E quajnë Ihsan Budo. Ka lindur me 10 dhjetor 1920, në Lagjen Palorto të Gjirokastrës. Prej asaj dere dolën shumë burra të shkolluar e me funksione të larta në adminisratën vendore . Jo vetëm kaq. Mustafa Budo qe dekani i parë i Fakultetit të Mjeksisë në Stamboll. Ihsani u anëtarësua në PKSH , në janar 1942. I burgosur nga fashistët në Sarandë . Ai u bë shpejt kreu i komunistëve të rrethit bregdetar. I veçantë ishte kontributi i tij historik gjate trajtimit te 20.000 ushtarëve Italiane pas kapitullimit të Italisë. Aty shpaloi jo vetëm zotësi ,por edhe fisnikëri të lartë, që nuk nderon vetëm atë, por gjithë shqiptarët. Pas luftës kreu detyra të ndryshme si, Përfaqësuesi i Qeverisë Shqiptare në Itali për Reparacionet e Luftës dhe zv/ministër i Grumbullimit, delegat në Konferencën e Partisë të Tiranës të vitit 1956, ku ai u cilësua si “antiparti e armik” (I cituar në veprën 13 të E.Hoxhës).
-NE KURBNESH-
Më 1955 filuan punimet minerare në minierë. Afër karierës në Lak të Kizhzës qe ngritur një qendër punëtorësh me rrjet tregtar e bujtina me dërrasa. Vetëm pak ditë pas konferencës së Parisë së Tiranës , këtu vjen i internuar Pajo Islami, njëri nga të akuzuarit si organizator qëndrimeve opozitare në këtë konferencë. E verteta ishte se Pajo Islami, nuk ishte as delgat. Sidoqoftë ai shënohet si i pari i internuar politik në Kurbnesh, pa u ngritur ende qyteza në brigjet jugore të lumit të Urakës, e cila në vitet e socializmit, do priste shumë të internuar të tjerë, mes tyre edhe familjarë te anëtarëve të Byros Politike, Koço Theodhosit, Kadri Hasbiut, Beqir Ballukut (vajza me bashkëshortin e saj Gjergji Gjergo), Bardhyl Belishova (vëllai i Lirie Belishovës).
Pajo Islami arrestohet në Kurbnesh ‘’për veprimtari armiqësore’’. Pas do kohe sjellin këtu ish – delegatin e Konferncës Ihsan Budon me bashkëshorten e dy fëmijtë e tij. As kurrë nuk e pati menduar, që ai do qëndronte në Kurbnesh plot 35 vjet si internuar. Dhe jo vetëm i internuar. E arrestojnë dy herë: në vitin 1963 dhe e lirojnë pas 24 orësh dhe, më 1977 për ta dënuar me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë.
-INTERMEXO-
Lexuesit e para viteve ‘90 –të e dinë se çfarë ndodhi në Konferncën e Partisë së Tiranës, por ata që kanë lindur në vitet ’90 -të e në vijim pak, ose aspak nuk dinë se pse përmendet shpesh në dosjerët e diktaturës. Ihsan Budo ka shkruar:
‘’Konferenca e Partisë së Tiranës i zhvilloi punimet në Kinema “Puntori” nga data 14 deri në 19 prill të vitit 1956. Ajo konferencë u zhvillua nën frymën e vendimeve të Kongresit të 20-të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku Hrushovi dënoi gabimet e Stalinit dhe kultin e tij të individit. Në këtë kontekst u zhvilluan dhe aktivet e organizatave të partisë të Tiranës, ku u ngritën shumë probleme nga një pjesë e mirë e komunistëve.Ditën që filloi punimet konferenca, Enver Hoxha botoi një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” ku mbështeste vendimet e Kongresit të 20-të dhe po atë ditë shkoi për pushime në Vlorë. Konferencën e drejtonte Beqir Balluku dhe në presidium ishin dhe Fiqirete Shehu,(Sekretarje e Parë e Tiranës), gjeneral-major Tahir Kadare, gjeneral Halim Ramohito, Haxhi Lleshi dhe ndonjë tjetër që nuk e kujtoj dot. Konferencën e hapi Beqiri dhe raportin e lexoi Fiqirete Shehu. Ai raport u prit shumë ftohtë nga delegatët, sepse ishte i thatë dhe i mbulonte të gjitha problemet që ishin diskutuar në aktivet e organizatat e partisë.Nga shumë komunistë u ngritën probleme se në rastin e rënies së epidemisë së fruthit, udhëheqja e lartë kishte sjellë nga jashtë vaksina vetëm për fëmijët e tyre dhe jo për fëmijët e popullit të thjeshtë dhe si rezultat i kësaj u mbushën varrezat me varre fëmijësh. Si të thuash në ato aktive u ngrit një revolt masive e komunistëve të ndershëm, kundër udhëheqjes së burokratizuar, kundër shkëputjes së saj nga masat, kundër metodave të ashpërsimit dhe acarimit të luftës së klasave brenda dhe jashtë partisë, kundra ndikimit negative të kultit të individit etj.’’
JETA NE QYTEZEN E RE
Në vitin 1962, familja Budo, bashkë me dy a tre familje të tjera që banonin në kazermat me dërrasa në Lakun e Kishzës, u vendosën në qytezën e re të Kurbneshit, e cila në ato vite zgjerohej dhe mbushej me banorë të ardhur nga disa vise të Shqipërisë. Ato qenë familje të specialistëve të nëntokës, gjeologjisë dhe arsimit. Në klasën e dytë erdhi një nxënëse e re. E quanin Liljana Budo. Duke qenë baba i një shoqje klase thuajse gjithë klasa jonë e njihte si babai i Liljanës, por një ditë dëgjuam se ai kishte ardhë si i dënuar nga Partia. Ishte në mes të jetës. Një burrë i gjatë që ecte pëherë i vetmuar udhëve të qytezës ose ma mirë brenda cakut të caktuar nga organet shtetërore. Si verës ashtu edhe në dimër ,por me petkat stinore, ai bënte të njëjtën lëvizje, Ecte.
Njerëzit e respektonin. Ihsani kishte pasion gjënë e gjallë, sidomos dhitë. Blente në pranverë disa krerë ,u merrte qumështin e në vjeshtë i shiste prapë. Këtë gjë e bënte para kolektivizimit se pastaj e kishte të pamundur. I ardhuri nga kryeqyteti si i dënuar nga njerëzit e thjeshtë nuk shikohej ashtu, perkundrazi për ndonjë gjë që nuk e kishin të qartë thonin: Pyetëm Isen Budon (banorët nuk e shqiptonin fonemën h) e na e ka skjaruar. Iseni na tha se ky dimër do të jetë i fortë. E thënë tjetërsoj , njerëzit e qytezës e sidomos të rrethinës e vlerësonin për dijet dhe për sinqeritetin që shpalonte me ta.
Ntyrisht survejohej pa ndërprerë. Siç ka shkruar edhe vetë në shtyp dhe në librin e tij, ai ishte krejt i pastër në ndërgjegjen e tij se qe i pafajshëm jo vetëm ndaj popullit, por edhe ndaj partisë së tij.
Ja disa episode:
Me 15 shkurt 1963, kur sigurimi i rrethon shtëpinë dhe pas një reagimi të tij e arrestojnë dhe e dërgojnë në Rëshen. Aty pyetet nga të dërguarit e Kadri Hazbiut :“E njihni Bedri Spahiun, Tahir Kadarenë, Hulisi Spahiun, Pajo Islamin, Peço Kagjinin, Kleo Bezhanin, Njazi Jahon, Taho Sajkon, Zihni Muçon e të tjerë”?!
I qe përgjigjur se i njihte dhe kishte patur shoqëri me ta. Pas shumë debatesh u tha: “I thoni Kadri Hazbiut që t’i thotë të vërtetën Partisë për mua, gjë që se ka bërë deri më sot”. Pas fjalëve që thashë, situata u acarua shumë .Ju thashë se në këto kushte që isha në Kurbnesh më mirë në burg se të paktën bukën e kisha të sigurt se isha krejt i papunë…’’
***
Klasa jonë, ku ishte edhe Liljana Budo, më 1967, do të pranohej në BRPSH, organizata e rinisë. Na mblodhi një mësues i ngarkuar me rininë dhe çetën e pionerit dhe na tha: Tani ju keni moshën për t’u bërë anëtarë të organizatës së rinisë që është fidanishtja e kuqe e Partisë….Së shpejti do ju pajisim edhe me teserën e anëtarit. Pas do kohe na mblodhën të gjithëve për të na dhënën teserat. Të gjithë i morëm, vetëm Lili, jo. Unë as që e pata mendjen aty, por një shoku ynë më pyeti: Po Lilit perse nuk i erdhi?!. E mora për një gabim njerëzor, por nuk kishte qenë ashtu. Mbaj mend që erdhi nëna e saj e bëri një debat të ashër me drejtorin, që ishte dhe anëtarë partie. U mblodh organizata pa Lilin për të bërë zgjedhjet e organizatës. Buroja si fillim. Aty më propozuan edhe mua. Por , kur erdhi puna të mblidhej byroja e organizatës ,mua nuk më thirrën. Ishte hera e parë që e kuptova se kjo nuk do të ishte ndalesa e parë…
Pas një letre që dërgoi Liljana qendrës, erdhën nga Rësheni dhe na mblodhën, duke na thënë se ne duhet ta pranomim në organizatën e rinisë (sikur nuk e kishim pranuar ne).
DENIMI I FUNDIT?…
Ihsan Budo provoi herën e parë burgun e fashizmit, kur e arrestuan në Sarandë, pastaj internimin dhe ndalimin e dytë në Rëshen.
Me daljen në pension mendoi se tashmë qe mbyllur një kapitull i vështirë i jetës së tij. Por, jo! Më 25 qershor 1977, pas 25 vitesh internim në Kurbnesh, arrestohet si “armik” me akuzën: “agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit popullor” dhe të lidhur me hekura e nxorrën para popullit të Kurbneshit për t’a demaskuar.
Gjygji u bë te kinemaja e Kurbneshit ku u dënua me 10 vite burg politik. Në kuadrin e një amnistie, u lirua nga burgu në 1982-in dhe u kthye përsëri pranë familjes në Kurbnesh. Qëndroi në Kurbnesh deri në fundin e 1990-ës, duke u kthyer në Tiranë pas 35 vitesh largimi. Por, tani jo vetëm me dy fëmij, por me tre. Fahria, vajza e tij e dytë lindi në Kurbnesh, sot gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.
I FUNDIT DO TE ISHTE LIKUJDIMI FIZIK
Urdhëri ishte fatal jo vetëm për Ihsan Budon, por edhe për shumë të internuar të tjerë dhe vendas nga Selita dhe krejt Mirdita. Pas botimit të kësaj liste, Budo pat reaguar në Gazetën Tribuna Demokratike(23 Qeshor 1995), ku qe botuar lista e cituar : ‘’Jo ,kurrë se kisha menduar se ata e kishin shtrirë srategjinë e krimit deri këtu. Në fakt,unë e dija se ata nuk më donin dhe mund të më vrisnin, por tamam për këto lloj listash, nuk më shkonte mendja,,
PAS LARGIMIT NGA INTERNIMI
Kur kryeja funksionin e kryetarit të Komunës Selitë, kam marrë dy letra nga Ihsan Budo, që mi dërgonte nga Rruga ‘’Bardhok Biba’’, ku banonte asokohe. Njëra në qershor të vitit 1996 dhe tjetra në korrikun e vitit 200. Në të parën më kërkonte të konfirmoja se bashkëshortja e tij, Manushaqe Budo nuk qe divorcuar me bashkëshortin për motive politke. Mbaj mend qe më kishte dërguar përgjigjen e konceptuar e të shtypur me makinë shkrimi, që vetëm duhej firmosur e protokolluar. Letra e dytë ,të cilën e disponoj, ishte një falenderim lidhur me një intervistë që kisha dhënë Televizionit Shqiptar për turizmin malor dhe atë kurativ në Selitë. Në të dyja ai më pyeste edhe për të afërmit e mij, por edhe për gjendjen ekonomike e sociale të vendit ,ku kaloi 35 vjet si i internuar, por duke lënë te njerëzit e thjeshtë kujtime të mira e sjelljet e tij të njërëzishme.
KARTOLINA PER NJERIUN SHEKULLOR
‘’Jam miditor de fakto sepse një të tretën e jetës time e kam kaluar në burg dhe internim në Kurbnesh të Mirditës’’, ka shkruar Ihsan Budo
Dhe si i Kurbneshas i hodha këto radhë për Ihsan Budon, idealistin e pashoq, burrin trim, të squet e atdhetar, simbol i rezestecës epike ndaj padrejtësive shoqërore, jo vetëm si homazh për vuajtjet e tij,në vendlindjen time, por edhe si një kartolinë në 100 vjetorin e lindjes së tij.
E paçim!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”