Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Një foto, një histori. DOKTOR HARILLA QË TË GJITHË E DONIN

Autori Luan Rama sjell historinë e Doktor Harillës që të gjithë e donin…

Nga Pirusti News
343 Shikime
SHPERNDAJE

-Nga Luan RAMA-

Kurbneshi qe një qytezë e vogël, e ngritur në prehër të bjeshkës së Valmorit dhe në brigjet e lumit Urakë.
Atë vend e bënte të madh dhe të njohur puna e palodhur dhe dashuria e njerëzve të tij. Përkushtimi i tyre, solidariteti i veçantë, fryma e një familjeje të madhe ku jetohej dhe punohej bashkë.

Në atë qytezë jetoi e punoi për shumë vite edhe mjeku Harilla Mone.
Shumë shpejt ai u bë vendas. Dhe vendasit, pa përjashtim, e donin. Sepse doktori nuk lodhej kurrë. Shërbimin ndaj banorëve, qoftë edhe atyre të fshatrave më të largëta, ai nuk e shihte si thjesht profesion. Për të, shërbimi për jetën e njeriut ishte pasioni i vetë jetës. Dhe ai e jetoi tërë jetën me atë pasion.

Bashkë me Viktor Gjikolën, për një kohë, patëm qenë nxënësit e tij. Sepse me doktorin kishim bërë disa leksione të gjuhës italiane. Teksa na mësonte gjuhën e Dantes, ai dukej i gjithi në një botë tjetër. Shpirti i tij endej mes tercinave të poetit të Beatriçes, i lirë e i shpenguar, pa pyetur për kufijtë brenda të cilëve jetonim.

Doktori ishte një banor atipik i qytezës së minatorëve. Për të nuk kishte klishe. Intelektual në kuptimin e plotë të fjalës, ai nuk ishte nga ata që i druheshin të vërtetës. Nuk dinte të bishtnonte e as të fshihej. Njohës i shkëlqyer i letërsisë dhe plot frymëzim kur fliste për autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore e kombëtare, ai spikaste edhe për sensin kritik të gjykimit. I vetëdijshëm për rrezikun që mbartte fjala, doktori nga Vlora, i bërë vendas në Kurbneshin e Mirditës, nuk bënte kurrë kompromise që cënonin karakterin dhe integritetin e tij.

Në të vërtetë, Kurbneshin nuk e kishte zgjedhur vetë. Në një farë mënyre, e kishin dëbuar aty. Dhe ata që e dëbuan, qenë kujdesur të “vrisnin” sa më shumë shpirtin e tij, duke e degdisur larg, mes njerëzish të panjohur. Ishte, në një farë forme, një “internim” më i butë.
Por kjo nuk e kompleksonte. Përkundrazi, shpesh dukej sikur e motivonte më shumë. Shumë shpejt ai u bë jo vetëm i respektuar e i dashur nga të gjithë, por edhe një referencë, një shembull i pëlqyeshëm.

Doktor Harilla qe një sfidant. Si i tillë jetoi dhe si sfidant iku nga kjo jetë – duke mbetur doktori që të gjithë e donin.

Këtë emocion që po ndaj me ju ma “provokoi” portreti i doktor Harilla Mones, punuar mjeshtërisht nga piktori Arben Theodhosi. Edhe ky, një sfidant tjetër i asaj kohe. Dhe me sa duket, ai ka ditur të gjejë në karakterin e doktorit pikërisht shpirtin rebel të sfidantit kryeneç, të një kohe që nuk qe aspak e lehtë të sfidohej.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest