Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Pse kjo poezi për Mirditën e Veriut, kur vetë autorja është nga Jugu i Shqipërisë

Nga Pirusti News
2 470 Shikime
SHPERNDAJE

Nga një bisedë ne Estela Ruka, kur lexon poezinë më të fundit të saj, naryrshëm lind pyetja:
Pse kjo poezi për Mirditën e Veriut, kur vetë autorja është nga Jugu i Shqipërisë..?

Poezia “Prej Nan Lokës – Amaneti” lindi si një reflektim për një vend të veçantë në Shqipëri që quhet Mirditë.

Kam pasur fatin që në fëmijërinë e hershme të rritem pranë gjyshes nga nëna. Gjyshja ime, Zoica, ishte bija e një prifti ortodoks në Berat, At Vangjel Zilexhiu, i cili ka shërbyer në Kishën Ortodokse të Shën Dhimitrit në Berat. Ajo ishte martuar me profesor Theodhor Papalilon.

E edukuar me mësime fetare, gjyshja më mësoi që e vogël të lutesha dhe më lexonte Biblën çdo mbrëmje para se të flija – për mua, ajo ishte një përrallë e shenjtë. Fantazia ime fëminore fluturonte larg, veçanërisht te pjesët që përshkruanin mëkatin dhe ferrin, sipas Biblës.

Familja ime u vendos në Rrëshen, Mirditë, në vitin 1971. Kisha vetëm gjashtë vjeç. Aty, vit pas viti, nisa të dëgjoja nga vendasit shprehje si:
“Për atë Zot,”
“Pro i shenjtë Shenanue,”
– dhe duke u rritur mes fëmijëve mirditorë, kuptova se ata njerëz kishin një armë të fortë, ashtu si dhe unë: besimin në Zot.

Ndoshta kjo ishte arsyeja pse Mirdita më dukej si shtëpia ime e dytë. Respekti për njerëzit aty ishte i thellë dhe i natyrshëm.

Unë linda në vitin 1965, në një periudhë kur kishat dhe xhamitë ishin mbyllur në Shqipëri. Besimi fetar mbeti një vlerë që vetëm familjet me rrënjë të forta shpirtërore arritën ta ruanin të pastër dhe të pakompromis. I tillë ishte edhe besimi në Mirditë dhe tek mirditorët në përgjithësi.

Ndoshta ishte vetë Zoti që na solli si familje në atë trevë, për të na ruajtur e për të na dhënë kënaqësinë e të jetuarit pranë njerëzve besnikë ndaj Tij. (Sigurisht, kishte edhe përjashtime, si kudo, por nuk ishin shumicë.)

Që në atë kohë, më bënte përshtypje mënyra si mirditorët përshëndesnin njëri-tjetrin, edhe në rrugë apo fshatra, mes të panjohurish. Përdornin shprehje si:
“Si ke?”,
“Mirëmëngjes!”,
sikur të ishin miq të vjetër.

Sot, e kam vënë re një ndjesi të ngjashme vetëm në Shtetet e Bashkuara, ku njerëzit të përshëndesin me një “Hi” pa të njohur fare. Kjo më bën të kuptoj se Mirdita ishte përpara kohës së saj në njerëzillëk dhe komunikim.

Një tjetër gjë që më ka lënë mbresa është dashuria për arsimin që mirditorët kishin. Ishin të etur për dijen dhe ecnin me hapin e kohës.

Kisha dëgjuar histori për familjen Markagjoni që nga gjyshja ime. Bashkëshorti i saj – gjyshi im, Papalilo, që u arratis nga Shqipëria në vitin 1944 – kishte qenë mik i Markagjonëve që në bankat e universitetit në Itali.

Pra, për mua Mirdita është një vend miqsh që në breza.

Poezia “Prej Nan Lokës – Amaneti” është thjesht një tekst që, sipas meje, përfaqëson me dinjitet simbolin dhe shpirtin e asaj treve të bekuar që quhet Mirditë.

E pastë të mirë ditën Mirdita, gjithmonë me shpresën te i Madhi Zot!

Estela Ruka – Poezi

– Prej Nan Lokës – Amaneti.

Kur zbardh dita në Mirditë,
dielli artë ndriçon Valmorin,
falemners i tham nan lokës,
që m’ka rrit si mal arbënor.

Që më rriti me besim,
me trimni e me tradita.
Mikut i jap besë në votër,
bukë për trima shtroj në sofër.

Faqe t’bardhë, Mirdita ime,
të kënduam brez pas brezi.
Zotit ne i qofshim falë,
prej nan lokës amaneti.

Amaneti brez pas brezi,
djepi drunit i përkundi,
nuk harruam asnjëherë,
nga besimi kush s’na tundi.

Gurtë e kullave të vjetra
mbajnë histori arbënore,
nga këmbanë në këmbanë
jehon mali mbi Valmore.

O ju bijtë e nan lokës,
rrit si lisat në mal me borë.
Botës qark keni shëtit,
ka fal Zoti Mirditor!

Disa poezi te tjera nga autorja Ruka.

  1. Një Kujtim

Në memorjen e largët
ti ishe një nga pasionet
e pa gëzuara,
ndoshta të ndezura flakë,
aq sa për t’u shuar
në harresën e viteve.

Një dhimbje e brendshme,
e durueshme me të cilën mësohesha
ditë pas dite.
Një kthim koke që
kurrë nuk u gjend.

Pa pritur pashë
prezencën tënde,
si një ëndërr e harruar,
si një legjendë për t’u kujtuar
fshehur mureve të gurta.

Në pak fotografi,
nostalgji në vite,
harruar si puthja e parë,
në shumë puthje ishe vrarë.

M’i solle rrëkullimthi
të mbledhura gjithë harresat
si një tufë trëndafilash të bardhë.
Vallëzoja në kujtime,
ti partneri im.
Gjunjët nuk më mbanin më
si më parë…

Një tango doja të kërcenja
pa mbarim…
Ishte tepër vonë,
ah, ti…
një ikje pa kthim!

  1. Një Ëndërr

Më erdhe ne endër
si nje mall
si nje puhizë e ngroht
si nje fëmijeri lozanjare .
U rrite vetëtimthi
u bëre burrē
me ca thinja te vogla
flokeve te gjatē
te derdhur ujvarë mbi shtat .
Tē solli tek unē njē valē lozanjare
me dallgën e bregut
tē shuante zjarre
të shuante malle
qē si mbante dot
peshës se tyre
tē lara me lot .
Eh thash me vete
zgjuar a nē ëndër
tek shihja si drejtē meje vije
Une ikja si hije ,
Të kthehesha doja
të të perqafoja “ tē çmendesha “ ,
tek bluaja veten
nē dëshira
nē iluzione të humbura
tē mpira .
Më pe fortë ne sy
një buzēqeshie me fale
nga ato që di vetem ti
tek vloje nga dēshira
të më rrembeje tē gjithēn
ne atē lagështi të athēt
tē shkelje nē barin e zbathët doje .
Ndalova për një çast ikjen e gjatë
ti erdhe e mu fute ne shtrat ..
U zgjova me ankth e me deshire ,
Ti , paske qënē
dēnuar nga një mall ,
E une nga dashuria ,
për dreq a pēr djall ….!!!

E . Ruka
03 / 4 / 2020 .

  1. Në Ditën e Nënës

Në ditën e nënës
sot, më mungon,
e fjalën e thënë
nga larg ma dërgon.

Ti ishe gëzimi,
e vetë lumturia.
Mungon ledhatimi,
e jotja mirësi.

Se prisja mungesën,
legjendë dashuria jote.
Je vetë pavdeksia,
e ëmbla ndër mote.

S’ka të dytë si nëna,
se nëna është një.
Në ditën e nënës,
në çdo ditë me të.

Ti mbushe jetën time
vetëm me gëzime.
Shpresën për jetën
ma skalite, nëna ime.

Sa jetë të kem,
sa frymë të marr,
ti do jesh me mua,
shpirtërisht e pandarë.

Me fat që të pata gjatë në jetën time,
por shekuj s’do mjaftonin
të të kisha pranë, e shtrenjta nëna ime.

Dashuri ka jeta –
të vogla, të mëdha –
sublime për fëmijën
dashuria jote, mama.

“Oh, nënë!” belbëzojmë
kur kemi një hall.
“Oh, nënë!” psherëtijmë
sa herë malli të na marrë…

  1. Me T’Pas Dasht Ma Pak

Me t’pas dasht
ma pak
ma shumë do t’kisha
fitu kohë tuj mendu
n’veten time.

Me t’pas dasht
ma pak
kisha me i kursy
ato pika të lotit
t’shpirtit
kur i sillesh zemrës
me t’harrue.

Mallin
n’cep të buzës
me t’kujtu,
n’ato andrra t’jetueme
me pas me u zgju.

Me t’pas dasht
ma pak
tash e prap
do t’kisha largu
si msheh nata yjet
kur dita e re zbardh
mjeseve.

Kur m’zgjon
me i pik vesë
tuj m’puth buzën e drandofilit,
me t’pas dasht
ma pak –
a thu do m’kishe harrue?
A do t’kisha harrue?

  1. N’Qiell…

N’kup t’qiellit
drejtu i kanë sytë,
t’kaltra,
n’rreze drite,
n’liri t’mohume
toksor tu u zvarrit.

Prite, Zot, atë kuje!
Paj qielli e toka
dhuratë na erdh’,
gjithkujt me i përkit.

Dhe jeta e shkurtë,
njëqind të shkurtra vite
dhuratë e patme njat ditë.
U lindën n’tokë
zemra të dlira,
fatkeqësisht dhe vampirë.

Paj qiellin,
dritën dhe liritë
vampiri s’ka me i m’rrit.

N’hapësina hyjnore
rrojnë zemra t’arta.
Ne i shikojmë me yjet.

N’nadje rrezearta
përsëri do t’çohen
me shpresën
dhe liritë.

N’përrallat e t’arthmes
legjendë do t’kallxohet
triumf i dillit mbi baltërat.

Turpit t’toksorëve
do i krenohet
qielli
n’dashni të zjarrta!

  1. Shpirti

Ka shpirti
stinet e tij.
Pulsojnë në zemër të artë,
pranverën shijon.

Shpërthimet marramendëse,
aromës së manushaqeve,
gjelbërimit tërbuar
shërim kërkon.

Nga përrenjtë e rrëmbyer
që marrin çdo gjë me vete
e i fundosin
në detin e thellë të verës.

Ka shpirti ditë të arta
si në vjeshtë –
fillon e zhvishet
gjethe më gjethe.

Nudon e tij pasqyron
në pellgje heshtjeje.
Ka dimra me borë,
me bardhësi,
ka mot të zymtë
në çatinë e tij,
të çarave pikon shi.

Shpirti jeton
stinë më stinë
derisa të gjejë
e të humbasë dashurinë!

  1. Po Du Me T’shkru…

Po du me t’shkru një letër
sikur atëherë në kohët e para,
njësoj tuj mendu për ty
e tuj fshi rreshtat
me gomë të lapsit.

Se s’asht mjaft,
asnjë dashni e ndime
me u shkru aq bukur në letër
sa shpirti e këndon
ndër vedi
si kangën ma t’bukur që ndin.

E frigohet
që gjithë këtë dashni
me e hedh në letër,
se ndoshta
tash po hup rrugën,
e tash po ftofet
n’murrlan të kohës së keqe,
e tash po ma len bosh
vedin tem
n’atë thellësi
ma t’thell se oqeani.

Qi i thonë – shpirti jem.
Tutet se nuk i kthehet ma
aty e njejta dashni
qi ka për ty.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest