Reportazh nga Ura e Shtrenjtë në Postribë, Shkodër.
-Aleksandër NDOJA-
Kryefjalë e 92 vjeçarit Adem Isufi: Kujdes me pushkën, mos e drejto kujt, se ja ke drejtuar vetes dhe familjes tënde…
Është fund dhjetori dhe ndonëse dielli të ngatërron stinën, sëbashku me veprimtarin Dod Luli dhe piktorin Pjetër Marku, marrim rrugën nga Tirana në drejtim të Postribës së njohur në Shkodër, e më tej në vijim të rrugës për Dukagjin. Plani është për t’u ndalur në sarajet pranë rrugës në fshatin e quajtur Ura e Shtrenjtë, ku mund të dëgjosh histori pafund.
Kushdo që pyet për këto kulla në dalje të Postribës do të thotë se mbartin shumë histori. Kryesore është fakti se duke qenë derë anës rrugës për Dukagjin, udhëtarë të shumtë, në netë të acarta apo ditë të nxehta, gjithmonë e gjenin derën të hapur. Ndër shekuj, banorët e kësaj kulle kur ishin të detyruar të qëndronin në ara për të punuar, gjithmonë në njërën prej dritareve do të linin aty një bukë të ngrohtë, me të cilën udhëtarë të shumtë të asaj rruge në drejtim të bjeshkëve të Dukagjinit shuanin sado pak urinë për udhëtimet biblike në bjeshkët e thepisura të cepit më verior të Shqipërisë së cunguar.
Figura e shquar: Adem Isuf Meaj
Në këtë kullë vijon jeta, madje edhe krenaria, falë pinjollit të shquar të kësaj dere, 92-vjeçarit Adem Isuf Mehaj, një burrë i shquar për urtësi, i cili ndër dekada ka ditur mirë të jetë në një vijë e nivel me pajtimtarë të shquar të kombit, kryesuar nga i mirënjohuri i trojeve tona arbërore, Anton Çeta.
Ndalesa e parë: Kafe Colosseu
Të udhëtosh në drejtim të Postribës, sado “ndjellëse” të jetë figura mitike e 92-vjeçarit Adem Isufi, nuk mund t’i shpëtosh pritësve tanë shkodranë si Bib Vatnikaj dhe Dedë Shullani, të cilëve i ishte bashkuar krejt në mënyrë surprizuese miku i revistës “Mirdita” dhe suportuesi ynë gjatë qëndrimit 18-ditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Vat Biga i Gimajve të Dukagjinit.

Pas kafes së mirëseardhjes, vendasit na drejtojnë për në lagjen e “ish-fermentimit” në Shkodër, në rezidencën e Fondacionit të Emigrantëve Shqiptar “Nikaj Mërtur”, me president veprimtarin e shquar Bib Vatnikaj. Në këtë rezidencë krenarie të Nikaj Mërturit, ekipi ynë u njoh me punën e këtij fondacioni dhe qëllimin e funksionimit të tij.
Nga Kryetari i Shoqatës së Misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve, z. Dedë Shullani, u bë një rezime e plotë e aktivitetit dhe arritjeve të kësaj shoqate. Nga ana e AASHL “Mirdita” u akordua titulli i lartë “Misionar i Pajtimit” për Bib Vatnikaj dhe Dedë Shullani, të cilët shprehën konsideratën më të lartë për këtë vlerësim.
Drejt Urës së Shtrenjtë
Tashmë grupit tonë i janë bashkuar pritësit e parë të Shkodrës, ndërsa rruga kalon si pa u ndjerë deri kur, në anën e djathtë, na shfaqet e mirënjohura Ura e Mesit, një ndërtim i shekullit XVIII, ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, një pashë i periudhës osmane.
Pa ndaluar, udhëtojmë drejt fshatit Ura e Shtrenjtë. Fshati ndodhet në luginën e lumit Kir, një zonë natyrore me ara dhe ujë, dhe përreth ka kanione të bukura natyrore që tërheqin vizitorë për shëtitje apo vëzhgime natyrore.
Ndalesa e dytë: Sarajet e Adem Isufit
Ndërtesa e banimit ishte ajo siç e kishim konceptuar në mendje, referuar legjendave të shekujve. Një portë pranë rrugës që gjarpëron drejt bjeshkëve dukagjinase, gjithmonë e hapur, dhe një shesh i vogël parkimi jashtë karegjades.
Nga porta vijonte një rrugë e gjatë, e mbuluar me hardhi dhe e sistemuar aq bukur, që çonte në oborr. Syri të kapte arat menaxhuar mirë dhe traktorë e mjete të tjera bujqësore deri në rrjedhën e lumit Kir, ndërsa në faqen përballë të malit gjarpëronte një rrugë që mbarështronte lopët dhe bagëtitë e tjera të familjes.
Në krye të rrugës shfaqet i zoti i shtëpisë, Adem Isufi, që referuar fizionomisë, ecjes drejt dhe mendimit të qartë, askush nuk do të besonte se ka të tillë moshë.
Adem Isufi, sot rreth 92 vjeç, është një nga figurat më të respektuara të Postribës, i njohur ndër breza si pajtimtar natyror, njeri i fjalës së matur dhe i besës. Pa zhurmë publike dhe pa tituj zyrtarë, ai ka ushtruar për dekada një rol të heshtur, por vendimtar, në shuarjen e konflikteve, pajtimin e familjeve dhe ruajtjen e harmonisë shoqërore në zonë.
Internimi dhe historia e kalit të babait
Të flasësh për pajtimet e Adem Isufit kërkon një natë të gjatë dimri. Shumë prej tyre janë përjetësuar në këngë dhe emisione televizive në mediat e Tiranës dhe Kosovës, por këtë rradhë biseda fokusohet jo veç te pajtimet, por edhe te jeta e vështirë e tij në komunizëm dhe internimi.
Ademi tregon:
Ishte viti 1965, kur familjes tonë iu dha ultimatum të linim kullën dhe të bënim gati plaçkat, pasi kishte dalë vendimi për internimin tonë, bashkë me familjen, në kuadër të politikës së ndëshkimit kolektiv që regjimi ushtronte ndaj personave të konsideruar “të padëshiruar” politikisht apo shoqërisht, pasi të parët refuzuan të hynin në kooperative.
Pikërisht aty ku je ti tani, rrinte kryetari i kooperativës, pasi shtëpia jonë u bë zyra për kooperativën. Sidoqoftë, nuk kishte rrugë të tjera… u bëmë gati dhe, me mundësi të ndryshme, mbërritëm në Shkodër. Babai im, Isufi, kishte një kalë me të cilin ishte lidhur pazgjidhmërisht. Por në Shkodër u detyrua t’ia linte në mirëbesim një të njohuri për pesë vite, sa zgjati internimi ynë. Por atë kalë nuk e morëm më kurrë, psherëtin Ademi.
Jeta në Grabian gjatë internimit
U vendosëm të jetonim në baraka ose banesa primitive. Puna ishte shumë e rëndë në bujqësi dhe me orë të zgjatura. U mësuam disi, por më vinte keq për babanë, të cilin nuk isha mësuar ta shikoja kurrë në këmbë. Por ne kalin e tij e shikonim dhe për këtë ishte shumë i mërzitur. Ndaj vendosa të punoja fort, pa llafe, dhe arrija të bëja dy apo tre norma. Sigurova ca të ardhura dhe arrita e bleva një kalë aty në fshatarët e Lushnjës. Pas kësaj, baba im e shfrytëzoi kalin për të shkuar në punë. Unë punoja pa zë dhe krejt i qetë, po cflihesha në ekstrem.
Diku thatë se ishte i fejuar. Po me atë çfar ndodhi, a erdhi pranë teje në internim?
Po, është e vërtetë, kur u internova isha i fejuar. U internova në maj, ndërsa në shtator kisha caktuar datën e martesës, dhe si familje kishim shlyer çdo detyrim. Pak javë para ditës së dasmës arrita të marr leje nga kampi i internimit për të shkuar në fshat por dhe te miku. Qëndrova te disa kushërinj, sepse shtëpia ishte kthyer në zyra, ndaj dhe u solla ca ditë te disa miq ku kisha strehuar bagëtitë, bletët dhe disa pasuri. Pasi i shita dhe mora ca të ardhura, u nisa për te miku, por loja kishte ndryshuar. Unë kisha kaq burrëri sa u thashë vetë mbi situatën në internim, nuk kisha besë se nuk do ma shtonin etj. Në këto kushte, edhe miqtë kishin mendim të njëjtë dhe për pasojë kjo miqësi u prish. U ktheva në internim dhe vijova punën me të njëjtin ritëm, ku më caktonin.
Deri kur?
Deri kur plotësova pesë vitet. Atëherë më thëret një shef i zonës dhe më thotë: “Për ty kemi menduar të mbajmë këtu në punë, por jo më si i internuar, por si banor. Na duhesh, se je punëtor i madh, ndaj firmos të bëjmë pasportizimin dhe je në radhë për të marrë shtëpi.”
Si u përgjigja?
Më duhej të reagoja me shumë kujdes, por dyshoja se mund të ishte provokim. I thashë se partia kishte menduar për mua të më bëjë banor të Lushnjës, por atje në Postribë kooperativa kishte nevojë për mua. Mbi të gjitha, babai im në moshë të thyer thoshte: “dua t’i kthehem malit, se s’mund të rri kënetave.” Kështu u bë. Pas pesë vitesh lodhje dhe vuajtjesh, u kthyem në vendin tonë, banesën tonë. Që atëherë dhe deri në vitin 1991, kur ra sistemi, punuam në punë të ndryshme, me damkën e të internuarit, por mbijetuam me punë dhe kujdes.
Pajtimet dhe rastet e rralla.
Ademi rrëfen për punën e tij si pajtimtar:
Me prishjen e kooperativës dhe ligjin 7501, u hapën shumë konflikte, që zhvilloheshin frikshëm. Kam përdorur rregullat tradicionale të besës, duke kujtuar palët për ndërgjegjen, nderin dhe respektin ndaj komunitetit. Gjithnjë ofroja zgjidhje që të dy palët mund të pranonin, shpesh duke përdorur shembuj nga jeta e përditshme ose historitë e paraardhësve.
Sa për rastin, e ngacmoj …
Familja ku ish e fejuara kishte krijuar familjen ishte në një situatë të vështirë. Kishin rënë në gjak dhe kërkonin me çdo kusht disa kohë besë nga pala tjetër, por ata reaguan ashpër dhe nuk pranonin asnjë negociator. Familja e ish të fejuarës, nga një fshat larg, u drejtua përmes një të njohuri tek unë, që kisha marrë emër në zgjidhjen e shumë rasteve.
Unë e pranova sfidën dhe pa vonesë u nisa tek pala tjetër. Ai që urdhëronte dhe kishte pushtet absolut në familjen e tij, ndodhej i shtrirë në krevat nga një sëmundje e rëndë dhe në kushte të tilla nuk pranonte biseda. Por dikush i tha: “Ka ardhur Adem Isuf Meaj nga Ura e Shtrenjtë.” Ai heshti dhe tha: “Le të vijë.”
“Po ku je, Adem Isufi?” mu drejtova duke hapur krahët. I them: “Këtu, e në besë tënden.” Biseda nuk zgjati shumë; burri i lodhur nga sëmundja dhe dhimbja për fatkeqësinë mu drejtua:
-“Sa kohë besë don, o Adem Isufi?”
-“Sa të duash ti,” i thashë me të butë dhe përlulje.
-“Po ja një vit, ore Adem.”
Unë e falenderova me përulësi të madhe dhe u largova. Në shtëpinë e ish të fejuarës kishte plasur festa. Ish e fejuara, pas më shumë se 50 vitesh, erdhi dhe më dha dorën, më falenderoi dhe më puthi në faqe, madje më dhuroi një palë çorape të punuar në mënyrë artizanale nga ana e saj, ku spikasnin lule me ngjyra. Më vonë në këtë frymë dy familjet u pajtuan përgjithnjë.
Ademi mbyll rrëfimin me një qeshje të lehtë, duke thënë:
Kujdes me pushkën, mos e drejto kujt, se ja ke drejtuar vetes dhe familjes tënde… Ai meriton pa diskutim medaljen e lartë “Misionar i Pajtimit” akorduar nga AASHL “Mirdita”, titull që nuk do të lëvizë nga ballina e gradencës.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

