Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

E vërteta e vrasjes së borizanit Naum Thomollari, dhe kalvari i familjes Kola në Shpal të Mirditës.

Arkive 2007, Gjon P. Nikolli 92 vjeçar: më bënë kulak se borizani Thomollari, u vra në dritaren e kullës time.

Nga Pirusti News
918 Shikime

Botuar në gazeten “Tirana Observer” më 15.06.2007.

Në ish qëndrën e parë administrative të Mirditës, në Shpal të komunës së Oroshit, teksa devijon për në luginën e Repsit, të del përpara një kodër më pamje mjaft piktoreke, në majën se së cilës ndodhen banesat e fisit Kola. Për inerci të 50 viteve diktaturë, edhe sot e kësaj dite, kjo kodër vijon të mbajë emërtimin “Kodra e kulakut”. Madje me këtë emërtim, duket se janë familjarizuar edhe banorët e këtyre kullave të moçme, të cilët teksa e artikulojnë këtë fjalë, nënqeshin gjithë dhimbje për kalvarin dhe vuajtjet gjatë regjimit komunist.

E gjithë historia e këtij kalvari fillon në ato ditë të tensionuara të tetorit 1944, kur gjermanët dhe forcat partizane ndesheshin me të gjitha forcat, për dominimin e Shpalit, e cila në atë kohë ishte qëndra administrative e Mirditës.

Fillimisht kjo qytezë mbahej nga forcat nacionaliste me në krye kapedanin e Mirditës Gjon Markagjoni, por me afrimin e forcave partizane të brigadës së VI, forcat gjermane të cilët ishin në ikje, në drejtim të Jugosllavisë e lanë këtë zonë në dorë të tyre. Disa ditë të shtëna armësh, dhe Shpali bie në duar të forcave partizane. Kjo ndodhi më 26 Tetor të vitit 1944, ditë e cila njihet zyrtarisht edhe si dita e çlirimit të Mirditës.

Në këto luftime, përveç disa të tjerëve u vra edhe borizani i brigadës së VI, dëshmori i atdheut, Naum Thomollari nga Kutali i Vlorës. Naumi u vra pikërisht në njërën nga banesat e “Kodrës së kulakut”, teksa tentonte që me borinë e tij të njoftonte forcat e tjera partizane, se kjo kodër ishte marrë nga ata, dhe partizanët dhe nuk duhej më të qëllonin. Por një plumb fatalisht i merr jetën në dritaren e kullës së Gjon P. Nikollit. Pikërisht për këtë ngjarje të diskutueshme, kësaj familje iu ngjesh nofka e kulakut, nofkë e cila do t’i kushtonte për shumë vite, madje sipas tyre vijon tu kushtojë edhe sot.

Vetë dëshmitari i vetëm i atyre ditëve i mbetur gjallë, Gjon P. Nikolli edhe pse është 92 vjeç kujton me saktësi çdo detaj të atyre ditëve, ndër to edhe vrasjen e borizanit Thomollari, vrasje e cila do ti kushtonte, sipas tij krejt padrejtësisht.

Si i kujtoni ato ditë të tetorit 1944 kur Shpali u arenë e luftimeve mes gjermanëve dhe partizanëve?

Kujtoj çdo gjë me saktësi, pasi në atë kohë kam qënë në moshë afërsisht 29 vjeç. Fati ynë i mirë apo i keq, ishte se i kishim kullat pikërisht në qëndrën e Shpalit ku shumë vite më parë bajraktari kishte zgjedhur që këtu të ishte qëndra e Mirditës. Qëndra dhe të ashtuquajturat institucione, deri në mesin e muajit tetor 1944, ishin nën kontrollin e forcave të markagjonëve që drejtonin Mirditën. Aty nga data 20 e këtij muaji, forcat e brigadës së gjashtë kishin marrë urdhër që të merrnin nën kontroll Shpalin, çka thoshte se kështu ishte marrë nën kontroll e gjithë Mirdita. Megjthatë edhe forcat nacionaliste dukeshin të vendosura për të mos e lëshuar Shpalin.

Si nisën luftimet, çfar kujtoni nga ajo kohë?

Kujtoj se para shtëpisë time që ishte vëndi më strategjik, rrinin gjithnjë roje dy prej forcave nacionaliste. Madje kujtoj se shpesh ata vinin deri në oborr dhe piqnin misra. Partizanët e brigadës së gjashtë u shfaqën në anën tjetër të lumit Fan i Vogël, ndërsa një pararojë e tyre kaloi lumin me drejtim kullat tona. Kujtoj se dy rojet duke qënë në pozicion të favorshëm, zbrazën bataretë e plumbave duke vrarë dy prej partizanëve. Pas kësaj, duke e ndjerë rrezikun e ardhjes së forcave të tjera në ndihmë të tyre, dy rojet u larguan me shpejtësi duke ju bashkuar forcave të tjera të tyre që ishin pozicinuar në kodrën më lart, sipër rrugës që shkon në drejtim të Kukësit. Breshëritë u bënë shumë të forta, ndërsa e gjithë zona mbulohej nga të shtënat.

Nuk vonoi shumë dhe një grup partizanësh arritën të hynin në qëndër, disa prej tyre u futën edhe në kullën time. Mes atyre që më erdhën në kullë, ishte edhe Bardhok Biba biri i kësaj zone, i cili drejtonte forcat partizane, borizani Naum Thomollari dhe dy partizane që tani nuk u a kujtoj emrat. Ndërsa partizanët e tjerë u shpërndanë nëpër lagje të ndryshme dhe në vëndqëndrime që i caktuan vetë.

Si u zhvilluan më tej ngjarjet e atyre ditëve?

Bardhok Biba ishte drejtues i lartë i luftës dhe njëherit mik i familjes time. Për këtë shtëpia ime, që në atë kohë ishte me tre kate dhe mjaft e njohur në zonë, u shëndërrua në qëndër të këtij shtabi. Kundërshtarët e partizanëve duke e ditur se këtu ishin futur persona të rëndësishëm, udhëzuan gjermanët që të qëllonin me predha murtaje shtëpinë time. Çuditërisht asnjë prej predhave nuk ka goditur në shënjë por anash. Për shumë vite, këtu kanë qënë të freskëta gropat e krikuara nga predhat e gjermanëve. Më vonë kam mësuar se shtëpia ime ka shpëtuar falë ndërhyrjeve të një miku të familjes i cili ishte në përbërje të forcave nacionaliste. Por nëse shpëtuam nga predhat e gjermanëve, disa plumba të vetë partizanëve do të rezultonin fatal për borizanin Thomollari dhe më vonë për krejt familjen time.

Pse, si është e vërteta e vrasjes së Thomollarit?

Krismat e armëve kishte raste që rralloheshi aq sa shuheshin fare. Kujtoj shumë mirë se kemi qënë në katin e poshtëm bashkë me Bardhok Bibën, Thomollarin dhe dy partizanet e tjera. Ishte tetor kur bëheshin misrat, dhe të gjithë sëbashku anës zjarrit po piqnim disa prej tyre, kur shtëpia jonë u qëllua me batare të shumta që vinin nga kodra përballë. Siç duket një grup partizanësh nuk e dinin se këtu ishin vendosur disa prej partizanëve. Në këto kushte Bardhok Biba urdhëroi borizanin që të dilte në oborr për t’i rënë borisë, me qëllim që ata të mësonin se po qëllonin gabim. Por sapo borizani del në oborr, breshëritë e shumta e detyrojnë atë të futet menjëherë brënda. Situata po bëhej kritike pasi mund të vriteshim të gjithë, e në këto kushte  borizani ngjitet në katin e tretë të kullës për ti rënë borisë në dritare. Por pa mundur që të prodhojë një tigull, një plumb e godet mu në ballë. Njëra prej partizaneve ngjitet lart dhe jep alarmin se Thomollari ishte vrarë. Kur shkuam lart, e gjetëm atë të mbuluar në gjak dhe pa asnjë shenjë jete.

Si u veprua më pas?

Me shumë mundime u arrit që të sqarohej situata, Shpali u muar në duar nga partizanët dhe Bardhok Biba. Ndërsa filloi ushtrimi i pushtetit nga komunistët, Thomallarit ju ngrit një lapidar pasi u shpall dëshmor i atdheut. Ndërsa për ne filloi jeta normale deri në vitin 1949. Më pas nisi kalvari i vuajtejve pa fund.

Pse pikërisht në atë kohë, dhe çfar masash u muarën ndaj familjes tënde?

Sepse në këtë kohë u vra deputeti i Mirditës Bardhok Biba dhe pas kësaj unë u gjeta pa mbrojtjen e askujt. Dikush u kujtua se në shtëpinë time ishte vrarë borizani, madje bënë edhe një lidhje me faktin se babai im kishte qënë në përbërje të forcave të gjomarkajve, në kuadër të detyrimit të kohës, që çdo shtëpi duhej të kishte një ushtar aty. Edhe pse mundohesha të mbrohesha me faktin se borizanin e kishin vrarë vetë partizanët, dhe aty kishte qënë vetë Bardhok Biba, askush nuk na e vuri veshin.

Edhe sot jam i sigurtë se nëse nuk do të ishte vrarë Bardhok Biba, askush nuk do të kishte punë me mua. Na nxorën nga banesat tona dhe na deturuan të jetojmë në stanet aty afër. Kullën dhe gjithë shtëpiat i bënë qëndër të mbarështrimit të derrave të cilët shërbenin si ekonomi ndihmëse për qytezën dhe pushtetin e Shpalit. Më pas kur qyteti u zhvendos në Rrëshen ku është edhe sot, ekonomia ndihmëse u zhvendos nga banesat tona, dhe për pasojë ne shkuam të banojmë prapë aty. Megjithatë na detyronin të paguanin taksa të larta si vezë, lesh, fasule, mish, drithë etj. Në tokën tonë që prodhonim me dhjetra kuintalë misër, shteti ndërtoi të ashtuquajturat rezerva shtetërore. Një problem ky i pa zgjidhur edhe sot.

Pse i pa zgjidhur?

Sepse duke qënë ish rezerva shtetërore, me një vendim të pakuptueshëm ato kaluan në juridikisionin e komunës së Oroshit. Ndërsa komuna pa ma njohur të drejtën time të pronësisë, ja ka dhuruar firmës që ndërton rrugën Durrës-Kukës. Kjo e fundit ka ndërtuar një kamping të madh në tokën time ndërsa askush nuk më ka dhënë asnjë kompensim për këtë. Pra vijon të mbetet funksional, akti i shpronësimit të komunizmit. Unë kam gjetur në arkiva të gjithë dokumentat që vërtëtojnë pronësinë time dhe së shpejti do t’i drejtohem gjykatës për të vendosur drejtësi.

-Aleksandër NDOJA-

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest