë, hyri drejtpërdrejt në temën për të cilën kishte sajuar atë udhëtim.
— Më vjen shumë keq për ty, o Mirelë. Një vajzë aq e bukur sa je ti nuk duhej t’i mbylleshin udhët e jetës për një dreq biografie. Kam njohur në Shkollën e Partisë femra më pak të bukura se ti, që vetëm me një lidhje të fshehtë me një njeri të veshur me besim politik e kishin mbyllur kapitullin e biografisë dhe kishin bërë karrierë, e për më tepër ishin pranuar edhe në Parti dhe vazhdonin Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë. Unë e kam menduar shumë herë punën tënde. Një yll bukurie siç je ti, tani në moshë për të qenë nënë, duke bredhur lart e poshtë nëpër arat e kooperativës dhe pa asnjë perspektivë, është me të vërtetë për t’u shqetësuar.
Ja ku po ta jap fjalën e nderit: nëse do pranosh të më japësh buzët e të më lejosh të lundroj në hiret e bukurisë tënde, po të betohem në ideal të Partisë se nuk kanë për të kaluar pesë muaj kur ti do të emërohesh në një detyrë me rëndësi dhe kapitulli i biografisë do të mbyllet përgjithmonë.
— E përfundoi ligjërimin Zefi, duke tentuar t’i hidhte dorën mbi supe.
Mirela, sikur t’i dilte para këmbëve një gjarpër, kërceu në anë të rrugës dhe iu kthye Zefit:
— U dashka me u ndy e me shit nderin me ba karrierë, o Zef Gjoka? A kjo na qenka partia jote? Mu zhduk me shpejtësi, e mos provo ma të nxjerrësh nga goja gjysmë fjale, se ta bëj atë që nuk ka ç’a me t’u dashtë ma as sekretarllëku, as qenia babë fëmijësh e burr gruaje. More vesh, more idiot i veshur me besim politik?
Zefi vazhdoi drejtimin që kishte, pa e kthyer as kokën, ndërsa Mirela u kthye mbrapsht drejt qendrës së kooperativës.
…………………………………………
Mbas incidentit me sekretarin, nuk zgjati dhe Mirelës i komunikuan pushimin nga puna si agronome, për shkak të biografisë. Ajo u largua nga fshati dhe shkoi diku larg në veri, te një i afërm i saj, në një qytezë të vogël minatorësh. Familja hapi fjalën se ishte martuar në Elbasan. Gjatë qëndrimit te i afërmi i saj, e pikasi një burrë shumë simpatik, me një trup të hijshëm sikur të ishte aktor filmash, por edhe i gojës, që nuk i gjendej shoku.
Mirela, me aq sa i dhanë informacion pjesëtarët e familjes ku ajo qëndronte, por siç do të mësonte më vonë nuk ishin treguar të sinqertë, duke pasur parasysh biografinë që e kishte pasur gjithnjë si peshën e një guri të rëndë mbi supe dhe moshën goxha të madhe për një femër ende pa u fejuar, nuk gjeti arsye ta refuzonte kandidatin që iu afrua. Mbasi mori edhe miratimin e babait, nënës dhe vëllezërve, ia dha zemrën atij që nuk po i ndahej, që o gjallë, o vdekur, të bëhej e tija, i cili quhej Nikolin.
Përfundimisht, falë edhe dinakërisë së këtij të fundit, mjeshtër me famë i mashtrimit të femrave, siç e quanin ata që e njihnin nga afër, i martuar e i ndarë një herë, dashuruar e “fejuar” aq sa nuk numëroheshin, Mirela nisi jetën familjare. Pa kaluar shumë kohë, mësoi se i zgjedhuri i saj për të jetuar gjithë jetën ishte jo vetëm maniak femrash, por edhe i alkolit e sherreve, që, për hir të së vërtetës, grushtit të tij ia kishin frikën të gjithë.
Megjithë peripecitë që filluan të shfaqeshin brenda familjes, pesë vitet e para kaluan disi në nivel të pranueshëm. Siç e dinin të gjithë, për Nikolin Lisnen, ishte rasti i parë që një lidhje zgjaste aq shumë.
— … Të gjitha femrat mbi pesëmbëdhjetë vjeç janë një lloj; duhet me iu vu tapën, se e kanë grykën të hapur, — u kishte thënë me dhjetëra herë shokëve të tij në tavolina, nga ku kurrë nuk ngrihej pa u rrumbullakosur.
Por, pak muaj mbas martesës me Mirelën, i ishte shprehur shokut të tij të ngushtë, Rrok Çeli: — E dija sa kam për të vdekur, por se do të takoja një femër njëzeteshtatë vjeçe të paprekur nga një mashkull, nuk e kisha menduar. Por, me gjithë përpjekjet e paimagjinueshme të Mirelës për ta ruajtur familjen, Nikolini u kthye sërish aty ku kishte qenë.
Mbasi ndryshoi regjimi dhe biografia nuk do të shërbente më si karton i kuq për Mirelën, për ta mbajtur skllave pa asnjë mëkat, gjë që edhe Nikolini, për të justifikuar poshtërsitë e tij, shpesh ia kishte përmendur, dhe duke menduar faktin se i shoqi ishte dhjetë deri në dymbëdhjetë vite më i madh në moshë, ajo mbante shpresa se do të vinte një ditë kur ai të vendoste të qëndronte korrekt ndaj familjes së tij.
Por as emigrimi në Belgjikë dhe tërheqja e të shoqit me bashkim familjar nuk sollën asnjë ndryshim. Nikolini, përveçse, sa qëndronte pranë saj, nuk ia kursente dhunën, dy deri në tre herë në vit, nga dy muaj çdo herë, kthehej në Shqipëri, pa ia fshehur bashkëshortes të dashurat që e prisnin.
— Është dashuria e parë e jetës sime dhe e kam dashur pa asnjë rezervë, ndaj e kam të pamundur ta largoj nga zemra, — i shprehej Mirela ndonjë shoqeje besnike që ia dinte hallin.
— Pastaj, a durohen fjalët e botës, sa të marrin vesh se jemi ndarë, moj motër? — shtonte, si për të justifikuar durimin.
U deshën njëzet e katër vjet jetë bashkëshortore me një njeri të shthurur e të pandreqshëm, për të cilin familja ishte si një rrobë që mund ta vishte vetëm kur i tekej atij, i zhytur në botën e aventurave e të alkoolit, që telekomandën e trurit të tij e kishin në dorë ato që as e dinin çfarë është morali, dinjiteti apo familja, që Mirelës t’i shembej ura e durimit dhe, bashkë me të, edhe shpresat për të realizuar normalitetin aq shumë të domosdoshëm për një jetë bashkëshortore.
Mori vendimin e pakthyeshëm të divorcohej.
Pas ndarjes, Mirela përsëri qëndroi në Belgjikë, bashkë me vajzën e saj të vetme, gjithnjë e lidhur me punën, e dashur dhe e sjellshme me të gjithë ata me të cilët e lidhte puna, krenare për karakterin, për të cilin e kishin vlerësuar të gjithë ata që e kishin njohur kudo kishte punuar e jetuar, dhe, çuditërisht, edhe pse në të shtatëdhjetat, përsëri shumë e bukur.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

