Nga Pirusti News
Në një kafe pune, diku pranë qendrës së Tiranës, me historianin dhe specialistin e arkivave shqiptare z. Gjet Ndoj, biseda na çoi natyrshëm te disa figura të ndritura të kombit me origjinë mirditase.
Arsyet që të çojnë në këto lloj bisedash janë të shumta. Ndoshta një ndër to është edhe fakti se historia nuk mund të lihet në dorën e “të fortit të lagjes” apo të ndonjë individi me sindromën e “gjenialitetit absolut” që tejkalon çdo normë të arsyes, në kundërshtim me ligjin dhe vetë etikën e së vërtetës historike. Por kjo është një temë më vete, që do të trajtohet së shpejti.
Rasti e solli që biseda të ndalej te dy figura madhore të kombit shqiptar vëllezërit Ndre dhe Lazër Mjeda. Në përgjigje të një mosbesimi tim të çastit jo për mungesë besimi ndaj historianit Gjet Ndoj, por për ndjesinë gazetareske që kërkon dokumentim, ai më përcolli një material të rrallë dhe me vlerë, që po e ndaj me lexuesit tanë.
Bëhet fjalë për një letër memoriale të Arqipeshkvit Metropolit Imzot Gasper Thaçi, të datës 1 gusht 1937, me rastin e ndarjes nga jeta të Dom Ndre Mjedës, një ndër figurat më të ndritura të letrave shqipe dhe të Rilindjes Kombëtare.(Shënimi im, Aleksandër NDOJA)
Letër memoriale: Dom Ndre Mjeda
Imzot Gasper Thaçi, Arqipeshkëv Metropolit.
SHKODËR, 1 gusht 1937
Mbas një lëngate të shkurtë, u dá këso jete Dom Ndrè Mjeda, meshtar shëmbull, letrar i përmendun, veteran atdhetarie…
Këtë lajm të hidhur e mori Shkodra atë mëngjes gushti për ndarjen nga jeta të klerikut, poetit, filologut, atdhetarit, aktivistit të Rilindjes – Dom Ndreut.
I biri i Jakut, me origjinë nga Mirdita, dhe i Luçijës nga Iballa e Pukës, ai spikati që në moshë të vogël për inteligjencën e tij, duke rënë në sy të jezuitëve që e orientuan në rrugën e dijes dhe formimit të thellë kulturor e shpirtëror.
Dom Ndre Mjeda – në pak pika
- Studioi dhe mësoi në Spanjë, Francë, Austri, Poloni, Zvicër dhe Itali.
- U laurua në filozofi dhe teologji.
- Shërbeu si famulltar në disa vise të Veriut të Shqipërisë.
- Themeloi Shoqërinë “Agimi” në vitin 1902.
- Mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Orientalistëve në Hamburg.
- U ftua nga Universiteti i Budapestit për të themeluar Katedrën e Gjuhës Shqipe (projekt që nuk u realizua për shkak të internimit nga qeveria turke).
- Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe anëtar i Komisisë Letrare.
- Deputet dhe asambleist në vitet 1920–1924.
Zëri poetik i kombit:
Geg’ e toskë, malsi, jallia
Jan’ nji komb, me u da s’duron
Fund e maj’ nji á Shqipnia
E nji gjuh’ t’gjith na bashkon.
Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime
Ndër kto vllazën shoq me shoq,
Kush e dan me flakë e shkrime
Çka natyra vetë përpoq.
Një reflektim personal…
Mjedën e kam dashur jashtë mase si poet, por për shumë kohë nuk isha ndalur thellë në biografinë e tij. Para disa vitesh më tërhoqi vëmendjen një letër e Prof. Mark Ndoja, nxënës i tij, i cili i drejtohej me titullin “Mjeshtër”.
Sikur ta dinte Dom Ndreu, bashkë me shumë të mëdhenj të tjerë, se sa “tituj” janë dhënë sot – jo thjesht “Mjeshtër”, por “Mjeshtër i Madh” – brenda një mandati presidencial, do të “shkundeshin” aq shumë në varre, sa ndoshta do të gjeje Gjuhadolin në Kiras… zërzele.
(Në fakt, nuk është për të qeshur…)
Lavdi jetës dhe veprës së Dom Ndre Mjedës!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

