Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Kukësi i portave historike, portë miqësie për artin e kulturën e Mirditës.

Editoriali i revistës “Mirdita” nr. 34, speciale për Kukësin dhe me kuksianë

Nga Pirusti News
2 523 Shikime

Nga Aleksandër NDOJA/ Kryeredaktor.

“Kukësi ishte edhe portë e parë njerëzore e bujare për mijëra qytetarë të Dardanisë në vitin 1999, të cilët përndiqeshin kriminalisht nga satani i Ballkanit të asaj kohe”.

 

 

 

 

 

 

 

Kur në fillimpranverën e vitit 2013, një grup intelektualësh vendor mirditas, njerëz të letrave kryesisht por edhe të artit e kulturës, të prirë nga Pjetër Marku u mblodhëm në një ambient kulturor për krjimin e Shoqërisë Kulturore Artistike “Mirdita”, shumë ide ishin akoma në fazë konturimi. E krijuar në Mirditë me themelues mirditas, natyrshëm në ballinë do të kishte emrin e trevës ku pati fillesën. E ndërsa procedurat vijonin në shtratifikim ligjor, nisi diskutimi mbi botimet me të cilat do të arrinim qëllimet e caktuara në statusin themelues të saj.

Pa shumë diskutime u vendos që botimi kryesor i Shoqërisë Kulturore të ishte revistë po me emrin e trevës, pra revista “Mirdita”. Puna vijonte natyrshëm, aq sa në pak kohë ideja fillestare kishte marrë rrugë jashtë çdo parashikimi. Pra revista “Mirdita” dhe vetë aktivitetet e Shoqërisë Kulturore, tashmë Akademi e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” kërkonin hapësirë, përtej krahinës që e ngjizi dhe e hodhi në tregun mediatik.

Në fakt për këtë nuk pati asnjë dilemë. Në vetëdijen tonë natyrshëm në mendje na erdhi Kukësi, një trevë krenare me histori të lavdishme dhe burra të shquar në rrjedhat e historisë. Pothuajse e gjithë treva e Mirditës që nga tetori i vitit 1959 kur nisi për herë të parë e për dekada me rradhë, ndiqte me mjaft kërshëri valët e Radio Kukësit, sidomos zërat e shquar të këngëtarëve e valleve kuksiane.

Përmes valëve të kësaj radioje mirditasit shijuan zërin brilant të këngëtarëve Lirie Meka, Flutura Palushi, Kleopatra Dokle, Hekuran Çurçalli, Nuhi Elezi,Maliq Cena, rapsodët e Lumës, e shumë e shumë zërave të tjerë të mëvonë.
Përmes kësaj radioje u njohëm me rapsodin dhe valltarin e famshëm Ymer Shehu, lodraxhiun më të famshëm shqiptar Xhemali Toçilla, por dhe rapsodët e famshëm Dida, Ngjeci e Kovaçi, si dhe muzikantë të mirënjohur si Zef Gruda, Hamdi Gjana, Binak Elezi, orkestrantë si  Petrit Sinamati, Rita Muja, Bashkim Selmani dhe i famshmi Sheqer Ademi.

Ndërsa po aq fuqishëm kemi dëgjuar zërin e papërsëritshëm të aktorit Qazim Velia në rreth 400 emisione për fëmijë, aktor 40 vite në teatrin e Kukësit, dhe si rregjizor i teatrit të kukullave. 

Kukësi ka një përvojë të gjatë mediatike edhe në fushën e artit dhe kulturës. Në Kukës kanë lindur penda të arta, shkrimtarë e poetë të mirënjohur si  Qemal Mata, Agim Spahiu, Hysen Shehu, Petrit Palushi, Dilaver Bajraktari drejtues kulture Ali Bardhoshi, Emri Allaraj, Dashnor Zyberi, Bilbil Hereni,  Zehrudin Dokle, studjues e shkrimtarë si Shefqet Hoxha, Nazif Dokle, Vera Istrefaj e shumë të tjerë për të cilët është shkruar dhe janë lexuar.

 E ndërsa penda jo të pakta vijnë nga fusha e gazetarisë profilizuar në Radio-Kukësi kryesisht, por edhe në mediume të tjera të kohës. Nuk mund të çvleftësohet kurrë puna e palodhur dhe kualitative e redaktorëve të parë si Hamdi Shllaku, Naim Mani dhe Ndue Ukcama, por edhe gazetarëve të mëvonë si Bashkim Shala, Jonuz Hallaqi, Sulejman Dida, Milazim Halili, Blerina Halili, Mirjana Perzhita, Klementina Dika e Zaim Basha.

Janë shumë arsye pse jemi krenarë që porta e parë për të dalë nga konturimi i një treve themeluese ishte Kukësi, edhe për arsyen më madhore se Kukësi ishte portë e parë njerëzore e bujare për mijëra qytetarë të Dardanisë në vitin 1999, të cilët përndiqeshin kriminalisht nga satani i Ballkanit të asaj kohe.

E për ta vendoshur këtë komunikim, natyrisht ishte e lehtë falë njohjeve të shumta, miqve të përbashkët. Janë të shumtë kuksianët që kanë punuar, drejtuar dhe jetuar në Mirditë, ashtu siç janë të shumtë mirditas që kanë jetuar, punuar e drejtuar në Kukës. Janë miqësi ndër vite, bashkëpunime familjare e miqësore mes dy trevave, ndërsa pendat dhe letrat kanë bërë mrekullinë në histori e pikërisht këtë kanë bërë dhe po bëjnë në Kukës. Një numër special vetëm për Kukësin dhe vetëm me kuksianë është shembulli më i mirë se çfar mund të bëjë arti dhe kultura.  

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest