– O P I N I O N –
Kohët e fundit, në media të ndryshme ndërkombëtare, por edhe në hapësirën tonë mediatike, është rikthyer me forcë emri i Jeffrey Epstein. Jo si lajm i ri, por si fenomen i ri interpretimi, ku faktet e rënda reale po përzihen gjithnjë e më shumë me teori konspirative, hamendësime dhe akuza pa bazë.
Jeffrey Epstein ishte një financier amerikan, i dënuar dhe i akuzuar rëndë për trafikim seksual të të miturve, shfrytëzim dhe abuzim sistematik. Rasti i tij tronditi opinionin publik botëror jo vetëm për shkak të krimeve, por sepse ai kishte lidhje shoqërore me figura të njohura të politikës, biznesit dhe elitave ndërkombëtare. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i dëmit: jo vetëm krimi personal, por dyshimi se një sistem i tërë ndikimi dhe heshtjeje e mbrojti për vite me radhë.
Megjithatë, ajo që po ndodh sot është diçka tjetër. Emri i Epstein po përdoret si çelës universal për të hapur çdo derë dyshimi, deri në absurditet. Çdo figurë e njohur historike, çdo personalitet moral apo fetar, po futet në një thes akuzash pa prova, thjesht për klikime, audiencë apo agjendë personale.
Në këtë kontekst, është alarmante të dëgjosh se edhe Nënë Tereza, nobelistja e paqes, simbol i humanizmit botëror dhe krenari kombëtare shqiptare, implikohet pa asnjë bazë nga individë që vetëshpallen “analistë”. Kjo nuk është as gazetari, as analizë kjo është shpifje e pastër ndaj nobelistes së vetme Shqiptare, e gjithë provuar me rrënjë të herëshme në Shëngjin të Fanit në Mirditë.
Duhet thënë qartë se nuk ekziston asnjë provë, dokument apo burim serioz që lidh Nënë Terezën me Jeffrey Epstein apo me çfarëdo rrethi kriminal. Çdo pretendim i tillë bie ndesh me faktet historike, me misionin e saj jetësor dhe me çdo standard minimal të arsyes.
Këtu kemi të bëjmë me një fenomen më të rrezikshëm se vetë skandali Epstein, pra relativizimin e së vërtetës, ku gjithçka hidhet në tregun e dyshimit dhe ku figura të shenjta për njerëzimin përdoren si karburant për sensacion.
Është e vërtetë që Epstein ka eklipsuar tema të tjera globale dhe figura të tjera të diskutuara, por kjo ndodh sepse rasti i tij prek frikën kolektive për abuzimin e pushtetit. Por pikërisht për këtë arsye, kërkohet përgjegjësi, jo çmenduri publike.
Shoqëria ka nevojë për ndarje të qartë mes faktit dhe trillimit, media që informon, jo që helmon, dhe analistë që mbajnë peshën e fjalës, jo peshën e zhurmës.
Në fund, Jeffrey Epstein duhet të shërbejë si shembull i errësirës së një sistemi të korruptuar, jo si alibi për të rrëzuar çdo figurë morale apo historike. Sepse kur gjithçka bëhet e dyshimtë, atëherë asgjë nuk është më e vërtetë.
Aleksandër NDOJA

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

