Letra drejtuar Konsullatave Evropiane nga Kuvendi i Shpalit në vitin 1902, përbën një dokument të jashtëzakonshëm historik dhe diplomatik, që pasqyron qartë dramën e një krahine shqiptare si Mirdita, e cila për pesë shekuj nuk e pranoi pushtimin osman si legjitim dhe ruajti autonominë e saj të trashëguar. Apeli i firmosur nga Senati dhe Udhëheqësit mirditas, i hartuar nga Dom Ndre Mjeda me nxitjen e figurave të shquara si Prenk Curri e Bib Meli, është një akt i rrallë i diplomacisë vendase që dëshmon për nivelin e organizimit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në një kohë kur mbijetesa e identitetit të tyre ishte në rrezik.
Kjo thirrje, në mënyrë të veçantë, dëshmon për funksionin institucional të Kuvendeve të Mirditës si organe jo vetëm të drejtësisë dhe rendit vendor, por edhe të përfaqësimit politik dhe diplomatik në përballje me perandorinë Osmane dhe fuqitë e mëdha të kohës. Ngjarja e rrëmbimit të kapedanit Preng Bib Doda nga ana e turqve paraqitet si një akt i rëndë antikushtetues dhe shkatërrues për strukturën tradicionale të pushtetit vendor, duke i dhënë këtij apeli jo vetëm karakter human dhe politik, por edhe legjitimitet juridik.
Gjuha e përdorur në apel është e fuqishme, e ngarkuar emocionalisht dhe e matur diplomatikisht. Ajo shpërfaq një vetëdije të lartë për drejtësinë ndërkombëtare dhe për rolin që fuqitë evropiane mund dhe duhet të luanin në mbrojtje të kombeve të vogla, sidomos atyre të krishtera nën Perandorinë Osmane. Apeli shpreh qartë se kërkesa e Mirditës nuk buron nga rebelimi, por nga kërkimi i barazisë, dinjitetit dhe ruajtjes së të drejtave historike, duke e ndërlidhur qëndresën shqiptare me frymën evropiane të nacionalizmit dhe vetëvendosjes.
Letra përmban edhe një notë paralajmëruese: nëse nuk dëgjohen institucionet, populli do të marrë vetë fatin në dorë. Kjo përshkallëzon natyrshëm kërkesën nga apel paqësor në një kushtrim për vetëmbrojtje kombëtare, duke paralelizuar qëndresën shqiptare me trashëgiminë heroike të Skënderbeut dhe luftërat për liri të popujve të tjerë të Evropës.
Së fundmi, ky dokument, i ruajtur në Arkivat e Vatikanit dhe i sjellë në dritë nga studiuesja Dr. Nusha Zhuba, është një provë e rrallë që shërben për të thelluar kuptimin e historisë shqiptare dhe rolit që kanë pasur institucionet tradicionale në mbrojtjen e sovranitetit lokal, në një kohë kur Shqipëria si shtet ende nuk ekzistonte. Është një kujtesë e fuqishme se kombësia shqiptare nuk lindi me shtetin, por i parapriu atij me ndërgjegje, qëndresë dhe vizion diplomatik.
(Shënimi im, Aleksandër NDOJA)
-Nga Dr. Nusha ZHUBA-
MJAFTON TË THEMI: “RROFTË SKËNDERBEU” DHE POPULLI I MIRDITËS DO NGRIHET NË KËMBË
Don Ndre Mjeda, ish-famullitari i Vigut, pjesë së Abacisë së Mirditës, së bashku me Pren Currin dhe Bib Melin, do u shkruanin kancelarive të Europës për gjendjen e Mirditës.
Që pas vdekjes së Bib Dodës, Mirdita kishte humbur privilegjet që Porta e Lartë i kishte dhënë (gjithmonë me ndërhyrjen e qeverive europiane të asaj kohe), ndaj dhe në letër kërkohej dhënia e këtyre të drejtave. Protestohet sepse ishte grabitur Preng Bib Doda, dhe me grabitjen e tij, Mirdita kishte kaluar në anarki, por nuk harron të kujtojë që pikërisht ata hajdutë ishin shpërblyer nga Porta e Lartë me poste në qeveri, duke tradhtuar dhe Mirditën.
Në letër ata shprehen të shqetësuar, duke thënë se po e mbanin mënjanë zemërimin e Mirditës, por nuk garantonin gjë se deri kur do ta mbanin, prandaj u kërkonin popujve europianë ndihmë, duke thënë se revolta dhe lufta nuk zgjidhin problemet, por u kujtojnë se populli i Mirditës po pret një shenjë, dhe shenja ishte “Rroftë Skënderbeu”. Mjaftonte të thirrej kjo fjalë dhe populli i Mirditës do ngrihej i tëri në këmbë. Pas kësaj letre, Dom Ndre Mjeda do burgosej e do largohej nga Mirdita, por shpirti i tij luftëtar gjeti në popullin e Mirditës frymëzim për bashkimin e këtij populli luftëtar. Fatkeqësisht, Kuvendi i Shpalit u kërkua të minimizohej, por ai ishte kuvendi i parë i fortë kundër qeverisë, që me mjete demokratike kërkonte të drejtën e të jetuarit si gjithë popujt e tjerë.
Kopje e apelit drejtuar Konsullatave të Qeverive Evropiane në Shkodër, e hartuar nga Don Andrea Mjeda me sugjerimin e Pren Currit dhe Bib Melit.
Zotërinj të shquar,
Për tridhjetë vjet, Qeveria Turke ka zhvilluar një luftë të ashpër kundër të drejtave dhe privilegjeve të këtij populli pesëshekullor. Duke rrëmbyer në mënyrë të paligjshme atë, të vetmin Kryetar që na siguroi të drejtat dinastike dhe antikitetet — duam të themi Prek Bib Doda — ky krishterim u gjet i braktisur. Borxhi u shlye me poste qeveritare për ata që u raportuan më shumë për grabitje dhe vjedhje; u punësuan midis atyre të cilëve u është besuar mbrojtja e rendit publik. U thamë kur pamë humnerën në të cilën donin të hidhnin dhe çamë në zemrat tona. Kërkesave tona të përsëritura iu përgjigjën vetëm me fyerje dhe indiferencë, nga një qeveri që ngopjen në krime e quan drejtësi dhe pafuqinë – qetësi.
Të plagosur nga ajo që është më e shtrenjtë për ta se sa substanca dhe vetë jeta, populli mirditor është tronditur nga një dridhje universale nga njëri skaj në tjetrin, gati të ndjekë rrugën në të cilën e ka prekur mizoria barbare duke i çuar ata drejt të drejtave të tyre. Dhe ne, Senati dhe Udhëheqësit e këtij populli, do ta tradhtonim ndërgjegjen tonë nëse nuk do ta deklaronim përballë qeverive të Evropës se jemi të detyruar t’i mbajmë mënjanë njerëzit tanë, nëse çdo rrugë drejt barazisë dhe drejtësisë do të ishte e mbyllur.
Nuk është fryma e revoltës që nxit rivendosjen e plotë të të drejtave tona dinastike dhe administrative, por respektimi i menjëhershëm për pjesën tjetër të Vilajetit të atyre reformave që Kabinetet e larta të Evropës, të tërbuara nga tërmetet e një qeverie të etur për gjak të krishterë, imponuan Portës së Lartë duke përsëritur kërkesën tonë. Të fortë në ndërgjegjen e drejtësisë së kërkesave tona, jemi të sigurt se do të dëgjohemi nga qeveritë të cilat nuk do të jenë në gjendje të tolerojnë në zemër të Evropës, në një distancë të shkurtër nga kufijtë e tyre, shkeljen e mëtejshme të atyre të drejtave për mbrojtjen e të cilave u shpenzuan kaq shumë jetë dhe kaq shumë dëme në Lindjen e Largët.
Por nëse britma jonë nuk dëgjohet prej tyre, ne do t’u drejtohemi popujve të krishterë të Evropës.
Ndoshta një jehonë e mjerueshme që përsërit vajtimin tonë për ata popuj që me gjakun e tyre shenjtërojnë parimin e kombësisë do të na vijnë në ndihmë, kur shqiptarët të thërrasin “Rroftë Skënderbeu”, do të ngrihen kundër një ushtrie tjetër të huaj dhe do të arrijnë fitoren në shekullin e ri, duke e parë atë të mbytur në gjakun e vet, duke luftuar për ruajtjen e të drejtave më të shenjta të Kombit.
Zotërinj shumë të shquar, dëshiroj që me kujdesin më të madh t’ia bëni të ditur Qeverisë suaj të Shkëlqyer dhe Qeverisë së Berlinit këtë Thirrje tonën. Kushdo që dyshon në vërtetësinë e saj, është i ftuar të pranojë personalisht dëshirat dhe idetë tona.
Shpal, 26 shkurt 1902 – Senati dhe Udhëheqësit e Mirditës
Materiali është marrë në origjinal nga Arkivat e Propaganda Fide.
Përgatiti: Dr. Nusha Zhuba

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

