-OPINION- Aleksandër NDOJA
Tema e pronës mbetet një nga fushat më të errëta të tranzicionit shqiptar — një plagë që politika nuk e ka dashur kurrë të shërohet. Pas çdo konflikti pronësie, pas çdo “vendimi gjykate” apo “leje ndërtimi”, fshihet një histori abuzimi, një dorë korrupsioni dhe një rrjet interesash që ushqehet nga mungesa e transparencës dhe drejtësisë.
Por tragjedia nuk është vetëm juridike, është edhe njerëzore.
Prej më shumë se tri dekadash, konflikti për pronën ka prodhuar mijëra viktima, plagë, burgime dhe armiqësi që janë trashëguar brez pas brezi. Çdo vit, kronikat e zeza regjistrojnë vrasje për gardhe, kufij apo një copë tokë, ndërsa shteti hesht ose reagon vetëm pas gjakut të derdhur.
Vrasja e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, brenda zyrës së tij të punës vetëm tri ditë më parë, është një tronditje kombëtare. Një akt që dëshmon se sistemi i drejtësisë është rrënuar deri në palcë, dhe se askush nuk është më i sigurt, as ata që duhet të mbrojnë ligjin. Kjo ngjarje e rëndë është pasqyra më e qartë e një realiteti ku konfliktet për pronën kanë dalë jashtë kontrollit, një shoqëri ku drejtësia vonon, ligji blihet dhe jeta njeriut humbet vlerë. Prej më shumë se 30 vitesh, çdo qeveri ka premtuar zgjidhje, por në praktikë ka riprodhuar të njëjtin kaos ligjor që mban peng mijëra familje.
Ligji 7501, ndryshimet e njëpasnjëshme dhe “reformat” e Kadastrës e kanë kthyer pronën në një mall që shitet me pushtet, jo me të drejtë. Në terrenin e pasigurisë ligjore janë ngritur pallate, resorte dhe “investime strategjike” mbi toka të grabitura, ndërsa pronarët e ligjshëm endet ende me dosje nëpër zyrat e shtetit apo në Strasburg.
Kadastra dhe gjykatat, që duhej të ishin garantë të së drejtës, janë shndërruar në pjesë të problemit, me vendime të dyfishta, dosje të zhdukura dhe favorizime për njerëzit me ndikim. Çështja e pronës në Shqipëri nuk është vetëm një debat mbi tokën, por mbi vetë shtetin. Një shtet që nuk garanton pronën, nuk garanton as dinjitetin e qytetarëve të tij.
Dhe derisa të zbardhen abuzimet, të ndëshkohen përgjegjësit, të krijohet një regjistër pronësie i pastër dhe të mbrohet jeta e atyre që kërkojnë drejtësi, kjo plagë do të mbetet e hapur, dhe çdo reformë do të jetë veç fasadë mbi një histori të pandërprerë grabitjesh dhe viktimash. Kur do të ndërpritet kjo sagë e turpshme që ka marrë peng pronën, drejtësinë dhe vetë jetën shqiptare?

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

