Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Në Dugajevë të Klinës, për Nënë Terezen shqiptare të botës

Famullia e Dugajevës dhe forumi intelektual “Luigj Gurakuqi” një akademi me rastin e 45 vjetorit të çmimit “nobël”

Nga Pirusti News
9 003 Shikime
SHPERNDAJE

Kur plot 22 vite më parë prelati i mirënjohur i Kishës Katolike dr. Gjergj Gjergji nisi të “gërmonte” për ndërtimin e një Kishe kushtuar Nënë Terezës në një kodër plot me lisa shekullorë në Dugajvë të Klinës, shumë besimtarë apo banorë të këtij fshati e kishin pyetur se si është e mundur që po ndërtonte një Kishë të tillë, kur Nëna Terezë as nuk ishte lumturuar, apo shenjtëruar.

Me besim të plotë dhe tejet i sigurtë meshtari u përgjigjej se, nëse Nëna Tereza nuk do të shenjtërohet, atëherë kush tjetër mund ta kishte këtë fat përpara kësaj nëne të madhe…. E ndërsa puna për ndërtimin e kishës vijontë papushim, ideja e Dom Gjergj Gjergjit për ndërtimin e një Kishe shumë funksionale kushtuar Nënë Terezës ndërpritet në mes, pasi pikërisht më 25 shtator 2016 kaloi në amshim, ndërsa për vite të tëra kishte gjurmuar, hulumtuar dhe zbuluar shumë dokumente arkivore në Romë, sidomos në Arkivin e “Propaganda Fide”, si dhe në Vjenë, Paris, Londër, Stamboll, Selanik, për t’i ndriçuar rrënjët e lashta dhe martire të Kishës Katolike në Popullin Shqiptar.

Në fakt Dom Gjergj Gjergji vetëm në pak ditë e kishte parë e jetuar profecinë e tij, sepse 5 shtator 2016, vetëm 20 ditë para se famullitari i Kishës së Nënë Terezës kaloi në amshim, nëna e të gjithë të varfërve të botës u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj, përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Edhe se qendra akoma nuk ka shkuar në parametrat e ideura nga Dom Gjergji, banorët e Dugajevës krenohen dhe kanë të drejtë të krenohen se Kisha e tyre është e vetmja deri tani e cila që në themelet e saj i është kushtuar Nënë Terezës, dhe e vetmja që njihet si e tillë, pra Kisha e Nënë Terezës.

Drejt Dugajevës për të ndjekur aktivitetin e rradhës vjetor kushtuar Nënë Terezës, organizuar nga meshtari i kësaj Kishe, Don Ambrozi dhe forumi intelektual “Luigj Gurakuqi” i Klinës.

E ndërsa afron data 5 shtator, datë që përkon me shenjtërimin e Nënë Terezës, nuk ke se si të mos i përgjigjesh ftesës së Forumit Intelektual të Klinës, kryesuar nga profesori Pal Canaj, për të marrë pjesë në këtë aktivitet që prej tre vitesh me rradhë e organizon dom Ambrozi. Për të mbërritur në Dugajevë duhet të marrësh rrugën nga Klina në drejtim të Pejës për rreth 4-5 km, ndërsa një tabelë të njofton se duhet të kthehesh në 90 gradë majtas, për të mbërritur në këtë fshat. Pasi mbërrin në qendër, një rrugë e ngushtë e shtruar me kujdes e mjaft piktoreske të ngjit majë malit, aty ku Nënë Tereza të pret krahëhapur, ndërsa sheshi para Kishës është i mbushur si asnjëherë.

Sapo mbërrijmë në sheshin para Kishës, një nga stafi na del përpara për të na vendosur në rradhën e parë mua, juristin Llesh Jaku që vinim nga Mirdita në Dugajevë, si dhe Dod Ndrecaj, udhërrëfyesi jonë i përhershëm në eventet dhe ftesat tona që vijnë nga treva dardane.

Moderatore e këtij eventi është Martina Nikprelaj, një besimtare e kësaj famullie, prindërit e sëcilës janë kontributorë të njohur të kësaj Kishe. Martina vetë është një vajzë e re, ka një zë kumbues me mjaft tonalitet, një e folur letrare kombinuar mjaft mirë me gjuhën e trevës së saj, që bën ta dëgjosh me kënaqësi. Pra gjuha që përdor nuk është imitim i sforcuar për tu dukur, thjeshtë është vetvetja në natyrshmërinë e saj. Edhe pse ka fuqinë e mikrofonit, nuk të imponon në asgjë, që ngrihesh apo të ulesh, të kërcesh apo të këndosh në një aktivitet të tillë. Dekori i këtij eventi plotësohet nga një tjetër Martinë e kësaj famullie, Martina Berisha, një këngëtare në start, mjaft imponuese me zërin e saj kumbues, zë të pushton kodrën e Dugajevës, në një këngë për Nënë Terezën. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe një poete e talentuar Brenda Gojani, e cila recitoi një poezi kushtuar Nënë Terezës, nga një autor i huaj, përkthyer nga Dod Ndrecaj.

Mesha drejtohet nga dom Lush Gjergji, një promovues i jashtëzakonshëm i Nënë Terezës. Dom Lush Gjergji të lë pa fjalë në atë çfarë artikulon me shumë pasion. Ka shumë të drejtë pasi ka pas fatin e madh që Nënë Terezën e ka takuar shumë herët, që kur ai ishte student i filozofisë, ndërsa ka pasur takime të shumta deri edhe në Kalkuta të Indisë. Nëse mesha të dikton për rregullat e veta, herë pas here dom Lushi, duket se “shkel” rregullin duke folur plot pasion mbi detaje shumë të rralla të jetës dhe aktivitetit të Nënës Terezë, deri dhe në tentativën e saj për të refuzuar çmimin “Nobël” 45 vite më parë. Mesha u mbyll me mjaft vëmendje, ndërsa u vijua me akademinë e organizuar nga Forumi Intelektual “Luigj Gurakuqi” i Klinës.

Në fillim, famullitari i kësaj Kishe, dom Ambroz Demaj, ka falenderuar të gjithë besimtarët e kësaj famullie për mbështetjen e këtij aktiviteti, i treti në rradhë, ndërsa falenderim të veçantë ka adresuar për kryetarin e komunës së Klinës, z. Zenun Elezi dhe nënkryetaren e kësaj komune, Marqe Tanushi Selmani, të pranishëm në këtë akademi. Në vijim të aktivitetit mbi veprën e Nënës Terezë kanë referuar me kumtesat e tyre Dom Lush Gjergji, Dom Nik Ukgjini, Pal Canaj, Nikoll Gojani e shumë të tjerë. Më mjaft interes u prit edhe fjala e njërës prej motrave të Nënës Terezë.

I ftuar për të marrë fjalë në këtë takim, në përshëndetjen e shkurtër, më këtë rast falenderova vetë Nënë Terezë për mundësinë që më dha të isha pak orë në Dugajevë për të marrë pikërisht pjesë në një takim të tillë për Nënë Terezën. Duke shprehur mirënjohjen time për veprën e dom Gjergj Gjergjit për këtë dhuratë të bukur në kodrën e Dugajevës, vlerësova faktin se ishte e tepërt të flisja për Nënë Terezën, kur dëgjon referencat e jashtëzakonshme të Dom Lush Gjergjit, referenca që i kisha dëgjuar disa vite më parë në sallën e tejmbushur të Pallatit të Kulturës në Mirditë.

Akademia kushtuar Nënë Terezës vijoi me ndjekjen e një ekspozite me fotografi mbi aktivitetin dhe jetën e Saj ndër vite, si dhe me një coctail miqësor mes besitarëve të famullisë dhe të ftuarve të cilët padyshim u shprehën mjaft entuziastë mbi këto aktivitete që zhvillon Kisha e famullisë së Dugajevës, në Klinë.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest