-REPORTAZH-
Nga Aleksandër NDOJA
Është mëngjesi i herët i së shtunës kur përmes një shiu të dendur sëbashku me piktorin Pjetër Marku dhe ekonomistin financiar dhe jurist Ndue Ndoj, marrim rrugën drejt një destinacioni “përtej rehatisë autostradale”, në fshatin Ujanik, pjesë e Njësisë Adminstrative Gjerbës në rrethin e Skraparit, pjesë e qarkut Berat.
Belshi dhe liqenet që pasqyrojnë shpresën dhe sfidat.
Në të dalë të tunelit përshfaqet një tjetër pamje. Edhe pse lamë pas në Tiranë një shi të dendur, në atë anë dukej se kishte kohë pa rënë shi. Është ende herët dhe ditë e shtunë, ndaj dhe Elbasani duket se fle, njëlloj si ish – metalurgjiku fushës së Bradasheshit, ndaj zgjedhim që ndalesën e parë të bëjmë në Belsh. Është folur shumë sidomos për transformimin vitet e fundit të kësaj qyteze që natyra i ka falur më shumë se 80 liqene natyrore, të shpërndarë në një sipërfaqe relativisht të vogël. Kjo e bën Belshin një nga zonat me përqendrimin më të lartë të liqeneve në Shqipëri. Këto liqene janë kryesisht me origjinë karstike dhe ndodhen në luginat midis kodrave.
Liqeni i Belshit (më i madhi dhe më i vizituari) pasohet me të tjerë si ai i Seferanit, Dymbëdhjetë Krerëve, i Merhojës, i Cestijes, i Thanasit, i Dushkut, etj, etj. Kjo situatë në Belsh të kujton Zvicrën përsa i përket numrit të liqeneve ndaj dhe janë të rëndësishëm si për biodiversitetin, ashtu edhe për turizmin natyror dhe kulturor të zonës. Zona është kthyer në një atraksion gjithnjë e më i njohur për vizitorët vendas dhe të huaj.
Këtu pronarët dhe punonjësit e bisneseve nisin punën për pastrimin dhe arredimin e ambienteve brenda e jashtë, siç duket pas një natë të gjatë të mbushur me turistë, sidomos të huaj. Ajo çfar konstatojmë pas një kafeje të shpejtë është dëshira e vendasve për të ruajtur pamjen e një qyteze ndër më panoramiket dhe më të bukurat ndoshta në Ballkan, por dhe një mungesë serioziteti nga njerëz të papërgjegjshëm përsa i përket liqenit, sepse në të shikoje të pluskonin shishe plastike, apo ndonjë element tjetër.
Berati dhe kujtimet e një ekonomisti.
Rruga vijon fushave të Dumresë me drejtin Beratin. Pamjet janë mahnitëse, madje të pabesueshme, kur i referohesh “zhurmave të bulevardeske“. Është dhe stina e pranverës që ofron pamje të tilla, por edhe puna dhe përkushimi i vendasve. Të gjitha hapësirat bujqësore janë sistemuar si një një tablo piktori. Fushat janë punuar dhe gruri është në të zverdhur, ullinjtë që “popullojnë” kodrinat janë të sistemuar, të pastruar, madje dallohen qartazi plantacione të krijuara rishtazi, ndërsa shikon pafund sera plasmasi ku rritet dhe nxirret në treg domatja tani, por edhe perime të tjera.
Në Berat ndalesa është krejt e shkurtër. Aty na pret “udhërrëfyesi” i më tutjeshëm Kristaq Mamillo. Ai është një ekonomist i mirënjohur i atyre anëve. E ka nisur karrierën e tij në financa me të mbaruar universitetin në vitin 1967. Është me origjinë të herëshme nga Përmeti, por të parët e tij janë vendosur në Skrapar, por i “degdisur” si financier i kooperativës së Gjerbësit, ku i duhej katër orë e gjysëm për të mbërritur në familje, më pas në Poliçan e Berat, deri dhe kur ka dalë në pension.
Poliçani dhe hijet e një fabrike armësh.
Sëbashku e Mamillon vijojmë rrugën drejt Poliçanit. Një ndalesë e shkurtër për një kafe në Poliçan dhe më tej, rruga na çon përbri fabrikës së municioneve. Është hera e parë që më rastis të jem aq pranë mbi kodrën ku shikon si në pëllëmbë të dorës fabrikën me shumë histori. Ne krahun e djathtë tonin është një qytezë e plotë e ngujuar në mal. Kristaq Mamillo thotë se për shumë vite ishte shefi i financës i kësaj ndërmarrje. Teksa na tregon tunelet e shumta rrëfen se ishte planifikuar që e gjithë fabrika të zhvendosej në hapësirën nëntokësore të malit. Ishin ndërtuar vendet për pajsjet e prodhimit, për zyra, ambulancë mjekësore, por edhe në anën e epërme u ndërtua një tip ashensori nga ku futej lënda e parë dhe pajisjet, por dhe hapësira nga ku mund të rrotulloj kamioni me rimorkio.
Të ndaluar aty, në bisedë e siper ndalon një automjet benz i hershëm. Shoferi i cili na tha se quhej Pëllum Çela na pyeti se pse jemi ndaluar dhe ca lidhje kemi me fabrikën. Pas pak ai shquan shoqëruesin tonë Krastaqin të cilit ju drejtua me përulësi dhe mirënjohje. Ti i tha, nuk më mban mend mua, por kur erdha në fabrikën e municionit diku 17 vjeç i gjithë qyteti të kishte idhull. Përveç si financier i zoti ishte edhe mësues në shkollën profesionale që u hap këtu duke lënë respekt dhe mirënjohje në qytetin me histori të rrallë në komunizëm, por që tashmë hesht.
Fjalët dhe kujtimet e dy bashkëvendasve nuk mbarojnë, por ne duhet të udhëtonim. Në atë bisedë përmbledhtazi u tha se fabrika e municionit në Poliçan, e njohur si Kombinati Mekanik Poliçan, ishte një nga objektet më të rëndësishme të industrisë ushtarake shqiptare të periudhës komuniste. E themeluar në vitin 1962, ajo u ndërtua me qëllim për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për prodhimin e armëve dhe municioneve.
Gjatë dekadave të regjimit komunist, Poliçani u kthye në një qytet të mbyllur dhe të mbrojtur, ku informacioni për aktivitetet industriale ishte i klasifikuar. Fabrika prodhonte fishekë 7.62×39 mm për armët Kalashnikov, granata ofensive dhe mbrojtëse, mina antipersonale dhe municione për mortaja 82 mm.
Çorovoda – një qytet në këmbë mes maleve.
Nuk kalojnë më shumë se 20 km në një rrugë plot kthesa, por e mirëmbajtur teksa na shfaqet një qytezë në shpat mali. Është Çorovoda, qendra e administrative e Skraparit. Qyteza me pamje bashkëkohore duket si një oaz i rrethuar mes malesh. Në pamje të parë të duket se qyteti gëlon mes veti. Dielli ka rënë mbi qytet dhe qendra është mbushur me njerëz që i gëzohen kësaj pamje. Bisneset kryesisht lokalet janë mbushur me banorë që “gjerbin” kafen e mëngjesit. Tregu në të hyrë të qytetit lëviz pafund. Janë banorë të fshatrave rrotull, por dhe tregtarë që vijnë na Berati e Poliçani.
Ndërsa ne ndjekim ritualin tonë, këmbet na çojnë një kafen e katit të parë të turizmit qëndror të qytetit. Dy tre qen gjigandë në hyrje të turizmit nuk janë aspak shqetësues, pasi janë nën shoqërimin e pronareve të tyre. Sapo zëmë vend në tavolinë, përballë vjen kamarjerja një mesogrua, diku mbi të 60-tat. Teksa bisedojmë rreth porosisë tonë, biseda diku ngec në vatrat e kujtesës së herëshme. Kamarjeres i tërheq vëmendjen diksioni i zërit Ndue Ndojt, ndërsa ky i fundit artikulon emrin Engjellushja, pa mundur të kujtojë mbiemrin. Pasi u thelluan në kujtimet përtej dekadave, na thanë se kishin qënë shokë të një kursi për teknologë ushqimorë, plot 40 vite më parë. Kishin kalur katër dekada pa asnjë komunikim dhe ja në pak minuta, ato treguan mbi udhëtimin gjatë dekadave. Kamarjerja tha se me të mbaruar shkollën ne 1985, punova si teknologe ushqimore në Ndërmarrjen e Grumbullimit deri kur ajo u mbyll, më pas në Zyrën Postare, deri kur disa vite më parë ishte larguar nga një reformë, ndaj punonte kamarjere, megjithëse fëmijët i kishte rritur e shkolluar, ndërsa punonin në vende mjaft ekselente.
Më pas bisedës tonë ju bashkua dhe mjeku pediatër i Çorovodës dr. Abdulla Dule, mjaft i respektuar në zonë. Ai shprehet se kishte disa vite që kishte mbushur moshën për të dalë në pension, por i kishin bërë thirrje të jepte kontribut në spital, kuptohet edhe për mungesë mjekësh të kualifikur.
Drejt Gjerbësit përmes Tomorricës.
Në fakt është një rrugë e asfaltuar që të çon në Gjerbës duke nisur nga kryqëzimi i Mbrakullës, pa mbërritur në Çorovodë, rrugë e cila kalon nga qafa e Kulmatit. Por meqë ne donim të shkonim në Çorovodë, morëm rrugën tjetër.
Rruga rurale që lidh Çorovodën me Gjerbësin, në rrethin e Skraparit, është një aks malor prej 15 deri në 20 kilometra me rëndësi për komunitetin lokal dhe potencial për zhvillimin e turizmit natyror.
Rruga kalon përgjatë lumit të Tomorricës dhe përshkon disa fshatra të njësisë administrative Gjerbës. Disa nga fshatrat që ndodhen përgjatë këtij itinerari përfshijnë Kërpicë, Tërrovë, Rromas, Dunckë,Trebël, Shpatanj, Gradec, Brerimë.
Kristaq Mamillo një njohës i shkëlqyer i kësaj ane, thotë e gjithë zona përgjatë kësaj rruge ofron peizazhe malore të bukura dhe është një destinacion i mundshëm për ecje në natyrë dhe eksplorim të kulturës lokale. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të ndihmonte në zhvillimin e turizmit dhe në përmirësimin e jetesës së banorëve lokalë.
Gjerbësi – midis legjendës dhe harresës.
Automjeti ynë ndalon në qendër e cila është e rrethuar me disa bisnese, të gjitha kafene ose dhe ndonjë restorant. Ka shumë pak njerëz dhe pronarët e kanë të lidhur bisnesin e tyre kryesisht me vizitorët jo të paktë vendas dhe të huaj, që kanë ardhur duke u shtuar jo vetëm për klimën e paster por edhe për disa vende të shenjta, pasi zona e Gjerbësit është e pasur me vlera shpirtërore, kulturore dhe historike, veçanërisht të lidhura me kultin e Tomorrit, ritualet bektashiane dhe vendbanimet e lashta. Disa prej vendeve të shenjta dhe objekteve me rëndësi në këtë zonë përfshijnë:
Teqeja e Abaz Aliut ndodhet në Tomorr por është e lidhur ngushtë me Gjerbësin, pasi shumë pelegrinë ngjiten përmes luginës së Tomorricës që kalon përmes Gjerbësit.
Tyrbja e Baba Mukos në Gjerbës, një tjetër vend i shenjtë i bektashinjve lokalë.
Pelegrinazhe dhe ceremoni zhvillohen çdo vit, veçanërisht në gusht dhe në ditët e shenjta të kalendarit bektashian.
Në disa pjesë të Gjerbësit gjen vende ku njerëzit ndezin qirinj, bëjnë lutje dhe lënë sende simbolike, në pemë, gurë ose burime uji. Gjithashtu Gryka e Tomorricës dhe lugina e lumit janë të konsideruara nga banorët si vende me energji të veçantë, ku shpesh ndalen për pushim, lutje apo reflektim.
Këtu udhërrëfyesi jonë Mamillo takohet me shumë njerëz të cilët shprehnin mirënjohjen e tyre për shefin e financës që e gjeti pagesën e ditës së punës 45 lekë, por në kohë rekord e çoi ne 150 lekë, ndërsa kujtonte vendin ku ishin zyrat e kooperativës, ndërtesën ku flinin kuadrot si edhe shkollën e mesme e cila qëndronte në këmbë, por që ishte mbuluar nga bari dhe në oborrin e saj gëzonin ca pula të fshatit.
Ujaniku – në zemrën e natyrës dhe historisë.
Nuk është në distancë të largët, rruga është tepër malore, në drejtim të majës së malit të Tomorrit. Vendi është i mbushur me lajthi dhe arra, por edhe me pemë të tjera. Panorama është madhështore mes malesh të shumta që janë veshur me gjelbërim.
Emri “Ujanik” rrjedh nga burimet e shumta ujore që ndodhen në zonë. Sipas burimeve historike, rreth dy-tre shekuj më parë, toka dhe pyjet e Ujanikut zotëroheshin nga vllehët (çobanët), të cilët më pas u larguan në zonën e ulët të Myzeqesë. Më vonë, këto toka u blenë nga Musabelli nga fshati Grëmsh, dhe fshati u nda në dy lagje: lagjja A (Salikot) dhe lagjja B (Vrenozët)
E teksa udhëton në ato rrugë plot kthesa, kujtesa të çon në shumë emra të kësaj zone të cilët i ke njohur ose ke dëgjuar për ta. Nuk është vështirë të rendisësh disa prej tyre, pasi është e njohur se fshati Ujanik dhe Gjerbës, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë përmes figurave të shquara që kanë lindur ose janë lidhur me këtë zone, duke evidentuar disa si më poshtë
Mestan Ujaniku – Patriot dhe ushtarak
Kahreman Ylli – Rektor i Universitetit të Tiranës
Zylyftar Veleshnja – Hero i Luftës Nacionalçlirimtare
Dervish Iljaz Qafoku – Klerik bektashi dhe themelues i Teqesë së Kulmakut
Ermonela Jaho – Soprano me famë botërore
Visar Zhiti – Poet dhe shkrimtar
Xhevahir Spahiu – Poet i njohur
Ilva Tare – Gazetare dhe moderatore
Mustafa Nano – Analist dhe diplomat
Irfan Hysenbelliu – Biznesmen dhe pronar mediash
Këto personalitete dëshmojnë për kontributin e jashtëzakonshëm të Ujanikut dhe Gjerbësit në historinë, kulturën dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Në bujtinën e Hekuran Musabelliut.
Këmbët na çojnë në pragun e bujtinës Musabelliu. Në hyrje na del pari i “zoti i shtëpisë” Hekurani, një 64 vjeçar që punon pa pushim. Ai ndihmohet nga bashkëshortja, pasi siç thotë ai, këtu nuk gjen askënd për ta punësuar. Megjithatë ai vetë, ndonjëherë dhe me ndihmën e tre djemve të tij që i ka emigrantë në Angli dhe Gjermani, ja ka dalë të përshtasë banesën e tij në një ambient të frekuentuar dhe të vlerësuar nga turistët. Ka mundur të kompletojë në formatin bashkëkohor dy katet me nga katër dhoma, ndërsa po punonte me katin e parë, me disa specialiste të mbërritur aty nga Tirana, për ta kthyer dhe atë kat, në një sallë ngrënie dhe relaksi.
Hekurani thotë se ka plot punë. Është mjaft i qeshur, bujar dhe shumë komunikues. Të flet pa fund për mundësitë që ofron fshati aty, për të cilin thotë se është reduktuar në 4-5 familje, me të moshur.
Ushqimi është “bio” natyrisht. Gjithçka e prodhur aty. Nuk e kupton nëse është kos apo djathë, ndërsa mishi është gatuar ne bidon të mbyllur. Ullinj, patate e zarzavate të tjera janë prodhur aty, e natyrisht dhe vera e rakia.
Nga piktura në dhuratë: arti si urë mes miqsh.
Ne, përveç të tjerave kishim sjellë dhe një dhurate për Hekuranin dhe bisnesin e tij. Bazuar mbi një foto të Hekuranit, piktori Pjetër Marku më herët kishte realizuar një pikturë në përmasa të konsiderueshme. Pas dorëzimit, piktura u vlerësua maksimalisht për artin e treguar në përshkrimin e karakterit të Hekuranit.
Pas tre orë qëndrimi ne Ujanik, marrim rrugën për tu kthyer përmes një rruge që kalon nga qafa e Kulmakut për në Mbrakull. Pikërisht me të dalë nga bujtina e Hekuranit, në më pak se 500 metra takojmë asfaltin. Në ngjitje e sipër shohim dhe bujtina të tjera, ndërsa kulmon kompleksi “Bora” me fabrikën e saj të ujit të mirënjohur, por edhe hapësira të bollshme për akomodim hotelier dhe restorante.
Rruga gjarpëron mes malesh ku dhjetëra gurore gërryejnë pafund në nxjerrje të masiveve, kryesisht gurë dekorativë të cilët vendasit i quajnë “mermer”, si dhe gurë gëlqerorë. Këto materiale përdoren në ndërtim dhe për qëllime dekorative, duke përfshirë prodhimin e pllakave për fasada, dysheme dhe elementë të tjerë arkitektonikë.
Sidoqoftë pas disa kilometrave mbërrijmë në rrugën kryesore në Mbrakull, pasi i jemi rrotulluar pothuajse në 3600 malit të Tomorrit, në një guidë të munguar deri sot, në Shqipërinë juglindore.
Ujanik 24.05.2025

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

