Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

“Takimi që zgjati një jetë: Një histori nga Rrësheni i vitit 1990”

Nga Pirusti News
1 053 Shikime
SHPERNDAJE
Rrëfenjë nga Estela Ruka.

Ishte viti 1990, Rrëshen – Mirditë. (Pak kohë pasi presidenti Alia ishte kthyer nga një vizitë në SHBA.)

… Troket dera e shtëpisë. Hap derën dhe përballë më del një burrë, që menjëherë hedh dy hapa pas, si për të thënë: “Nuk dua t’ju shqetësoj.” Habitem. Me shpejtësinë e erës, e njoh fytyrën e tij. Ishte një nga “kalecat”, siç quheshin atëherë punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme. Emrin nuk ia dija, as e mësova ndonjëherë.

“Mirdita,” – më përshëndet me zë të ulët. – “Doja të flisja me mësuese Klelian.”

“Nuk është në shtëpi për momentin,” – i them.

“S’ka problem,” – përgjigjet ai. – “Vetëm t’i thuash të paraqitet në Degën e Brendshme të hënën në orën 8 të mëngjesit.”

Fytyra e tij nuk shfaqte asnjë lloj egërsie, përkundrazi, dukej sikur përpiqej të mos më trembte. Një sjellje e pazakontë për kohën.

“Pa tjetër që do ia përcjell mesazhin,” – i them.

“Ditën e mirë,” – më thotë dhe largohet.

Mbyll derën dhe filloj të endem nëpër korridor, duke menduar pse e kërkonin mamanë në Degën e Brendshme. Në mendje më silleshin fjalët e atij burri – nuk ishin kërcënuese, por thjesht si një porosi. Po pse vallë? Çfarë kishte bërë mamaja që e kërkonin?

Aso kohe, mbaj mend, se nuk na pëlqente të kalonim para asaj ndërtese. Edhe punonjësve të saj u shmangeshim sa mundeshim…

Mezi prita të vinte mamaja. E trembur, i thashë që e kishin thirrur të hënën në Degë. Por i shtova se personi që e lajmëroi ishte i kujdesshëm në mënyrën si foli. Erdhi edhe babi nga puna, dhe i tregova të njëjtën gjë.

“Po çfarë të jetë vallë?” – i tha babi mamit. – “Mos ke rrahur ndonjë nxënës?”

“E more edhe ti!” – ia ktheu mamaja. – “Unë nuk prek fëmijët e mi me dorë, jo më të botës.”

“Po he pra, pse të kanë thirrur?” – nguli këmbë babi.

Mamaja ngriti supet dhe u mendua. Ishte e shtunë atë ditë.

“Kush pret deri të hënën për të mësuar pse të kërkojnë?” – tha babi.

“Eh, po ja, do vijë e hëna,” – ia ktheu mamaja. – “Do shkojmë e do shohim..

“Do shkojmë, the?” – e ngacmoi babi. – “Jo moj shoqe, do shkosh vetë, se mua s’më ka thirrur njeri.”

Aty më erdhi për të qeshur, por e mbajta veten.

Të hënën, mamaja u ngrit herët, piu kafen dhe u nis. Tek dera e Degës e priti vetë kryetari i saj:

Mirëmëngjes, mësuese Klelia. Urdhëroni brenda.”

Deri aty, çdo gjë i ishte dukur normale dhe me respekt. Më pas, u ulën përballë në zyrë.

“Si jeni, si po ju ecën puna? Fëmijët mirë?” – pyeti kryetari.

“Mirë, faleminderit,” – u përgjigj mamaja, me padurim për të mësuar arsyen e takimit.

“Zonjë,” – vazhdoi ai, – “ditën e shtunë një punonjës ju lajmëroi që të paraqiteshit. Po ju them direkt: Ju keni babain në Amerikë, apo jo?”

Mamaja, e njohur për qetësinë e saj, iu përgjigj menjëherë:

“Nuk e di ku është babai im. Di vetëm që më ka lënë dy vjeç dhe më ka rritur nëna ime e vetme.”

“Po, i dimë këto,” – tha kryetari. – “Por babai juaj kërkon t’ju takojë. Na sillni letërnjoftimin që të përgatisim pasaportën e udhëtimit. Të premten, do shkoni në Postën Qendrore në orën 4. Do kërkoni Romën dhe do lidheni me babain tuaj. Ka ardhur nga Amerika në Romë, sepse do t’ju takojë.”

Mamaja mbeti pa fjalë. Falënderoi kryetarin dhe doli e hutuar. Gjatë rrugës për në shtëpi, fjalët e tij i kumbojnë në mendje si një ëndërr. U ul në cep të divanit, kërkoi një gotë ujë… dhe unë, mezi prisja ta dëgjoja.

Të premten, të dyja shkuam në Tiranë, në Postën Qendrore. Në orën 4, kërkuam lidhje me Romën. Ishte hera e parë që e shihja mamanë të dridhej. Kur dëgjoi zërin e të atit që nuk e kishte dëgjuar kurrë, i ra të fikët…

Edhe unë fola me gjyshin. I thashë se për të më kishte folur shpesh gjyshja.

Pas disa ditësh, pasaporta ishte gati. Viza italiane ishte në rregull, sepse emrat e familjes ishin regjistruar më herët.

Në atë udhëtim shkuan mamaja, gjyshja dhe djali i dajës, që ishte vetëm 10 vjeç.

Në vitin 1990, mamaja ime ishte 52 vjeç. U deshën plot 50 vjet pritje, që të takonte për herë të parë – dhe të fundit – babain që nuk e kishte njohur kurrë.

Gjyshi ndërroi jetë në vitin 1991. Vuante nga Parkinsoni. Në lagjen Queens të Nju Jorkut, kishte lënë një amanet:

“Kushdo nga familja ime që vjen i pari, t’i dhuroni këtë pikturë. Është vajza ime në fotografinë e maturës.”

Piktura, e realizuar në vitin 1960, u dhurua vëllait tim kur shkoi në Amerikë në vitin 1993.

Sot, unë e ruaj atë pikturë. Është i vetmi amanet i gjyshit që takoi vajzën e tij vetëm një herë në jetë – por që nuk e harroi kurrë.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest